Si ti shpenzojmë paratë e librit?
Për librin, 20% e fondeve të kulturës

Si ti shpenzojmë paratë e librit?<br />Për librin, 20% e fondeve të kulturës
Ku shkojnë paratë që Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve jep për Librin? Një statistikë e përgatitur nga ky institucion mbi fondet e dhëna nga viti 2006 deri ën vitin 2011 për botimet dhe aktivitetet mbi librin, jep në mënyrë të detajuar shumën e sponsorizimeve për çdo botim a aktivitet që lidhet me librin. Shuma totale e dhënë në këto vite me destinacion librin është 108 351 834 lekë (të reja).

Vetëm në 2010, janë dhënë nga kjo ministri 38 273 034 lekë (të reja). A janë ndarë në mënyrë të ndershme, këto para? A kanë ndihmuar këto sponsorizime që të nxisin shijet e leximit dhe të afrojnë më shumë njerëzit me librin?
Deri dje kjo nuk është arritur. Mjaft t’i hedhësh një sy listës së sponsorizimeve dhe e kupton sa abuzohet me këto para.
Botimi i kolanës së at Zef Valentinit, albanologut që dha dijet dhe energjitë e një jete për Shqipërinë është një botim i vyer. Por a duhen shpenzuar 9 milion lekë të reja për një kolanë pre 11 veprash? Valentini është botuar nga dy botues, “Plejad” dhe “55”.
E para ka botuar 6 vëllime dhe ka marrë nga MTKRS 4 500 000 lekë, ndërsa e dyta ka botuar 5 vëllime dhe ka marrë po 4 500 000 lekë.
Për çmimet letrare të 2010 nga të cilat zor se e mban mend njeri se kush ishin fituesit dhe si ishte ceremonia, u dhanë plot 5 100 000 lekë, ndërsa për çmimet kombëtare të gazetarisë Teodor Keko, destinuar për gazetarët e kulturës, por që ndërruan disi destinacion u dhanë 2 319 000 lekë. 3 apo 4 fituesit mbase i mbani mend, po vlera e çmimeve të tyre nuk ishte as sa gjysma e kësaj shume. Paratë e tjera? Juria që përzgjodhi plot mund, dhe sigurisht një ceremoni me vargje, balet e të tjera si këto!!!

Po ashtu një konferencë për Nënë Terezën ka kushtuar 2.631.250 lekë, ndërsa për “Bibliografinë e Librit Shqip 1555-1912, 1913-1944” janë dhënë 3 003 784 lekë. A vlen kaq para secili nga këto aktivitete e botime dhe a është abuzuar me fondet që jepen për librin? Mbi kwtw mund të arrijë lehtësisht në njw konkluzion secili lexues.

Si ti shpenzojmë paratë
Por a do të vijojë MTKRS në të njëjtën rrugë? Ndodh ndonjëherë që diskutimet të zbardhin disa të vërteta që zakonisht i fshihen syve të medias. Kësaj pyetje iu dha një përgjigje dje, në një takim të ministri të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, me shkrimtarë dhe studiues të letërsisë, zhvilluar në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Në krye të herës u shpall qëllimi i takimit, “që politikat e MTKRS-së, të orientohen në mënyrë të tillë që të jenë sa më pranë interesave dhe misionit të komunitetit të shkrimtarëve dhe studiuesve, në dobi të gjenerimit dhe promovimit të kulturës së shkruar shqipe, kudo ku ajo lëvrohet dhe studiohet”. Ministri Bumçi u shpreh se financimet për librin zënë 20 % të buxhetit të kulturës dhe shtoi se ky takim duhet të fokusohet te autorët dhe te nxitja e leximit të letërsisë. Ai kërkoi nga të pranishmit të jepnin idetë e tyre se mund të arrihet kjo. Dhe të gjithë kanë ofruar ide nga më të ndryshmet, disa prej të cilave mjaft të vyera.

Idetë e njerëzve të librit
Shkrimtari Zija Çela tha se MTKRS duhet të blejë disa shërbime për të nxitur leximin, por e rëndësishme sipas tij është dhe iniciativa private e shkrimtarëve. "Kërkojmë lexues, por një plagë tjetër është që kemi blerës, por që s’janë lexues", tha Zija Çela. Sipas Çelës, MTKRS duhet të zhvillojë mekanizma që ta orientojnë lexuesin drejt vlerave të vërteta dhe jo drejt zhurmave sezonale.
Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, bëri thirrje që të kthehet vëmendja te bibliotekat duke i shndërruar ato në ambiente tërheqëse dhe të kulturuara ku lexuesit, e sidomos fëmijët të njihen nga afër më autorët dhe veprat e tyre.
Poeti Visar Zhiti tha se botimet gjuhësore duhet të shkojnë në të gjithë bibliotekat dhe kultura gjuhës shqipe kërkon më tepër kujdes. Ai ngriti idenë e leximeve në shesh në raste përvjetoresh, për autorë si Gjergj Fishta apo autorë të tjerë të traditës, që shija e leximit të merret në një rrugë më atraktive për të rinjtë.
Dhurata Shehri ngriti një tjetër problem, se si mund të nxitet leximi kur nuk ka statistika se sa lexohet, çfarë lexohet, cilat grupmosha, etj. "Propozimi im është inicimi i një studimi i cili nga një anketim të kthehet më pas në një diskutim lidhur me të dhënat për të kuptuar cila letërsi preferohet, cilat tema, autorët, etj", tha Shehri.

Mungesa e bashkëpunimit të MTKRS-së me Ministrinë e Arsimit është problemi tjetër që Shehri ngriti, duke shtuar se Politikat arsimore kanë çuar në këto të dhëna dhe duhen bërë politika të përbashkëta pasi edukata e leximit merret në shkollë.
Botuesi Myftar Gjana e nisi diskutimin e tij me ambientet e rrëmbyera të Bibliotekës Kombëtare. “prej 20 vitesh 2/3 e kësaj biblioteke janë dhënë me qira për aktivitete private që nuk kanë asnjë lidhje me librin”. Ai tha se këto ambiente I duhen rikthyer urgjentisht bibliotekës e të shfrytëzohen për librin dhe njerëzit e librit.
Pa u larguar nga Biblioteka Kombëtare Myftar Gjana tha se serverat e këtij institucioni janë të vjetëruara dhe rrezikojnë të dhëna të vyera të gjithë pasurisë që ruhet në këtë bibliotekë.

Në propozimet e tij Gjana tha se juria që jep çmimet letrare çdo vit në emër të MTKRS duhet të jetë e ndryshme çdo vit, pasi juria ka të njëjtat emra dhe çmimet po ndahen në mënyrë klienteliste.
Përkthyesi i njohur Amik Kasoruho, tha se rruga më e sigurt për nxitjen e leximit është nxitja fillimisht e kritikës letrare, dhe heqja dorë nga vlerësimet sporadike, që I lihen në dorë kujtdo.

Shkrimtari dhe përkthyesi Agron Tufa tha se rrjeti i revistave apo gazetave kulturore do të sillte një peizazh të tendencave letrare dhe se dinamizmi i leximit nuk mund të mendohet pa një rrjet të tillë.

Ndërsa Stefan Çapaliku tha se shteti duhet të aplikojë bursa për shkrimtarët siç, ndodh në gjithë vendet e botës.
Poeti Primo Shllaku, nuk ka dalë nga natyra e tij polemizuese dhe shpotitëse edhe në diskutimin e tij në këtë takim. “Duhet të ngrihet teatri i poezisë. Deri më sot unë dhe Agron Tufa bëjmë nga aktivitet secili por pa asnjë mbështetje. Në ambientet e institutit ku unë e teatrin e poezisë nuk mund të përballoj kërkesat në rritje për ta ndjekur, pasi këtë nuk ma premton ambienti. Tani më duhet një skenë, një pianist, dhe disa aktorë. Kam një program 1-vjeçar, I cili mendoj se duhet mbështetur”.

Shllaku tha se e di shkaktarin që e ka vrarë leximin këto vite. Ai është televizioni. “Ne duhet që t’i kërkojmë televizionit haraçin, në vend të promovojnë lloj-lloj aktivitetesh të dyshimta, le ti japin një hapësirë librit”, tha ai, duke e mbyllur diskutimin e tij me pikën më nevralgjike, ‘si të behet sa më transparente ndarja e çmimeve vjetore të letërsisë’.

“Duhet të krijohet një listë me emra të besueshëm të letërsisë, të cilët të jenë kompetentë si anëtar jurie. Nga kjo listë prej 60-100 emrash, çdo vit të hidhet një short, për zgjedhjen e 5 anëtarëve të jurisë. Ata le të punojnë dhe të japin gjykimin e tyre dhe në fund bashkë me shpalljen e fituesve t’i jepen medias për botim edhe procesverbalet e votimit të jurisë. Vetëm kjo do të siguronte transparencë”, tha poeti Primo Shllaku.

Një propozim që ka ngjallur ngacmime në sallë ishte edhe ai I përkthyesit Edmond Tupja, sipas të cilit duhen evidentuar dhe të jepet edhe një çmim për librin më të dobët. Kjo do të siguronte që lexuesi të mos i avitej më atij libri.
Gjatë takimit shkrimtarë të ndryshëm folën edhe në lidhje me mungesën e një rrjeti revistash apo gazetash letrare, mungesa e librit në rrethe, mungesa e bibliotekave të mëdha në vend, mungesa e një katalogu të librave që botohen, etj.
Disa nga çështjet e tjera që u diskutuan ishin edhe letërsia e shkrimtarëve të dënuar. Në takim u trajtua çështja nëse ka përfunduar procesi i rehabilitimit të shkrimtarëve të anatemuar nga regjimi komunist dhe çfarë mund të bëhet më tej për këtë kategori shkrimtarësh. Po ashtu pati diskutime edhe për përkrahjen e shkrimtarëve të rinj dhe prirjeve të reja që vihen re aktualisht në letërsinë bashkëkohore, nëpërmjet nismave dhe projekteve specifike.

Përfundimet e takimit
Se ç’fryte do të ketë ky takim do të shihet në ditët në vijim. Përpara kemi edicionin e radhës së ndarjes së çmimeve vjetore në letërsi, aktivitet i cili thuhet se këtë vit nuk do të zhvillohet. Ndërsa janari së bashku me ndarjen e buxhetit të ri, do të zbulojë edhe politikat e reja që do të vërë në zbatim ministri Bumçi dhe dikasteri i tij. Pas ndarjes së buxhetit, pjesëmarrësit e takimit të mësipërm por edhe shumë emra të tjerë që i preokupon e ardhmja e librit dhe lexuesve në Shqipëri, do të kuptojnë se a është ndërmarrë vërtet diçka apo paratë e taksapaguesve shqiptarë do të vijojnë të ndahen në mënyrë abuzive e klienteliste siç është bërë deri më sot. Për lexuesit, do të jetë e lehtë, pasi ne do të publikojmë këtu listën e plotë të sponsorizimeve të vitit 2010 dhe 2011. krahasimet dhe analizat janë të lehta për t’u bërë nga kushdo.


Fondi për librin në vitin 2010

1. “Çmimet e letërsisë 2010” përfshirë “çmimin e madh të letërsisë 2010” 5.100.000 lekë
2. Çmimet kombëtare të gazetarisë “Teodor Keko” 2010 2.319.000 lekë
3. Çmimi kombëtar I Bibliofilisë “Lumo skëndo” 2010 987.000 lekë
4. Simpozium “ dosja e diktaturës” – Pjetër Pepa promovim 104.000 lekë
5. Vepra e plotë e Bilal Xhaferit- Sh.Botuese “ Arbëria” Botim 1.462.000 lekë
6. “ salloni I librit italo-shqiptar” Shoqata Botuesve Shqiptarë Veprimtari 300.000 lekë
7. 2 përmbledhje për Nënë Terezën- Mehmet Gëzhilli Argeta LMG Botim 1.000.000 lekë
8. Konferencë për Nënë Terezën- QSA, Mehmet Gëzhilli Veprimtari 2.631.250 lekë
9. “ Statutet e Shkodrës”- universiteti ëisdom Botim 715.000 lekë
10. “Bibliografia e librit Shqip 1555-1912, 1913-1944”- B Kombëtare 3.003.784 lekë
11. “Nëna e Dashurisë” Dom Lush Gjergji Botim 300 000 lekë
12. Vepra( 5 vëllime) e At Zef Valentinit- Sh. Botuese 55 Botim 4.500.000 lekë
13. Vepra(6 vëllime) e At Zef Valentinit- Sh. Botuese Plejad Botim 4.500.000 lekë
14. Festivali ndërkombëtar “ POETEKA” – Arjan Leka Festival 2.800.000 lekë
15. Çmimi letrar “ Ballkanika 2010”- Sh. botuese TOENA Konkurs 2.000.000 lekë
16. “ Gërsheti I prerë” – Vojsava Nelo Botim 200.000 lekë
17. Vepra poetike e Robert Shvarc – Amik Kasoruho Botim 400.000 lekë
18. “Miti I Haxhi Qamilit”- Uran Butka Botim 560.000 lekë
19. “ Tradita moderne e kritikës” – Sh. B. Zenit Botim 250.000 lekë
20. Revista letrare “ Mehr Licht” – Mira Meksi Botim 1.200.000 lekë
21. “Fehim Zavalani – Jeta dhe vepra”, QK “ Fehim e Tajar Zavalani”, Botim 350.000 lekë
22. “ Panairi XIII i Librit, Tirana 2010” – Petrit Ymeri, SH.B.SH Veprimtari 400.000 lekë
23. Ekspozitë e botimeve shqip 1880-1944- Shoqata e bukinistëve Veprimtari 400.000 lekë
24. “Monografi për Gjergj Antoniun” – Ilirjana Dema Botim 250.000 lekë
25. “Gjysmë shekull gjenocid në Shqipëri”- Tomor Aliko Botim 250.000 lekë
26. “Monografi e Muharrem Xhadikut” – Halil Rama Botim 570.000 lekë
27. “Rrugët e ferrit të çarë” – Visar Zhiti Botim 500.000 lekë

Shuma 38.273.034 lekë



Fondi për librin në vitin 2011


1.”Përgjigje për dashurinë” – Zija Çela Botim 437.000 lekë
2. Panairi i Lajpcigut 2011 – ShB Shqiptarë Petrit Ymeri Veprimtari 1.700.000 lekë
3. “ Masakra e Tivarit” – Uran Butka Botim 670 000 lekë
4. Ekspozitë dokumentare për Gjergj Fishtën Botim 500.000 lekë

Shuma 3.307.000 lekë

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta e nis ditën vrullshëm, bën palestër me pesha të rënda dhe premton: 4 milion shqiptarë plus

Meta e nis ditën vrullshëm, bën palestër me pesha të rënda dhe premton: 4 milion shqiptarë plus