Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu u bën thirrje autoriteteve që të ndalojnë fostoksinën, nxitur nga një rast ku një ditë më parë një 23-vjeçare i dha fund jetës duke konsumuar këtë lëndë helmuese. Para nisjes së seancës plenare, Shehu tha se autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë për ndalimin e kësaj lënde, ndonëse po shitet si ‘karamele’ nëpër kioska.

Deputeti demokrat tha se edhe shteti po bëhet ‘vrasës serial’ duke mos marrë masa për ndalimin e fostoksinës.

“Mbrëmë një vajzë e re humbi jetën nga fostoksina. Krim që po përsëritet në mënyrë tragjike në vendin tonë dhe shteti nuk bën asgjë. Vazhdon të importohet dhe nuk hiqet. Të rinjtë që mund të kenë një tendencë për vetëvrasje stimulohen dhe e marrin si një karamele kudo. Hesht shteti, heshti institucionet që lejojnë importin e këtij helmi, hesht policia që lejon shitjen në kioska, hesht prokuroria që dytët të bllokojë importimin dhe të gjejë si shpërndahet. Edhe medikamente të zakonshme u jepen qytetarëve në bazë të recetave, ndërsa helme të tilla janë kudo duke u bërë stimulues. Shteti serial killer, vrasës serial duke u bërë bashkëfajtor në këto krime të shëmtuara që po vazhdojnë pafundësisht”, tha Shehu.

Pas disa ngjarjave të rënda ku fostoksina është pëdorur për vetëvrasje nëpërmjet një investigimi, Report Tv zbuloi sesi në Tiranë kjo lloj substance shitet pa kriter në farmaci të licensuara bujqësore.