Shqiptarja.com dhe Report Tv mësojnë se një i ri ka mbetur i plagosur në kryeqytet pasi nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë për të ndaluar. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në kryeqytet në afërsi të Shkollës së Bashkuar.

Dyshohet se në kohën kur nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, i riu i identifikuar si Sidion Tabaku 24-vjeç të jetë qëlluar me plumb në këmbë.

Sidion Tabaku

I riu Sidion Tabaku me motor

Më herët, rasti u denoncua edhe nga deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, i cili thotë se i riu edhe është dhunuar, pasi u plagos.

Mbrëmē policia e shtetit ka gjuajtur me armë dhe ka plagosur qytetarin Sidion Tabaku, pasi e ka plagosur ka ushtruar dhune fizike. I plagosuri ndodhet ne spitan ne shtetrrethim qe policia te fshehë ngjarjen. As familjaret dhe askush nuk lehohet te takoje qytetarin. Ministria e Brendshme duhet te marre masat per te bere transparence per ngjarjen dhe te kujdeset per shendetin e te demtuarit. Çfaredo lloj dhune dhe kercenimi ti bejnë ky nuk do te jete nje Xhisiela 2!

Deputeti i PD, Ervin Salianji

 

“Isha në semafor kur më thanë ndalu, unë u tremba se s’kisha as patentë dhe ika, pastaj u përplasa, ata qëlluan dy herë”, shprehet i riu Sidion Tabaku në videon e publikuar nga deputeti i PD-së, Ervin Salianji.

Deputeti Salianji ka qenë i pranishëm edhe sot në ambientet e urgjencës në spitalin e Traumës, nga ku ka biseduar live me të riun që ka plagë në fytyrë e shenjat e plumbit në këmbë. Ai shoqërohej edhe nga deputetët Xhemal Gjunkshi dhe Luan Baçi. Salianji shprehu shqetësimin se ndonëse kanë kaluar 15 orë nga ngjarja nuk ka asnjë njoftim nga policia për të.

Ervin Salianji: Sa kohë do qëndrosh në spital?

Sidion Tabaku: Do rri një javë sa të marr veten, se kam mpiksje gjaku

Ervin Salianji: Familjarët ku punojnë?

Sidion Tabaku: Familjarët punojnë në spital të dy, jo këtu

Ervin Salianji: Të ka marrë në pyetje SHCBA?

Sidion Tabaku:  Jo askush, asnjë polic s’ka ardhur më përveç familjes

Ervin Salianji: Personeli ka pasur tentativa të fshehë ngjarjes?

Sidion Tabaku: Patjetër, kjo është shumë e vërtetë

Ervin Salianji: Të kanë dhënë ndihmë?

Sidion Tabaku: Dy serume kam marrë në 15 orë, asgjë më shumë

Ervin Salianji: Ne do na kesh në krahë, do kujdesemi gjithë kohës për problemin tuaj

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:49
SHÇBA procedon të riun dhe policin që e plagosi: Arma qitje të pavullnetshme

Mësohet se pas ngjarjes SHÇBA ka proceduar të riun që nuk iu bind policisë pasi drejtonte motorin pa patentë si dhe efektivin e policisë që e plagosi. Në njoftimin e shpërndarë nga ministria e Brendshme thuhet se i riu u ndoq nga pas prej policit, pasi ishte rrëzuar nga motori. Në ndjekje e sipër arma e tij ka kryer qitje të pavullnetshme

 

Në datë 1 tetor 2018, rreth orës 23:00 shtetasit S.T., duke lëvizur me një çiklomotor pa kaskë mbrojtëse, në “Rrugën e Dibrës”, iu bë shenjë nga një patrullë e Policisë për të ndaluar. 

Ai nuk ka ndaluar, por ka shtuar shpejtësinë dhe është futur në një rrugicë përballë spitalit “Nënë Tereza”. Për disa minuta ndjekje, nuk i është përgjigjur urdhrave të Patrullës së Policisë. 

Gjatë lëvizjes nëpër rrugica, i riu është rrëzuar nga motorri dhe ka vijuar lëvizjen me vrap. 

Punonjësi i Policisë më afër tij, në ndjekje e sipër ka dyshuar se shtetasi S.T. ka patur në dorë një send të dyshimtë si armë zjarri. 

Kështu efektivi ka nxjerrë armën e shërbimit për ta mbushur, për çdo eventualitet a rrezik, pasi ndjekja po vijonte në gjysëm errësirë në rrugica. 

Në këto kushte arma e punonjësit të Policisë ka realizuar qitje të pavullnetshme.

Pas kësaj, punonjësit e Policisë kanë vijuar ndjekjen për rreth 100 metra dhe arritën ta kapin 28-vjeçarin.

Patrulla kur e konstatoi gjendjen e tij, i ka dhënë ndihmën e parë dhe e shoqëroi S.T. për ndihmë në spital me ambulancë, pasi kishte dëmtime në fytyrë, shkaktuar nga rrëzimi me motorr dhe në pjesën e pulpës së këmbës.

Në fund të veprimeve hetimore, shtetasi S.T. është proceduar në gjendje të lirë për “Mosbidje ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik” dhe “Drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt”. 

Hetimi është kryer nga strukturat e SHÇBA Tiranë, të cilat kanë proceduar punonjësin e Policisë B.B., për “Plagosje nga pakujdesia”.

Njoftimi i Ministrisë së Brendshme

Ora 14:23
E plagosi policia, i riu: U tremba kur shtinë për herë të parë dhe ika, qëlluan 4 plumba drejt meje (VIDEO)

Sidion Tabaku, nga Spitali i Traumës u shpreh për Report Tv se policia ka qëlluar katër herë në drejtim të tij. I riu thotë se ka ikur me motor në momentin kur ka dëgjuar të shtënat e policisë, të cilat sipas tij kanë qenë pa paralajmërim. Pasi është ndjekur për disa minuta nga "Shqiponjat", ai thotë se është përplasur dhe ka rënë në asfalt, ndërsa policia ka qëlluar sërish me armë zjarri, derisa e ka plagosur në këmbë.

Dje rreth orës 23:00, pranë një spitali privat, më vijnë nga pas dy patrulla policie me motorë. Shtinë për herë të parë, u tremba dhe ika. Duke më ndjekur, donin të më përplasnin. Në një pjesë të rrugës, më godasin nga pas dhe bie me kokë në asfalt. Një plumb më kishte kapur në këmbë.

Kur u afruan kanë shtirë drejt, kanë shtirë katër herë, por vetëm një plumb më kapi. Kam fraktura në kokë, mpiksje gjaku dhe plaga që kam në këmbë. Nuk kishin arsye të më ndalonin mua se kam qenë në rregull me dokumente e me të gjitha. Si mund të qëllojë policia e shtetit ndaj një personi civil. Kanë qëlluar katër herë, po sikur të kisha vdekur? Policia ende nuk më ka marrë dëshminë. Dua të vihet drejtësia në vend. 

Sidion Tabaku, i riu i plagosur në këmbë

Sidion Tabaku thotë gjithashtu se edhe pse qëndron prej disa orësh në Spitalin e Traumës, policia ende nuk ka marrë deklaratën e tij, ndërsa akuzon spitalin se ka fshehur kartelat mjekësore.

Ora 14:17
I plagosuri që s’ju bind policisë në Tiranë, mik i Stresit, reperi i rri tek koka në spital (VIDEO)

I riu i plagosur pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar rezulton të jetë miku i reperit të njohur, jo vetëm për muzikën por edhe për problemet me policinë, Arkimed Lushajt, ose Stresit.

Këngetari ka qenë sot i pranishëm në urgjencën e Spitalit të Traumës aty ku po kurohet miku i tij.

Mësohet se Stresi ka shpërndarë edhe videot e mikut nga shtrati i spitalit. Ai u shfaq sot në shoqërinë e deputetit të PD-së, Ervin Salianji ndërsa e shoqëronte për në dhomën ku qëndronte shtrirë, miku i tij Sidion Tabaku.