Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, po përballet me një verë të gjatë dhe shumë të vështirë politike, ndërsa çështje korrupsioni që përfshijnë vëllain e tij, bashkëshorten dhe ish-kryeministrin socialist José Luis Rodríguez Zapatero po mbërrijnë njëra pas tjetrës në gjykatë gjatë javëve në vijim.

Lideri socialist, i cili erdhi në pushtet tetë vite më parë pasi rrëzoi me mocion mosbesimi qeverinë konservatore të Partisë Popullore (PP), të zhytur në skandale korrupsioni, këmbëngul se familja e tij nuk ka kryer asnjë shkelje. Ai ka mbrojtur gjithashtu edhe Zapateron, duke kërkuar respektimin e prezumimit të pafajësisë.

Por me dy nga ish-bashkëpunëtorët e tij më të afërt të akuzuar gjithashtu për korrupsion dhe me ish-prokurorin e përgjithshëm të vendit të pezulluar për dy vite pasi u shpall fajtor për rrjedhje informacioni konfidencial, Sánchez po hyn në një periudhë shumë delikate politike përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Spanjë.

Çfarë po ndodh me vëllain e Sánchez?

Vëllai më i vogël i kryeministrit spanjoll, David Sánchez, del nw gjyq  në rajonin jugperëndimor të Extremadurës, i akuzuar për ndikim të paligjshëm dhe shpërdorim të detyrës publike. Bashkë me të, për të njëjtat akuza po hetohen edhe dhjetë persona të tjerë.

Çështja nisi pas një kallëzimi të bërë nga “Manos Limpias” (“Duar të Pastra”), një organizatë që paraqitet si sindikatë, por që konsiderohet e lidhur me të djathtën ekstreme dhe që prej vitesh përdor gjykatat për çështje politike në Spanjë.

Sipas kallëzimit, David Sánchez mori një post të krijuar posaçërisht për të nga autoritetet socialiste të qytetit Badajoz në korrik të vitit 2017, në një kohë kur vëllai i tij drejtonte Partinë Socialiste PSOE, por nuk ishte ende kryeministër.

David Sánchez i mohon akuzat, por nëse shpallet fajtor, rrezikon deri në tre vite burg.

Po me bashkëshorten e tij çfarë po ndodh?

Edhe bashkëshortja e kryeministrit, Begoña Gómez, ka përfunduar në gjykatë pas një kallëzimi të bërë nga organizata “Manos Limpias”. Muajin e kaluar, një gjykatëse në Madrid e akuzoi atë për përvetësim fondesh, ndikim të paligjshëm, korrupsion në marrëdhënie biznesi dhe shpërdorim fondesh publike pas një hetimi që zgjati dy vite.

Sipas hetuesve, Gómez dyshohet se ka përdorur ndikimin si bashkëshortja e kryeministrit për të siguruar dhe menaxhuar një post në Universitetin Complutense të Madridit, si dhe për të favorizuar interesa private duke përdorur burime publike dhe lidhje politike.

Gjykatësi Juan Carlos Peinado ka ngritur akuza edhe ndaj asistentes personale të Gómez, Cristina Álvarez, si dhe biznesmenit Juan Carlos Barrabés, të lidhur me çështjen. Të gjithë të akuzuarit i mohojnë akuzat. Begoña Gómez pritet të paraqitet para gjykatës më 9 qershor për seancën paraprake.

Pse po hetohet Zapatero?

José Luis Rodríguez Zapatero, i cili ishte kryeministër i Spanjës nga viti 2004 deri në 2011 dhe mbetet një figurë simbolike për të majtën spanjolle, po hetohet për ndikim të paligjshëm dhe vepra të tjera të dyshuara penale në lidhje me shpëtimin financiar të kompanisë ajrore Plus Ultra gjatë pandemisë Covid.

Hetimi lidhet me ndihmën shtetërore prej 53 milionë eurosh që qeveria spanjolle i dha kompanisë Plus Ultra në mars të vitit 2021. Prokurorët po verifikojnë nëse kompania ka përdorur në mënyrë të parregullt fondet publike, ndërsa policia antikorrupsion po heton dyshimet se një pjesë e parave mund të jetë përdorur për pastrim fondesh nga Venezuela përmes Francës, Zvicrës dhe Spanjës.

Sipas gjykatësit që drejton çështjen, Zapatero dyshohet se ka qenë në krye të një “strukture të organizuar ndikimi”, që kishte si qëllim përfitimin ekonomik përmes ndërmjetësimeve dhe ushtrimit të ndikimit pranë institucioneve publike në favor të palëve të treta, kryesisht kompanisë Plus Ultra. Hetuesit dyshojnë se rrjeti ka përdorur kompani guackë, dokumente false dhe kanale financiare jo transparente për të fshehur lëvizjen e parave.

Zapatero i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë. Ai pritet të dëshmojë para Gjykatës Kombëtare të Spanjës më 17 dhe 18 qershor.

“Dua të ritheksoj se e gjithë veprimtaria ime publike dhe private është zhvilluar gjithmonë me respekt absolut për ligjin”, deklaroi ai javën e kaluar, duke shtuar se nuk ka kryer “asnjë veprim” që lidhet me shpëtimin financiar të kompanisë ajrore.

Si ka reaguar Pedro Sánchez ndaj gjithë kësaj?

Kur në prill të vitit 2024 doli lajmi se bashkëshortja e tij ishte vënë nën hetim, Pedro Sánchez pezulloi për pesë ditë të gjitha aktivitetet publike për të reflektuar mbi të ardhmen e tij politike.

Ai akuzoi kundërshtarët politikë dhe një pjesë të mediave se kishin nisur një “operacion ngacmimi dhe linçimi” ndaj familjes së tij, por në fund vendosi të qëndrojë në detyrë si kryeministër.

Sánchez ka këmbëngulur vazhdimisht se bashkëshortja dhe vëllai i tij janë viktima të fushatave politike për baltosje. “E vërteta do të dalë në fund. Vëllai dhe gruaja ime janë të pafajshëm”, është shprehur ai.

Kryeministri spanjoll ka vënë në dyshim edhe pavarësinë e një pjese të sistemit gjyqësor në Spanjë. Në një intervistë televizive shtatorin e kaluar ai deklaroi: “Nuk ka asnjë dyshim që ka gjyqtarë që bëjnë politikë dhe politikanë që përpiqen të bëjnë drejtësi”.

Sánchez ka dalë gjithashtu në mbrojtje të ish-kryeministrit socialist José Luis Rodríguez Zapatero, duke deklaruar këtë javë se nuk sheh “asnjë arsye” për t’i hequr mbështetjen paraardhësit të tij politik.

Po me çështjet e tjera të korrupsionit që prekin qeverinë e tij?

Në qershor të vitit të kaluar, Pedro Sánchez i kërkoi Santos Cerdán, sekretarit organizativ të Partisë Socialiste PSOE dhe një prej njerëzve të tij më të afërt, të jepte dorëheqjen pasi një gjyqtar i Gjykatës Supreme deklaroi se kishte “prova të forta” për përfshirjen e mundshme të tij në ryshfete lidhur me kontrata publike ndërtimi.

Cerdán i mohon akuzat.

Çështja e tij lidhet edhe me dy figura të tjera që dikur konsideroheshin shumë pranë Sánchez. Ish-ministri i Transportit, José Luis Ábalos, akuzohet – bashkë me ish-ndihmësin e tij Koldo García dhe biznesmenin Víctor de Aldama – për marrje ryshfetesh në kontrata publike për pajisje sanitare gjatë pandemisë Covid.

Ábalos dhe García i mohojnë të gjitha akuzat dhe rrezikojnë respektivisht 24 dhe 19 vite burg, ndërsa Aldama, i cili ka pranuar pjesërisht rolin e tij në skemën e dyshuar, përballet me një dënim prej shtatë vitesh burg.

Të mërkurën, oficerë të policisë antikorrupsion hynë në selinë qendrore të PSOE-së në Madrid për të sekuestruar dokumente në kuadër të hetimeve mbi një skemë të dyshuar për të ndikuar ose destabilizuar proceset gjyqësore që lidhen me partinë socialiste dhe qeverinë.

Sipas gjykatësit të çështjes, edhe Santos Cerdán është mes personave nën hetim për akuza të mundshme si shpërdorim detyre, ndikim i paligjshëm, ryshfet dhe nxitje për dëshmi të rreme.

Çfarë ndodhi me prokurorin e përgjithshëm të Spanjës?

Në nëntor të vitit të kaluar, prokurori i përgjithshëm i Spanjës, Álvaro García Ortiz, u pezullua nga detyra për dy vite pasi u shpall fajtor për rrjedhje informacioni konfidencial lidhur me një çështje tatimore që përfshinte një biznesmen, partner i një politikaneje të njohur të djathtë.

García Ortiz, i cili mbante postin e prokurorit të përgjithshëm që prej vitit 2022, u gjobit gjithashtu me 7,300 euro dhe u detyrua të paguante 10 mijë euro dëmshpërblim për biznesmenin Alberto González Amador, partneri i Isabel Díaz Ayuso, lideres populiste të Partisë Popullore (PP) në rajonin e Madridit.

Prokurori ka këmbëngulur se nuk ka nxjerrë dhe as urdhëruar publikimin e informacionit konfidencial. Edhe avokatët e tij deklaruan se “nuk ekziston absolutisht asnjë provë” që ai ishte burimi i rrjedhjes së informacionit.

Gazetarët e thirrur për të dëshmuar në gjykatë mohuan gjithashtu që prokurori t’u kishte dhënë dokumentet.

Megjithatë, çështja u konsiderua një goditje politike për Pedro Sánchez, pasi ishte pikërisht qeveria e tij që kishte propozuar García Ortiz për postin e prokurorit të përgjithshëm.

Çfarë pritet të ndodhë tani me Sánchez dhe PSOE?

Në një deklaratë të publikuar pas kontrolleve të policisë në selinë qendrore të partisë në Madrid, Partia Socialiste PSOE tha se do të vazhdojë të mbajë “qëndrim maksimal bashkëpunimi me drejtësinë dhe respekt absolut për veprimet gjyqësore”.

Nga ana tjetër, Pedro Sánchez ka refuzuar kërkesat për zgjedhje të parakohshme, duke argumentuar se Spanja ka nevojë për “stabilitet”.

Por kundërshtarët e tij politikë, që besojnë se qeveria po dobësohet gjithnjë e më shumë nga skandalet, po kërkojnë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen më herët.

“E vetmja zgjedhje që ka mbetur është që spanjollët të flasin tani”, deklaroi të mërkurën lideri i Partisë Popullore (PP), Alberto Núñez Feijóo. “Nuk mund ta durojmë më këtë situatë.”

Edhe lideri i partisë së ekstremit të djathtë Vox, Santiago Abascal, sulmoi ashpër qeverinë. “Nuk kalon asnjë javë, asnjë ditë dhe asnjë orë pa dalë detaje të reja për mafian që qeveris Spanjën… Ata duhet të ndalen dhe të dalin para drejtësisë”, deklaroi ai.