SOLIDARITETI/ Bundestagu do akordojë ndihmë financiare, fushata ndihmash monetare në SHBA, Greqi dhe Gjermani 

Tragjedia e 26 nëntorit vazhdon të nxjerrë në pah frymën e jashtëzakonshme të solidaritetit nga shumë shtete, individë dhe organizata.

Shumë Bashki dhe Komuna në Kosovë, të solidarizuar me të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit, po mbledhin ndihma financiare dhe ushqimore.

Në greqi, televizioni ‘Skay’ ka nisur fushatë ndihmash.

Të rinj shqiptarë në Mynih, mbedhin ndihma financiare. Donacion edhe nga aktori amerikan Clayton Norcross

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:36
Biznesmeni shqiptar në Zvicër kontenierë strehimi për të prekurit nga tërmeti, Agron Duka: Kjo është zgjidhja për fazën tranzitore


Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka reaguar për personat e prekur nga tërmeti i 26-nëntorit, duke publikuar një ndihmë të madhe që po jep miku i tij, Kolë Gjokaj, i cili është biznesmen në Zvicër. Sipas asaj që shkruan Duka, biznesmeni shqiptarë do të sigurojë disa konteinerë që shërbejnë edhe si banesa.

Këto kontenierë do të strehojnë deri në 100 persona dhe sipas Dukës do të ishte një zgjidhje e duhur për personat që kanë mbetur pa banesa nga tërmeti shkatërrimtarë i rënë një javë më parë.

Postimi i plotë:

Procesi i rimëkëmbjes nga tragjedia që goditi vendin tonë, do të jetë i gjatë dhe do të kërkojë gjithë energjitë që shoqëria jonë do të jetë e aftë të prodhojë. Ndonëse kriza humanitare tregoi edhe njëherë brishtësinë e institucioneve tona, vala e solidaritetit ishte më e madhe se tërmeti. Solidaritet nxori në pah se shqiptarë janë më të mëdhenj se shteti i tyre, se kufijtë që na ndajnë janë thjesht administrativë dhe shpirti që lidhë këtë komunitet ndjehu dhimbjen sikur t’i përkiste një trupi të vetëm.

Nderimet e mia shkojnë te të gjithë ata që në këto ditë të vështira vepruan për të dhënë kontributin e tyre, sipas mundësive të tyre, pavarësisht statusit social, pavarësisht se e kanë bërë përpara apo pas kamerave. Nga ky solidarizim duhet të nis edhe ringritja. Ky bashkëpunim vëllazëror midis shqiptarëve duhet të jetë tulla e parë për të ngritur jo vetëm banesat, por edhe shtetin që ra bashkë me ato.

Si të gjithë ju kam dhënë kontributin tim, pa bujë dhe zhurmë, për të lehtësuar sado pak gjendjen e emergjencës, dhe do të vijoj ta bëj derisa komuniteti ynë të ketë nevojë. Në këtë kontekst, dëshiroj të veçoj vetëm një bashkëpunim që ka lindur orët e fundit, për të cilin mendoj se do të duhet të jetë edhe një nga rrugët që duhen ndjekur për të zgjidhur fazën tranzitore të strehimit. Bëhet fjalë për ndihmën që ofron miku im Kole Gjokaj, sipërmarrës shqiptar që zhvillon aktivitetin e tij në Zvicër, në bashkëpunim me të cilin do të vendosim në dispozicion të institucioneve vendase kontejnerë banimi, të cilat mund të strehoni deri në 100 persona. Një donacion që vlen për fazën e parë të emergjencës, por që do të uroja të merrej si model për t’i dhënë një strehë atyre që këtë dimër rrezikojnë ta kalojnë në qiell të hapur.

Kjo fatkeqësi, që midis të tjerash na hapi sytë mbi situatën reale të vendit tonë, sidomos në zonat rurale, njëkohësisht na dha aftësinë për të parë qartë sa të fortë jemi kur bashkohemi dhe bashkëpunojmë. Të qëndrojmë kështu, dhe me ketë vetëdije ta ndërtojmë të ardhmen së bashku.


Ora 13:31
Gjest prekës nga Xhani De Biazi, organizon mbledhje fondesh për familjet e prekura nga tërmeti


Tërmeti që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit, ka lënë pasoja të rënda. Kjo ka bërë që shumë njerëz dhe vende të solidarizohen, duke dhënë kontributin e tyre sado të vogël për Shqipërinë. Një ndër ta është dhe Xhiani De Biazi, ish-trajneri i Kombëtares, që nuk e ka harruar ende vendin tonë.
Pas tërmetit ai dha një mesazh për popullin tonë, por duket se italiani nuk do të ndalet me kaq dhe do të bëjë një organizim në Itali, për mbledhje fondesh, të cilat do të nisen drejt Shqipërisë, për t’i ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti. Ishte vet trajneri, që përmes një postimi në rrjetet sociale, i bën thirrje njerëzve të ndihmojnë sipas mundësive.

Ora 13:20
SOLIDARITETI/ Lorik Cana në SHBA mbledh 60 mijë USD brenda natës për të prekurit nga tërmetit

Në Shtetet e Bashkuara ndodhet ish futbollisti dhe kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana. Ai erdhi në ShBA ditën kur Shqipëria u godit nga tërmeti që shkaktoi shumë vdekje. Tragjedia i ndryshoi misionin në Amerikë. Në vizitën që kishte planifkikuar të festonte për 107 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ai po grumbullon fonde për të ndihmuar të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore. 

“Sigurisht ka pasur anulime të mbrëmjeve, por shoqatat kryesore kanë vazhduar të mbledhin njerëzit me të njëjtin simbol dhe flamur, jo më në formë gëzimi për të festuar, por në formë mbështjeje. Dhe besoj ka qenë mënyra e duhur”, tha Lorik Cana 

Të pranishmit në mbrëmjet shqiptare, iu përgjigjen thirrjeve të tij për të ndihmuar financiarisht të prekurit e tërmetit.

“Kemi mbledhur më duket diku rreth 50-60 mijë dollarë, vetëm në mbrëmjen e parë. Dhe ne i kemi inkurajuar njerëzit që të vazhdojnë dhe të japin donacione në këto ditë dhe në javët në vijim aq sa munden”, tha ai.

Ylli i kombëtares shqiptare në futboll thotë se populli shqiptar duhet të nxjerrë mësime nga kjo tragjedi.

“Unë jam shumë i bindur që do i ndihmojmë njerëzit, do t’i rindërtojmë dhe do të ringrihemi. Në momente të vështira e kemi dëshmuar këtë. Kemi ruajtur identitetin dhe gjuhën tonë. Problemi tek ne shqiptarët qëndron tek momenti kur gjendja qetësohet, rikthehet një llojë normaliteti. Gjithë fokusi për të ndërtuar shoqërinë tonë mbarë-kombëtare, humbet, sepse atëherë ne fillojmë të mendojmë vetëm si individ, vetëm si grupacione dhe vetëm si parti politike”, tha Cana 

“Dashuria për vendin, dashuria për të ndërtuar një shoqëri, dashuria për të investuar tek gjeneratat që do të vijnë, nuk është diçka e cila fiket dhe ndizet. Është sikur besimi ndaj Zotit. Besimit ndaj Zotit nuk mund t’i kthehemi vetëm kur gjendja është e vështirë, kur jemi të sëmurë, kur kemi fëmijë të sëmurë, kur ndodh një tragjedi, kur humbim një person. Besimi ndaj Zotit është për çdo ditë. Duhet të falenderojmë zotin çdo ditë, duhet të besojmë Zotin çdo ditë, atdhedashuria është njësoj. Ne nuk mund të ndezim pjesën e atdhedashurisë vetëm në momentin e tragjedisë, sepse në shumë raste ajo që na çon deri në këto ngjarje është pikërisht sepse gjatë rrugës nuk i bëjmë gjërat e duhura”, tha ai gjatë vizitës së tij në Michigan.

Ashtu sikur Lorik Cana, edhe personalitete tjera të njohura të sportit e kulturës kontribuan për grumbullimin e fondeve për të prekurit e tërmetit.

Ora 09:14
Zjarrfikësi italian: I shokuar nga situata e rëndë dhe i mrekulluar nga mikpritja e shqiptarëve

Ndërsa forcat e ekipeve zjarrfikës italianë janë kthyer në vendin e tyre prej tre ditësh, media italiane ende vazhdon ti bëj jehonë tërmetit të 26 nëntorit dhe operacionit të ndihmës iniciuar nga qeveria italiane.

Në një intervistë në TGR Puglia, një prej zjarrfikësve italianë ka mbatur i shokuar nga situata e rëndë dhe i mrekulluar nga mikpritja e shqiptarëve.

“Italia ka kryer një nga operacionet e ndihmës ndërkombëtare në rang forcash zjarrfikëse që nuk ka ndodhur më parë. Rreth 200 trupa shpëtimi janë organizuar brenda 24 orëve dhe kanë mbërritur në Shqipëri për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti.

Që në ditën e parë ne u angazhuam në kërkimin dhe shpëtimin e jetëve të goditura në rrënoja. Ishte një situatë e vështirë dhe e dhimbshme. Ende kam përpara syve trupin e një nëne me fëmijën në krahë poshtë një pallati të shembur. Ne shkuam me synimin të ishim shpresa për ata njerëz nën rrënoja por në shumë raste nuk rezultoi e tillë.

Shqiptarët na përqafonin kudo ku shkonim, ishte si një raport miqësie e përjetshme”.

Ora 09:00
Televizioni grek 'Skay', nis grumbullimin e ndihmave monetare dhe ushqimore

Qytetarë grekë, por edhe shqiptarë, kanë kontribuar masivisht në fushatën e grumbullimit të ndihmave humanitare për të prekurit nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Veç shumë shoqatave atdhetare shqiptare, edhe televizioni Skay ka nisur dje një fushatë solidariteti dhe grumbullimi ndihmash për të dëmtuarit nga tërmeti.

Shuma të konsiderueshme monetare dhe material janë grumbulluar deri tani, ndxërkohë që fushata ende vazhdon.

Ora 08:56
Një grup të rinjsh nga komuniteti shqiptar në Mynih dhurojnë 11.040, 81€ për të dëmtuarit nga tërmeti

Teksa dhjetëra miliona euro raportohet të jenë dhuruar deri më tani nga qytetarë, fondacione, biznesmenë, por edhe shtete të ndryshme për të mbëshetur Shqipërinë që të përballojë situatën e krijuar nga tërmetet e 26 nëntorit, donacionet vijojnë ende.

Një grup të rinjsh nga komuniteti shqiptar në Mynih, me iniciativë të tyre, mblodhën një vlerë prej 11.040, 81€ nga të afërm, miq, shokë të tyre edhe nga nacionalitete të tjerë.

Në Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë, në prezencë të Konsullit z.Arten Hanku, ata dorëzuan sot një kopje të transfertës bankare e kryer në nr. e llogarisë të publikuar në e-albania.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ilir: 04/12/2019 10:10

    Bravo cuna, kete duhet ta beje TANI, kushdo qe e ndjen veten shqiptar me aq sa mundet... Cdo qindarke eshte e vyer.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Rripin e Gazës/ OBSH: Në Gaza po afrohet uria, duhet armëpushim! SHBA shkatërron 4 dronë të Houthis në Detin e Kuq

Lufta në Rripin e Gazës/ OBSH: Në Gaza po afrohet uria, duhet armëpushim! SHBA shkatërron 4 dronë të Houthis në Detin e Kuq