Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas prezantimit të skemës së re të sociale që u vjen në ndihmë atyre që humbën punën për shkak të pandemisë. I prezantuar nga kryeministri Rama, ai tha ditën e sotme (23 shtator) se Shqipëria ka humbur më pak vende pune se vendet e rajonit, ndërsa sfida është vendosja e pagës minimale 30 mijë lekë.

Gjithashtu në ndihmë të bizneseve, Rama tha se nga korriku janë zeruar taksat dhe TVSH dhe kjo nuk është bërë për fushatë, por është fryt i një pune të gjatë. 

Për këto, Basha shkruan në Tëitter se nëse këto do të ishin realitet, Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje sot.

"Sikur të ishin bërë realitet ato që thotë ky, Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje sot. Por pas 7 vitesh premtimesh të pambajtura, a ka njeri që ja vë më veshin këtij?" - shkruan Basha.

Rama tha se sot kemi 44 mijë punëdhënës të regjistruar në sistem që përdorin zyrat e punës për të punësuar. Gjithashtu kryeministri tha se nga pandemia humbën vendin e punës 33 mijë persona dhe u ripunësuan 20 mijë, ndërsa sipas raporteve të Bankës Botërore Shqipëria ka humbur më pak vende pune se vendet e rajonit duke regjistruar edhe nivelin më të ulët të papunësisë 11.2 %. Skema e re që Rama prezantoi tha se përveç rritjes së punësimit redukton edhe punën në të zezë.