Si ndryshon llogaritja e kontributeve dhe masës së pensionit

Si ndryshon llogaritja e kontributeve dhe masës së pensionit

Foto ilustruese

TIRANË- Këto ditë nga ana e Këshillit të Ministrave janë bërë disa ndryshime të rëndësishme lidhur me procedurat dhe masën e përfitimit të pensionit të kategorive të ndryshme të qytetarëve, banorë të zonave rurale apo qyteteve. Ndryshimet prekin Vendimin e mëparshëm të qeverisë nr. 77, datë 28 janar 2015, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, i cili është amenduar po nga qeveria tashmë dy herë në vite. 

Banorët e fshatit

Ndryshimi i parë lidhet me kërkesën, që bëhet nga autoritetet shtetërore në momentin e lidhjes së pensionit të pleqërisë, nëse personi përfitues ka qenë apo jo banues i zonave rurale kur ka derdhur kontributet për sigurimet shoqërore, me efekt pensioni.  

Sipas rregullave në fuqi, të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore dhe për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, për vitin 2015 e në vazhdim, pavarësisht se mund të jenë të pasiguruar për vitet pararendëse. Periudhat për të cilat nuk janë paguar kontributet nuk njihen periudha sigurimi.

Ndërsa, të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët nuk i kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për periudhat e kaluara, por që i kanë patur kushtet për t'u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi, pavarësisht nga vendbanimi aktual, mund t'i paguajnë kontributet për këto periudha, sipas masës së kontributit, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për vitin kur kryhet pagesa.

Shumat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe kamatëvonesave të paguara për ato periudha që personat nuk i plotësonin kushtet e kriteret për t'u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi dhe, për rrjedhojë, nuk përfitojnë subvencionin e buxhetit të shtetit, për pagesat e kryera brenda pesë viteve nga data e konstatimit apo data e kërkesës drejtuar organeve të sigurimeve shoqërore për kthimin e tyre, iu kthehen atyre të plota. Këto shuma, me marrëveshje midis palëve, mund të konvertohen edhe si periudha sigurimi, në nivel minimal, në skemën e sigurimit shoqëror vullnetar, me kuotat e kontributit të kësaj skeme për vitet përkatëse korresponduese për të cilat ishte bërë sigurimi si i vetëpunësuar në bujqësi.

Në rastet kur nga data e pagesës e deri në datën e konstatimit apo datën e kërkesës drejtuar organeve të sigurimeve shoqërore kanë kaluar pesë vjet, me marrëveshje midis palëve, shumat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe kamatëvonesave të paguara konvertohen si periudha sigurimi në nivel minimal në skemën e sigurimit shoqëror vullnetar me kuotat e kontributit të kësaj skeme të viteve përkatëse korresponduese për të cilat ishte bërë sigurimi si i vetëpunësuar në bujqësi.

Procedurat e kthimit të shumave të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe kamatëvonesave të paguara apo procedurat e konvertimit të tyre në kontribute në skemën e sigurimit shoqëror vullnetar përcaktohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Këtyre rregullave i shtohet tani edhe konstatimi se, për efekt të përfitimeve të pensionit, do të njihen si periudha sigurimi të gjitha periudhat nga 1.10.1993 deri në 31.12.2014, për të cilat nga personat e vetëpunësuar në bujqësi janë paguar kontributet e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, sipas procedurave të kohës, pavarësisht vendbanimit të tyre sipas regjistrit të gjendjes civile në atë periudhë të mbuluar me sigurim shoqëror. Pra, personi mund të ketë banuar edhe në qytet, por, në rast se ka paguar kontributet si i vetëpunësuar në bujqësi, atij këto kontribute do t’i njihen për efekt pensioni dhe do të përdoren për llogaritjen përfundimtare të masës së pensionit. Por kjo, me kusht që kontributet të jenë paguar deri në datën 31.3.2015.

Llogaritja

Sipas rregullave të tjera në fuqi, pensioni përbëhet nga pensioni-bazë i pleqërisë, plus shtesën, e cila llogaritet nga shuma e kontributeve të paguara në vite për sigurimet shoqërire. Shtesa mbi shumën bazë të pensionit të pleqërisë është e barabartë me 1 për qind për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar mujore. 

Nëse periudha e përgjithshme e sigurimit të personit nuk është me vite të plota, por edhe me muaj dhe ditë sigurimi, për efekt llogaritjesh, numri i ditëve faktike, që rezultojnë mbi numrin e viteve të plota, do të konvertohen në vit duke e pjesëtuar numrin e këtyre ditëve me 365. Në të njëjtën mënyrë përllogariten edhe shtesat mbi shumën bazë në llojet e tjera të pensionit.
Me VKM-në e ditës së enjte, është vendosur edhe një shtesë në këto rregulla. Kështu, qeveria ka vendosur që, në rastet kur paga mujore, mbi të cilën paguhen kontributet dhe kontributet janë llogaritur e paguar mbi një shumë më të vogël se paga minimale, ose kontributi minimal, i miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin përkatës, periudha mujore e sigurimit llogaritet duke vënë në raport pagën, ose kontributin e paguar, me pagën, ose kontributin minimal, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, e shumëzuar me shifrën 30.

Nga ky rregull do të bëjnë përjashtim muajt me pagesë kontributesh jo të plotë, për shkak se personi ka filluar punë ose është larguar nga puna gjatë muajit. Në këtë rast, për efekt të periudhës së sigurimit merren ditët e punuara.
Për përllogaritjen e bazës së vlerësuar për efekt përfitimi nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe për përfitime nga sistemi i sigurimeve shëndetësore njihet edhe shuma e kontributeve të derdhura për llogari të personit në zbatim të një vendimi gjyqësor, pavarësisht se detyrimi i subjektit punëdhënës mund të jetë më i madh dhe përmban edhe detyrime ende të papaguara për të punësuar të tjerë. Procedurat e derdhjes dhe dokumentimit në bazat e të dhënave përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.

Ndryshimi i parë

Ndryshimi i parë lidhet me kërkesën, që bëhet nga autoritetet shtetërore në momentin e lidhjes së pensionit të pleqërisë, nëse personi përfitues ka qenë apo jo banues i zonave rurale kur ka derdhur kontributet për sigurimet shoqërore, me efekt pensioni

Ndryshimi i dytë

Kur paga mujore, mbi të cilën paguhen kontributet dhe kontributet janë llogaritur e paguar mbi një shumë më të vogël se paga minimale, periudha mujore e sigurimit llogaritet duke vënë në raport pagën, ose kontributin e paguar, me pagën, ose kontributin minimal, shumëzuar me 30

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Përfitojnë 177 mijë pensionistë në Tiranë/ Nis aplikimi i të moshuarve për abone falas

Përfitojnë 177 mijë pensionistë në Tiranë/ Nis aplikimi i të moshuarve për abone falas