Skandali, Fatos Lubonja: Berisha
e Rama të shkojnë në Spaç

Skandali, Fatos Lubonja: Berisha<br />e Rama të shkojnë në Spaç
TIRANE - Siç kishte ndodhur edhe herë të tjera, Fatos Lubonja, po vizitonte Spaçin, vendin tragjik, që ka shenjuar një pjesë të dhibshme në jetën e tij. Ishte sërish me Barbara Haussamman fotografen Zviceriane, me të cilën një vit më parë realizuan projektin me titull ‘Objekte – Subjekte’. Sërish në Spaç. Por një vit më vonë shumë gjëra kishin ndryshuar aty. Kanë vënë re punëtorë që nxirrnin hekurishte ku të gjenin, thërrmonin betonin, nxirrnin shinat nga galeritë e dikurshme, madje kishin shembur edhe një prej ballkoneve për të nxjerrë prej aty shufrat e hekurit...

Lubonja thotë se është tronditur nga e gjithë kjo dhe ka njoftuar kë ka mundur për ta ndalur këtë shkatërrim. Por përtej kësaj tronditje shkoi Barbara. Ajo s’mund ta kuptonte këtë barbari. 

Me Fatos Lubonjën, pas kësaj ngjarjeje të paprecedentë, zhvillojmë një bisedë, ku ai na rrëfen se si e pa me sytë e tij këtë batërdi, i çfarë grade është dëmi dhe ç’peshë ka kjo humbje e të tjera si kjo, në kujtesën tonë historike, çfarë do të duhej të bënte MTKRS që e ka prej vitesh nën kujdes këtë objekt si monument kulture e për të cilin po hartohen projekte për ta kthyer në muze të vizitueshëm... Lubonja flet edhe për lidhjen vëllazërore mes Nikoll Prendit me Ndrea Prendin, duke komentuar se “në Shqipërinë tonë për fat të keq përkatësia familjare funksionon si privilegj e mundësi mbrojtjeje apo e kundërta: si mundësi goditjeje e persekutimi”. Krejt në fund, në këtë bisedë Lubonja tërheq vëmendjen e atyre që duhet të kujdeseshin më shumë për trashëgiminë tonë historike, duke pyetur nëse kanë qenë ndonëjherë në Spaç intelektualët shkrimtarët apo politikanët shqiptarë, ndër ta vetë Sali Berisha apo Edi Rama.... 
 
Z.Lubonja, si dhe kush ju njoftoj për atë batërdi që po ndodh në Spaç? Ju ishit vetë në vendngjarje, a mund të na përshkruani diçka më shumë nga ç’thonë fotot?

Ndodhesha vetë atje sëbashku me një fotografe zviceriane, Barbara Haussamman, me të cilën kemi shkuar disa herë në Spaç. Ajo ka qenë fotografja e instalacionit që bëra unë vjet me objektet të Spaçit me titull objekte – subjekte. Shkatërruesit i gjeta duke punuar me kazma dhe vare. Ishin duke thyer shtylla betoni të përdorura për të shtruar vende-vend shtigjet në të cilat ngjiteshin të burgosurit për në minierë.Pasi u thërrmonin betonin u merrnin shufrat e hekurit që ato kanë brenda. Një grup tjetër ndoshta po bënte të njëjtën punë më lart. Kurse në një galeri një grup po nxirrte shinat e shtruara atje prej vitesh duke rrezikuar edhe jetën. Kur hyra në kamp vura re me tronditje se në krahasim me një vit më parë gjendja ishte rrënuar edhe më. Më bëri veçanërisht përshtypje prerja totalisht e ballkonit të katit të parë siç duket edhe në fotot që kam bërë. Po të pyesnit Barbarën, do të shihnit se ajo mbeti edhe më e tronditur se unë – pasi ne shqiptarët sikur jemi mësuar me kësi lloj barbarirash. Bëra disa telefonata midis të cilave edhe në Institutin e Kujtesës, të cilat për fat sollën policinë që të paktën për atë ditë e ndaloi batërdinë.
 
Çfarë rëndësie ka për kujtesën e shqiptarëve, Spaçi, ky burg me galeri, i shpallur muze, por që po zhduket nga faqja e dheut, dalë ngadalë...?

Kam përshtypjen se rëndësia është evidente. Është rëndësia që ka kujtesa në jetën tonë. Ne edhe si qënie individuale por edhe si shoqëri tek e fundit ne jemi ëndrrat tona për të ardhmen, por jemi edhe kujtesa jonë e së shkuarës. Pa kujtesën ne nuk do të dinim se si ta përcaktonim veten, madje as ëndrrat e të ardhmes. Sipas meje eshte nje humbje e madhe materiale dhe shpirtërore si edhe e çdo monumenti që fikson të kaluarën, kujtesën. Njerëzit në botë vizitojnë minierat e vjetra për të parë se si kane qenë ato, kushtet e punës së paraardhësve të tyre,  kurse ne kemi nje miniere Gulag që ka krahas saj edhe burgun e te burgosurve do te ishte një vend unik ndoshta edhe në botë. Unë nuk kam dëgjuar të ketë tjetër në vendet e Lindjes një gjë si Spaçi. Kurse ne e shkatërrojmë me një mendjelehtësi që na bën më shumë të ngjashëm me kafshët që jetojnë një të tashme pa të shkuar e pa të ardhme sesa me njerëzit.
 
Në krye të këtij biznesi thuhet se është vëllai i Ndrea Prendit, i akuzuari për vrasje gjatë protestave të 21 janarit. Si do ta komentonit këtë fakt?


Kështu më tha policia që i arrestoi. Nuk dua të bëj akuza familjare, sepse jam kundër identifikimit të individëve me familjarët e tyre cilëtdo qofshin ata. Por as mund të mohoj faktin se në Shqipërinë tonë për fat të keq përkatësia familjare funksionon si privilegj e mundësi mbrojtjeje apo e kundërta: si mundësi goditjeje e persekutimi. Në rastin në fjalë kam të drejtë të dyshoj se personi në fjalë e ka ndjerë veten të mbrojtur për të bërë çfarë po bënte, duke u nisur nga pozita e vëllait të tij - madje edhe ditët kur vëllai ka qenë në momentet më të vështira. E nëse do të nisemi nga ideja se shqiptarët për fat të keq janë të ndarë politikisht sipas përkatësisë familjare, këtë do ta komentoja edhe si një fakt që vërteton se tek e fundit në Shqipërinë tonë, përtej retorikave që dëgjojmë të përdorin shumë vetë, nuk ka të majtë apo të djathtë, komunistë apo antikomunistë, por kusarë që shohin vetëm se si të bëjnë ndonjë lek veçanërisht duke vjedhur pasurinë e të gjithëve.

Edhe pse ka vite që bëhen projekte për ta kthyer në një muze të vizitueshëm, ai vend sërish është gërmadhë. Kë mund të fajësojmë për këtë? Çfarë duhej të kishte bërë deri më sot Ministria e Turizmit Kulturës rinisë dhe sporteve?

Faji bie mbi të gjithë, mbi elitën politike dhe kulturore që ka drejtuar këtë vend gjatë këtyre njëzet vjetëve. Dhe ky faj është shumëfaqësh. Ky faj ka të bëjë më së pari me mungesën e ndjeshmërisë së vërtetë të kësaj elite ndaj kësaj faqeje më të errët të diktaturës, për shkak se në përgjthësi kjo elitë është dominuar nga njerëz të cilët në jetën e tyre gjatë diktaturës nuk kanë qenë në anën e të persekutuarve. Por ka të bëjë edhe me gjendjen e mjerueshme materiale dhe shpirtërore që e ka katandisur vendin kjo elitë, duke menduar vetëm për pasurimin e vetvetes – çka bën që gjynahqarë e mjeranë, të cilët ndoshta nuk ia dinë as kuptimin fjalës kujtesë, të shkojnë të kërkojnë të nxjerrin bukën e gojës edhe në atë vend dhimbjeje e vuajtjeje që e bën të shenjtë, deri duke rrezikuar jetën e tyre.

Ministria së paku do të duhej të kujdesej që atje të viheshin disa tabela që të tregonin se është vend muze – sepse edhe ashtu ai është një vend muze, ku nuk duhet të merret asgjë pa leje nga shteti – e jo vetëm ndërtesat, por edhe i gjthë mali ku ka qenë miniera. Edhe shtyllat e pakta të rrethimit që kanë mbetur edhe shtyllat e betonit të galerive që gjinden nëpër rrugë.

Forumi për mbrojtjen e monumenteve ka hedhur idetë e para, për ta bërë publik këtë skandal. Çfarë mbetet  për t’u bërë nga shoqëria civile sa i takon një rasti të tillë?


Mendoj se e para gjë që duhet të bëjnë njerëzit e shoqërisë civile por edhe politikanët është që të shkojnë ta shohin nga afër atë vend.

A keni dëgjuar të ketë shkuar atje ndonjëherë Sali Berisha, p.sh., apo Edi Rama apo shkrimtarë e artistë të njohur?

Jo. E trajtojnë si një diçka që nuk u përket. Kanë shkuar në Aushvic, por jo në Spaç. Po të shkosh atje vendi flet vetë. Kuptohet ende se atje ka ndodhur diçka e rëndë, me gjithë përpjekjet që bëjnë barbarët për ta kthyer në një gjendje normale.

(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë