Skulptura e Ibrahim Kodrës 
ngrihet para Bankës së Shqipërisë

Skulptura e Ibrahim Kodrës <br />ngrihet para Bankës së Shqipërisë
TIRANE- “Shqiptarja.com” ka fotografuar dje një skulpturë të rrallë të Ibrahim Kodrës, e cila është vendosur në lulishten para Bankës së Shqipërisë, duke u gdhirë dita e djeshme. Mësojmë se vendosja e kësaj skulpture pritet të përurohet së shpejti.

“Kjo skulpturë ka qenë pronë e një koleksionisti shqiptar, i cili ka në fondin e tij dy nga skulpturat e tij”, ka rrëfyer dje për gazetën piktori i njohur Ardian Isufi, i cili kohë më parë kishte hedhur një projekt-ide që sugjeronte skulpturën e tij të njohur “Big Bang”-un, pjesëmarrëse në bienale të ndryshme. Ideja e Isufit kishte pikënisje denoncimin e ngjarjes së rëndë të grabitjes së Bankës Kombëtare disa muaj më parë. “Por meqë vepra ime u kontestua edhe nga rrethet artistike, u diskutua të vihej vepra e Ibrahim Kodrës.

Edhe unë e kam përshëndetur këtë vendim”, tha Isufi. Skulptura e I. Kodrës me motive shqiptare shfaqet plot hijeshi edhe si skulpturë parku. Ajo mbetet një vepër që e ruan të paprekshëm edhe modernitetin në stil. “Kodra është zanafilla e një qytetërimi të ri”.

Ky ka qenë vlerësimi i poetit të madh francez Pol Elyar, i befasuar me bukurinë e veprave. Piktori shqiptar, I. Kodra, është një ndër përfaqësuesit më të shquar të kubizmit në Itali e Europë. Studiues e kritikë të artit pamor kanë dalë në konkluzionin se atij i numërohen rreth 6 mijë punime në krijimtarinë e tij, ku përfshihen edhe disa skulptura. Në fondin e Galerisë Kombëtare ruhen tri punime në pikturë të firmosura nga autori, që datojnë në vitet 1938-1942. Veç të tjerash, mjeshtri Kodra ka lënë pas edhe një cikël me poezi të një niveli shumë të lartë artistik.

Ibrahim Kodra u lind më 1918 në Ishëm të Durrësit dhe ndërroi jetë më 2006. Fëmijërinë e tij e kaloi në oborrin e mbretit Zog, nga i cili edukohet e shkollohet fillimisht në studime shkencore dhe më pas bën shkollën e artit Odhise Paskali. Në moshën 20-vjeçare fiton bursë studimi në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras. Nën udhëheqjen e Carra Carpi dhe Funi, piktori i ri shqiptar nis udhëtimin e tij në kërkim të risive, duke thyer më pas çdo skemë dhe formulë të kohës. Në vitin 1948 kur në Romë hapi ekspozitën personale, u njoh me mjeshtrin e artit Pablo Picasso.

Në vitet 50, Kodra pikturoi afresket në muzetë dhe ndërtesat më të njohura të Milanos. Në këto vite në Mostra dell Disegno të Chiavariit, Kodra hapi ekspozita madhështore bashkë me mjeshtrit më të mëdhenj të kohës, Picasso, Rouault, Dufy, Matisse, Modigliani dhe të tjerët. Ka hapur një mori ekspozitash anekënd botës, ku ka prezantuar edhe trojet shqiptare te “Shqipëria fantastike”, “Muzikantët”, “Lufta për pushtet”, “Lufta për paqe”, etj.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji