Sistemi i ngrohjes bllokon godinën e re të gjimnazit në Kukës, nxënësit mësim me turne, dalin në protestë! Edhe në Lezhë s’punon kaldaja

Gjimnazi i qytetit të Kukësit “Havzi Nela” është rikonstruktuar por nxënësit ende zhvillojnë mësimin me turne. Bashkia e Kukësit nuk ka marrë në dorëzim objektin pasi nuk punon sistemi i ngrohjes me kaldajë. Kjo ka sjellë revoltën e gjimnazistëve të cilët bojkotuan mësimin.

“Ne jemi maturantë, mësimi pasdite na pengon sepse mbarojmë në 19:00 dhe nuk kemi kohë për tu përgatitur. Na kanë gënjyer disa herë! Na kanë thënë se do kthehemi në shkollën tonë në shtator, tani erdhi dhjetori ende jemi me turne”, thanë nxënësit.

Rreth 1000 nxënës zhvillojnë mësimin pasdite në dy shkolla 9-vjeçare, prej gati një viti ndërkohë që më herët drejtori i Zyrës Vendore të Arsimit Kukës, Albert Muja, ka kërkuar kthimin sa më shpejtë të nxënësve dhe stafit pedogogjik në shkollën e tyre. Rikonstruksioni i gjimnazit Havzi Nela me vlerë 1.3 miliardë lekë financim i qeverisë, duhej të përfundonte që në muajin shtator.

I njëjti problem është në Lezhë. Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Nënë Tereza” janë pa ngrohje, pasi nuk punon kaldaja.

“Tek pjesa e kaldajave është sfidë në vete se mungojnë specialistët për ti riparuar. Kaldajat japin probleme të herëpashershme”, tha “Nikolin Shtjefni" drejtor i Arsimit pranë Bashkisë Lezhë.

Ndërsa në gjimnazin "Hydajet Lezha" pas 10 vitesh është arritur të vihet në funksion sistemi i kaldajës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:55
Nxënësit bojkotojnë mësimin me turne, kryebashkiaku i Kukësit, Halilaj: Kanë të drejtë, kaldaja te ‘Havzi Nela’ në fazë testimi, inaugurimi në 12 dhjetor

 

Edhe këtë pasdite ndonëse në një numër të vogël nxënësit e gjimnazit “Havzi Nela” në qytetin e Kukësit kanë bojkotuar mësimin dhe janë organizuar në protestë para godinës së rikonstruktuar por ende jo në shfrytëzim e të marrë në dorëzim nga bashkia. Ndërkohë në përkrahje të kërkesës së gjimnazistëve për rikthim sa më të shpejt në shkollën e tyre kryebashkiaku i Kukësit Albert Halilaj, në një deklaratë për media bëri të ditur se objekti është në fazën e testimit dhe se me datë 12 dhjetor të këtij viti do bëhet inaugurimi i objektit me prezencën e ministres së arsimit.

“Ankesa e nxënësve është e drejtë. Investimi është i qeverisë shqiptare, ministrisë së Arsimit. Një pjesë e këtij investimi siç është kaldaja është në fazë testimi. Deri më datë 12 Dhjetor mendoj se do përfundojë si proces dhe më datë 12 dhjetor do jetë e pranishme ministrja e Arsimit për inaugurimin e shkollës së rikonstruktuar me të gjitha kushtet bashkëkohore”, tha Halilaj.

B.K/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr