Kryeministri Edi Rama kishte planifikuar të dilte sot në një konferencë për shtyp për të prezantuar platformën për Konsultimin Kombëtar, por skandali i publikimit të mbi 637 mijë pagave të shqiptarëve bëri që fokusi i diskutimeve të ishte pikërisht kjo çështje, duke e shtyrë për nesër prezantimin e platformës.

Teksa i kërkoi falje qytetarëve që ky skandal mund t'i ketë krijuar shqetësime, në krah të drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së informacionit, Rama theksoi se nxjerrja e këtyre të dhënave është bërë me qëllimin për të krijuar destabilitet. Kryeministri nuk përjashton faktit që ky mund të jetë sulm politik, duke hedhur dyshime te 'Foltorja', referuar Sali Berishës.

"Nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet në një përpjekje që nuk është e para, duke pasur parasysh edhe në deklaratat të bëra nga Foltoret e Kuvendeve të anti-kuvendeve mund të mos jetë e fundit", tha Rama.

Sipas Ramës, dalja e listës së pagave nuk ka ardhur nga një sulm kibernetik por nga një punonjës i brendshëm, ndërsa u sigurua të sqaronte se kjo nuk ka asnjë lidhje me platformës e-albania e cila është plotësisht e mbrojtur.

Kryeministri kërkoi hetim të plotë për këtë çështje, duke kërkuar që të merren nën hetim të gjithë inspektorët që kanë akses në sistemin e pagave dhe po ashtu edhe ata që bëjnë kërcënime nga "Foltoret e Kuvendeve apo anti-Kuvendeve".

Kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm të dëshmojë edhe vetë në prokurori, ku tha se ai ka disa dyshime se kush mund të kenë publikuar pagat dhe për cilat arsye ato u bënë publike pikërisht në këtë kohë, por shtoi se nuk i bën këto dyshime publike për të mos e politizuar situatën.

E ndërkohë që kryeministri Rama fliste për skandalin e publikimit të pagave për muajin janar të 2021, u bënë publike edhe pagat e muajit prill. Lista e re ka mbi 694 mijë punonjës, pra rreth 60 mijë më shumë se lista e djeshme. Edhe lista e muajit prill duket të jetë në format e ngjashme me atë të parën, e eksportuar në programin “Excel”.

 Skandali mbi rrjedhjen e informacionit për pagat e mbi 637 mijë punonjësve shqiptarë, në sektorin publik dhe atë privat, u publikua ditën djeshme, duke bërë që çdokush të ketë akses në të dhënat personale të tyre. Në lidhje me këtë skandal prokuroria tashmë po zhvillon hetimet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:49
Rama: I gatshëm të dëshmoj në prokurori, e di pse u publikuan në këtë kohë të dhënat për pagat

 

Kryeministri Edi Rama ka disa dyshime se kush mund të kenë publikuar pagat për mbi 694 mijë qytetarëve dhe për cilat arsye ato u bënë publike pikërisht në këtë kohë. Për dyshimet e tij, Rama tha se është gati të dëshmojë në prokurori, por nuk i bëri publike duke argumentuar se nuk do ta politizojë situatën. Rama tha se këto të dhëna kishin dalë muaj më parë dhe jo tani që u  publikuan.

"Ajo është pjesë e një grabitje të një pjese të të dhënave dhe manipulimit të tyre, nuk është databaza jonë. Unë me daljen e kësaj e kam një opinion shumë të qartë dhe nëse prokuroria ka dëshira të dëgjojë, unë ja them. Unë  e kam të qartë se për çfarë mund tju duhen pagat atyre që kanë hedhur në treg databazën e patronazhistëve",  tha Rama.

Ora 13:23
Nxjerrja e të dhënave të pagave, sulm politik? Rama: Hidh gurin që të mos merret njeri me bravën e çelësin

 

Kryeministri Edi Rama ka hedhur dyshime se nxjerrja e të dhënave të pagave të mbi 637 mijë qytetarëve mund të jetë sulm politik. Sipas Ramës kjo mund të jetë një mënyrë nga 'bravaxhinjt dhe çelsaxhinjt' për të hequr vëmendjen nga situata që është krijuar në PD

"Politik, jo politik, kjo nuk ka asnjë vlerë sepse qytetarët që janë të sëkëlldisur nga kjo duhet të dinë si mund t ketë ndodhur dhe pe nuk duhet të jenë të shqetësuar për sigurinë e të dhënave të tyre. Përdorimi politik i kësaj ngjarje është në sytë e të gjithëve. Tua bësh këtë njerëzve për të nxjerrë bravën nga çelësi apo për të futur çelësin në bravë dhe hedh gurin tënd që të mos merret njeri me bravën e çelësin, është një mundësi për t'i treguar njerëzve se deri ku mund të shkojnë bravaxhinjt e çelsaxhinjt", tha Rama.

Ora 13:15
Pyetja e Ramës: Të dhënat kishin rrjedhur para disa muajsh, pse u përdorën tani?

 

Kryeministri Rama ka një pyetje në lidhje me skandalin e publikimit të pagave të mbi 637 mijë shqiptarëv. Rama hedh dyshime mbi qëllimin se pse u publikuan tani.

"Ka dalë para shumë muajsh, pse përdoret tani? Konfuzion dhe destabilitetit në sensin e pasigurisë publike. Nuk ka asnjë mundësi tjetër përveçse ne vazhdojmë revolucionin industrial. Mbase këtë gjë e ka nxitur edhe fakti se ne kemi ndërmarrë një tur takimesh për të komunikuar mbylljen e sporteleve. Dhe ne do ta bëjmë këtë gjë. Nuk bëj asnjë lidhje me askënd, por them që ky është rast kuptimplotë se deri ku mund të shkojnë forca të caktuara kundër qytetarëve. Ne do të bëjmë maksimumin që të forcojmë të gjithë kapacitetet sepse jemi shumë të ekspozuar", tha Rama.

Ora 12:50
Rama: Është ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm, jo sulm kibernetik! Sistemet dixhitale shumë të vjetra, po i përmirësojmë për të bërë të pamundur ndërhyrjen

 

Për Kryeministrin Edi Rama, publikimi i pagave të mbi 637 mijë shqiptarëve është një ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm dhe jo një sulm kibernetik. Sipas kryeministrit, shumë sisteme dixhitale në shumë institucione në vend, përfshirë edhe Tatimet, është sistem i vjetër i krijuar 8 vite më parë dhe se po punohet për të forcuar sigurinë e tyre, për të bërë të pamundur ndërhyrjen nga jashtë.

"Këtu kemi bërë me një ndërhyrje që duhet hetuar deri në fund dhe ngjan më shumë si një ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm jo nga infiltrimi i jashtëm, në formën e një sulmi kibernetik, gjë që ndodh edhe kjo. Nuk jemi as të parët as të fundit, nëse i refereoheni vetëm periudhës së fundit, ngjarje të tilla kanë ndodhur në shumë vende me kapacitete shumë të lara të mbrojtjes kibernetike, që nga SHBA, Rusi, Britani e Kanada dhe kjo është një sfidë e re e kohës. Sot qytetarët duan t dinë se sa të sigurta janë ndërveprime e tyre me sistemin tonë të ndërveprimit dixhital, në rastin konkret në sistemin e tatimeve kemi të bëjmë me një sistem dixhital të krijuar më shumë se 8 vite më parë, me një kredi të butë të një vendi të BE, ku janë angazhuar forca teknike të përbashkëta të atij vendi dhe vendit tonë që janë administratorët e këtij sistemi. Nuk e them për të hedhur hije dyshimi mbi ta, por për të thënë që ky sistem si dhe ndonjë tjetër, i përkasin një trashëgimie për të cilën po punohet vijimisisht që nuk është diçka e lehtë për t'u bërë. Ne jemi të ekspozuar ndaj sulmeve kibermitike dhe AKSH që funksionon me 3 shtylla, kërkimin shkencor, programimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve, përballet rregullisht në mënyrë të përditshme me sulme kibernitike që nuk bëhen publike. Për të forcuar sistemi e mbrojtjes, po punojmë në bazë të marrëveshjes me qeverinë amerikane, për të përfshirë në këtë sistem një prej forcave më të mëdha të ekselencës së mbrojtjes kibernetike General Jones, kompania që është përfshirë në mbrojtjen e të dhënave në OST. Sistemi është i vjetër. Atëherë ky ekspozim është më i lartë. AKSHI sot ka hyrë në një fazë të re, duke filluar të përdorë teknologjinë 'block chain', e cila e bënë pothuajse të pamundur ndërhyrjen. Çdo lloj lëvizje është e regjistruar dhe çdo lloj lëvizje të të dhënave është e pamundur", tha Rama.

Ora 12:43
Zbulimi i pagave, Rama: Qëllim për të nxitur destabilitet, mund të ketë edhe të tjera nga 'Foltoret' anti-kuvend

 

Kryeminsitri Edi Rama teksa ka kërkuar ndjesë për daljen e të dhënave të pagave të mbi 637 mijë punonjësve, tha se kjo është bërë për të krijuar destabilitet nga Foltorja (referuar Sali Berishës). Rama i bëri thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë rastin me të gjitha kapacitetet që kanë, ndërsa shtoi se mund të mos jetë edhe e fundit.

‘Dua t'u kërkoj ndjesë të gjithëve, që janë shqetësuar me plot të drejtë, në këtë ndërhyrje në këtë aspekt të jetës së tyre private dhe dua ta nënvizoj se kjo është një ngjarje e cila meriton të hetohet imtësisht. Uroj dhe shpresoj e u bëj thirrje organeve ligjzbatuese që ta kryejnë këtë hetim me të gjitha kapacitet e tyre dhe dëshiroj të ndaj me publikun se në këndvështrimin tim nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim jo fort të vështirë për tu kuptuar për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet në një përpjekje që nuk është e para, fuke pasur parasysh edhe në deklaratat të bëra nga Foltoret e Kuvendeve të anti-kuvendeve mund të mos jetë e fundit, thirrja ime është që të hetojë duke kërkuar që të përgjigjen të gjithë inspektorët e tatimeve të cilët kanë akses në sistemin e pagave për arsye të punës, ato që aktualisht punojnë në këtë sistem, apo të tjerë që mund të jenë të larguar.’- tha Rama.