Fermerët e Fierit, kritikojnë skemën kombëtare të bujqësisë për vitin 2026, duke e konsideruar qesharake, dhe me financim të pamjaftueshëm për të ndihmuar këtë sektor. Sipas tyre heqja e naftës në kushtet kur çmimi vetëm po rritet, do falimentojë bujqit e blegtorët.
***
Në mes të sezonit të të mbjellave, fermerët janë të pafuqishëm për të përballuar kostot e rritura, nga nafta, farat e deri tek plehrat kimike.
Por shpresë për fermerët e Fierit nuk është as skema kombëtare e këtij viti, për të cilën ende nuk kanë nisur aplikimet. Bujq e blegtorë e konsiderojnë skemën qesharake.
“Është një skemë qesharake përsëri sepse unë jam blegtor por edhe bujk. E kanë çuar 120 mijë lekë për lopë, është qesharake. Rajoni e ka 700€-800€ Serbia e ka 1000 € mos gabohen”, shprehet Syrja Metushi fermer në Levan, Fier.
“Kemi aplikuar dhe dimë dhe njohim skemën e parë. Këtë skemë që po aplikon qeveria tani nuk e dimë se si do dalim me interes apo jo. Në qoftë se neve do të dalim pa interes është neve do marrim pikën fatale fermerët”, thotë fermeri Ismet Gega.
Fermerët thonë se heqja e naftës pa taksa mes krizës së çmimeve është goditja e radhës, pas çmimeve të larta të dapit, uresë apo nitratit.
“Unë s'mundem me hedh i hedh pleh tokës, se nuk mundem me e ble. Unë tani lopët i shita, plehu është i shtrenjtë. Kam mbi 20 hektar tokë që nga Hoxhara”, thotë fermeri Llesh Marku.
“Në këto 80 hektar unë mbjell këto kultura: Misër, grurë, elb, sipërfaqe jonxhë që janë 30 deri në 40 hektar me gjithë ca sipërfaqe bari. Na ka penalizuar shumë sepse nafta ka vajtur 240 sot i ka qenë llogarit i bie nja 60 lekë për 1 litër më shumë, ky është penalizim shumë i fuqishëm për ne fermerët”, thotë fermeri Ismet Gega.
“Me çfarë ta plugoj janë gjashtë traktorë aty. Ti mbush me naftë unë dal të plugoj të mbjell misër, po ja ku është dapi është 100 mijë lekë kuintali, ca do bëj unë”, tregon Syrja Metushi.
Për ata as rritja e financimit për gjedhët nga 10 mijë lekë në 12 mijë lekë, nuk është zgjidhje pasi ata po përballen me problemin e aflatoksinës, e për pasojë grumbulluesit nuk iu marrin qumështin.
“Ne e kemi falimentuar, 15 krerë lopë i kam shitur para një jave, se para dy javësh e qumështin s’ma mori kush. Shteti nuk na jep asnjë lloj shpërblimi se ne punojmë”, tha Llesh Marku.
“Aflatoksinën deri diku neve e kemi bërë atë pjesë po këta i kërkojnë kushtet si BE për të na shfrytëzuar, ndërsa për të dhënë nuk ka lidhje fare me BE-në”, thotë Syrja Metushi.
Skema Kombëtare për vitin 2026 është në vlerën 5.2 miliardë lekë, nga 4.4 miliardë lekë vitin e kaluar.
Gjithashtu fermerët kanë në dispozicion edhe kompensimin prej 10% për faturat që do të marrin nga grumbulluesit kur iu shesin produktet. Ministria e Bujqësisë sqaron se kompensim do të marrin vetëm ata fermerë që i shesin produktet tek biznese që kanë xhiro mbi 100 mijë euro në vit.
Komente








