Skënder Minxhozi: Gazi fierak dhe Boçi shkodran, fushata e qepur me pe të bardhë e PD

Skënder Minxhozi: Gazi fierak dhe Boçi shkodran, fushata e qepur me pe të bardhë e PD

Mbledhja e Kryesisë së PD-së

Nëse rotacioni i pushtetit në një vend me elitë politike të bllokuar do të vinte nga spostimi i disa emrave nga një qark në tjetrin, Partia Demokratike do t’i kishte fituar zgjedhjet kohë më parë. Në eksperimentet e tij “të kastruara” partiake, Lulzim Basha ka provuar në të shkuarën të bëjë thuajse çdo lëvizje të imagjinueshme në listën e drejtuesve politikë të qarqeve. Të gjitha figurat kryesore të PD, me fare pak përjashtime, kanë provuar tashmë shijen e spostimit nga një anë e vendit në tjetrën, por sërish i vetmi variabël i palëvizshëm ka qenë që Rama ka fituar në çdo fushatë elektorale kombëtare, lokale apo votime të pjesshme.

Doktori ka vendosur që fushatën t’ja lerë në dorë Flamur Nokës. Ndërkohë ka larguar Tomor Alizotin nga Berati. Do të mjaftonte ky dualizëm lëvizjesh në distancë për të kuptuar që PD ka vendosur të notojë edhe një herë në kënetën e së shkuarës, pa guxuar të hedhë sytë matanë gardhit të Sali Berishës.

Në anën tjetër, eksperimente të habitshme si dërgimi i Luçiano Boçit në Shkodër apo spostimi i Gazmend Bardhit në Fier (të shpresojmë pa gjakderdhje këtë herë), dëshmojnë një parti në gjendje konfuzionale. Çka konfirmohet edhe më tej nga lënia e Tiranës në dorën e një humbësi të sigurtë si Belind Këlliçi.

Një vit e ca më parë, PD e Berishës u entusiazmua jo pak për faktin se kishte marrë 400 mijë vota në zgjedhjet vendore. Nuk përmendej fakti tjetër, që nga 61 bashki Berisha mori vetëm katër, por i këndohej kënga “gjysëm milioni votave” të opozitës. Kjo aritmetikë gjysmake tashmë nuk shkon. Do të votohet për 140 vende të Parlamentit, ku duhen më shumë se 750 mijë vota për t’ju afruar hijes së pushtetit. Këtë thonë shifrat shumëvjeçare të zgjedhjeve parlamentare.

Lista e drejtuesve të qarqeve do të duhet të ngjisë majën e Everestit pa oksigjen këtë radhë, edhe sepse veç të tjerash fushatës mund t’i mugojë prezenca fizike e Sali Berishës, nëse hetimet ndaj tij nuk marrin një kthesë pozitive për Doktorin. Fushata e drejtuar nga kati i tetë i shtëpisë është diçka e paeksperimentuar ndonjëherë dhe mbi të gjitha nuk është një faktor që të bën të dalësh me vrap me dy gishta nga shtëpia ditën e zgjedhjeve. Në anën tjetër, as Ilir Meta nuk mund të jetë një motor i besueshëm fushate, pasi sjelljet e tij të paqëndrueshme gjatë verës dëshmojnë për një politikan në krizë e të trembur nga SPAK, më shumë sesa për një lider të gatshëm të marrë në dorë stafetën e lënë bosh nga Berisha.

Partia Demokratike e Sali Berishës shkon në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me vetëdijen se e ka humbur garën ende pa u dëgjuar krisma për start. Sallata maqedone mes gardës së vjetër qëndrestare dhe ish-bashkëpunëtorëve të Lulit që s’kanë lënë gjë pa thënë për Doktorin dhe familjen e tij, është një zgjidhje e qepur me pe të bardhë, e cila pasqyron krizë në vend të koherencës, amulli në vend të ideve të qarta, shthurje rradhësh në vend të organizimit e kompaktësimit.

Ta vendosësh veten në duart e një 80 vjeçari në arrest shtëpie dhe në hetim nga SPAK, e me një barrë konsumi sa mali i Korabit, do të thotë ta kesh fjetur mendjen se fitorja e vetme pranverën e ardhshme do të jenë mandatet parlamentare për në grusht burrash që kanë bërë pakt me Berishën. Pas 12 vjet qëndrimi në opozitë ky është një operacion i pastër mazokizmi politik.

Koha e ndryshimit brenda PD ka ardhur dhe ka kaluar. Provuan thërrmimin, sherret dhe thikat pas shpine si demarsh për të ndryshuar dhe më në fund u kthyen tek buka e vjetër. Fund më të keq as në filma nuk gjen. Një dyzinë burrash (dhe asnjë grua) që vijnë rrotull nëpër hartën e Shqipërisë për të krijuar iluzionin e të resë që avancon, ndërkohë që kati i tetë që ka vulën dhe stemën në xhep, vijon të mbetet po ai që ishte 33 vjet më parë. Dëshpëruese!

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD përsërit kërkesën për qeveri teknike përpara zgjedhjeve, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kombinat, Veliaj në pallatet e rindërtuara pas tërmetit: Jemi afër fundit, për ato që kanë mbaruar më përpara, do të hedhim shortin

Kombinat, Veliaj në pallatet e rindërtuara pas tërmetit: Jemi afër fundit, për ato që kanë mbaruar më përpara, do të hedhim shortin