Katër salla të reja gjyqi, 16 zyra gjyqtarësh dhe ambiente të tjera tërësisht të ri konstruktuara u përuruan këtë hënë në Gjykatën e Posaçme Anti-Korrupsion të shkallës së parë. Ambientet, të konceptuara sipas gjykatave amerikane, sipas kreut në detyrë të GJKKO Erjon Bani, garantojnë solemnitet dhe dinjitet. Nuk munguan edhe mesazhet për një ekuilibër mes nevojës për siguri dhe respektimit të prezumimit të pafajësisë, pasi në ambientet e reja vihen re sërish kafazet e qelqta të të paraburgosurve.
***
Sallat e reja të gjyqit në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u inauguruan sot përmes një ceremonie të veçantë.
Por, edhe pse të frymëzuara dhe të ri konstruktuara sipas modelit të gjykatave në SHBA, një element jo amerikan mbetet sërish aty, kafazi i xhamtë për të pandehurit me mase sigurie paraburgim.
Gjykimi i këtyre të pandehurve, edhe pse të padënuar dhe të prezumuar të pafajshëm brenda një kafazi në kundërshtim edhe me vendime të GJEDNJ, ka krijuar një debat shumë të madh publik javët e fundit në Shqipëri, pasi nuk bëhet asnjë dallim apo analizë që lidhjet me rrezikshmërinë e të akuzuarit.
Vetë kryetari në detyrë i GJKKO-së së Shkallës së Parë nuk e anashkaloi debatin kur tha se me sallat e reja krijohen kushtet që personat e paraburgosur apo të gjykuar të marrin pjesë në seancë në mënyrë dinjitoze, duke pasur parasysh edhe sigurinë.
“Me këto masa kemi synuar që siguria dhe dinjiteti të mos përjashtojnë njëra tjetrën, por të plotësojnë njëra-tjetrën”,- tha Bani.
I pranishëm në ceremoni, ministri i Drejtësisë Toni Gogu tha se pikërisht ky ekuilibër, mes sigurisë dhe respektimit të prezumimit të pafajësisë, duhet të vendoset nga vetë gjyqtarët dhe “kafazi” të mos jetë një arbitraritet.
"Nga njëra anë siguri të procesit, por nga ana tjetër edhe dinjitetin njerëzor. Nga njëra anë prezumim të pafajësisë, por nga ana tjetër mbrojtje në sallën e gjyqit. Dhe mbrojtjen në rendin gjyqësor e vendosni pikërisht ju, të nderuar gjyqtarë. Gjykatat që trajtojnë krimin e organizuar, siç është kjo gjykatë, apo çështje me rrezikshmëri të lartë, kanë nevojë për siguri dhe duhet ta kenë atë. Por po aq i vërtetë është edhe detyrimi që çdo masë sigurie, siç edhe Gjykata e Lartë vendosi së fundmi, duhet të ketë proporcionalitetin e vet",- tha Gogu.
Kreu i Gjykatës së Posaçme, Bani, në ceremoninë ku ishin të pranishëm drejtues të sistemit të drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë të SPAK apo ambasadorë të huaj, tha se ambientet e reja plotësojnë kushtin e domosdoshëm pasi gjykatat nuk janë thjesht një godinë por vendi ku ligji merr jetë dhe shteti i së drejtës bëhet i prekshëm.
"Sot nuk inaugurojmë thjesht salla gjykimi, holle, zyra apo ambiente pune. Sot shënojmë ngritjen e një standardi të ri institucional për Gjykatën e Posaçme: një gjykatë më dinjitoze, më funksionale, më të sigurt, më transparente, më moderne dhe më pranë qytetarit",- tha Bani.
Në Gjykatën e Posaçme u inauguruan 4 salla gjyqësore, 16 zyra gjyqtarësh dhe holle tërësisht të rikonstruktuara, një sallë e posaçme për gazetarët apo edhe risia: një hapësirë e dedikuar posaçërisht për dëshmitarët. Rikonstruksioni ishte parashikuar rreth 300 mijë euro vetëm për sallat e gjyqit dhe zyrat, por sipas GJKKO u kursyen para, duke krijuar mundësinë për rikonstruksionin edhe të disa ambienteve të tjera.
Mbajtja e të paraburgosurve në kabinën e qelqtë gjatë seancës gjyqësore po shihet si një masë e tepruar, pasi duket se po përdoret për të gjithë të pandehurit pa dallim personaliteti dhe pa analizë rrezikshmërie. Ata që bënë të zëshëm këtë problem ishin ish-presidenti Ilir Meta, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të tre të akuzuar për vepra penale nga SPAK dhe në gjykim nga GJKKO. Vetëm Beqajt, Gjykata e Posaçme i pranoi kërkesën për nxjerrjen nga kafazi i xhamtë në procesin për sterlizimin, ndërsa edhe Komiteti i Helsinkit ka bërë thirrje për të shmanguar këtë praktikë në raste të paarsyeshme.
Komente











