Në fokus të takimit ka qenë situata e shkaktuar nga zjarret në disa zona të vendit.
Zyra e shtypit pranë Presidentit ka zbardhur takimin i cili mësohet se ka zgjatur rreth 40 minuta.
Sipas njoftimit, Presidenti Meta u interesua për masat e marra nga strukturat e shtetit, nga shërbimet e emergjencave dhe ato zjarrfikëse si dhe autoritetet vendore, të përfshira në përpjekjet për përballimin e kësaj gjendjeje të vështirë.
"Presidenti Meta u interesua dhe u njoh në detaje mbi gjendjen aktuale në qarqet e prekura nga përhapja masive e zjarreve, në veçanti për jetën e banorëve të zonave të rrezikuara, masat e marra për kontrollin dhe eliminimin e rrezikut si dhe problematika të tjera të lidhura me to.
Presidenti Meta vlerësoi maksimalisht dhe inkurajoi punën e admirueshme dhe sakrificat vetëmohuese të forcave zjarrfikëse, të personelit të Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, njësive të emergjencës, si dhe drejtuesve të pushtetit vendor për të neutralizuar zjarret e për t’iu ndodhur pranë qytetarëve të prekur nga këto vatra zjarri.
Kreu i Shtetit shqiptar përgëzon të gjithë ata të cilët, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrethanat e jashtëzakonshme, kanë bërë gjithçka në mbrojtje të jetës së banorëve të rrezikuar dhe përballimit të situatës me sa më pak dëme materiale, apelon për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës, duke u bërë thirrje të gjitha autoriteteve që të marrin masa drastike në përputhje me ligjin për parandalimin e zjarrvënieve të qëllimshme.
Presidenti i Republikës u bën thirrje dhe nxit institucionalisht të gjithë autoritetet qendrore e vendore të vazhdojnë përpjekjet dhe komunikimin intensiv mes tyre, për koordinimin në kohë dhe me efektshmërinë e duhur të marrjes së masave të emergjencës, për t’u ardhur në ndihmë zonave dhe qytetarëve të prekur nga zjarret, duke vlerësuar njëkohësisht e shprehur mirënjohjen për ndihmesën, gatishmërinë dhe solidaritetin e vendeve fqinje dhe partnerëve ndërkombëtare", vijon më tej njoftimin i Presidencës për takimin e Metës me Demirajn.
Vatrat e zjarrit në Llogara, Krastë të Elbasanit, Mallakastër dhe Mat kanë shkaktuar djegien e dhjetra hektarë me pyjë, ndërsa flakët kanë rrezikuar edhe banesat.
Demiraj: Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme
Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj kërkon që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme pas situatës së zjarreve që është përfshirë Shqipëria në javët e fundit nga veriu në jug.
Ministri Demiraj shprehet se situata është shumë e rëndë, ndërsa kërkoi më shumë vëmendje nga kryeministri.
Nëse do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, ministri teknik i PD në qeveri thotë se situata mund të menaxhohet më mirë, sepse do të alokohen më shumë fonde, më shumë forca dhe do të ketë përfshirje më të madhe të strukturave qeveritare.
“Kjo është në dorën e kryeministrit, por unë mendoj se situata është shumë e rëndë dhe vetëm sot kemi pasur 25 vatra zjarri, kryesisht në Vlorë, Elbasan, Dibër dhe në Tiranë. Sidomos situata këtu në Elbasan është shumë e rëndë. Ju e shikoni se thuajse i gjithë pylli po merr flakë, kemi një mangësi të theksuar të mjeteve. Sapo i kam kërkuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm të sjellë edhe dy zjarrfikëse shtesë".
EC: Në 24 orë 15 vatra zjarri në të gjithë vendin
Emergjencat Civile bëjnë të ditur se në 24 orët e fundit janë shënuar 15 vatra aktive zjarri në Tiranë, Vlorë, Dibër, Elbasan, Shkodër, Fier, Berat dhe Lezhë.
Për fikjen e flakëve janë angazhuar 24 makina zjarrfikëse, 109 zjarrfikës, 20 gardistë, 90 forca ushtarake, 11 forca pyjore.
Gjithashtu për fikjen e zjarreve është duke u ndërhyrë edhe nga ajri me anë të helikopterëve.
Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin, ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
Qarku Tiranë
Në Malin e Dajtit, pas ndërhyrjes së helikopterit, vatra e zjarrit në është më pak aktive. Forca të MZSH Tiranë dhe forca ushtarake po punojnë për të mbajtur zonën nën kontroll nga vatrat e fshehura të zjarrit.
Qarku Vlorë
Në fshatin Dukat, pranë Parkut Kombëtar të Logarasë, situata ka agravuar gjatë gjithë ditës pasi zjarri favorizohej dhe nga era e fortë. Për këtë shkak, Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile (DPEC) kanë komunikuar me Qendrën e Përgjigjes ndaj Emergjencave Civile në Bashkimin Europian (ERÇ) për dërgimin në vendin tonë të një avioni tip CANADAIR për të shuar vatrat e zjarrit. Vatrat e zjarrit ndodhen në krahun e majtë në aksin rrugor Orikum-Llogara-Himarë, konkretisht: 1 në fshatin Dukat, 1 në Parkun Kombëtar të Llogarasë, 1 sipër fshatit Palasë dhe pjesa tjetër e vatrave të zjarrit janë në fshatrat e Lumit të Vlorës (Tërbaç, Vranisht dhe Kallarat).
Qarku Dibër
Në fshatin Sllatinë, Njësia Administrative Sllovë, bashkia Dibër, vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive. Për shkak të terrenit të thyer malor ka qenë e pamundur ndërhyrja nga Shërbimi vendor i MZSH Dibër. Deri tani si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Qarku Elbasan
Në fshatin Gizavesh, bashkia Librazhd, ka rënë zjarr në një banesë. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Librazhd ka arritur të shuajë zjarrin, ku si pasojë u dogj banesa dhe disa bagëti.
Në fshatin Krastë, bashkia Elbasan, është riaktivizuar sërish zjarri i rënë dy ditë më parë në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi i MZSH Elbasan ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar me të gjithë personelin për shuarjen e flakëve, por situata ka agravuar pasi zjarri është favorizuar dhe nga era e fortë. Pas një pune të gjatë të MZSH Elbasan me ndihmën e MZSH Peqin, MZSH Përmet, MZSH Librazhd, MZSH Gramsh, MZSH Lushnje, forcave ushtarake dhe të pyjores, u arrit shuarja e zjarrit, ku si pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Në fshatin Kostenjë, Njësia Administrative Lunik, bashkia Librazhd, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Për shkak të terrenit të vështirë, ka qenë e pamundur ndërhyrja nga Shërbimi i MZSH Librazhd. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.
Qarku Shkodër
Në fshatin Lohe, Njësia Administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me hamullore dhe bimë medicinale. Shërbimi i MZSH Malësi e Madhe ka shuar zjarrin. Si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe rreth 3 ha me hamullore dhe bimë medicinale në pronësi të tre shtetasve.
Qarku Fier
Në fshatin Metoh, Njësia Administrative Aranitas, bashkia Mallakastër, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shuarja e tij ka qenë e pamundur pavarësiht ndërhyrjes nga Shërbimi vendor i MZSH Mallakastër. Deri tani si pasojë e flakëve u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Qarku Berat
Në fshatin Kuç të bashkisë Skrapar, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi i MZSH Skrapar nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.
Qarku Lezhë
Në fshatin Simon, Njësia Administrative Kaçinar, bashkia Mirditë, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Mirditë, nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Deri tani si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com