Transformimi i qyteteve, kriza e strehimit dhe sfidat e ndryshimeve klimatike janë në qendër të Forumit Botëror Urban 2026 që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit, ku zëvendëskryeministrja Albana Koçiu përfaqëson Shqipërinë. Ky Forum është një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare kushtuar zhvillimit urban, strehimit dhe qëndrueshmërisë së qyteteve.
Forumi, i organizuar nën kujdesin e Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, bën së bashku liderë botërorë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, ekspertë dhe politikëbërës për të diskutuar mbi sfidat dhe zgjidhjet që lidhen me urbanizimin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të ardhmen e qyteteve.
Zëvendëskryeministrja Koçiu në këtë forum do të theksojë rëndësinë e ndërtimit të qyteteve të sigurta, rezistente dhe gjithëpërfshirëse përballë sfidave globale të strehimit, urbanizimit dhe ndryshimeve klimatike.
Koçiu do të prezantojë në forum transformimin urban të Tiranës dhe zbatimin e programit “Rilindja Urbane”. Po ashtu, ajo do të ndalet te prioritetet e Shqipërisë për qytetet e së ardhmes, me fokus te përballimi i ndryshimeve klimatike, investimet në cilësinë urbane dhe zhvillimi i iniciativës “Smart City” përmes teknologjisë inteligjente.
Komente










