Real Madridi dhe UEFA kanë bërë paqe. Klubi madrilen dhe organi qeverisës i futbollit evropian kanë arritur një marrëveshje që i jep fund 'luftës' që i ka vënë ata kundër njëri-tjetrit në vitet e fundit për Superligën, një event që synonte të rivalizonte Champions Leaguen.

Në një deklaratë të përbashkët, UEFA dhe Real Madridi kanë 'bërë paqe' teksa flasin për 'respektimin e meritës sportive'.

"UEFA, Klubet Evropiane të Futbollit (EFC) dhe Real Madrid CF arrijnë një marrëveshje për të mirën e futbollit evropian të klubeve. Pas muajsh diskutimesh të mbajtura në dobi të futbollit evropian, UEFA, Klubet Evropiane të Futbollit (EFC) dhe Real Madrid CF njoftojnë se kanë arritur një marrëveshje në parim për të mirën e futbollit evropian të klubeve, duke respektuar parimin e meritës sportive dhe duke theksuar qëndrueshmërinë afatgjatë të klubeve dhe përmirësimin e përvojës së tifozëve përmes përdorimit të teknologjisë", thuhet në reagim.

Pak ditë më parë ishte Barcelona që u largua nga kjo ide, teksa Juventusi u largua disa muaj më parë, duke bërë që Real Madridi të mbetej vetëm në këtë nismë.

Tanimë presidenti i Realit, Florentino Perez dhe UEFA kanë bërë 'paqe' duke vijuar të jenë pjesë e kompeticioneve të organizuar nga shtëpia e futbollit evropian dhe duke mbyllur zhurmën e viteve të fundit.

Pesë vjet nga ideja e Superligës Evropiane

Ideja për Superligën lindi pesë vjet më parë. Më 19 prill 2021 lajmi u bë zyrtar. Real Madrid, Barcelona, ​​Atlético Madrid, AC Milan, Arsenal, Chelsea, Inter Milan, Juventus, Liverpool, Manchester City, Manchester United dhe Tottenham Hotspur u regjistruan si klube themeluese të garës së re, e cila synonte të ishte një alternativë ndaj Ligës së Kampionëve. Florentino Perez u bë presidenti i parë i Superligës.

Atë ditë, deklarata e lëshuar që njoftonte hapjen e Superligës shkruante si më poshtë: "Dymbëdhjetë nga klubet kryesore të futbollit të Evropës njoftojnë sot se kanë arritur një marrëveshje për të formuar një garë të re, Superligën, të qeverisur nga Klubet e saj Themeluese.

AC Milan, Arsenal FC, Atlético de Madrid, Chelsea FC, FC Barcelona, ​​​​FC Internazionale Milano, Juventus FC, Liverpool FC, Manchester City, Manchester United, Real Madrid CF dhe Tottenham Hotspur janë bashkuar si Klube Themeluese. Tre klube të tjera do të ftohen të bashkohen para sezonit inaugurues, i cili do të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur.

Duke parë përpara, Klubet Themeluese presin me padurim diskutimet me UEFA-n dhe FIFA-n për të gjetur zgjidhjet më të mira për Superligën dhe për futbollin botëror në tërësi."