Skandali i RTK-së, botoi shkrimin e “Slobodna Bosna” që sulmonte mediat e Kosovës! Çfarë ka ndodhur dhe çfarë dimë deri tani

Skandali i RTK-së, botoi shkrimin e “Slobodna Bosna” që sulmonte mediat e Kosovës! Çfarë ka ndodhur dhe çfarë dimë deri tani

Godina e Radio Televizionit të Kosovës

Radio Televizioni i Kosovës në Kosovë (RTK) është përfshirë në një skandal që përshfaq më shumë se sa një “lëshim” i brendshëm editorial. Në korrik të këtij viti Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe rreth 20 organizata të tjera jo-qeveritare e aktivistë kërkuan shkarkimin e bordit të RTK-së për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre. Ndërkohë, qeveria e Kosovës  akuzohet për inxhinierim të një dezinformate që synon t’ua ulë kredibilitetin medieve në Kosovë.

Deri më 25 korrik, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së RTK, Zana Spahiu, dha dorëheqje disa orë pasi të njëjtin veprim e bëri redaktori, Jeton Musliu.

Çfarë ndodhi?
Me 22 korrik, uebfaqja e transmetuesit publik të Kosovës “RTKlive”, publikoi një artikull pa autor, ku përcolli të përkthyer një artikull nga “Slobodna Bosna”, një medium në Bosnje dhe Hercegovinë. Artikulli fliste për takimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, rreth një marrëveshjeje që ishte arritur pak ditë para 22 korrikut për litiumin. Pa ndonjë lidhje me artikullin, në mes të tij në një kutizë, qëndronte si mish i huaj një pjesëz ku “Slobodna Bosna”, pretendonte se regjimi i Vuçiç po shtrihej edhe në Kosovë përmes kapjes së hapësirës mediale. Ky artikull pretendonte se bazuar në burimet e mediumit brenda Kosovës, mediumi online “Periskopi” është në kontroll direkt të Milan Radocicit, dhe se mediumi tjetër online “Nacionale” kishte pranuar transaksion milionësh në dollarë nga regjimi i Vuçiçit pasi e kishte vënë veten në shërbim të këtij të fundit për të publikuar artikuj kritikë ndaj qeverisë së Albin Kurtit. Por, nga ky medium nuk u ofrua as edhe një dëshmi që do t’i mbështeste këto pretendime.

Artikulli i “Slobodna Bosna” u dha si lajm edhe në Lajmet Qendrore të televizionit publik, ndonëse pa i përmendur emrat e medieve. Emrat e medieve u fshinë edhe nga artikulli online në RTKlive pas një kohe. Përfshirja e këtij artikulli në kanalet e transmetuesit publik nxiti reagim të gjerë në Kosovë, për shkak se fliste pa ndonjë dëshmi, dy medie vendore kritike ndaj qeverisë si të financuara nga qeveria serbe. Për më shumë, artikulli i publikuar në RTK, u përdorë nga deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), për t’i sulmuar mediet, duke përdorur raportimin e “Slobodna Bosna” si dëshmi se mediet në Kosovë paguheshin nga Serbia.

Drejtori i “Nacionale”, Berat Buzhala, po atë ditë tha se nuk kishte pranuar asnjë pyetje nga RTK rreth pretendimeve para se përmbajtja të publikohej në uebfaqe e më pas në lajme qendrore.

Të nesërmen, bordi i RTK, që është organ mbikëqyrës i transmetuesit publik, u mblodh dhe vendosi ta formojë një komision për hetimin e publikimit të këtij artikulli në RTK. Ata duke shprehur keqardhje, thanë se do të kërkojnë përgjegjësi për këtë “lëshim” dhe e quajtën përmbajtjen “kontraverse”.

Mish-mashi i inxhinierimit të artikullit në RTK

Sipas verifikuesit të fakteve në Bosnjë dhe Hercegovinë “Raskavnikanje”, mediumi “Slobodna Bosna” njihet për publikimin e dezinfomrmatave dhe përmbajtjes së dyshimtë. Në një intervistë për Nacionale, drejtuesi i Raskavnikanje, Darko Brkan, tha se ky medium përdorë burime të pakonfirmuara dhe synojnë t’i rrisin klikimet përmes përmbajtjes sensacionale. Brkan tha se ky lloj inxhinierimi i dezinformimit nga aktorë politikë të një vendi, sipas observimit të tyre, është i zakonshëm.

“Kjo është edhe mënyra e zakonshme e vendosjes (montimit) dezinformimit. Ne këtu në rajon e kemi parë shpesh, ku aktorë politikë nga një vend, Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovinë, e montojnë një copë informacioni në një vend tjetër dhe e shpërndajnë në vende të tyre…kështu duke e pretenduar pastaj atë lajm si kredibil sepse kur lajmi vjen nga një vend tjetër duket më kredibil se sa ta botosh në vendin tuaj”, tha Brkan.

Disa nga deputetët e LVV dhe vetë drejtori i RTK, Rilind Gërvalla, iu referuan “Slobodna Bosna”, si një medium serioz me histori të gjatë në gazetari. Por, Brkan ka deklaruar se “Raskavnikanje” ka verifikuar rreth 200 artikuj nga ky medium që nga kalimi i saj në formatin online, edhe pse ka histori të gjatë në gazetarinë e shtypur dhe në të kaluarën ishte medium kredibil.

“Slobodna Bosna”, më 24 korrik, publikoi një artikull tjetër ku përmendi akuzat për financimin e medieve të Kosovës nga Serbia. Aty, ata iu referuan edhe disa artikujve të uebfaqes “Frontliner”, e cila udhëhiqet nga Vudi Xhymshiti. Ky i fundit, kishte publikuar një seri të artikujve ku pretendohej pa asnjë fakt për lidhje të Berat Buzhalës me pushtetin në Serbi.

Për ta vënë në kontekst, Xhymshiti mbahet mend më së miri për dezinformatën që u shpërnda para disa muaj rreth Gabriel Escobar, ish të dërguarit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH). Në një varg dezinformatash, Xhymshiti kishte pretenduar për raportet e afërta të Escobarit me shtetin serb për shkak se bashkëshortja e tij kishte marrë fonde nga Ministria e Jashtme e Serbisë. Pas kësaj, Xhymshiti kishte pretenduar se Escobar ishte shkarkuar nga detyra e të dërguarit special për shkak të hulumtimit të tij.

Ambasada e ShBA në Kosovë i kishte hedhur poshtë këto pretendime disa herë, po ashtu vet Escobar. Ata kishin treguar se Escobarit po i përfundonte mandati dhe do të caktohej në një vend tjetër për shkak të modelit të rotacionit që aplikohej brenda DASH për zyrtarët e karrierës që janë pjesë e Shërbimit të Jashtëm.

Xhumshiti ka targetuar disa medie, gazetarë e figura publike në Kosovë, përfshirë edhe Klan Kosovën, Gazetën Express, Sbunker-in, Agon Maliqin, Halil Matoshin, e plot të tjerë. Së fundi edhe gazetarin Arsim Lani. Ndërkohë, në rastin e “Slobodna Bosna”, Xhumshiti i dha të drejtë RTK për ripublikimin e artikullit dhe përdori artikullin në fjalë si dëshmi mbështetëse për pretendimet e tij rreth financimit të medieve në Kosovë.

Por, larg prej të qenit hulumtim cilësor, pretendimet e “Slobodna Bosna” u shtynë në përmbajtjen e RTK jo për hir të relevancës që mund të kishte për publikun, por për shkak të politizimit të pozitave kyçe në RTK.

Kjo u dëshmua më së miri kur me 25 korrik, redaktori i edicionit të lajmeve qendrore të RTK, Jeton Musliu, shkroi një arsyetim të gjatë në profilin e tij në Facebook. Aty, Musliu tregoi se si kishte qenë në presion të vazhdueshëm nga drejtori i RTK1, Rilind Gërvalla dhe kryeredaktorja Leonora Bërbatovci për ta transmetuar kronikën. Musliu po ashtu tregoi që kishte pasur në vazhdimësi mospajtime e mosmarrëveshje me Bërbatovcin e Gërvallën për shkak të transmetimit të disa kronikave. Kujtojmë se Gërvalla u zgjodh në krye të RTK në vitin 2021, për çka bordi u kritikua meqë Gërvalla njihej si mbështetës i LVV. Sipas Musliut, Gërvalla e ka pranuar në mbledhje të bordit dhe menaxhmentit se ai e kishte inicuar publikimin e këtij artikulli.

Ndërkohë, sipas medumit “Nacionale”, Gërvalla në mbledhjen e bordit me 23 korrik, kishte thënë se e ka marrë me direktivë të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), por kjo është mohuar me 25 korrik nga Ganimete Musliu.

Presioni dhe ndërhyrjet politike që ushtrohet mbi punonjësit e RTK është i vazhdueshëm. Po këtë muaj, me 7 korrik, dha dorëheqje Shkumbin Ahmetxhekaj, që e mbajti postin e drejtorit të RTK për më shumë se dy vite. Ahmetxhekaj tha se dorëheqja e tij nuk reflektonte vullnetin personal për të mos vazhduar me drejtimin e RTK-së, por se “është kulmim i një presioni politik 7 mujor që rezultoj me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik”

Në gusht Besnik Boletini, Arta Berisha dhe Safet Kabashaj që të tre pjesë të Brodit të Radiotelevizonit të Kosovës (RTK) japin dorëheqjen pas publikimit të lajmit.

Kryetari I Bordti Boletini akuzon zëvendësdrejtorin e RTK-së, Adi Krasta, se nuk ka dashur të marr masa ndaj atyre që shkaktuan skandalin. Ai ka bërë me dije se gjetjet e raportit tregonin në mënyrë të qartë se RTK i kishte shkelur standardet profesionale.

Në 18 gusht ‘ Nacional’ shkruan se në shkrimin e dorëheqjes së kryetarit të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini është kuptuar se Adi Krasta, po refuzon që të çojë para raportin e komisionit hetimor për shkeljet e mëdha profesionale dhe etike që bëri televizioni publik kundër Nacionales dhe Periskopit. Gazetarë e akuzojnë Adi Krastën se është bërë servil i Dejona Mihallit të VV-së. Edhe anëtarë të partive opozitare kanë reaguar për këtë skandal të RTK-së dhe mosguximin e Krastët për të marrë masa ndaj drejtori të TV-së, Rilind Gërvalla.

Pse kjo bujë?
RTK është transmetues publik, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës. Si shumica e transmetuesve publikë në Evropë, RTK financohet nga taksapaguesit. Ndonëse RTK që nga viti 2010 nuk financohet direkt nga qytetarët, ky transmetues financohet nga buxheti shtetëror, çka e lë tërësisht të ndjeshëm ndaj presioneve të partive në pushtet.

RTK është kritikuar ndër vite për ndikimin që partitë kanë ushtruar në të përmes përzgjedhjes së bordit, e përmes pozitave kyçe menaxheriale e drejtuese. Pothuajse për çdo vit, Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën i ka kritikuar qeveritë për moszgjidhjen e çështjet të financimit të RTK duke ia mundësuar një model financimi të qëndrueshëm.

Modeli i transmetuesit publik ka për qëllim që të ofrojë një mes ndërmjet televizioneve komerciale dhe atyre shtetërore duke mbrojtur interesin publik dhe duke u shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallim. Por, në Ballkanin Perëndimor, politizimi i transmetuesve publik është bërë praktikë. Transmetuesit publikë që në një demokraci do të shërbenin si pike referimi për të gjitha mediet e tjera të një vendi, në Ballkanin Perëndimor më shpesh se sa jo, kthehen në “zëdhënës” të partive në pushtet.

I gjithë skandali në RTK bëri bujë për shkak të kontekstit të raporteve mes medieve dhe qeverisë së Kosovës. Që nga viti 2021, kur LVV erdhi në pushtet, mediet janë bërë halë në sy për qeverinë. Prej të parit të qeverisë, Albin Kurti; shefit të kabinetit të tij, Luan Dalipi, e deputetë të LVV, në vazhdimësi kanë targetuar mediet e vendit si medie “që u shërbejnë interesave të Serbisë”, “kompani kriminale”, e pati edhe deputetë që kërkuan “rregullim qeveritar të mediave online”.

Qeveria u gjend në mes të kritikave e protestave të komunitetit të gazetarëve në vitin 2023, kur pezulloi licencën e televizionit “Klan Kosova” duke pretenduar se ishte e ndërlidhur me Serbinë. Ndërkohë, së voni, qeveria u gjet në mes të kritikave sërish për shkak të këmbënguljes për ta miratuar projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) duke i injoruar rekomandimet dhe ndryshimet e kërkuara nga Komisioni i Venecias, komuniteti i gazetarëve, dhe BE. Sipas këtyre palëve, projektligji i miratuar në lexim të parë në korrik, minon pavarësinë e KPM-së dhe tregon qartazi se qeveria synon t’i marrë mediet, përfshirë ato online, nën kontrollë.

Ndërkohë, në 24 korrik, një ditë pas skandalit të RTK, ministrja e drejtësisë, Albulenë Haxhiu, teksa po merrej në pyetje nga Prokuroria Speciale për krejt diçka tjetër, bëri thirrje që Prokuroria t’i hetojë pretendimet e artikullit të “Slobodna Bosnës”.

Organizata ndërkombëtare dhe komuniteti ndërkombëtar, përfshirë BE dhe ShBA, kanë tërhequr disa herë vërejtjen në raportet e tyre për Kosovën, mbi retorikën përçarëse që ka mbjellë qeveria e Kosovës ndaj gazetarëve.

Gazeta Nacionale ka njoftuar se po ndjek rrugët ligjore ndaj mediumit skajshmërisht kontraverz boshnajk “Slobodna Bosna”.

Në maj 2024, Indeksi për Liri të Shtypit nga organizata joqeveritare, Reporterët pa Kufij, renditi Kosovën në vendin e 75-të, apo 19 vende më poshtë sesa vitin paraprak.

Shenim: Pjesë nga ky shkrim u morën nga faqja reporteri.net 

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Super leku fundos Euron! Prek nivelet më të ulëta! Ja me sa u këmbye sot

Super leku fundos Euron! Prek nivelet më të ulëta! Ja me sa u këmbye sot