Shqipëria merr këtë vit drejtimin e CEFTA-s për vitin 2026, me fokus të qartë te rritja e eksporteve dhe afrimi me tregun unik të Bashkimit Europian.

Teksa çeli aktivitetin e organizuar në Tiranë për këtë rast, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se Shqipëria po kalon nga planet në rezultate konkrete, për avancimin e integrimit ekonomik rajonal dhe afrimin konkret me tregun unik të Bashkimi Europian duke e bërë bashkëpunimin rajonal më të prekshëm për bizneset dhe qytetarët.

Sipas saj, prioriteti i Shqipërisë në 20-vjetorin e CEFTA-s do të jetë lehtësimi i tregtisë, duke ulur kohën dhe kostot në kufi, si dhe zhvillimi i korridoreve të gjelbra për një qarkullim më të shpejtë të mallrave dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, me synim krijimin e një tregu më të shpejtë dhe më të parashikueshëm për bizneset.

Një tjetër fokus mbetet digjitalizimi i procedurave tregtare, me sisteme pa letra dhe shërbime online, që synojnë të ulin burokracinë dhe të rrisin transparencën. Po ashtu, do të punohet për njohjen reciproke të standardeve dhe certifikimeve, për të shmangur pengesat në tregti.

Në këtë drejtim, ministrja evidentoi se prioritetet e Shqipërisë do të fokusohen në avancimin e mëtejshëm të lehtësimit të tregtisë, përshpejtimin e digjitalizimit dhe forcimin e njohjes reciproke, si dhe në rritjen e koordinimit institucional dhe bashkëpunimit rajonal për zbatimin efektiv të vendimeve. Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet përfshirjes aktive të sektorit privat, me qëllim adresimin e barrierave reale dhe mbështetjen e zhvillimit të biznesit.

Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025, shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e CEFTA-s arritën në rreth 123 miliardë lekë, ndërsa vendi mban një bilanc pozitiv. Kosova mbetet destinacioni kryesor për eksportet shqiptare, ndërsa Serbia partneri kryesor për importet. Eksportet shqiptare në rajon mbështeten kryesisht në sektorët e energjisë, materialeve të ndërtimit, produkteve agro-ushqimore dhe industrisë përpunuese.

Drejtoresha e CEFTA-s, Pranvera Kastrati, tha se kjo marrëveshje nuk është vetëm për tregti të lirë, por një platformë praktike që lehtëson qarkullimin e mallrave dhe afron rajonin me standardet e Bashkimit Europian.

Sipas saj, vetëm gjatë vitit 2025, shkëmbimi elektronik i të dhënave ka mbuluar 1.4 milion kamionë, duke kursyer rreth 12 vite pritje në pikat kufitare. Po ashtu, kostot për certifikata janë ulur mesatarisht me 9 euro për çdo rast.

Kastrati theksoi se digjitalizimi dhe njohja e rezultateve të testimeve shmangin procedurat e dyfishta, duke kursyer kohë dhe para për bizneset.

Ajo shtoi se synimi është zgjerimi i sistemit digjital të CEFTA-s edhe drejt vendeve të Bashkimit Europian, si dhe forcimi i koordinimit në kufi, për të ulur pengesat dhe për ta bërë tregtinë rajonale më të shpejtë dhe më efikase.