Një mjek kururg në Itali, po hetohet atje, pasi një pacient të cilin ai e solli nga Milano dhe e operoi në klinikën private “Trita Hospital” në Tiranë, ndërroi jetë katër ditë pas ngushtimit të stomakut për të humbur peshë. Pacienti, një sipërmarrës italian 54-vjeçar, që vuante nga diabeti, pësoi temperaturë të lartë dhe arrest kardiak. Nga klinika ai u dërgua në QSUT, ku dhe ndërroi jetë më 22 dhjetor të 2025-ës. Familja e tij akuzon se nuk iu bënë analiza dhe kontrolle para operacionit dhe kërkon drejtësi. Nuk dihet nëse ka një hetim edhe në Shqipëri.
***
Një sipërmarrësi italian 54-vjeçar kishte vite që tentonte të humbiste peshë përmes dietave, por pa sukses, ndaj kishte vendosur t’i besonte një klinike private në Milano, për ngushtimin e stomakut. Më 6 dhjetor të vitit 2025, Massimo Ferro, i shoqëruar nga djali i madh, kreu një vizitë me kirurgun Andrea Formiga. Mjeku i sugjeroi se e njëjta ndërhyrje mund të kryhej në Tiranë, te “Trita Hospital”, simotër e klinikës milaneze. Pa hezitim sipërmarrësi italian zgjodhi Shqipërinë. Kosto e operacionit 4.400 euro në Tiranë ishte më shumë se trefish më e ulët krahasuar me rreth 15 mijë eurot që kërkoheshin në Itali.
Pavarësisht që pacienti ishte me diabet tip II dhe peshonte 108 kilogramë, kirurgu Andrea Formiga e siguroi mbi teknikat laparaskopike dhe operacioni u planifikua për më 18 dhjetor në Tiranë. Testet para-operatore, që 54-vjeçari italian nuk i kreu në Milano, u shtynë për ditën para ndërhyrjes në Tiranë.
Massimo Ferro mbërriti në Tiranë më 17 dhjetor me gruan e tij.
Sipas denoncimit të familjarëve të sipërmarrësit, të përfaqësuar tashmë me 2 avokatë (Stefano Squarise dhe Jenny Lopresti), në klinikën private në Tiranë “Trita Hospital”, asnjë nga procedurat e parashikuara nga udhëzimet italiane për kirurgjinë e obezitetit nuk ishte respektuar: nuk kishte trajtim për diabetin, dhe as përgatitje para operacionit. I vetmi udhëzim sipas tyre ishte që natën para operacionit të mos hante asgjë.
Sipas Corriere Della Sera, ditën pas operacionit, sipërmarrësi telefonoi familjarët duke i siguruar se “shkoi gjithçka mirë”. Por më pas gjithçka ndryshoi. Ai ndihej gjithnjë e më i lodhur, nuk reagonte dhe glicemia e tij mbeti e lartë. Më 20 dhjetor, dy ditë pas operacionit, teksa ndodhej ende në klinikën private, shfaqet temperatura që arriti 38 gradë dhe aty u trajtua me qetësues.
Më 21 dhjetor, gjendja e tij përkeqësohet dhe me temperaturën që arriti 39 gradë përfshirë vështirësi në frymëmarrje, ai u dërgua në urgjencën e spitalit publik “Nënë Tereza” në Tiranë. Atje iu bënë analiza, por antibiotiku, sipas denoncimit, u dha vetëm në mbrëmje, para se të kthehej përsëri në klinikën private. Sipas Corrieres, aty gjendja u rëndua edhe më tej dhe mëngjesin e 22 dhjetorit, që shënon ditën e katër pas ndërhyrjes në stomak, pësoi arrest kardiak brenda klinikës “Trita Hospital”. Në këto kushte, sipërmarrësi italian u transferua me ambulancë në reanimacion në spitalin publik të QSUT. Pasdite mjekët raportuan se gjendja ishte e qëndrueshme, por në mbrëmje gruaja u thirr urgjent: kur arriti, Massimo Ferro kishte vdekur tashmë prej orësh.
Sot, familjarët denoncojnë se askush nuk ka arritur të tregojë me siguri shkakun e vdekjes. “Duam vetëm të dimë pse Massimo nuk u kthye në shtëpi,” shkruajnë gruaja Romina dhe fëmijët
Autoritetet italiane kanë nisur hetim ndaj kirurgut Andrea Formiga dhe dietologes Alessandra Freda, e cila kur dieta nuk mjafton nuk sugjeronte opsion tjetër, vec balonit gastrik dhe ngushtimin e stomakut që kryen nga mjeku, sot në hetim. Andrea Formiga punon edhe në klinikën estetike “DermoLife”, të lidhur me “Trita Hospital”.
Alessandra Freda është dietologia që prokuroria e Padovës po heton si të dyshuar për vdekjen e biznesmenit italian në Tiranë, Massimo Ferro. Bashkë me të, edhe kiurgu italian Andrea Formiga është i dyshuar.
Sipas pretendimeve të avokatëve, për ndërhyrjen e ngushtimit të stomakut që Ferro kreu në spitalin privat Trita Hospital, nuk u ndoq asnjë udhëzim shëndetësor sipas praktikave italiane apo ndërkombëtare. Trita Hospital operon edhe klinikën estetike DermoLife.
Ferro ishte 108 kilogramë dhe vuante nga diabeti i tipit 2, por nuk mori asnjë trajtim dietik paraprak, përveç këshillës që të mos hante asgjë para operacionit.
Por çfarë e lidh dietologen Freda me mjekun kirurg? Formiga ka themeluar në vitin 2018 C.I.B.O. Milano, një qendër interdisiplinore për obezitetin, të cilën edhe e drejton. Freda punon si dietologe pranë kësaj qendre ku rekomandon dieta të personalizuara.

“E diplomuar me nderime në Dietetikë në Universitetin e Studimeve të Milanos në vitin 2011, ajo është dietiste në Qendrën Ndërdisiplinore për Bariatrinë dhe Obezitetin (C.I.B.O.) në Milano.
Ka qenë përgjegjëse e Shërbimit të Ushqyerjes Klinike dhe Dietetikës në spitalin Sacra Famiglia Fatebenefratelli në Erba (CO). Brenda Grupit Spitalor San Donato, ka kryer aktivitet konsulence në Institutit Klinik Zuçhi në Carate Brianza, në Njësitë Operative të Rehabilitimit të Specializuar Neurologjik, Rehabilitimit të Specializuar Ortopedik dhe Rehabilitimit Psikiatrik (C.R.A dhe C.R.T.).
Merret me mbipeshën, obezitetin dhe çrregullime të të ushqyerit, duke ofruar konsulenca ushqimore dhe plane dietetike të personalizuara për të rritur dhe fëmijë. Si lektore universitare, ajo është autore e shumë publikimeve dhe folëse në kongrese”, thuhet në jetëshkrimin e saj të publikuar në faqen zyrtare të qendrës.

Ajo që bie në sy është se në faqen zyrtare të qendrës interdisiplinare, Freda rekomandon kryesisht dietën ketogjenike pasi nuk shihet opsion tjetër veç saj, balonin gastrik dhe ngushtimin e stomakut që kryen nga mjeku Formiga. Këto dy të fundit ofrohen “kur dieta nuk mjafton.”

Edhe në videot e shpërndara prej saj në rrjetet sociale, shihet mjeku Formiga, por edhe vetë Freda duke folur për humbjen e peshës përmes dy metodave që nuk lidhen me regjimin ushqimor. Kjo është e ndryshme nga ç’do të pritej prej një dietologeje që fokusin e ka tek rregullimi i peshës përmes të ushqyerit.

E gjithë kjo paketohet edhe përmes faqes zyrtare të vetë dietologes Freda: alessandrafreda.it ka në faqen kryesore një foto të sajën dhe përshkrimin: “Një rrugëtim ushqimor i personalizuar për ju: ndryshime të vogla, rezultate të mëdha”, disa metoda kontakti dhe disa shërbime që ajo ofron.
Andrea Formiga është kirurgu nën hetim nga prokuroria e Padovës në Itali, i cili operoi sipërmarrësin italian në një klinikë private në Shqipëri. Pacienti kreu ndërhyrjen për zvogëlimin e stomakut dhe më pas kaloi në arrest kardiak në klinikë dhe ndërroi jetë në QSUT, ku ishte dërguar për ndihmë.
Formiga është një kirurg italian i cili prej disa vitesh bashkëpunon me qendrën shëndetësore Trita Hospital në Shqipëri. Kjo qendër operon gjithashtu edhe klinikën esetike DermoLife.
Në një video të ndarë në faqet zyrtare të Trita Hospital, shkruhet se “pacientët e quajnë doktori i mrekullive’”. Mjeku rrëfen se ka më shumë se 30 vjet në këtë profesion. Veç Shqipërisë, thotë se është i aktivizuar në Liguria dhe “pak a shumë në të gjithë Italinë.”
Në Tiranë vinte 1 ose 2 herë në muaj ku në qendrën shëndetësore aplikon kirurgjinë bariatrike të stomakut ose që trajton problemet që lidhen me peshën. Gjithashtu kryen edhe procedura si fibrogastroskopia dhe kolonoskopia, ndërsa rendit edhe shërbime të tjera.
Në faqen zyrtare të Trita Hospital, për të shkruhet:
"Dr. Andrea Formiga është Kirurg i Përgjithshëm si dhe Drejtor i Qendrës Ndërdisiplinore Bariatrike (C.I.B.O.) në Milano. Pas diplomimit në Mjekësi dhe Kirurgji nga Universiteti i Milanos (1996), ai u specializua përsëri në të njëjtin universitet, në Kirurgjinë e Përgjithshme (2002). Në vitet 1994-1997 Dr. Formiga hodhi hapat e tij të parë profesional si student/mjek në Spitalin San Giuseppe të Milanos. Në vitin 1998 filloi punë, fillimisht si rezident dhe më pas si specialist i pavarur në Kirurgjinë e Përgjithshme, në Poliklinikën San Marco, nën drejtimin e Prof. Carlo Rebuffat. Në vitin 2008 filloi t’i përkushtohej aktivitetit Bariatrik në Klinikën San Carlo në Milano, ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2015 ishte Shef i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Endoskopisë Digjestive në Institutin Auxologjik. Që nga viti 2002, Dr. Formiga ka qenë profesionist i pavarur në Casa di Cura La Madonnina, një aktivitet të cilin me kalimin e viteve ai e ka shtuar edhe në Casa di Cura Columbus, Casa di Cura Villa Arbe në Milano, Casa di Cura Montanari, në Morciani di Romagna, si dhe në Spitalin Nigrisoli në Bolonja. Dr. Formiga ka historinë më të madhe të rasteve italiane për trajtimet endobariatrike të kryera dhe një listë të gjatë të ndërhyrjeve nariatrike për të mposhtur obezitetin."

E njëjta përmbledhje edhe në faqen e DermoLife, por shtohen disa detaje, si:
“Nga viti 2008 - në vazhdim, Dr. Formiga ka realizuar mbi 500 procedura bariatrike ndërkombëtarisht. Ky angazhim ka çuar në krijimin e qendrës së parë italiane për trajtimin e obezitetit me teknika endoskopike mininvasive, një arritje që ka pasur ndikim të madh në përmirësimin e kujdesit për pacientët me obezitet.”
Ndërsa më tej theksohet “qasja e kujdesshme” e Formigas ndaj pacientëve.
“Dr. Formiga është i njohur për qasjen e tij të kujdesshme dhe të personalizuar ndaj pacientëve, duke ofruar një mbështetje të plotë gjatë gjithë procesit të trajtimit dhe pas interventit.”

Komente








