*Fjalimi i plotë i Kryemininistrit Edi Rama në Kongresin e Partisë Socialiste në 30 vjetorin e saj
Gëzuar 30 vjetorin Partisë Socialiste të Shqipërisë! Kjo është një ditëlindje e bukur. Ҫdo ditëlindje është një ditë e bukur në kalendarin e vitit, por kjo e sotmja ka jo vetëm veçantinë e përvjetorit të 30-të, por edhe shijen e veçantë të fitores së sapoarritur të zgjedhjeve të treta radhazi për herë të parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste shqiptare. Faleminderit edhe një herë të gjithë atyre që punuan fort për të këtë arritje dhe shkruan një faqe kaq të veçantë në historinë e familjes sonë të madhe politike.
Faleminderit njëkohësisht edhe të gjithë atyre që në këto 30 vite i dhanë frymë, energji, besim Partisë Socialiste. Faleminderit atyre që i dhanë kësaj partie emrin, misionin, vlerat e tiparet themelore të një fuqie të madhe të ndryshimit dhe e nxorën Partinë Socialiste në rrugën e përpjetë të transformimit historik të Shqipërisë këtu e 30 vjet më parë. Patjetër, faleminderit liderit të parë të saj, babait tim politik që në fillim e desha, pastaj e vrava dhe më pas e rigjeta të rilindur në respektin dhe vëmendjen e ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit.
Faleminderit atyre që në emër të Partisë Socialiste i shërbyen vendit gjatë këtyre 30 viteve, Kuvendit të Shqipërisë, në qeveritë shqiptare, në institucionet qendrore e vendore të vendit tonë. Por mbi të gjitha e mbi të gjitha faleminderit gjyshërve dhe gjysheve, burrave e grave, vajzave e djemve anë e mbanë Shqipërisë, të cilët gjatë këtyre tre dekadave e shkruan emrin e tyre në anëtarësinë e kësaj familjeje dhe kontribuuan vullnetarisht përgjatë kësaj rruge 30 vjeçare shpresash, mundimesh, sfidash, betejash, sfidash të mëdha e arritjesh domethënëse ku kemi fituar, kemi humbur, jemi ngjitur duke u rrëzuar, jemi ringritur dhe kemi vazhduar të ringjitemi sëbashku.
U prehshin në paqe të gjithë ata që mes tyre nuk jetojnë më nga socialisti, socialistja në këndin më të largët të Shqipërisë e deri te Bashkimi, shoku ynë i paharrueshëm, i cili do të vijojë të jetë me në jo veç në kujtimet tona, por edhe përmes Megit, vajzës së tij të mençur e shembullore. Faleminderit Megi dhe për fjalët e tua. Unë e besoj që nga atje lart, Bashkimi po na ndjek i buzëqeshur dhe është më shumë se asnjëherë krenar për ty.
Faleminderit dhe mirënjohje më të madhe të gjithë atyre që në këto tre dekada i kanë dhënë Partisë Socialiste 5 milionë e 194 mijë e 622 vota në 9 palë zgjedhje kombëtare, duke na bërë partinë më të votuar në historinë e shqiptarëve dhe duke na dhënë privilegjin e jashtëzakonshëm të drejtimit vendit në dy periudha posaçërisht sfiduese të këtyre tre dekadave. Menjëherë pas rrënimit katastrofik të vitit ’97-të dhe të vitit 2013, kur llogaritë e shtetit dhe imazhi i Shqipërisë ishin për faqe të zezë.
Faleminderit juve dhe gjithë socialistëve dhe socialisteve që prej vitit 2005 më kanë dhënë privilegjin e jashtëzakonshëm të udhëheqjes së kësaj force të madhe politik të shqiptarëve, të cilën së bashku e kemi rritur vijimësisht në çdo stacion zgjedhor prej vitit 2009 e mbi të gjitha e kemi ngritur sot në nivelin e misionit historik të Shqipërisë së vitit 2030.
Ndjesë kujtdo që ma ka dhënë këtë besim të madh dhe që në këtë ngjitje të vazhdueshme me kthesa, ndalesa e peripeci nga më të ndryshmet është ndier i mbetur pas, i mënjanuar, i lënduar. Mirënjohje secilit apo secilës që pavarësisht se mund të mos jetë ndier mirë në një moment apo në tjetër, për një arsye apo një tjetër, nuk është larguar, as tërhequr, por ka vazhduar të më besojë, të më mbështesë, të kontribuojë në betejat e Partisë Socialiste për fitore të saj, të cilat kam bërë gjithnjë çmos që t’i kthejë bashkë me ju të gjithë në arritje për Shqipërinë.
S’kam bërë dot asnjëherë sa kam dashur, por asnjëherë s’jam kursyer për të bërë gjithçka kam mundur dhe çdo ditë që kalon me këtë privilegj të madh për mua ndihem më mirënjohës përpara kësaj familje, më i motivuar për sfidat tona për Shqipërinë, më i përulur përpara popullit të Shqipërisë.
Kam mbledhur këtu me vështirësi dhe emocion fjalët që gjithsesi janë krejt të pamjaftueshme të një falenderimi të fundit në këtë ditëlindje të veçantë të Partisë Socialiste, për shokun tim të vjetër të armëve, i cili në këto vite më është bërë sipas rastit dhe nevojës mësues, vëlla, mik, pjesëtar i familjes sime të vogël në gëzime dhe hidhërime dhe në të gjithë vitet e kësaj rruge të përbashkët ka qenë për ditë e përditë një hije e kujdesshme në krahun tim, Gramoz Ruçin.
Nuk dua t’ua fsheh se kur në fundin e atyre takimeve të panumërta kokë më kokë, tërë këto vite, ku thuhen gjithnjë për herë të parë ato që kthehen në zanafilla të vendimmarrje tona, po vdesin aty ku thuhen, Gramozi më tregoi vendimin e tij për t’u tërhequr nga legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë, nga politika aktive pas plot 30 vjet shërbim në Partisë Socialiste, pata ndjesinë e këputjes së krahëve. Duke e njohur besoj shumë mirë e kuptova në çast se ishte vendim i marrë pa asnjë mundësi rishikimi dhe qysh nga ai çast, akoma sot nuk e gjej dot si dhe qysh do të mbushet boshllëku largimit të tij.
Në çdo rast kur lufta politike është bërë kuadrat shahu, pa këshillimin me Gramozin do t’i kishim humbur, me siguri për fajin tim, disa prej ndeshjeve më të bukura që kemi bërë në planin strategjik. Por unë se kam dhe aq merakun në këtë drejtim, sepse e di që ai do të mbetet deri në ditën time të fundit në këtë detyrë, këshilltari im më i besuar për strategjitë brenda këtij kuadrati. Merakun e kam te boshllëku i madh i një eksperience të pashoqe këtu mes nesh, që ai lë pas 30 vjetësh në udhëheqjen e partisë. Askush nuk është i pazëvendësueshëm, e di. Por po ashtu di që dhe që jo gjithëkush është lehtësisht i zëvendësueshëm. Gramozi hynë te një lloji shumë i rrallë protagonistësh në jetën e një organizate apo një vendi, të cilët zëvendësohen me shumë vështirësi dhe gjithsesi duan një kohë të konsiderueshme që të zëvendësohen kur kjo ndodh sepse nuk ndodh gjithmonë.
Kjo do të jetë një sfidë më vetë për mua dhe për ne, por nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet ta pranojmë me respekt vendimin e tij dhe të mësojmë të gjithë prej këtij vendimi.
Të hysh në politikën aktive e të ngjitesh lart është një sfidë më vete, por të dish të dalësh nga politika aktive dhe të zbreshën në kohën e duhur prej lartësisë ku je ngjitur është një art më vete. Dhëntë Zoti ta kem dhe unë dhuntinë e këtij arti!
I dashur Gramoz, janë shumë vitet e punës që kemi ndarë mes nesh. Kjo e jona nuk është punë, në fakt është shumë më tepër se punë. Por qysh nga dita e zgjedhjes sime në krye të kësaj familje të madhe bëhen plot 16 vjet që nuk ka pasur një moment të vështirë apo një vendim të rëndësishëm që se kam pleqëruar me ty, përpara sesa me këdo tjetër. Të jam mirënjohës jo vetëm pse më ke mbështetur pa kursim në çdo hap, për çdo vendim, kurdo dhe kudo ku kam hasur vështirësi, por mbi të gjitha të jam mirënjohës për çdo gabim që nuk më ke lënë të bëj dhe për çdo hov të parakohshëm që ma ke ndalur apo ma ke moderuar.
Jo duke mos më lënë të nxitohem gabimisht, por edhe duke më ndihuar në ushtrimin tejet të vështirë për mua deri para disa vitesh të kalitjes së durimit. Nëse sot, durimi është kthyer nga dobësi në forcë brenda meje, kjo është në një pjesë jo të vogël merita jote, pa marrë këtu natyrisht asnjë meritë të pamohueshme të shoqes tënde dhe gruas sime, Lindës.
Sinqerisht faleminderit miku im!
Dua të them dy fjalë për ata që nuk e njohin apo e njohin përciptas, së largu, jashtë kësaj familje, Gramozin dhe e dinë tamam siç nuk është në fakt, enverist i heshtur, xhaketë e vjetër, konservator i mbyllur, personazh me një biçak labërie në mëngë, që na imponohet me vetullat e ngrysura dhe me sekretet e ca dosjeve misterioze, i cili rri aty në majë të parlamentit si sfinks, pa gjuhë të huaja, pa Facebook, pa Instagram, pa internet fare madje dhe me të cilin më mirë të mos ngatërrohesh se të gjen belaja.
Askush dhe në këtë rast tek aksush fus edhe shumë mes nesh, se ka ditur dhe jo më t’ia qajë ndonjëherë hallin që e ka gjetur të shkretin Gramoz, vetëm imagjinojeni, dy herë nga 15 vjet rresht me dy kryetarë njëri më allasoj se tjetri, njëri më antiparti se tjetri, njëri më kokë më vete se tjetri. Po mirë dy kryetarët, po askush nuk e ka parë se çfarë ka hequr Gramozi i shkretë për të vënë në vijë 30 vjet me radhë organizata, fushata, kongrese, KPD-ra, asamblera, kryesira, grupe e plot kështu gjërash që kësaj familjeje politike ku halli hallit dhe mendja mendjes nuk i ngjan, sa herë që loja politike nis e nxehet dhe shpërthen liria e dhënies së mendjeve kafene më kafene, korridor më korridor, mbledhje më mbledhje e deri para disa vitesh, pasyrë mediatike e në pasqyrë mediatike ku liria e mendimit ndryshe dukej si telenovela “100 Vitrinat”.
Shumë janë ata që kujtojnë se këtë familje e kanë mbajtur bashkë për beteja Nano apo Rama ndërkohë që në atë celularin pa WhatsApp të Gramozit ka më shumë numra anëtarësh partie seç ka pasur ndonjëherë emra të gjallësh në regjistrin dixhital të partisë që mban Taulanti.
Sikur Fatos Nano të mos kishte Gramozin që mbante rreshtat dhe sikur të mos ishte Gramozi që më mbante mua, Partia Socialiste do ishte lëshuar me kohë e me vakt si shallvaret e mia, apo do ishte sot si unë kur nuk e kisha kisha bërë stazhin e partisë nën mbikëqyrjen e shokut Gramoz e jo mandat të dytë jo e jo, por as i pari nuk do kishte ardhur.
Tre fjalët kyçe të Gramozit unë i kam të shkruara, mos kujtoni se i përsëris ngaqë i tha ai për suksesin, janë Frymë, Organizim, Lidership dhe ato u bënë, falë përsëritjes së vazhdueshme, fiksimi im, e kështu arrita që ta kaloja stazhin e Gramozit me aq sukses sa të përdor natyrshëm edhe fjalën “shoku”, kur Gramozi e kishte zëvendësuar me kohë me fjalën “zoti”. Dhe ja kështu u përmbys bota dhe kur unë e thosha “siç e nënvizoi fjalën shoku Gramoz” merrte fjalën Gramozi dhe thoshte “siç e tha pak më parë zoti kryetar”.
Gramozi nuk ka qenë vetëm ai që fuste makinerinë në punë pas kushtrimeve zgjedhore apo fjalimeve programore të dy kryetarëve, të cilëve për të folur, sja ka kaluar dot kush akoma, por ishte ai që të dyve ne, Fatosit më parë dhe mua më pas, na ka dhënë sigurinë dhe mbështetjen për t’i hapur me fjalimet tona. shtigjet e reformave qeverisëse, politike, organizative të kësaj partive pa ardhur tek dera jonë stuhia e kundërshtive që përplaseshin tek dera e shokut Gramoz e davariteshin aty, duke na dhënë ne mundësinë që të vazhdonin përpara të udhëhiqnin pa pasur kokën mbrapa se kush po vjen. Dhe ju e dini që në Partinë Socialiste ka gjithmonë nga ata që po vijnë.
Sikur të ishin të gjithë konservatorët si Gramozi, mendësia e të shkuarës e them me bindje, mund të bëj një libër për këtë, do kishte vdekur me kohë në rrugën e partive politike shqiptare. Dhe në mexhelisin e debatit politik shqiptar dhe konfliktet ekstreme politike do kishin mbetur në të shkuarën që para shumë e shumë kohësh. Si pak kush apo mbase si askush tjetër në fakt që kam njohur në këtë parti, Gramozi ka qenë gjithnjë dy hapa mbrapa ku vjen rasti për të marrë prej kësaj familjeje. Në atë kohën e vjetër kur Gramozi ishte fare i ri, sot do thuhej “I pari në sakrifica, i fundit në pretendime”, ndërsa në këtë kohën e re ku Gramozi është në buzë të 70-ve do thuhej “O sa mirë do ishte sikur shembulli i tij të ishte rregulli, jo përjashtimi që përforcon rregullin në këtë familje”, por nejse, ky është muhabet i gjatë.
Në emër të gjithë kësaj familjeje të madhe, të falënderoj nga thellësia e zemrës i dashur Gramoz, shumë i respektuari shoku Gramoz dhe fort i nderuar zoti Gramoz për atë që je për të gjithë socialistët dhe për të gjithë ne këtu tash 30 vjet dhe sot kur ke vendosur më në fund të nisësh tia lash borxhet e rënda familjes tënde të vogël, në emër të gjithë Partisë Socialiste unë të uroj labçe
Të na rrosh sa malet shoku Gramoz!
Ndokujt kjo “e maleve” i duket demode apo tronditet se i kujtohen kohë të vështira, ne si kongres na vjen keq, por nuk e ndihmojmë dot të mos mërzitet.
Të dashur delegatë të kongresit, sot në këtë datë të shënuar të Partisë Socialiste, jemi mbledhur për dy sebepe në një ditë, për ditëlindjen që pamë dhe që dëgjuam, i thamë ato pak gjëra që na lejoi koha, ndëri të Shqipërisë. Këtu, pas meje do flasin disa prej anëtarëve dhe anëtareve të qeverisë aktuale që do prekin përmbledhtazi një sërë pjesësh të programit tonë të ri qeverisës, i cili pastaj do detajohet imtësisht deri në shtator si një plan pune i kalendarizuar i qeverisë së re.
Unë nuk do cek këtu specifika të programit të ri qeverisës por do prek disa çështje madhore të mandatit të tretë, të cilat nga goja ime do i dëgjoni shumë shpesh në vijim dhe që lidhet me qasjen tonë politike qeverisëse dhe kombëtare.
Fitorja e mandatit të tretë në raport me rivalët tanë është një fitore që tanimë i përket historisë së Partisë Socialiste dhe historisë së zgjedhjeve politike në Shqipëri ndërsa ne sot dhe në vijim na përket vetëm detyrimi i jashtëzakonshëm ndaj vendit, ndaj njerëzve të zakonshëm, ndaj fëmijëve të këtij vendi që ushtrimin e mandatit të tretë të sigurojmë një kapërcim historik.
Si e tillë, kjo fitore historike ka sjellë për ne një përgjegjësi historike, realizimin e një volumi të atillë vendimesh, reformash dhe punësh konkrete që Shqipëria e kësaj dekade që sapo kemi hyrë të ngjitet deri në fund të kësaj dekade në majën ku meritojnë shqiptarët, një vend me standardet e një shteti anëtar të Bashkimit Evropian, një vend ku liria dhe drejtësia ta rrezatojë përkatësinë tonë evropiane me realitetin e përditshëm të marrëdhënieve të institucioneve me qytetarin dhe të qytetarit me shtetin, një vend kampion në këtë rajon të Evropës, në inovacion, energji, turizëm, bujqësi dhe shërbime publike, një vend me dinjitet të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar ku Shqipëria është gjithmonë dhe pa diskutim e para, por kur marrëdhëniet me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë janë pa diskutim të forta dhe të dobishme reciprokisht.
Kjo është Shqipëria 2030 dhe ky është misioni ynë, i cili nuk nis me mandatin e tretë, por në mandatin e tretë do e çojmë përpara me një vetëdije krejt të re, duke filluar nga komunikimi publik, marrëdhëniet me rivalët politikë, por duke mos e harruar për asnjë çast marrëdhënien me publikun, në punën e përditshme të shumicës qeverisëse.
Dua që mandati i tretë të shënojë një hapje të re ndaj njerëzve të këtij vendi, t’i përfshijë ata në vendimmarrjet tona më të rëndësishme, përmes një institucioni të ri kombëtar, këshillit kombëtar.
Unë dua që populli të mos dëgjohet njëherë në 4 vjet kur zgjedh permes votës se kush do ta qeverisë por të dëgjohet të paktën njëherë në vit nga vetë shumica qeverisëse për çështjet me interes të veçantë kombëtar publik apo ekonomik edhe i ndajnë me popullin, këshillohen me popullin dhe gjithë qytetarët pa dallime përkatësish politike, përkatësish fetare, krahinore, moshe a gjinie që do duan të shprehen përmes Këshillimit Kombëtar. Këshillimi kombëtar nuk eshte një ushtrim komunikimi permes të cilit ne shkojmë nëpër Shqipëri, flasim dhe dëgjojmë, por është një institucion ndërveprimi me shkrim, me të gjithë qytetarët e këtij vendi. Të gjithë ata që duan të përfshihen, që duan të japin opinionet e tyre po me shkrim, të na thonë po apo na thonë jo për ç'ka e shtrojmë në si alternativa të mundshme për adresimin e një çështjeje me rëndësi të veçante. Ne do përgatitemi që këtë vjeshtë të bëjmë këshillimin e parë kombëtar dhe do të mësojmë nga kjo eksperiencë e parë për ta përmirësuar atë në vijim. Unë dua që platforma e Bashkëqeverisjes të ngrihet në një nivel të ri dhe ndërveprimi digjital i qytetarëve me qeverinë të mundësohet dhe të marre një rruge ligjore detyruese për qeverinë dhe institucionet të cilat çdo qytetar që nuk merr përgjigje në kohë dhe me cilësi, do ketë forcën ligjore t'u kërkojë të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë një qeverie dhe një shumice qeverisëse që nuk i përgjigjet në kohë dhe me cilësi. Çdo qytetar nuk e çon dot këtë vend në atë nivel ku Shqipëria e 2030 meriton, mund të jetë dhe do të jetë. Ne duhet ta ndajmë mendjen njëherë e mirë që po e deshëm vërtetë Shqipërinë në majën ku shqiptarët na zgjodhën për herë të tretë, duhet ta shpëtojmë këtë vend nga punësimet në shtet, jashtë kritereve të konkurrencës dhe të meritës. Kjo, në radhë të parë, juve të gjithëve që jeni të pranishëm këtu. Unë nuk kam asnjë motiv më të madh se për të dhënë edhe më shumë se deri sot nga vetja sesa ky, i çlirimit të ministrit, institucioneve, agjensive, departamenteve, bordeve nga tentakulat e interesave që mbrohen me demek në interes të partisë apo të elektoratit, por në fakt godasin, cenojnë, gërryejnë shtetin dhe pengojnë vetë misionin e partisë Socialiste. Faleminderit shume për duartrokitjet por me shume se duartrokitjet une dua që të bindem gjatë rrugës se kjo për ju nuk është diçka e bukur për t'u thënë që ta dëgjoje populli, por kjo për ju është vijë ndarëse mes të qenit socialist dhe tradhëtar i PS.
Ne duhet të shtyjmë shumë më fort përpara, të gjithë sëbashku, duke mbështetur pa rezervë e pa kundërshti, çlirimin e mëtejshëm të sektorit publik, nga parazitë, nga arrogantë, nga injorantë, me mbulesa politike, të falur nga njëri apo nga tjetri, në emrin e PS-së gjithmonë, të cilat mbulesa e bëjnë flamurin e PS-së të duket si leckat e gabit, qytetarëve që përballen me këtë lloj specie, fatkeqësisht larg së qeni një specie në zhdukje zyrtarësh e nëpunësit.
Unë dua që mandati i tretë të jetë periudha e një pastrimi të ri të gjakut të Partisë Socialiste, të qeverisjes sonë, të administratës në tërësi. Për këtë pastrim duhet të hapemi më fort e më gjerë se asnjëherë, ,qoftë si parti, qoftë si shumicë qeverisëse. Nga njëra anë duhet të angazhoheni që të gjithë në një fushatë njëvjeçare anëtarësimesh të reja, duke i kërkuar ku janë e ku nuk janë, më të mirët, më të devotshmit, më të gatshmit për Shqipërinë, të çdo moshe, të çdo krahine, profesioni, statusi social.
Nga ana tjetër, duhet ti hapim dyert e qeverisë që nga dyert e kabineteve të ministrave, të ministrive, të agjencive, të departamenteve, të bordeve për vajza e për djem të shkolluar jashtë shtetit të cilët kanë arritur rezultate të larta dhe punojë jashtë shtetit në çdo sektor, e për vajza e djem të shkolluar me rezultate të shkëlqyera brenda shtetit që përballë dyerve të mbyllura e përballë arrogantëve, injorantëve, parazitëve që u përplasin derën në fytyrë, kërkojnë vetëm një shteg për të ikur nga Shqipëria.
Nuk është nevoja që medoemos të kthehen në Shqipëri ata që janë jashtë, për të punuar edhe për Shqipërinë. Kush dëshiron të kthehet, duhet të jetë jo i mirëpritur por i mik pritur me krahët hapur. Pandemia na ka provuar se nuk ka rëndësi se ku ndodhesh fizikisht, për të punuar kudo qoftë e kurdo qofte, që ti mund të punosh. Prandaj gjatë mandatit të tretë ne duhet të kryejmë një metamorfozë revolucionarizuese të administratës, duke kaluar nga një administratë fizikisht e pranishme në punë, në një administratë hibride ku prania fizike të mos jetë ekskluzive por e kombinuar me punën në distancë përmes teknologjikë të pjesës tjetër.
Nisma gati për Shqipërinë të cilën e nisëm vetëm si një test për të matur pulsin e bashkëqytetarëve të shkolluar jashtë vendit në radhë të parë, vajza e djem të rinj më së shumti, çfarë po na provon çdo ditë? Po na provon çdo ditë se falë edhe mandatit të tretë që ka krijuar frymëmarrje të re si çdo fillim i ri por edhe falë dëshirës së madhe të tyre për të dhënë një kontribut për Shqipërinë, potenciali i suksesit në integrimin e të shkolluarve e të punësuarve jashtë në të gjithë piramidën e shtetit tonë, është jo i vogël e mund të bëhet një potencial i jashtëzakonshëm, nëse ne e bëjmë seriozisht këtë që themi. Nëse ne me forcën e shembullit tonë, u provojmë atyre dhe të gjithë shqiptarëve se e kemi shumë seriozisht këtë punë.
Kështu ne mund të adresojmë në rrugë inovative, jo konvencionale, një pjesë të problemit dramatik të rrjedhjes jashtë vendit të burimeve cilësore njerëzore të vendit. Kjo është një sfidë shumë e madhe por që ia vlen më shumë se sa të gjitha pretendimet e kushërinjve e të krushqve të familjes sonë politike të mbledhur së bashku të gjithë, kushërinj e krushq në të gjithë Shqipërinë.
Kjo është një sfidë aq e madhe e aq e rëndësishme për Shqipërinë që duhet me patjetër tua lëmë fëmijëve tanë pa u ndjerë kokë ulur e të turpëruar për atë që u kemi lënë, saqë mandati i tretë le të jetë edhe i fundit po të dojë, nëse mandati i katërt do të varet nga këta arrogantët, parazitët dhe injorantët që futen nëpër zyrat e shtetit me shtytje, me nxitje, me mbrojtje, me garanci interesash që nga deputetët, tek ministrat e deri në nivelet e drejtorëve nëpër territor. Kur të më gjeni kushërinjtë e mi dhe krushqit e mi që punojnë në administratën shtetërore, hajdeni dhe më kërkoni vend për kushërinjtë e krushqit tuaj. Flamuri i Partisë Socialistë nuk është mbulesa e askujt dhe askush nuk ka të drejtë ta falë, lartë e poshtë si mbulesë për qoka e për punët e shtëpisë së vetë. Ne duhet të jemi shumë të qartë me njëri tjetrin, me çdo anëtar të kësaj partie, që vjen dhe thotë dua punë në shtet se kam bërë këtë e kam bërë atë, kam dhënë atë e kam dhënë atë. Partia Socialiste nuk është qëllim, Partia Socialiste është mjet për të arritur qëllimet e kësaj familje të madhe dhe kjo familje e madhe nuk është krijuar dhe as është zhvilluar për tu rrethuar nga vetvetja duke u kthyer në një kështjellë të papenetrueshme pa porta që hapen e mbyllen normalisht për shumëkënd që do të donte të ishte pjesë e saj por më keq akoma, për shumëkënd që jo vetëm do të donte por edhe do të meritonte që të ishte pjesë e armatës së shërbëtorëve të shtetit në institucionet e shtetit. Shteti nuk është i partisë socialiste! Partia Socialiste është këtu për të bërë shtetin dhe është e padiskutueshme që ky është një bast i madh por ky është basti ynë me historinë. Është e padiskutueshme që kjo kërkon një punë kolosale, në rradhë të parë me veten, pastaj me të tjerët. Në radhë të parë me fjalë, por gjithmonë me vepra në mënyrë që edhe ajo pjesë e natyrshme e fiziologjisë së brendshme të organizmit të një partie që kërkon fitoren e rradhës, të garantohet por jo duke ngrënë pas shpine shtetin por duke i dhënë shtetit një të atillë shtat përpara të cilit çdo shqiptar që e do këtë vend të ecë përpara, të mbështesë Partinë socialiste.
Mandati i tretë përputhet në kohë me një kohë të re të drejtësisë në Shqipëri dhe flamuri i Partisë Socialiste nuk mund e nuk do të bëhet dot mbulesë për asnjë ministër, për asnjë deputet për asnjë drejtor, për asnjë shef, nëse drejtësia e re do të kërkojë hesap prej tij apo prej saj. E kam thënë dhe më parë sepse e kemi parë që na është dashur të ndeshemi me këtë sfidë dhe po e përsëris edhe sot. Partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel në dërrasën e kalbur të paligjshmërisë por mban përgjegjësi për se si reagon ndaj kujt shpallet nga drejtësia si i kërkuar për shkelje dhe reagimi ynë do të jetë edhe më i qartë dhe më i prerë, “ik sqarohu përpara drejtësisë me avokatin tënd”, sepse Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e asnjërit nga ne por është nismëtarja, është garantja, është mbështetësja e reformës në drejtësi, e institucioneve të reja të drejtësisë dhe është prijësja e luftës për barazinë të gjithëve para ligjit.
Reforma në drejtësi dhe lufta kundër drejtësisë së vjetër dhe tutorëve të saj është një vijë e kuqe ndarëse jo vetëm mes nesh dhe armiqve të reformës në drejtësi por mes edhe Partisë Socialiste dhe kujtdo brenda nesh që hyn në gjynah me popullin e me shtetin shqiptar duke abuzuar me detyrën për përfitime të paligjshme.
Portat nga qielli, portat nga deti, infrastrukturat e mëdha rrugore, hekurudhore, energjitike, industria e turizmit, rritja e eksporteve bujqësore, digjitalizimi i qeverisjes dhe shërbimeve publike ne do ti realizojmë gjatë kësaj dekade të re, siç jemi zotuar por pa e futur në këtë valle të madhe reformash dhe punësh, atë pjesë të shqiptarëve që deri më sot është nderë e përjashtuar për shkak të mbylljes apo përplasjes së derës në fytyrë kur kërkon një të drejtë, kur kërkon një shërbim apo një punë të merituar, Shqipëria mund ta rrisë ekonominë edhe më shumë se asnjëherë më parë por nuk mund të bëhet një shtet që garanton lirinë, që garanton punën, që garanton drejtësinë si një vend anëtar i Bashkimit Evropian, pra nuk mund të bëhet një shtet që garanton mbrojtjen për fëmijët e vetë por do të mbetet një vend që fëmijët i lë rrugëve dhe kjo për Partinë Socialiste është sfida e re e madhe morale përballë historisë, njësoj si sfida e re e madhe përballë historisë e atyre burrave dhe atyre grave që i pamë në ekran kur filloi ky kongres, e barabartë!
Prandaj, super me projektet e mëdha strategjike e me investimet e mëdha të brendshme apo të huaja, por më shumë, shumë më shumë se sa në dy mandatet e para dhe patjetër shumë herë më tepër se sa në tërë këto 30 vjet, politika jonë, qeverisja jonë, komunikimi ynë, duhet të fokusohet tek kapitali njerëzor shqiptar dhe tek inovacioni teknologjik i Shqipërisë, duke nisur nga familja, nga fëmijët, nga të rinjtë, shkolla, universiteti, duke vazhduar çdo ditë për të hapur në mënyrë domethënëse tregun e ri digjital për më të rinjtë në mënyrë që ata të hyjnë në një treg ku nuk ka rëndësi se ku je, në Kamëz apo në Silicon Valley, je pjesë e këtij tregu, duke vlerësuar sa më mirë ata që kanë çfarë ti japin vendit në sektorin publik dhe privat si dhe duke rritur sistematikisht kapacitetet teknologjie të forcave prodhuese, të forcave menaxhuese, të forcave ligj zbatuese e të forcave mbrojtëse të shtetit e të vendit tonë.
Nuk dua t’ju mbaj më gjatë sepse ky duhet të jetë edhe mandati i fjalimeve të mia më të shkurtra por kjo është sfidë më vete, por dua të ndalem në fund tek politika dhe marrëdhëniet politike të vendit në raport me misionin tonë për Shqipërinë e 2030 dhe në raport me sfidat monumentale të këtij misioni. Boll ti mendosh të gjitha këto e nuk të del kohë me mend të arrish deri tek politika jo më ti përballësh në realitetin e punëve të përditshme e të gjesh kohë pastaj të merresh edhe me politikë e këtu me politikë kam parasysh jo politikën në vetvete, jo artin, për ta bërë të mundshme të pamundurën, kam parasysh politikën e ditës shqiptare, 30 vjet. Kam parasysh bamin dhe bumin, kam parasysh hamin dhe humin, kam parasysh tamin dhe tamtamin e përditshëm që ua ka bërë shqiptarëve politikën një shejtan që u trazon edhe gjumin pasi u ka nxirë gjithë ditën. Kjo lloj dallavere e pambarim nuk është më për ne. Nëse ne duam ti mbarojmë punët e stërmëdha që duhen bërë me sezbën për ta ngjitur Shqipërinë në atë majë ku ky popull pret prej 30 vjetësh ta shohë dhe më besoni as për 30 vjet të tjera nuk mbërrihet, duke harxhuar 30 herë më shumë energji për bam e për bum, se sa për punë e jo për gjumë.
E di që është shumë më e lehtë ta thuash se sa ta bësh, sepse bami sjellim bumin, hami provokon humin, rrushi imiton rrushin, tenxherja do kapakun por ne duhet me doemos ta bëjmë. Me durim, me shumë durim, duke u përqendruar tek populli e tek punët që duhet të bëjmë çdo ditë për Shqipërinë. Duhet tu ikim sherreve duhet ti shmangemi konfliktet, duhet të heqim dorë fare, ti lëmë kundër akuzat kur na akuzojnë. Fushata ka mbaruar. Partia Socialiste ka fituar dhe Partia Socialiste ka fituar për të pasur 4 vjet kohë duke thënë atë që do bëjë dhe tani pasi ka fituar duke thënë atë që do bëjë, duhet të bëjë atë që ka thënë që të fitojë Shqipëria e që duke fituar Shqipëria, Partia Socialiste të fitojë përsëri e përsëri e përsëri. Çfarë na duhet ne, ma thoni, çfarë na duhet ne se çfarë bën Partia Demokratike. Çfarë pune kemi ne se si i bën apo nuk i bën zgjedhjet brenda saj? Se si kremton fitoren e zgjedhjeve të lira pa u numëruar votat e pastaj nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të vjedhura pasi votat në fakt u numëruan. Çfarë na intereson ne se di apo nuk di partia Demokratike si e qysh ta lidhi kalin dhe në portën e Departamentit të shtetit që të hingëllijë kali kundër narkoshtetit edhe në sallën e gjykatës së Parisit që kali të dëshmojë kundër Departamentit të Shtetit. Këtë punë kemi ne. Çfarë të mbjellësh, do të korrësh thotë populli dhe kush bë sherr e shamatë sherrin do ti shohë sherrit dhe shamatën do ti dëgjojë shamatës, por ne dhe jo ne sepse ne na janë vrarë veshët por ne sepse Shqipëria veç për sherr e shamata nuk ka as kohë e as energji për të humbur, duhet që tërë kohën e energjinë ta shpenzojmë që ti kthejmë shqiptarëve borxhin e madh të mandatit të tretë, sepse është e vërtetë, është hera e parë që ndodh në Shqipëri, është shumë e rrallë në historinë e zgjedhjeve në Europë por nuk është si kupa e kampionëve, as si kupa e botës. Kur fiton kupën, e arrite, e mbarove, more dhe kupën dhe ia dole. Kur fiton zgjedhjet, vetëm more të drejtën që të shërbesh dhe thjesht tu dha mundësia që të vazhdosh luftën për ata që ta japin atë të drejtë kështu që me partinë demokratike ne do të debatojë sa të mundemi, kur të mundemi për politikat që i duhen vendit nëse atë politikën që e ka ezauruar vendin nga nervat, ne do ta mbajmë në distancë higjienike nga vetja, në distancë higjenike kudo që të na shfaqet. Nuk është punë për ne. Ka plot që mund ta ushtrojnë atë lloj politike. Ka plot që mund t’i furnizojnë me atë lloj politike klubet mediatike, e të gjitha kanalet e portalet. Ne kemi kaq shumë sfida dhe kemi marrë përsipër një gjë kaq të madhe, sa që një fije e hollë na ndan mes lavdisë dhe turpit, në fund të këtij mandati të tretë. Një fije shumë e hollë.
Opozitën nuk e zgjedhim vetë, e zgjedh populli dhe në respekt të gjithë atyre që e kanë zgjedhur PD ne e kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit në interes të të gjithë shqiptarëve, sepse hallet, problemet, shpresat dhe ëndrrat e tyre nuk janë të ndara në halle të majta dhe halle të djathta apo problem të purpurta dhe problem blu, por janë njësoj njerëzore, siç janë njësoj njerëzore shpresat dhe ëndërrat e të gjithë atyre.
Duke jetuar të ndarë në sherrin e pandalur, ne thuajse e kemi harruar njerëzoren dhe shqiptaren, në të gjithë mexhlisin e përballjes dhe të betejave politike, por jo vetëm, ne së bashku me ata që organizojnë cirqet e mexhilisit kemi infektuar tërë dynjanë, kemi futur në çdo shtëpi e mbi të gjitha kemi dhënë në sytë e çdo fëmije shembullin më të keq të mundshëm, duke bërë në publik atë apo ato gjëra që në shtëpi çdo prind i thotë fëmijës “kjo nuk bëhet”. E prandaj njerëzit nuk kanë faj që politika i duket si punë politikanësh dhe politikanët si punë hajdutësh dhe punë hajvanësh.
Jo, ne jemi të gjithë njerëz dhe të gjithë jemi shqiptarë dhe si njerëz dhe shqiptarë duhet të bëjmë më të mirën që politika të jetë e mirë me njerëzit dhe më e mira e mundshme për Shqipërinë. Ndërsa ne socialistët, jemi njerëz dhe shqiptarë, por që kemi dhe një fuqi të madhe në dorë për Shqipërinë që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë.
E prandaj shumica dërrmuese e shqiptareve dhe jo pak prej atyre që nuk na votojnë thonë: O e bëjnë këta, o ky vend nuk bëhet. Le t’i japim shqiptarëve provën që kanë të drejtë kur e thonë këtë, duke e bërë këtë vend një shtet të denjë evropian që edhe si njerëz të ndihemi mirë nesër përpara fëmijëve tanë dhe fëmijëve të tyre, të cilët nëse ne do të bëjmë sot atë që duhet, nesër do ta duan Shqipërinë, jo vetëm prej gjakut, bukurive dhe historisë së saj por edhe prej kushteve në të cilat ata jetojnë këtu në Shqipëri. Kjo është sfida dhe kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë për mandatin e tretë.