Alesia Balliu akuzon Shkëlzen Berishën se ka urdhëruar një sulm të koordinuar ndaj saj për t’i mohuar kontributin në Partia Demokratike, ndërsa paralajmëron se do ta ketë përballë “në çdo betejë”. Në një postim në rrjete sociale, Balliu e cila u përjashtua nga gara për kreun e PD, ashpërson tonet kritike ndaj familjes Berisha, duke folur për përpjekjet e tyre për ta nxjerrë jashtë loje dhe për t’i zbehur rolin në parti. Balliu shkruan se Shkëlzen Berisha e ka koordinuar sulmin duke përdorur televizionin e familjes, Syrin, si edhe gazetarin “Çim mjekër cjapi”, siç e cilëson ajo.

"Dje, Shkëlzen Berisha ka urdhëruar një sulm të koordinuar përmes “biondinës së gazetarisë” dhe “Çim mjekër cjapit” nga televizioni i tij SYRI, me qëllim që të më mohojnë çdo kontribut në Partinë Demokratike. Nuk ka njeri në këtë tokë që mund të mohojë kontributin, sakrificën dhe djersën time, ashtu si edhe të familjes sime, për këtë parti”, shkruan Balliu.

Duke listuar kontributet e saj në parti, Balliu i referohet Berishës si ‘doktori i Enver Hoxhës’ dhe e paralajmëron se do qëndrojë përballë ‘klikës së shpallur non-grata’ deri sa PD të çlirohet nga kthetrat e saj.

“Në vitin 2022 jam zgjedhur me votë në Kryesinë e FRPD-së. Po në vitin 2022 jam zgjedhur me votë edhe në Këshillin Kombëtar të FRPD-së. Në vitin 2025 jam emëruar drejtuese politike e rinisë për qarkun Elbasan. Gjithashtu, në vitin 2025 jam zgjedhur koordinatore e PD-së nga Kryesia e Partisë Demokratike në grupin e punës për Elbasanin. Nga viti 2022 deri në vitin 2025 kam përfaqësuar FRPD-në dhe kam marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare. Familja ime nuk ka pyetur për Enver Hoxhën, jo më të pyes unë për “doktorin” e tij. Sa për gazetarët që sulmojnë, i mëshiroj. Merren me thashetheme dhe shpifje, madje edhe ndaj dikujt që mund të ishte në moshën e vajzës së tyre. Por në fund të ditës, ata janë thjesht të detyruar të marrin rrogën. Shkëlzen Berisha, do më kesh përballë në çdo betejë, deri sa Partia Demokratike të çlirohet nga kthetrat e klikës tënde të shpallur non grata", përfundon Balliu.