Situata në Lindjen e Mesme, Turqia:
S'do anulohen linjat e gazit e naftës

Situata në Lindjen e Mesme, Turqia:<br />S'do anulohen linjat e gazit e naftës
Kryeministri i Irakut, Haider al Abadi, i ka kërkuar Turqisë që të tërheqë menjëherë trupat ushtarake tokësore, që ka dërguar pranë qytetit verior të Mosulit. Dërgimi i trupave, për kryeministrin iraken, është një shkelje serioze e sovranitetit të Irakut, duke mos respektuar fqinjësinë e mirë. “Respektoni fqinjësinë e mirë dhe tërhiquni menjëherë nga territori iraken”, ka qenë thirrja që ka bërë ai për Turqinë e cila ditëve të fundit ka dërguar 1.200 trupa të armatosura rëndë në territorin e vendit fqinjë. Me një lëvizje të paapritur dhe të paparalajmëruar, ushtarët turq janë vendosur në afërsi të qytetit Bashika për të stërvitur forcat kurdo-irakene, që luftojnë kundër ISIS-it për të rimarrë kontrollin mbi qytetin kyç të Mosulit. Turqia gëzon marrëdhënie të afërta me rajonet autonome kurde në Irak, edhe pse grupet kurdo-siriane në kufi i sheh si armiqësore. 
 
­Energjia
Një projekt i planifikuar për tubacionin e gazit që do të lidhte Rusinë me Turqinë, i quajtur “Turkish Stream” është braktisur nga Turqia për shkak se kërkesat e saj nuk ishin përmbushur. Kjo ka ndodhur para se Turqia të rrëzonte avionin rus. Kështu është shprehur dje presidenti turk Rexhep Taip Erdogan. Kjo deklaratë e tij vjen në kundërpërgjigje të asaj të ministrit rus të Energjisë, i cili tha më 3 dhjetor se Moska ka pezulluar bisedimet mbi projektin e gazit në prag të krizës që ka përfshirë dy vendet pas incidentit ajror. Erdogan, duke folur në një takim në Stamboll, hodhi poshtë deklaratën e ministrit turk, duke e cilësuar si një “gënjeshtër”. Presidenti turk tha se ishte Turqia ajo që, në fakt, e kishte pezulluar projektin dhe madje shumë kohë para incidentit me avionin rus.

“Nuk ka asnjë tregues se problemet mes nesh dhe Rusisë do të reflektohen në projektin e centralit bërthamor”, shtoi Erdogan. Fjala është për një projekt energjetik me vlerë 20 miliardë dollarë. Energjia, faktikisht, mbetet i vetmi sektor i paprekur nga sanksionet, që Rusia i ka vendosur Turqisë pas rrëzimit të avionit rus në kufi me Sirinë. Katër tubacionet “Turkstream”, që sjellin gazin natyror rus nga Deti i Zi, do të lidhnin Rusinë jugore me Turqinë perëndimore. Kjo do të lejonte Rusinë, që të shpërndante gazin natyror pa kaluar në Ukrainë.

Sa i përket ndalimit të importeve të ushqimeve, që Moska i bëri vetëm pak ditë më parë Ankarasë, presidenti u kundërpërgjigj, duke thënë se “nuk ka rezultuar ndonjë problem i madh nga këto që po përballemi kohët e fundit”. Rusia blen rreth një miliard dollarë ushqime dhe produkte të tjera nga Turqia. Po ashtu është eksportuesi më i madh i energjisë, qymyrgurit dhe naftës.
 
Opinioni
Rrëzimi i avionit rus nga Forcat Ajrore turke në kufi me Sirinë po nxit retorikën e luftës në Rusi. Që nga aneksimi i Krimesë fantazitë për pushtime dhe luftëra janë bërë pothuajse të përditshme. Ato i dëgjon nga politikanë, gazetarë dhe ekspertë. Në rrjetet sociale qarkullojnë fotomontazhe apokaliptike, të cilat prezantojnë një luftë të ardhshme me Europën dhe SHBA-në. Vazhdimisht bëhen kërcënime edhe me armë bërthamore. Sidomos populisti i djathtë dhe zëvendëskryetar i Parlamentit, Vladimir Zhirinovski, ka kërcënuar Kievin, Berlinin apo Uashingtonin se do t'i bëjë shkrumb e hi. Gjatë fjalës së tij në Parlament të martën, Zhirinovski foli për hedhjen e një bombe në Detin e Zi, që do të fshinte nga faqja e dheut Stambollin.


Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e xhaxhait të bashkëshortit së Vjosa Osmani, reagon Presidentja e Kosovës: Nuk kemi asnjë lidhje me ngjarjen

Vrasja e xhaxhait të bashkëshortit së Vjosa Osmani, reagon Presidentja e Kosovës: Nuk kemi asnjë lidhje me ngjarjen