Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shkarkuar zëvendësshefen e Zyrës Presidenciale, Iryna Mudra, në të njëjtën ditë kur autoritetet antikorrupsion zhvilluan kontrolle në ambiente të lidhura me të, në kuadër të një operacioni që po konsiderohet si hetimi më i madh për korrupsion gjatë presidencës së tij.

Shkarkimi erdhi vetëm pak orë pasi Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) dhe Prokuroria e Specializuar Kundër Korrupsionit njoftuan se kishin goditur një organizatë të dyshuar kriminale ku, sipas hetuesve, përfshihen një zyrtar i lartë i Presidencës, një deputet aktual, një ish-deputet, si edhe drejtues të një banke shtetërore.

Sipas autoriteteve, grupi dyshohet se ka pastruar rreth 150 milionë hryvnia, ose rreth 3.4 milionë dollarë, para që u përdorën për të paguar garancinë financiare të një të dyshuari në një çështje korrupsioni në sektorin energjetik.

Edhe pse ligji ukrainas nuk lejon publikimin e identitetit të personave nën hetim në këtë fazë, burime të cituara nga The Kyiv Independent thanë se kontrollet janë zhvilluar në ambiente të lidhura me Iryna Mudra, deputetin Vadym Stolar, ish-deputetin Maksym Mykytas dhe bankën shtetërore Sense Bank.

Vetë Stolar konfirmoi se në banesën e tij janë kryer kontrolle, duke deklaruar se po bashkëpunon plotësisht me hetuesit.

Çfarë po heton NABU?

Në qendër të operacionit të quajtur "Midas" është një skemë e dyshuar korrupsioni prej rreth 100 milionë dollarësh në kompaninë shtetërore të energjisë bërthamore Energoatom, një nga ndërmarrjet më të rëndësishme strategjike të Ukrainës. Hetimi konsiderohet më i madhi për korrupsion që nga ardhja në pushtet e Volodymyr Zelenskyt.

Sipas Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU), një grup zyrtarësh dhe politikanësh dyshohet se ka pastruar 150 milionë hryvnia, ose rreth 3.4 milionë dollarë, të përdorura si garanci financiare për lirimin e ish-ministrit të Drejtësisë dhe Energjisë, Herman Halushchenko. Ai akuzohet për pastrim parash dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale në kuadër të skandalit të Energoatom.

Sipas dokumenteve të kontrollit, të publikuara nga deputetët ukrainas Yaroslav Zheleznyak dhe Oleksiy Honcharenko, Sense Bank dyshohet se është përdorur si kanal për transferimin e një pjese të këtyre fondeve.

Hetuesit dyshojnë se Iryna Mudra kishte rolin e koordinimit të mbledhjes së shumës prej 150 milionë hryvnia për garancinë financiare të Halushchenkos. Në të njëjtën kohë, sipas dosjes hetimore, asaj i ishte kërkuar edhe të siguronte që Sense Bank të kalonte nën ndikimin e Zyrës së Presidentit, në mënyrë që institucione të tjera shtetërore të mos merrnin kontrollin mbi bankën.

Përgjimet: "Merrni nën kontroll bankën"

Një pjesë e rëndësishme e hetimit mbështetet në përgjime audio të publikuara nga NABU.

Në një prej tyre, Mudra tregon se ishte thirrur në një takim ku iu komunikua se drejtuesit e Sense Bank do të raportonin tek ajo. Ajo thotë gjithashtu se persona me ndikim politik po përpiqeshin t'i siguronin bankës mbrojtje politike.

Në një tjetër bisedë përmendet Timur Mindich, biznesmen i afërt me Zelenskyn dhe i kërkuar në dosjen Energoatom, i cili sipas hetuesve ndodhet në Izrael. Sipas përgjimeve, ai i kishte kërkuar Mudrës të merrte kontrollin e Sense Bank, duke argumentuar se përmes saj kalonin flukse të mëdha parash.

"Nuk mund t'ua lësh këtyre mashtruesve bankën. Aty kalojnë flukse serioze parash. Merreni bankën nën kontroll", thuhet se i ka thënë Mindich Mudrës, sipas materialeve të publikuara nga NABU.

Në regjistrime përmenden edhe biseda mes Mudrës dhe ish-deputetit Maksym Mykytas, ku diskutohet se si mund të anashkaloheshin kontrollet financiare për transferimin e parave që do të përdoreshin për garancinë financiare të Halushchenkos. Sipas materialeve të publikuara, në bisedë flitet edhe për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara dhe të një zyre që merrej me pastrimin e parave.

Akuza edhe për ndërhyrje në institucionet antikorrupsion

Përgjimet nuk ndalen vetëm te skema financiare.

Sipas materialeve të publikuara nga NABU, Mudra diskuton edhe mundësinë e ndikimit në institucionet që luftojnë korrupsionin. Në një bisedë ajo flet për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit qytetar mbikëqyrës të NABU-së dhe shprehet se kreu i Prokurorisë së Specializuar Kundër Korrupsionit, Oleksandr Klymenko, nuk duhet të rizgjidhet për një mandat të dytë.

"Nëse rizgjidhet edhe për shtatë vjet të tjera, jemi të mbaruar", dëgjohet të thotë Mudra në një nga përgjimet e publikuara nga NABU.

Hetimi vjen në një moment delikat për Volodymyr Zelenskyn. Vetëm një ditë më parë, ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, bëri thirrje për krijimin e një mekanizmi që do t'i lejonte Ukrainës të zhvillonte zgjedhje edhe gjatë kohës së luftës.

Në një videomesazh, ai deklaroi se vendi nuk mund ta lejojë Rusinë të vendosë se kur qytetarët ukrainas do të kenë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. "Demokracia nuk mund të jetë peng i Rusisë. Ne po luftojmë pikërisht sepse duam të mbetemi një shtet i lirë europian", u shpreh ai, duke kërkuar një zgjidhje ligjore dhe të sigurt që garanton votën e ushtarëve, të ukrainasve që jetojnë jashtë vendit dhe të banorëve të zonave pranë frontit.

Aktualisht, ligji ukrainas ndalon mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare gjatë gjendjes së luftës, e cila është në fuqi që prej pushtimit rus në shkurt 2022. Çdo ndryshim i këtij rregulli do të kërkonte miratimin e Parlamentit ukrainas. Deklarata e Fedorovit dhe hetimi i gjerë për korrupsion, që ka prekur edhe zyrtarë të Presidencës, e vendosin administratën e Zelenskyt përballë një prej momenteve më të vështira politike që nga fillimi i luftës.