ANGLI - Një vendim i fortë ka tronditur futbollin anglez, pasi Southampton është përjashtuar nga faza 'play-off' e Championship, duke i dhënë fund ëndrrës për rikthim në Premier League, kjo për faj të spiunazhit.
Vendimi u mor nga Komisioni i Pavarur Disiplinor i ligës, pasi u provua se klubi kishte kryer spiunazh ndaj rivalëve gjatë sezonit. Sipas hetimeve, Southampton kishte vëzhguar seancat stërvitore të Oxford United dhe Ipswich Town, si dhe kishte filmuar fshehurazi stërvitjen e Middlesbrough përpara ndeshjes gjysmëfinale të 'play-off-it' më 7 maj, me analistin William Salt.
Përveç përjashtimit të menjëhershëm nga gara, Southampton është ndëshkuar edhe me zbritjen e katër pikëve për sezonin e ardhshëm.
Pas këtij zhvillimi, Middlesbrough rikthehet në garë dhe do të përballet në finalen e madhe në 'Wembley' kundër Hull City, në një duel që vendos ngjitjen në elitën e futbollit anglez.
"Southampton ka pranuar shkeljen e rregullave të ligës, të cilat kërkojnë mirëbesim mes klubeve dhe ndalojnë monitorimin e kundërshtarëve 72 orë para përballjeve direkte", bën me dije Southampton.
Megjithatë, klubi ka njoftuar se do të ushtrojë të drejtën e apelimit, i cili pritet të dorëzohet sot më 20 maj. Ndërkohë, tifozët e ekipit do të rimbursohen plotësisht për biletat e blera për ndeshjet e 'play-off-it'.
Komente





