Skënder Minxhozi: Fitoi humbja!

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Nëse doni një situatë perfekte kaosi dhe vetëvrasjeje kolektive brenda një partie të madhe politike, përfytyroni sa më poshtë: Kryetari sapo ka dalë humbës në zgjedhje për herë të katërt rresht, por nuk jep dorëheqjen. Ish-kryetari historik, me një influencë vendimtare mbi partinë, sapo është shpallur non grata nga vendi më i madh në botë dhe ka dalë në mes të garës për kreun, për të njoftuar se mund të rikthehet. Për më tepër, ish-kryetari njofton se do të marrë mandatin e deputetit, duke e vënë partinë përballë detyrës së pamundur, që luftën e tij personale me Amerikën, ta imponojë si linjë zyrtare të partisë pas shtatorit. Më tej, kandidatët alternativë në garë deklarojnë se partia i tyre po i vjedh më keq se qeveria, se mijëra votues nuk janë lejuar në kutitë e votimit, ndërsa kryetari në detyrë nuk shkulet nga zyra. Aleati kryesor në zgjedhje ka degjeneruar në një partiçkë që s’i gjendet më nami e nishani, kurse Presidenti, aleati kryesor, ndodhet në procedure shkarkimi me bekimin e heshtur të ndërkombëtarëve. Së fundi, pala tjetër vijon e pashqetësuar me mandatin e ri, por gjen gjithashtu kohën të miklojë kreun e opozitës për bashkëpunim dhe ndarje postesh. Sikur të mjaftonin të gjitha, joshja e qeverisë i jep dorën e fundit absurdit.

Kjo është PD e sotme, kur Lulzim Basha, politikani më humbës që ka shkelur ndonjëherë në derën e saj, bëhet gati të rikonfirmohet kryetar partie “në mes të qametit”. Një fitore më të keqe zor se do ta meritonte edhe vetë Pirro i Epirit, që është standarti historik i fitores që ka formën e humbjes.

Demokratët kanë vendosur të jetojnë edhe katër vjet të tjera duke mbajtur frymën e duke shtirë fall për atë që do t’i presë në zgjedhjet e ardhshme. Kanë zgjedhur të vuajnë idenë e humbjes, që ju rri mby krye si Shpata e Demokleut, e jo të nisin të ndërtojnë një projekt alternativ, i cili, krahasuar me kryesinë e Bashës, do të kishte të paktën alibinë që nuk ishte provuar si humbës!

PD e sotme ju dorëzua inercisë së humbësit dhe kotësisë së përgjithshme në të cilën ka rënë. Ju dha tundimit të mosndryshimit, si strehë për pak qetësi, megjithëse e di fort mirë në subkoshiencë se pas kësaj qetësie, ka ardhur gjithmonë një furtunë.

Qëndrimi i Lulzim Bashës në krye të partisë do t’i mbajë të ngrira të gjitha krizat që kanë shoqëruar PD që nga dita kur Berisha doli nga zyra. Më së pari, do të mbajë të pambyllur problemin më të nxehtë që po e mban PD të lidhur me zinxhirët e së shkuarës: fatin politik të ish-kryetarit. Dhe gjasat janë që me Lulin në zyrë, Berisha të vijojë të përdorë stemën e partisë për të gjitha betejat personale e familjare që i janë shfaqur në horizont.

Lidhja fatale e fatit të një partie me prijësin e saj historik, ka marrë të dielën një votëbesim me vota masive blu (të vjedhura a të blera, pak rëndësi ka). Hija e Berishës, e cila ka sabotuar projektin e Bashës, do të vijojë të mbetet e patrazuar pas këtij votimi, e ky dualizëm shkatërrimtar për fatin e Partisë Demokratike do të vazhdojë ta mpakë atë, siç ka ndodhur në tetë vitet e fundit.

Kjo e të dielës ishte fitorja më spektakolare e imagjinueshme e një projekti humbës. Ishte fitorja e inatit mbi arsyen, e emocionit mbi shpresën, e burokratëve anonimë e politikanëve servilë që duan mosndryshimin, mbi guximin për të provuar diçka të re pas fatkeqësisë.

Me Bashën në krye, demokratët do të duhet të durojnë edhe për katër vite shpotitë e palës tjetër për mandatin e katërt e të pestë të Ramës. Ashtu siç e sintetizonte dje dikush me humor të hollë “Rama takon Blinken, Basha takon Berishën”!

Partia Demokratike ka vendosur të vijojë endjen nëpër tokën e panjohur të lidershipit të dobët dhe pa ide, projekt e të ardhme. Është një mëkat dramatik të cilin nuk e meriton një parti që ka qeverisur vendin dhe që ka mbushur sheshet prej 30 vjetësh. Dikur historia do ta vendosë me logjikë të ftohtë notën e gjithë çfarë po ndodh, por PD nuk ka kohë të presë historinë. Ajo duhet të zgjidhë hallin e madh të momentit, qëndrimin e tejzgjatur në opozitë. Dhe të dielën u humb një rast madhor për ta filluar këtë rrugëtim.

J.GJ./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Një viktimë nga zjarret në vend, a ishin të përgatitura autoritetet shtetërore për përballimin e emergjencës?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Foreign Policy: Edi Rama ndërton ura për në Europë ose askund tjetër