Shuhet në moshën 84-vjeçare arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo

TIRANE-Arkitekti Maks Velo është shuar në moshën 84-vjeçare. Prej një muaj ai gjendej i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pasi vuante nga anemia e theksuar. Velo jetonte vetëm me motrën, për të cilën kujdesej, pasi ishte në pamundësi fizike. Ceremoninë mortore për përcjelljen e Velos në banesën e fundit do ta bëjë bashkia e Tiranës.

Maks Velo (1935-2020) u lind në Paris. Por, gjithë jetën punoi në vendin e tij. Emri i tij shënohet në listën e artistëve që do të goditeshin më 1973, pas Pleniumit IV të Partisë së Punës. Një “dasmë gjaku” që filloi me “të ngremë lart frymën revolucionare dhe në art” dhe u mbyll me internime, burgime në tunele minerale, pushkatime, apo trauma të forta.

Maks Velo, ishte arkitekt në profesion, në të njëjtën kohë piktor dhe artist, anëtar i ish- Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pas shenjës së Plenumit, dënohet më 1978, sepse: vepra e tij “inspirohet nga Modigliani, Braque dhe Picasso, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist”.

Pra i burgosur politik për artin dhe idetë, sepse nuk bënte art politik, nuk mendonte politikisht siç bëhej në Shqipërinë Komuniste. Tablotë i digjen. Vizatimet e arkitekturës e të portreteve, vizatimet abstrakte që fillojnë në vitin 1964, po ashtu dhe shumë punë në vaj e pastel të viteve 1960-’70 janë dëshmi e lëvrimit në fshehtësi të artit abstrakt e surrealist në Shqipëri.

Lirohet nga burgu në vitin 1986. Që nga koha kur në Shqipëri përmbyset diktatura, Maks Velo i kthehet jetës. Krijoi, pikturoi dhe shkroi. Është autor i disa vëllimeve me tregim “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, i veprës autobiografike “Kohë antishejë”, i shënimeve për arkitekturën “Paralele për arkitekturën”, i albumit “Jeta ime në figura”, “Grafika të realizmit socialist” dhe së fundmi albumi me vizatime etj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:12
Josif Papagjoni i kushton Velos shkrimin plot ndjenjë: Fryma e shpirtit të tij rebel, një nga modelet frymëzuese për kombin

1588882495_maksi.jpg

Josif Papagjoni, Profesor Doktor në Qendrën e Studimeve Albanologjike i ka kushtuar një shkrim të gjatë e me plot ndjenjë Maks Velos, arkitetktit dhe piktorit të famshëm shqiptar që ndërroi jetë ditën e sotme. Ai e ka konsideruar atë një person që nuk do të shuhet kurrë, pasi fryma e shpirtit të tij rebel do të mbetet një nga modelet më frymëzuese për rininë dhe krejt kombin. Papagjoni e konsideruar Maksin si mikun e shumë personave, mikun e medieve, të shtypit e të Lirisë.

" ...Maksi Velo ishte si fryma, shkoi në Frymë, u bë frymë. E besoj këtë sepse fryma e shpirtit të tij rebel do të mbetet një nga modelet më frymëzuese për rininë dhe krejt kombin. Maksi ishte miku i shumë vetëve, miku i medieve, i shtypit, i Lirisë. Unë e kam njohur atë vetëm pas viteve ’90. Mesa kujtoj, e kam njohur drejtpërdrejt në Festivalin e Butrintit, diku në vitin 1999, 2000. Si kritik i teatrit që isha flisja shpesh dhe, ndofta, aty lindi seria e gjatë e bisedave tona, fillimisht për teatrin (çuditërisht e donte shumë atë dhe i ndiqte thuajse të gjitha shfaqjet), dhe më pas për pikturën, letërsinë, artet. Çuditërisht kisha një mall për këtë njeri, por edhe ai besoj; sido që nxehej e më turej, asnjëherë nuk ia prishja. Dhe bisedat vazhdonin e vazhdonin. Kujtoj shumë gjëra të bukura prej tij, por dua të sjell tri syresh.
Unë jam një agnostik sa i përket besimit, ani pse ortodoks si ai në përkatësinë familjare. Maksi e kishte tejet të theksuar ndjeshmërinë e krishterë, jo aq si religjion sesa si qytetërim. Dikur atij i kishte ndodhur një incident me disa islamistë fondamentalistë shqiptar, që kishin arritur, madje, ta kërcënon në shtyp e në gjallje. Teksa më tregonte gazetën dhe atë çfarë kishte ngjarë, i thashë me butësi: “Pse e vret mendjen, lëri në mjerimin e vet, ti je njeri fort i njohur, ke guxim të jashtëzakonshëm, askush s’të prek e s’të bën dot gjë, për ty ngrihet në këmbë një opinion i tërë, gjithë Shqipëria!...” Por ai u nxeh. E kishte bërë këtë disa herë, edhe në biseda të tjera. Ti do të pish si qingji në dy nëna, më tha. Dhe më kujtoi një rrëfim timin që ia kisha treguar në mirëbesim, kur në vitin 1967, si shumëkush nxënës gjimnazi, edhe unë isha manipuluar nga jakobinizmi i asaj kohe që pushtoi rininë; kishim hequr dhe djegur ikonat e kishës së Sarandës, madje unë kisha veshur edhe robat e priftit dhe kisha dalë rrugëve të qytetit duke bërë “estradë” me mjekrrën, temjanicën, petrahilin etj. Kam mëkate, i thosha"
, ka shkruar Papagjoni.

Ora 19:41
Basha: Maks Velo i pazëvendësueshëm, humbëm një desident të paepur

Kryetari i PD-së Lulzim Basha shprehet se me shuarjen e Maks Velos shqiptarët humbën intelektualin e shquar dhe desidentin e paepur ndaj çdo despotizmi. "Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Maks Velos, artistit shumëdimensional, kritikut dhe qytetarit të madh. Me angazhimin e tij të hershëm në modernizimin e shoqërisë sonë, Maks Velo do të mbetet një nga shembujt më spikatës të disidencës antikomuniste shqiptare.

Maks Velo ishte dhe do të mbetet një misionar i pakompromis me artin dhe desidencën e tij të mishëruar në telajo, arkitekturë dhe në libra. Ai nuk rreshti kurrë së denoncuari çdo përpjekje për restaurimin e pushtetit të nomenklaturës.

Largimi i Maksit lë një boshllëk të pazëvendësueshëm në shoqërinë tonë. Por thesari artistik dhe qytetar i veprave të tij do të jetë gjithmonë frymëzim për të rinjtë dhe gur i çmuar themeli për artin modern shqiptar.

I shpreh ngushëllimet e mia familjes së Maks Velos në këtë ditë të dhimbshme për ta dhe gjithë shqiptarët që humbën intelektualin e shquar dhe desidentin e paepur ndaj çdo despotizmi" tha ai.

Ora 18:43
Arben Malaj: Maks Velo ishte frymëzues, simbol i sakrificave dhe shpresës

Ish-ministri dhe deputeti socialist Arben Malaj tregon se Maks Velon e ka njohur pak, por shton se integriteti i tij dhe përballja me padrejtesitë e inspironte. "E kam njohur shume me pak se te tjeret. Integriteti I tij dhe perballja me padrejtesite me inspironte. Ndersa respekti tij sa here qe takoheshim spontanisht ne aktivitete te ndryshme me ndihmonte ne perballjet gjate jetes. U prehte ne paqe simboli i sakrificave dhe shpreses. Ngushellime familjareve, miqve, kolegeve dhe adhuruesve te Maksit" shkruan Arben Malaj.

Ora 18:42
Ruçi: Ikja e tij është e vetmja, e para dhe e fundit betejë që Maks Velo humbi

Kryetari i  Kuvendit, Gramoz Ruçi shprehu trishtimin e tij për ndarjen nga jeta të piktorit, arkitektit e shkrimtarit Maks Velo. “Maks Velo, ishte artist, arkitekt, piktor, shkrimtar  dhe publicist i shquar. Arti i Maks Velos është përkthimi në pikturë i primitivizmit, modernizmit, pesimizmit dhe tragjizmit të jetës shoqërore. Ikja e tij është një humbje e madhe për kulturën shqiptare. Maks Velo ishte një pasionant i lirisë, mbrojtës i të  vërtetës dhe luftëtar i së drejtës. Maksi zhvilloi shumë beteja në jetë dhe të gjitha i fitoi me artin, erudicionin, pasionin, qëndresën dhe stoicizmin e tij. Ikja e tij është e vetmja, e para dhe e fundit betejë që Maksi humbi. Por Maks Velo jeton e do të jetojë në arkitekturën moderne shqiptare, në pikturat moderne, vibrante e melodioze që ai na la me trashëgiminë e tij

Ora 18:31
Postimi prekës i Artan Shkrelit: Paç paqen e pasosur...mik, koleg, shok


I trishtuar për ndarjen nga jeta të shokut të tij, zv/ ministri i Infrastrukturës Artan Shkreli ka bërë një postim në Facebook duke shkruar "Paç  paqen e pasosur!...mik, koleg, shok...".

Ora 18:22
Veliaj: Me Maks Velon Tirana humbi një artist brilant

Kryebashkiaku Erion Veliaj thotë se me ndarjen nga jeta të Maks Velos, Tirana humbi qytetarët e saj më të mirë, një artist brilant, që na la si pajë vepra ikonike. "Maks Velo ishte nga ato mendje të bukura, që i dha kaq shumë arkitekturës e artit shqiptar, pikturës e letërsisë. Tirana humbi një nga qytetarët e saj më të mirë, një artist brilant, që na la si pajë vepra ikonike. Faleminderit Maks! Ngushëllime nga zemra familjes!" thotë Veliaj.

Ora 18:18
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Maks Velo ishte një nga simbolet e protestës sonë

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shkruan se Maks Velo ishte një nga simbolet e protestës. "Maks Velo ishte një nga mbrojtësit e parë të Teatrit dhe një nga simbolet e protestës tonë. Nuk heshte edhe kur kishte plot që donin t'i hiqnin fjalën, te Sheshi i Teatrit duket sikur gjeti qetësinë për të thënë ato që mbante kyçur në mendjen dhe shpirtin e tij prej vitesh.

Largimi i tij është një humbje e madhe për të dashurit dhe miqtë e tij. Por ajo është dhe një humbje për shoqërinë shqiptare, për mendimin e lirë, dhe për ata që nuk bëjnë kompromis me lirinë e tyre edhe kur dënohen për të! U prefsh në paqe Profesor Maksi" mbyllet postimi.

Ora 18:17
Meta: Lajm i trishtueshëm, Maks Velo la pas një boshllëk të pazëvendësueshëm

Për Presidentin Ilir Meta, Maks Velo do të mbetet në memorie si një njeri që luftonte pakompromis transformimet e shfrenuara urbane, intelektual aktiv që jetoi dy epoka duke provuar vuajtjet e burgjeve të diktaturës, shkrimtar e studiues i njohur.

"Ndarja nga jeta e Maks Velos është një lajm i trishtueshëm. Si një prej figurave më novatore të artit shqiptar, simbol i antikonformizmit dhe lirisë së mendimit, piktor e arkitekt i shquar që luftonte pakompromis transformimet e shfrenuara urbane, intelektual aktiv që jetoi dy epoka duke provuar vuajtjet e burgjeve të diktaturës, shkrimtar e studiues i njohur, kjo ikje e Tij le pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në shoqërinë shqiptare.

Ngushëllime të afërmve, bashkëpunëtorëve, miqve e dashamirësve të shumtë! Maks Velo dhe zëri i Tij kritik do t'i mungojë në veçanti mbrojtjes së interesit publik në këtë periudhë të brishtë institucionale dhe demokratike" thotë Meta.

Ora 18:13
Arkitekti Pirro Thomo: Maksi, humbje e madhe! Edhe ata që s'e donin e respektonin (VIDEO)

Pirro Thomo, një nga miqtë e Maks Velos në një lidhje në edicionin qendror të lajmeve në Report Tv shprehet se edhe ata që nuk e donin e respektonin sepse ishte një artist shumë dimensional.

"Së pari edhe ata që nuk e deshën të paktën e respektonin sepse ishte një artist shumë dimensional, ishte arkitekt, piktor. Si shkrimtar ishte i drejtpërdrejt, të gjithë jetën dhe vuajtjet, ishin shumë bindesë.

Kishte një karakter të fortë, dallohej dhe idealet e tij mund të sakrifikohej, dënohej, por i mbante deri në fund. Për mendimet dhe idealet e tij dërgohet me një burgim shumëvjeçar. Nuk u ligështua, por doli më i fortë, po ai Maks që ka qenë mbeti. Kjo ishte karakteristikë kryesore, i çiltër, i zoti dhe i direktë, pa kompromis.

Me mbylljen e detyrueshme, para karantinës e kam takuar.Gjithmonë mëngjeseve bënte një xhiro nga kodrat e liqenit dhe takoheshim. Ai ishte nga pionerët e mbrojtjes së monumenteve, ka ndjekur korifejtë.

Ishte mbrojtës i vlerave të popullit tonë. Ishte një njeri i madh, i paepur i vlerave kulturore. Maksi kishte shumë dëshira, dhe i transmetonte, por në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë sonë kulturore" tha Thomo.

Ora 18:11
Jeta në foto e arkitektit të njohur Maks Velo

Arkitektura shqiptare ka humbur një nga figurat e saj më të njohura. Maks Velo ka nderruar jetë, në moshën 84-vjeçare.

Shqipëria kështu humb një nga mendjet e lira e të vendit, që edhe pse njihej si arkitekt ndërkombëtarisht, la pas vepra në telajo, por edhe libra me kujtime nga koha kur publicistika dhe arti i tij i kundërvihej komunizmit.

Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura ” etj.

Shqiptarja.com sjell një fotogaleri me foto të ndryshme të arkitektit dhe piktorit Maks Velo.

Ora 17:49
Rama i trishtuar për ndarjen nga jeta të arkitektit të njohur: Lamtumirë Maks


I pikëlluar, i trishtuar dhe zemërthyer, kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të arkitektit të njohur Maks Velo. "Çfarë trishtimi! Lamtumirë Maks" shkruan Rama, ndërsa postimin e shoqëron me foton e arkitektit.

Ora 17:34
Sot u nda nga jeta! Ja çfarë thoshte Maks Velo në intervistën e fundit në Report Tv (VIDEO)

Sot u nda nga jeta piktori dhe arkitekti i njohur Maks Velo. Intervistën e fundit në media ai e dha në datë 25 shkurt të këtij viti në Report Tv ku rrëfeu punën e bërë për botimin e albumit “Vizatime shqiptare 1957-2019”. Velo tregoi se nëpërmjet lëvizjeve të artit figurativ arriti që të shkojë drejt artit modern. Pak ditë pas intervistës ai u shtrua në QSUT, pasi vuante nga anemia e theksuar.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • shkoder: 09/05/2020 16:31

    Linde ne vendin e duhur , vdiqe ne vend te gabuar. Ceshtje fati. Nuk eshte se ti bere dicka gabim por eshte vendi yne i drejtuar nga dreqi qe njeriu perfundon keq sado qe ti perpiqesh.

    Përgjigju
  • malfusha: 09/05/2020 15:48

    Velo një qytetar i guximshem,i drejteperdrejte,i ditur.Vuajti por nuk u nenshtrua nga diktatura.Profesionst i shkelqyer.Por deri tek kombi që e çon z.Josif nuk mendoj,sepse ai që urren një pjesë të kombit nuk i sherben plotesisht atij.Zoti i pastë dhënë parajsën.

    Përgjigju
  • Ngushullime Familiareve.: 08/05/2020 03:42

    Te lehte e paste dhehun ..dhe do Zoti ne Parajse .. Por fatekeqesia e Tradites ,Shqiptare , Ne te tilla fatekeqesi, ngushillimet per njerez te Nderuar zi z.Velo bejne ,si ata Kriminele Politikane ,apo dhe ata te paster nga Ndergjegja Artiste te tjere..

    Përgjigju
  • Iris: 08/05/2020 03:18

    Respekt per z.M.Velo artistin e arkitektin e shkelqyer qe I dha gjithcka Shqiperise.Tani presim nje reagim dhe veprim nga Akademia e Shkencave dhe Galeria e Arteve.

    Përgjigju
  • Artan: 08/05/2020 02:04

    Mbeti ne cdo kohe njeri. U prehte ne paqe!

    Përgjigju
  • A'Dio: 07/05/2020 23:41

    U prehsh ne Paqe..!..nje nga te paktet intelektuale..Shqiptare me Kulture Fisnikeri Klass te barabarte me Ajken Intelektuale Perendimore Europiane!

    Përgjigju
  • nuk jam i gazetes: 07/05/2020 22:49

    provoi provoi por nuk shkoi si gjith tjeret qe jan kepiret si ju!

    Përgjigju
  • 3301: 07/05/2020 20:46

    Parajs te mbar mjesher

    Përgjigju
  • R.I.P Maks Velo: 07/05/2020 20:12

    Respekte per kete njeri qe dhe diktatura me e eger nuk mundi ta thyente. U prefsh ne paqe!

    Përgjigju
  • LORA: 07/05/2020 19:27

    Respekt dhe mirenjohje per MAKS Velon arkitekt,artist dhe burre i rralle qendrestar dhe atdhetar. Te qofte i lehte dheu Mjeshter.

    Përgjigju
  • Timi: 07/05/2020 18:52

    Te gjithe keta qe kane uruar njeri me artist se tjetri

    Përgjigju
  • dori: 07/05/2020 17:36

    NDER NJEREZIT DHE ARKITEKTET ME TE ZGJUAR DHE TE SHQUAR QE KA PATUR SHQIPERIA,,,,ARTIST I MADH ,,ME ZEMER TE MADHE QE VUAJTI PADREJTESISHT NE BURGJET E KOMUNIZMIT,,KETA NJEREZ NUK VDESIN KURRE SEPSE LENE MBRAPA VEPREN E TYRE ,,,DO NA MUNGOJE SHUME FJALA E TIJ E ZGJUAR DHE NJEREZORE,,,,NJEREZ TE NDERSHEM SI MAKS VELO VESHTIRE TE GJESH NE SHQIPERI SOT,,,NGUSHELLIME PER KETE HUMBJE TE MADHE FAMILJES DHE SHOQERISE TE TIJ...///

    Përgjigju
  • Skender gjoka: 07/05/2020 17:31

    Kam mendimin se do gjejne marveshje per reformen zgjedhore sepse dota bejme sipas interesave te tyre

    Përgjigju
  • RESPEKT: 07/05/2020 17:27

    RESPEKT PËR MAKS VELON TË QOFT DHEU I LEHT MOR BUR ZOTNI.

    Përgjigju
    • Zana Paradise: 09/05/2020 23:00

      Maksi do mbetet i pavdekshem, ishte miku i familjes time. Nena ime dhe motra e Maksit ishin sh shoqe. Vdekja e Maksit eshte nje humble, por inteligjenca, dashamirsia dhe veprat e tij do mbeten te paharruara. Maksi ishte nje artist i persosur dhe i dashur me te gjithe. Maksi vjen nga nje familje e mrekullueshme. Prefte ne paqe miku yne. Zana Gjergji Paradise

    • Loli: 07/05/2020 22:53

      Hoxha apo Prifti do ja laj Xhenazen?!

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur