Si sot 57 vjet më parë u shua mjeshtri i rrëfenjës shqipe Mitrush Kuteli

Si sot 57 vjet më parë u shua mjeshtri i rrëfenjës shqipe Mitrush Kuteli

Mitrush Kuteli

Mitrush Kuteli, i cilësuar nga kritika shqiptare si rrëfimtari i njohur në prozë, në të gjithë veprën e tij letrare dëshmoi njohjen e thellë të jetës shpirtërore të njeriut, duke e parë atë gjithnjë të ballafaquar me jetën, vdekjen dhe dashurinë. (R.Elsie, 2002)

Mitrush KUTELI (Dhimitër Pasko, 1907-1967)

Shkrimtar, ekonomist, kritik letrar, përkthyes e folklorist. Lindi në Pogradec. Kreu shkollën e mesme tregtare rumune të Selanikut dhe ndoqi studimet e larta e u diplomua në Akademinë e Shken-cave Ekonomike të Bukureshtit (1931), ku mori dhe titullin doktor i shkencave ekonomike (1934). Në Rumani punoi si nëpunës e drejtor banke dhe shkroi e botoi disa vepra për probleme ekonomike e financiare të Shqipërisë e Ballkanit (1932-1938). Më 1942 u kthye në Shqipëri. Më 1944 së bashku me V. Kokonën, S. Spassen e N. Hakiun nxorën në Tiranë të përdyjavshmen Revista letrare. Fill pas Çlirimit punoi në Bankën e Shtetit. Është ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve. Në vitet 1947-1949 bëri dy vjet burg politik. Më pas punoi si përkthyes në Sh.B. Naim Frashëri. Vdiq në Tiranë, më 4 maj 1967.

Veprimtarinë letrare e nisi nga fundi i viteve  20 në gazetën "Shqipëria e re" të Kostancës. Bëri emër si tregimtar me përmbledhjet "Netë shqiptare" (1938), "Ago Jakupi e të tjera rrëfime" (1943), "Kapllan Aga i Shaban Shpatës" (1944), "Dashuria e barbarit Artan" (1943-1945). Po në këto vite botoi përmbledhjen folklorike "Këngë e britma nga qyteti i djegur" (1944), si dhe vëllimin poetik "Sulm e lot' dhe librin me pamflete "Havadan më havadan". Pas Çlirimit botoi librat për fëmijë "Pylli i gështenjave" (1958)," Xinxifillua" (1962) dhe "Tregime të moçme shqiptare" (1965) - një përmbledhje baladash e legjendash popullore të ritreguara në mënyrë mjeshtërore, si dhe përmbledhjen poetike "Baltë nga kjo tokë" (1973).

Nisi të botojë fragmente nga romani "Në një cep të Ilirisë së Poshtme" që doli i plotë pas vdekjes (1983), si dhe novela "E madhe është gjëma e mëkatit" (1996). Me stilin e tij të veçantë dhe mënyrën origjinale të rrëfimit krijoi shkollë të tregimit shqiptar, duke lëvruar kryesisht tipin e rrëfenjës.

Tema zotëruese e prozës së  Kutelit është ajo sociale e patriotike; e kaluara historike e paraqitur herë në përmasa hiperbolike legjendare e herë me ngjyra karnavaleske, vihet shpesh në dialog me të tashmen, duke përzier kohët e rrëfimit.

Vendin kryesor në prozën e tij e zënë përfaqësuesit e vegjëlisë së fshatit e të qytetit, që luftojnë për mbrojtjen e tokës dhe të nderit, mërgimtarë që vuajnë në dhe të huaj, kaçakë e trima të çartur që rebelohen kundër padrejtësive shoqërore, trimëritë dhe doket e ashpra, poezia e fëmijërisë dhe malli për një të kaluar ëndërrimtare, natyra magje-psëse, jeta e qytetit të lindjes dhe e krahinave përreth, të paraqitura shpesh përmes një etnografizmi piktoresk. Dashuria njerëzore deri në dhembje dhe zvetënimi moral deri në humbje, i japin një thellësi filozofike dhe një përmasë universale prozës së Kutelit.

 Proza e Kutelit. është realiste, që të kujton realizmin magjik, me personazhe gjysmë reale dhe gjysmë fantastike, përshkruar nga një humor i vetvetishëm dhe e mbrujtur sipas modelit të ligjërimit popullor, me gjuhë të gjallë e të larmishme. Lehtësia e kalimit nga rrafshi përshkrimor-tregimtar në rrafshin e dialogut, ritmi i shtruar dhe stili baladesk i të rrëfyerit, i bëjnë rrëfimet e tij një tip të veçantë proze, ku kufijtë midis ligjërimit të rrëfimtarit dhe ligjërimit të personazhit thuajse janë fshirë.

Kuteli është dalluar dhe si kritik letrar sidomos me studimet për F. Nolin e L. Poradecin dhe për folklorin. Përmbledhja e tij me titull Shënime letrare (1944) është libri i parë në historinë e kritikës letrare shqiptare. Dy dhjetëvjeçarët e fundit M.K. iu përkushtua përkthimeve në gjuhën shqipe të veprave të letërsisë botërore klasike e bashkëkohore, nga autorë si M. Gorki, N. Gogol, A. S. Pushkin, M. Shohollov, I. Turgeniev, M. Sadoveanu, P. Eluar, P. Neruda e të tjerë.  

POEM KOSOVAR

KËNGA E PARË:

QËNDRIMI

Jam shqiptar

e kosovar:

Zot e krenar,

-Zot e bujar-

mbi këtë Dhe,

që e kam fe

e përmbi fe:

e kam Vatan!

E kam Atdhe!

Që gjysh stërgjysh,

që brez pas brez,

që gjithëmonë!

Ti shkja thërret

ti shkja bërtet,

deri lart në retë:

se jam barbar.

Jo, s'jam!

si bërtet ti,

si buçet ti,

ti, Mal i Zi.

 

Po Vendin tim e dua,

lirinë e dua,-

e s'dua

zot

mbi mua.

Se jam këtu kur s'kish njeri,

kur s'kish kufi

as fqinjëri,

as shkja të zi.

Se jam këtu kur Mal i Zi

ish Iliri:

kur nga një det në tjatrin det

isha zot vetë!

Unë jam këtu nga moti

kur vetë Zoti

e bëri fushën fushë

e malin mal.

Unë jam këtu e do të jem

-dem baba dem-

sa mali të bëhet hi

e hiri mal përsëri

(Bibl.: Elsie, 2002; FESh II, 2008; LSh 20807)

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën