Kreu i lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka njoftuar sot datën e protestës së tretë kombëtare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në një postim në rrjetet sociale, Lapaj bëri të ditur se protesta do të mbahet më 17 janar, në orën 18:00, përballë zyrës së Kryeministrit. Ai u shfaq në video me shkarpa në duar për të dhënë mesazhin se 'bashkimi bën fuqinë' ndërsa ftoi qytetarët për pjesëmarrje masive.

Në mesazhin e tij, Lapaj iu drejtua disa kategorive të shoqërisë. 

"Në datën 17 janar në orën 18:00, ditën e shtunë masivisht duhet të bashkohemi përballë zyrës së Edi Ramës dhe qeverisë më të korruptuar të Europës. Sepse ata, kur jemi veç e veç na thyejnë. Nëse ti je një student që nuk e gjen të drejtën dhe emigron, duhet të bashkohesh. Nëse ti je një person që ke probleme me shëndetin dhe nuk e merr trajtimin e duhur, duhet të bashkohesh. Nëse ti je një fermer që përmbytesh dhe nuk ke marrë dëmshpërblim, duhet të bashkohesh. Nëse je ish pronar që nuk e ke marrë të drejtën e pronës, duhet të bashkohesh. Nëse ti je një familje e re që nuk mund të blesh një apartament prej  çmimeve të shtrenjta, duhet të bashkohesh Nëse ke hapur një biznes të ri dhe tatimorët nuk të lënë rehat, duhet të bashkohesh. Nëse je një qytetar që përballesh me mungesën e cilësisë së ushqimeve në këtë vend, duhet të bashkohesh.  Nëse ti je përballur me korrupsionin, duhet të bashkohesh, sepse nëse ne bëhemi të githë bashkë ata e kanë të pamundur të na thyejnë" tha Lapaj në një video sociale.

Kjo është protesta e tretë kombëtare e thirrur nga lëvizja Shqipëria Bëhet ndërsa vetë Lapaj po proteston prej ditësh përpara kryeministrisë.