“Garantimi i të drejtës së pronës dhe lufta kundër korrupsionit në sektorin e pronave” ishte tema e tryezës së nëntë të organizuar nga ekspertët e atashuar pranë Komisionit të Posaçëm, për konsultimin e draftit dhe finalizimin e Dokumentit Analitik mbi situatën aktuale në fushën e mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Nën moderimin e Prof. Asoc. Dr. Nadia Rusi, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës u diskutuan gjetjet dhe sugjerimet e ekspertëve lidhur me problematikat dhe sfidat që has çështja e pronave në Shqipëri, garantimi i së drejtës së pronës, si dhe u propozuan një sërë masash konkrete të nevojshme për forcimin e integritetit dhe parandalimin e korrupsionit në sektorin e pronave.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet shtetërore, agjencitë ligjzbatuese, universitetet publike e jopublike, shoqëria civile, organizatat e biznesit, grupet e interesit, si dhe disa anëtarë të Komisionit të Posaçëm. Të pranishëm ishin edhe kryeministri z.Edi Rama, ministri i Shtetit dhe kryengociatore znj.Majlinda Dhuka, si dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z.Arbjan Mazniku. E po kështu morën pjesë edhe ekspertë dhe përfaqësues të huaj të atashuar pranë Komisionit nga: Zyra e Këshillit të Europës, Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Greqisë etj si dhe ekspertë të programeve të asistencës të BE e SHBA etj
E drejta e pronës
Prezantimi i gjetjeve kryesore të analizës së ekspertëve lidhur me “Garantimin e së drejtës së pronës”, u bë nga znj.Rusi, e cila ndau me të pranishmit një panoramë të plotë të situatës aktuale të së drejtës së pronës, problematikat e hasura dhe përpjekjet e bëra nëpërmjet një agjende reformash që synojnë përmirësimin e kuadrit ligjor dhe administrativ të pronësisë.
Sipas ekspertëve pavarësisht përparimeve të rëndësishme në fushën e të drejtës së pronës, sfida si mosmarrëveshjet për pronat, ekzistenca e të drejtave të paformalizuara mbi pronën, numri i konsiderueshëm i kërkesave të pashqyrtuara për njohjen dhe/ose kompensimin e pronave të shpronësuara, si dhe infrastruktura e pamjaftueshme mbeten ende problematike.
Ndër gjetjet e ekspertëve është fakti se ende nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar i zonave kadastrale, çka do të luante një rol kyç në garantimin e të drejtave të pronarëve, rritjen e sigurisë juridike për individët dhe investitorët, duke ndihmuar në parandalimin e konflikteve ligjore dhe abuzimeve. Një problem tjetër i rëndësishëm i konstatuar nga ekspertët është mbivendosja e pronave në regjistrat dhe hartat kadastrale, një fenomen ky i shkaktuar nga regjistrimet e pasakta të së kaluarës dhe mungesa e standardizimit. Për pasojë, rreth 80% e të dhënave kadastrale vlerësohen të kenë nevojë për përmirësim. Kjo situatë ka krijuar konflikte dhe vonesa në ekzekutimin e vendimeve. Pavarësisht arritjeve të shënuara për digjitalizimin e shërbimeve, ekspertët gjykojnë se ASHK duhet të jetë më transparente, si dhe nevojitet të miratojë një Udhërrëfyes gjithëpërfshirës për planifikimin e politikës së digjitalizimit të të dhënave kadastrale dhe procesit të regjistrimit fillestar, të shoqëruar me një plan financimi për përmbylljen e këtyre proceseve në afatet e parashikuara.
Në analizë ekspertët vlerësojnë se ligji nr. 20/2020 ka përcaktuar vitin 2028 si afatin përfundimtar për përmbylljen e të gjitha proceseve kalimtare të pronësisë, por duke marrë parasysh kohën e mbetur, burimet e disponueshme, si dhe kompleksitetin e çështjeve, përmbyllja e tyre brenda këtij afati përbën një sfidë të konsiderueshme. Lidhur me procesin e njohjes dhe kompensimit të pronave, ekspertët gjykojnë se nevojitet të shtyhet afati për vlerësimin financiar të vendimeve të kompensimit dhe trajtimin e kërkesave për njohje pronësie, i cili përfundon në dhjetor 2024.
Një drejtim tjetër ku sipas ekspertëve nevojitet të merren masa të mëtejshme është monitorimi efektiv i ekzekutimit të vendimeve gjyqësore dhe administrative, veçanërisht atyre që lidhen me kompensimin e ish-pronarëve. Në përputhje me rekomandimet e BE-së, ekspertët vlerësojnë se shihet me rëndësi rishikimi i kuadrit ligjor mbi investimet dhe garantimi që procesi i shpronësimit publik të shoqërohet nga një kompensim i drejtë. Nga ana tjetër sugjerojnë që të thjeshtohen procedurat për verifikimin e dokumentacionit të pronës; përmirësim të aksesit për grupet vulnerabël të qytetarëve në platformën e-Albania; miratimi i një politike mbi tokën e cila do të adresojë çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me menaxhimin e tokës, administrimin, planifikimin si dhe masat e nevojshme administrative, buxhetore dhe koordinuese për fillimin e zbatimit të saj.
Parandalimi i korrupsionit në sektorin e pronës
Paneli i dytë trajtoi gjetjet kryesore të analizës së ekspertëve lidhur me “Parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në sektorin e pronave”, të cilat u prezantuan nga Prof. Dr.Nada Dollani, nga Qendra A.L.T.R.I. Duke iu referuar Progres Raporteve të Komisionit Evropian, përfshirë edhe Raportin e fundit të progresit 2024, si dhe raportet e aktorëve të tjerë ndërkombëtare, ekspertët vlerësojnë se janë ndërmarrë disa hapa pozitive në luftën kundër korrupsionit, siç është digjitalizimi i proceseve dhe shërbimeve, megjithatë theksojnë se disa sektorë, siç janë pronat, vijojnë të konsiderohen sektorë të rrezikuar nga korrupsioni.
Në analizën e kryer, ekspertët vlerësojnë se një nga masat për forcimin e integritetit dhe parandalimin e korrupsionit në sektorin e pronave është hartimi i një strategjie që përfshin vlerësimin e rrezikut sektorial të korrupsionit, analizën e proceseve për të identifikuar dobësitë dhe zhvillimin e një plani të masave për zvogëlimin dhe parandalimin e korrupsionit. Ekspertët gjykojnë se në sektorin e pronave, është i nevojshëm përshpejtimi i digjitalizimit të të dhënave kadastrale dhe përditësimi i sistemit për të eliminuar mbivendosjet dhe të dhënat e pasakta.
Masa të tjera të sugjeruara nga ekspertët në parandalimin e korrupsionit në këtë sektorë janë: rritja e kapaciteteve për integritet në sektorin e pronave përmes hartimit të një programi të posaçëm trajnimi për punonjësit e Kadastrës dhe punonjësit e administratës publike; gjurmimin elektronik të regjistrimit, rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe njohurive të tyre mbi mënyrat e denoncimit të korrupsionit; nxitjen e mekanizmave të sinjalizimit; si dhe hartimin e një strategjie konkrete për rritjen e transparencës, çka do të ndihmonte për ndërtimin e besimit publik dhe përmirësimin e efikasitetit.
Diskutimet
Kryeministri z.Edi Rama vlerësoi punën e ekspertëve të pavarur të atashuar pranë komisionit të posaçëm, opinionet dhe sugjerimet e tyre dhe theksoi se Kuvendi duhet të bëhet epiqendra e një ndërveprimi intensiv, që duhet të vazhdojë deri në momentin kur Shqipëria do të anëtarësohet në BE. Kryeministri nënvizoi se Komisioni i Posaçëm është një instrument i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për suksesin e vendit në procesin e anëtarësimit, që do të shërbejë për koordinimin e institucioneve që përfaqësojnë tre pushtetet dhe garantimin e llogaridhënies në përmbushjen e detyrimeve në procesin e integrimit. Teksa vlerësoi punën e bërë deri tani në lidhje me legalizimet, Kryeministri Rama theksoi nevojën për të plotësuar të gjitha kriteret e BE-së lidhur me pronën. “Nëse ne i zbatojmë si duhet këto detyra ky shtet do të jetë një shtet me standardet e BE. E mira e këtij procesi është se ne nuk do të çojmë Shqipërinë në Bruksel, por do të fusim Europën në Shqipëri në të gjithë gjymtyrën e shtetit dhe shoqërisë, duke garantuar lirinë individuale në të gjitha aspektet, sundimin e ligjit në të gjitha aspektet dhe duke garantuar procesin demokratik në të gjitha aspektet. Këto janë tre gjëra që nuk i bën dot askush për ty. Vetëm në këtë proces mund të bëhen në kohë”, nënvizoi z.Rama.
Gjatë diskutimeve, z.Luan Bregasi, president i “Biznes Albania” vlerësoi rëndësinë e tryezës për trajtimin e çështjes së pronave dhe problematikave që mbart ndër vite duke krijuar problem dhe për biznesin, masat e ndërmarra për dixhitalizimin e shërbimeve, si dhe sugjeroi nevojën për rritjen e kapaciteteve administrative dhe profesionale të ASHK, rishikimin e akteve nënligjore për të mundësuar administratën t’ju jap zgjidhje problematikave të hasura.
Znj. Lorena Goxhobelli, drejtoreshë e Përgjithshme e ASHK informoi mbi problematikat e mbartura dhe masat e ndërmarra për plotësimin e kuadrit ligjor, digjitalizimin e të dhënave kadastrale, ofrimin on-line të shërbimeve, çka ndikojnë në ngritjen e ngrehinës së një institucioni efikas, transparent dhe në shërbim të qytetarëve.
Znj. Elona Saliaj, drejtuese e Shoqatës së Trajnimit të Noterëve, solli në diskutime ndryshimet e shpeshta të legjislacionit mbi pronat, nevojën për trajnime të stafit të ASHK për unifikimin e përgjigjeve, nevojën për regjistrimin e një historiku të pronës dhe nxjerrjen e akteve nënligjore, të cilat mundësojnë zbatimin e mirë të ligjeve, kontrollin dhe trajnimet e vazhdueshme.
Z.Reinaldo Pipiria. Drejtor Ekzekutiv i NAREA solli në diskutime nevojën e regjistrimit të pronave, aksesimin e database nga profesionistët e rregulluar, hartimin e politikave fiskale të qëndrueshme sepse ndikon në dekurajimin e korrupsionit, si dhe ofroi mbështetjen e NAREA për të bashkëpunuar me ekspertët e komisionit të posaçëm.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z.Arbjan Mazniku, gjatë diskutimeve kërkoi që bashkitë të regjistrojnë pronat që kanë në pronësi, çka do të jetë një hap i rëndësishëm që do të çlirojë potenciale të reja zhvillimi për ekonomitë lokale. Z.Mazniku u ndal dhe tek puna që po bëhet për draftimin e ligjit për bashkëpronësinë dhe impaktin që do të ketë për përditshmërinë e qytetarëve.
Znj.Arta Vorpsi, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, solli në diskutime faktin se garantimi i së drejtës së pronësisë në Shqipëri garantohet falë një kuadri të plotë institucional dhe kushtetues, ndaj është e panevojshme për ndryshime të reja të kuadrit ligjor. Sipas saj dy problematikat më të hasura për pronat në Shqipëri janë: siguria juridike dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore, për të cilat vlerësoi se mund të marrin zgjidhje falë përfundimit të procesit të digjitalizimit, zhdrëvjelltësia e organeve ligjzbatuese, si dhe rritja e kapaciteteve profesionale të administratës së ASHK.
Znj.Aida Hoxha, përfaqësuese e Dhomës Kombëtare të Noterisë, vlerësoi vendosjen e standarteve falë ndryshimeve në ligjin për noterinë dhe Kadastrën, çka ka ndikuar në rritjen e ndërveprimit dhe lehtësimin e shërbimeve për qytetarët, si dhe theksoi nevojën e rritjes së transparencës, çka do të ndikojë dhe në rritjen e besimit të qytetarëve.
Znj.Ilda Zhaloshnja, zëvendëskryetare e Bordit Drejtues të NAREA, solli në diskutime nevojën e rritjes së transparencës, lejimit të aksesit të përfaqësuese të agjencive të pronave imobilare në regjistrat e pronave apo sistemet e ASHK, si dhe solli nevojën për trajtimin e problematikave të hasura në regjistrimet e pronave për shkak të falimentit të ndërtuesit.
Në përfundim të diskutimeve, anëtari i Komisionit të Posaçëm, z.Toni Gogu falënderoi ekspertët për punën e bërë dhe ftoi pjesëmarrësit në tryezë të përcjellin propozimet për trajtimin e sfidave apo problematikave të hasura. Përmbledhjen ekzekutive të analizës së ekspertëve mbi çështjen e pronave e gjeni në faqen web të Komisionit të Posaçëm www.masl.al