Shtrenjtimi i perimeve, frutave, bukës apo produkteve të mishit e peshkut nuk ka të ndalur në vend. Prej janarit deri në fund të shtatorit zarzavatet janë shtrenjtuar me 16.8%, krahasuar me vitin e kaluar, sipas të dhënave të INSTAT, kulmi ishte në muajin qershor dhe shtator.

Por pse po shtrenjtohen perimet në kulmin e prodhimit në vend?

“Kostoja është kryesore. Rritja e çmimeve të lëndëve të para që ne importojmë pasi importojmë tre dhe eksportojmë një është elementi kyç. E dyta është TVSH-ja, pasi po futet si element i kostos së produktit, dhe duke u futur si i tillë është rënduar tek çmimi në kosto, plus çmimi që rrisin segmentet e tjera deri tek konsumatori. Së treti mungesa e prodhimit në kohë të caktuar ndikon në çmim, pasi në kohë të caktuar kemi mungesë prodhimi për produkte të caktuara”, pohon kryetari i agrobiznesit në vend Agim Rrapaj.

Jo vetëm perimet, që këtë vit kanë qenë më të pakta në tryezat e shqiptarëve për shkak të çmimit të lartë, por edhe bulmeti nuk po njeh stopim të shtrenjtimit. Nga të dhënat e përpunuara rezulton se në 9 muaj produktet e bulmetit dhe vezët që ju kanë kushtuar qytetarëve 16.7% më shumë se vjet.

Po ashtu është shtrenjtuar me 11.5% mishi, ndjekur nga çmimi i produkteve të peshkut që është rritur me 10.6% si dhe buka e drithërat që kushtuan 6.3% më shumë se vjet.

Shtrenjtimi i ushqimeve gërryen të ardhurat e familjeve, të cilat shpenzojnë rreth 40% të buxhetit të tyre për produktet ushqimore.