Skandali, gjykata i besoi Hatisë
pa parë dosjen dhe gafa e MD

Neglizhenca e ministrisë së Drejtësisë dhe pamundësia për t’u njohur me vendimin e gjykatës së Milanos, që ka dënuar Alket Hatinë me 20 vite burg për trafik droge, ka bërë që gjyqtari Petraq Çuri të lirojë nga salla e gjyqit të arrestuarin nga Policia e Shtetit.

Ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, nuk ka dërguar në prokurori shkresën, duke mos zbatuar kushtet e nenit 493/1 të Kodit të Procedurës Penale. Pikërisht ky nen qartëson se: ”…me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, të paraqitur nëpërmjet prokurorit, ndaj personit për të cilin është kërkuar ekstradimi mund të merren masa shtrënguese dhe të vendoset sekuestrimi i provave materiale dhe i sendeve që i përkasin veprës penale, për të cilën është kërkuar ekstradimi”.

Ndërkohë, një tjetër nen, të cilit nuk i është përgjigjur gjithashtu ministria e Drejtësisë për rastin e lirimit të Alket Hatisë, është 494/1, në të cilin qartësohet se: ”…me kërkesën e shtetit të huaj, të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë nëpërmjet prokurorit pranë gjykatës kompetente, gjykata mund të vendosë përkohësisht një masë shtrënguese para se të vijë kërkesa e ekstradimit”.

Gjykata i besoi versionit të Hatisë
Pamundësia e administrimit në kohë të shpejtë të vendimit italian, që ka dënuar me 20 vite burgim Alket Hatinë dhe anëtarët e tjerë të bandës së heroinës, ka bërë që gjykata të mos pranojë kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së “arrestit 40 ditë në burg”, por të caktojë masën e “detyrimit për paraqitje në prokurori”. Prej dy ditësh tashmë, si pasojë, super i kërkuari për trafik droge në Itali jeton i qetë dhe i lirë në Durrës. Gjyqtari i çështjes Petraq Çuri nuk ka qënë në gjëndje të informohet nga prokuroria e Durrësit nëse Alket Hatia është dënuar në Itali për të njëjtat episode të trafikut të drogës, për të cilat është dënuar dhe në Shqipëri me 10 vite e 8 muaj burgim. Nisur nga kjo situatë, gjyqtari Çuri ka pranuar se: “…gjëja e gjykuar njëherë nuk mund të rigjykohet apo të dënohet sërisht personi për të njëjtën vepër penale…”

Më tej, gjykata thotë se prokuroria nuk ka patur kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Alket Hatija për efekt të ekstradimit, kërkesë kjo, e cila është kusht për caktimin e masave shtrënguese për efekt të ekstradimit sipas parashikimeve të neneve 493 94 të Kodi të Procedurës Penale.  Gjykata ka marrë të mirëqënë edhe pretendimin e Alket Hatisë, i cili thotë se, me këtë vendim, ai është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për të njëjtat vepra penale, për të cilat është dënuar nga Gjykata e Milanos dhe nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtat vepra penale.

Ankimi i prokurorisë
Prokuroria ka apeluar menjëherë vendimin e lirimit të Alket Hatisë nga qelia. Sipas prokurorisë, gjykata nuk ka respektuar drejtë me dispozitat e ekstradimit dhe, për pasojë, ka sjellë lirimin e Hatisë. Në ankimin e prokurorisë thuhet se, së pari, në vendimin e saj, gjykata nuk ka vlerësuar faktin objekt hetimi dhe gabimisht u është referuar neneve 493 dhe 494 të Kodit të Procedurës Penale, të cilat nuk rregullojnë faktin objekt të kërkesës për gjykim. Prokuroria, në kërkesën e paraqitur gjykatës, nuk ka kërkuar ekstradimin e shtetasit Alket Hatia dhe as caktimin e masës së sigurimit mbi kërkesën e autoriteteve të Drejtësisë Italiane apo ministrisë së Drejtësisë. Fakti objekt hetimi ka qënë “Arrestim nga policia Gjyqësore”, i rregulluar qartësisht nga neni 495 i Kodit të Procedurës Penale dhe, që në mënyrë të posaçme e specifike, gjen trajtim të qartë edhe në aktet ligjore ndërkombëtare, që normojnë ndihmën reciproke ndër shtetërore në çështjet penale. Siç është vepruar në të gjitha rastet analoge nga prokuroria, është kërkuar që të miratohet arresti i bërë nga policia gjyqësore, referuar rregullave procedurale dhe sistemit TIMS të kërkimit ndërkombëtar. Së dyti, thotë prokuroria, gjykata, me vendimin e saj, duke mosmiratuar arrestin, e bërë krejtësisht konform parashikimeve ligjore, duke kushtëzuar kryerjen e arrestit vetëm me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, ka bërë ineficient sistemin e kërkimit ndërkombëtar. Sipas mënyrës si është trajtuar, ky fakt kërkimi ndërkombëtar është krejt i pavleshëm dhe të gjithë arrestet e kryera kështu prej vitesh nuk konsiderohen të ligjshme. Policia gjyqësore, në veprimin e kryer, nga pikëpamja formale ka zbatuar një urdhër arresti ndërkombëtar në rastin objekt gjykimi.

Së treti, thotë prokuroria, pretendimi i të dënuarit se ka një vendim dënimi nga gjykata shqiptare pikërisht për këtë akuzë në kushtet dhe rrethanat konkrete të administruara nga trupi gjykues, nuk mund të përbënte shkak për të vlerësuar të paligjshëm arrestin e as për të caktuar masë sigurimi, atë të shpallur nga trupi gjykues.

Gjatë gjykimit, u vërtetua se shtetasi Alket Hatija, me vendimin e datës 26 mars 2010, është dënuar me 10 vjet e 8 muaj burgim. Rezulton se vepra në fjalë është kryer pikërisht në kohën që edhe i pandehuri pretendon në shpjegimet e tij. Por kjo rrethanë nuk sqaron asgjë lidhur me vendimin e vitit 2015 të gjykatës italiane në mungesë të këtij vendimi. Kjo do të përbënte rrethanë për t’u konsideruar po qe se do të administrohej qoftë dhe jo i formës ligjore, por fizikisht, vendimi penal i gjykatës italiane, në të kundërt, kjo nuk përbën rrethana për t’u konsideruar.

Gjykata e Apelit në Itali e ka dënuar Hatinë me 20 vite burg për trafik droge dhe krijim të organizatave kriminale në 2015.

dokument skandali lirimi
 
NJOFTIM PËR SHTYP
Nisur nga artikujt e botuara në median e shkruar si dhe njoftimet në median vizive, lidhur me gjykimin e çështjes penale që i përket shtetasit Alket Hatija, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës sqaron sa vijon:
 
Në datën 09.07.2017 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës është regjistruar kërkesa e Prokurorisë pranë kësaj gjykate me objekt: “Miratimin e arrestimit të shtetasit Alket Hatija të datës 08.07.2017  si dhe caktimin e masës së sigurimit personal atë të “arrestit në burg” për ekstradimin e tij në Itali”.
 
Kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtarit Petraq Çuri, gjyqtar i gatshëm në këtë datë, i cili ka zhvilluar seancën gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës në datën 11.07.2017, ora 09:30.
 
Në përfundim të gjykimin Gjykata ka vendosur të mos miratojë arrestimin e shtetasit Alket Hatija dhe caktimin e masës së sigurimit të “Detyrimit për paraqitje para policisë gjyqësore”, të hënën e parë e të tretë të çdo muaji për këtë shtetas.
 
Në mënyrë të përmbledhur në vendimin e saj Gjykata ka arsyetuar se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”  për efekt të ekstradimit bazohej në kërkimin e Interpol Romës, të Qershorit të vitit 2017, me të cilën shtetasi Alket Hatija kërkohej për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor të dhënë nga Gjykata e Milanos, sipas të cilit ishte dënuar me 20 vjet burgim për vepra të ndryshme penale.
 
Gjykata e ka gjetur të pabazuar këtë kërkesë të akuzës, pasi kërkesa nuk shoqërohej me kërkesën e Minsitrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Alket Hatija për efekt të ekstradimit, kërkesë kjo e cila është kusht për caktimin e masave shtrënguese për efekt të ekstradimit sipas parashikimeve të neneve 493 e 494 të Kodi të Procedurës Penale.
 
Po kështu, në vendimin e saj gjykata është shprehur se shtetasi Alket Hatija ka paraqitur në gjykim vendimin nr.10 datë 26.03.201, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me të cilin është dënuar me me 10 vjet e 8 muaj burgim për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, të cilin shtetasi Alket Hatija e ka kryer në burgjet shqiptare. Sipas pretendimit të këtij shtetasi  me këtë vendim ai është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për të njëjtat vepra  penale për të cilat është dënuar nga Gjykata e Milanos dhe nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtat vepra penale, duke iu referuar edhe vendimit nr.93 datë 16.11.2011 të Gjykatës Kushtetuese të RSH,e cila e ka shqyrtuar rastin e tij lidhur me këtë pretendim. Vendimi i një gjykate shqiptare për të njëjtat fakte përbën një nga rastet e refuzimit të ekstradimit sipas 491 të Kodit të Procedurës Penale.
 
Për këto arsye gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Detyrimi për paraqitje para policisë gjyqësore” të hënën e parë e të tretë të çdo muaji për shtetasin Altin Hatija, duke theksuar edhe se ky shtetas jeton e punon në qytetin e Durrësit dhe ekzekutimi i kësaj mase është tërësisht i mundur.
 
Arsye më të detajuara gjenden në vendimin e plotë të gjykatës.

 
dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave