TIRANË- Për kreun e Partisë Demokratike, qeveria Rama ka dështuar me menaxhimin e situatës ekonomike ndaj COVID-19, teksa hapat e marra deri më tani i ka quajtur gjysmake. Në daljen për mediat nga selia blu, Basha  tha se Rama ka shkelur kushtetutën me urdhrat që i jep për Facebook, duke marrë ai të gjitha rolet në këtë situatë pandemie, pa i lënë hapësirë institucioneve përkatëse.

"Por sot, 5 javë prej fillimit të karantinës, është e qartë se qeveria s’ka as plan, as strategji dhe se ajo ka dështuar në përballimin e situatës. Qytetarët u urdhëruan të rrinë në shtëpi dhe bizneset të mbyllen, por nuk u mor asnjë masë që ata të mbështeteshin financiarisht për këtë sakrificë. Disa hapa gjysmakë dhe me shumë vonesë që u shpallën, ende sot e kësaj dite nuk janë zbatuar, dhe njerëzit nuk i kanë marrë akoma lekët e tyre. Sot duhej të shpërndahej paketa e dytë e ndihmës, por edhe ky ishte vetëm një premtim tjetër bosh. Bizneset po mbyllin mijëra vende pune sepse nuk kanë asnjë mbështetje. Këto 5 javë janë rënduar shkeljet ligjore dhe kushtetuese me urdhra që vijnë nga Facebook-u, ku kryeministri ka marrë përsipër të gjitha funksionet në shtet, nga polici tek doktori", vijon Basha.

Në mbyllje të deklaratës së tij, numri një i demokratëve tha se duhet të merren masa urgjente, reale siç i quan ai,  në këtë kundërtën do të thellohet më shumë kriza dhe papunësia.

" Njerëzit nuk kërkojnë lëmoshë — në këto kohë emergjence kombëtare atyre iu takon të marrin ndihmën financiare nga buxheti i shtetit! Paratë janë. Por Rama zgjedh që ato të shkojnë për tendera korruptivë dhe koncesione, dhe jo për qytetarët. Ekonomia duhet të ndihmohet me të gjitha mënyrat që të mos bjerë në humnerë! Sa më shumë vonohen këto masa dhe mbështetja financiare për qytetarët dhe bizneset, aq më shumë thellohet kriza dhe papunësia. Koha nuk pret", përfundon Basha.

Një kërkesë e përsëritur e liderit demokrat ishte rritja e numrit të testimeve.