Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, përshëndeti sot përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Rindërtimin e Gazës, një marrëveshje e miratuar në Kuvend me votat e mazhorancës dhe opozitës. Në një intervistë me Studio Live në Report TV, Kuçana tha se opozita do të votonte për çdo bord që ka të bëjë me SHBA-të dhe nuk ra pjesë e lojrave të kryeministrit Rama.

“Opozita nuk ra pjesë e lojrave të Ramës. Patjetër që do të votojmë për çdo bord që ka të bëjë me SHBA-të, me paqen dhe që PD është promotore e paqes, do ta votojë. Unë përgëzoj të gjithë deputetët që e kanë miratuar” tha ajo.

Kuçana u shpreh kritike ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se, sipas saj, ai e sheh Bordin e Paqes si një mënyrë për të shmangur përballjen me çështje të brendshme politike.

“Rama mendon se nëpërmjet bordit të paqes do tia hedhë bordit të korrupsionit por Edi Rama do të ikë “tha ajo.

Ajo shprehu krenarinë për shtrëngimin e duarve mes president Donald Trump dhe Vjosa Osmani, të cilin e cilësoi si një moment domethënës për shqiptarët.

“Sot ndihem shumë krenare që jam pjesë e Shqiptarisë. Kam ndierë një lumturi të jashtëzakonshme kur pashë shtrëngimin e duarve mes Donald Trump dhe Vjosa Osmanit. Do të doja të shikoja kryeministrin e vendit tim patjetër” tha ajo.

Në lidhje me marrëdhëniet e Partisë Demokratike me SHBA-të, ndonëse kreu i saj është dizenjuar non-grata, Kuçana deklaroi se PD ka komunikim të vazhdueshëm me përfaqësues të rëndësishëm amerikanë, përfshirë kontakte në Shtëpinë e Bardhë.