Ftesa e ardhur nga Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë, që kryeministri Edi Rama të jetë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, ndezi diskutimet në Studio Live në Report TV teksa juristja Alesia Balliu dhe avokati Romeo Karaj debatuan për peshën reale të kësaj ftese dhe mesazhin që ajo jep për politikën shqiptare.
Balliu e cilësoi ftesën si një vlerësim të drejtpërdrejtë për Shqipërinë dhe raportin e saj me SHBA-të, duke hedhur poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një gjest formal apo klishe.
“Unë e shoh ftesën e Trump si një ftesë për Shqipërinë dhe raportin që ka SHBA-të me Shqipërinë. Nuk është një ftesë personale, por institucionale. E shoh edhe si një vlerësim për kryeministrin, punën e bërë dhe raportin me ndërkombëtarët. Nga ana tjetër shoh një opozitë të dobët që merret me retorikë boshe,” tha Balliu.
Ajo vijoi kritikat ndaj opozitës, duke u ndalur te situata e Partisë Demokratike dhe figura e Sali Berishës.
“Endrrat me Forcat Delta që shikon Berisha nuk do të realizohen kurrë, sepse 2 problemet reale të PD-së janë: 1) raporti me faktorin ndërkombëtar që janë SHBA-të që që kur është zgjedhur Berisha kryetar, asnjë ambassador nuk ka shkelur tek selia e PD-së; 2) raportet me drejtësinë të cilën Berisha e sulmon si organizatë kriminale, dhe gjëja më e rëndësishme është që Berisha sot nuk është faktor politik, as në politikë kombëtare e as në atë ndërkombëtare. Ky është mesazhi që u dha me ftesën e dërguar tek Rama. Nëse Partia Demokratike do të dojë të vijë në qeveri nesër, duhet të ndërrojë lidershipin që është bllokuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai po e trajton partinë e tij si pronë private duke cënuar dhe shpifur për këdo që mendon ndryshe. Është rasti i Ervin Salianji, të cilin Berisha e ka implikuar me krimin e organizuar duke hedhur kundër tij shpifje nga më të ulëtat. Salianj është vetëpërjashtuar nga PD, për shpifjet që ngre Flamur Noka, ndërkohë deputeti Himçi që votoi babain e Suel ,Çelës në Elbasan, Berisha e promovoi duke e futur në listë të mbyllur në zgjedhje, duke i hequr të drejtën edhe fituesit të primareve në qarkun e Elbasanit. Disa individë që kanë raporte me grupe kriminale Berisha i promovon dhe disa të tjerë që kanë mendim kundër, i shpall të vetëpërjashtuar” tha ajo.
Në krahun tjetër, Romeo Karaj e relativizoi rëndësinë e ftesës së Donald Trump, duke ironizuar mënyrën se si, sipas tij, mazhoranca po e trajton këtë ftesë.
“Kjo ftesë që ka çuar në delir mazhorancën, po të vinte me postë dhe jo me email, do të dilnim ta prisnim në Rinas. Ftesa nuk ishte personale. Ishte për një institucion dhe për Shqipërinë,” tha Karaj, duke shtuar se nëse ndodh rotacioni politik, edhe një kryeministër tjetër mund të ulet në një tryezë të tillë.
Balliu reagoi menjëherë ndaj këtij qëndrimi, duke e përjashtuar këtë skenar për Berishën.
“Kjo s’ka gjasa të ndodhë. Berisha është non-grata nga SHBA-të dhe nuk mundet të shkojë në shtëpinë e amerikanëve. Berisha ka edhe tre akuza në SPAK,” tha ajo.
Debati u zgjerua më tej, me Balliun që theksoi se opozita nuk mund të presë ndryshimin nga SHBA-të apo drejtësia, por duhet të reformohet nga brenda.
“Rama mori ftesë, qoftë personale, qoftë institucionale për të shkuar në SHBA dhe për të qenë pjesë si kryeministër i Shqipërisë. Opozita nuk mund të vazhdojë të presi nga Amerika se do të godasë Ramën. Opozita duhet të bëjë punën e saj, të ketë një riformatim, një lidership të ri që t'i bëjë ballë kësaj qeverie të korruptuar. Nuk mund të vazhdojë të presë Forcat Delta të vijnë të marrin Ramën. Nuk mund të presin që ndryshimin në Shqipëri do ta bëjnë amerikanët, apo drejtësia. Opozita po braktis institucionin, parlamentin, nuk po bën debat por po fyen. Opozita gjithë kohën duhej ta shfrytëzonte në mënyrën më të mirë për të kërkuar heqjen e imuntietit të Belinda Ballukut në rrugë institucionale. Opozita nuk po i shërben qytetarëve, por Ramës me sjelljet e njëpasnjëshme. Shqiptarët kanë nevojë që ky shtet të ketë opozitë dhe jo patericë”, përfundoi Balliu.
Lajmi kryesor:
GJK vendos për pagat e gjyqtarëve/ Avokati Kara për Report TV: Kërkesë e pavend, unë do isha skuqur nga turpi! Juristja Balliu: T'u rritet njësoj si deputetëve!








