Sali Berisha, si e përdori funeralin e Azem Hajdarit për të pushtuar RTSH-në! Atë ditë më morën peng! Dëshmia e Martin Lekës në Esencë

Shtator 1998, si e përdori Sali Berisha Funeralin e Azem Hajdarit për të sulmuar ndër të tjera edhe Radio Televizionin Publik Shqiptar? Dëshmon Martin Leka, si dhe përse më morën peng protestuesit e Berishës kur mësynë në RTSH! Esencë, çdo të premte, ora 21:00 në Report Tv.

Ngjarjet e 14 shtatorit 1998 mbeten një nga momentet më të errëta të historisë së medias dhe politikës shqiptare. Martin Leka, ish-drejtor i Radio Tiranës, sjell një dëshmi të detajuar mbi ngjarjet që rrethuan funeralin e Azem Hajdarit dhe sulmin ndaj Radio Televizionit Publik Shqiptar (RTSH), duke hedhur dritë mbi rolin e Sali Berishës në ato ditë të tensionuara.

Martin Leka kujton momentin kur mori vesh lajmin e vrasjes së Azem Hajdarit. Ishte një natë e errët dhe me shi, dhe ndërkohë që qyteti dhe shteti prisnin fillimin e vitit të ri shkollor, tensioni politik arriti kulmin. Berisha e akuzoi menjëherë Fatos Nanon si autor të vrasjes, duke ndezur gjakrat në radhët e demokratëve, të cilët e shndërruan funeralin në një protestë të dhunshme.

"Një ditë më pas, më 14 shtator, Kryeministria dhe RTSH u sulmuan," rrëfen Leka. Në ato vite, armët ishin ende në duart e njerëzve që nga trazirat e 1997-ës. Ajo që ndodhi mund të quhet një tentativë për grusht shteti, sepse pushteti nuk merret me dhunë, por me votë."

RTSH nën sulm: ‘Më morën peng’

Si drejtor i Radio Tiranës, Leka ndodhej në qendër të ngjarjeve. Ai kujton sesi turma sulmoi godinën e RTSH, duke shkatërruar dhe uzurpuar ambientet e televizionit shtetëror. Në atë kaos, ai përfundoi i izoluar në Redaksinë e Kosovës, nën mbikëqyrjen e një personi të armatosur.

"Një njeri që nuk e njihja po më ruante me armë. Ose kishte pirë, ose kishte diçka tjetër. Më pas, më thanë se duhej të më çonin te Azem Hajdari, domethënë i vdekur!" – tregon ai, duke përmendur edhe rolin e Antoneta Maljes në atë situatë të tensionuar.

Leka arriti të komunikonte me Sami Dushkun, një figurë e njohur e forcave speciale, i cili e ndihmoi të dilte i gjallë nga RTSH. Ai përshkruan sesi, në një moment kritike, Izet Haxhia truproja i Sali Berishës iu afrua dhe e akuzoi si një gazetar që "shante" Berishën.

"Jo," – i thashë, "unë nuk shaj, shkruaj për Sali Berishën!"

Në atë moment, një telefonatë e Sami Dushkut drejtuar Izet Haxhisë e shpëtoi nga një fat i keq.

 "Nëse e prek një fije floku, unë ju hedh në erë!" Këto ishin fjalët e Sami Dushkut që parandaluan një akt të mundshëm dhune

Një televizion nën pushtim!

RTSH u mor peng nga protestuesit e Partisë Demokratike, aq sa kur mësynë situata brenda ishte kaotike.

"Teknikëve të mi u çonin pilaf dhe supë, e shpërndante motra e Azemit në kujtim të tij," thotë Leka, duke treguar sesi transmetimi i lajmeve u mbajt gjallë nga disa gazetarë të mbetur, përfshirë Vera Isakun dhe Etleva Gjonçajn.

Përveç kësaj, ai përmend edhe përpjekjet e Aleksandër Frangajt dhe Blendi Fevziut për të rikthyer normalitetin në media.

Përgjegjësia e Sali Berishës

Sipas Lekës, Berisha mund dhe duhej ta kishte ndalur turmën, por nuk e bëri.

"Ai e nxiti revoltën për të marrë pushtet. Por pushteti merret me votë dhe me njerëz, jo me dhunë," thotë ai.

Në retrospektivë, Martin Leka  vëren se politika e Berishës ka pasur gjithmonë një "nuancë dhune", dhe se ngjarjet e asaj kohe tregojnë se si media dhe gazetarët u vunë në rrezik nga një klimë e egër politike. Martin Leka shprehet edhe për shkaqe të tjera të klimës gazetareske:

"Janë ngjarje që as nuk mund të imagjinohen sot. Dita e 14 shtatorit 1998 ishte e gjatë sa një jetë e tërë.", tha ai. 

Ky artikull është bazuar në dëshminë e Martin Lekës dhënë në Emisionin Esencë me Eljan Taninin, ku qëllimi i tij është të sjellë një pasqyrë të qartë mbi një çast kyç të historisë shqiptare dhe fillimit të demokracisë së dhunshme në Shqipëri. 

A.Q/S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 15/03/2025 01:04

    I mbaj mend dhe une ato ngjarje.Nata qe u vra Azemi,ka qene vertet nje nate me shi te dendur,per neve e bente dhe me dramatike fakti qe ate nate nuk kishim as drita si lagje prej disa oresh,keshtu qe nuk e morrem vesh vrasjen nga mediat,por ate nate na telefonoi nga Italia nje mikeshe e familjes qe kishte emigruar atje dhe ajo na njoftoi per vrasjen.Me pas ishte e gjithe Shqiperia deshmimtare i asaj qe ndodhi.Me kujtohet qe diten e funeralit nje afermja jone na erdhi papritur ne shtepi nga nje qytet tjeter se bashku me te birin,sepse te dy ishin militante te PD dhe ishin sjelle,ose ishin paguar te vinin ne funeral si shume te tjere,por kur filluan trazirat dhe funerali u kthye ne nje tentative per grusht shteti,ishin larguar dhe na u shfaqen papritur ne dere dhe na treguan me shume hollesi nga zhvillimet ne terren.Mendoj qe z.Leka kur thote qe politika e Berishes ka /nuanca dhune/tregohet shume i permbajtur.Zoteri,politika e Berishes ka qene gjithemone e dhunshme.E filloi qe me ngjarjet e 2 Prillit dhe qe aty e kuptoi qe dhuna ishte menyra me e sigurte qe i jepte dhe i mbante pushtetin.

    Përgjigju
    • Ani: 15/03/2025 11:29

      Une e mbaj mend sh mire se punoja ne tv dhe na rrinte Izet Haxhia me kallash mbi koke dhe A.Malaj qe kontrollonte se cfar po montonim (nje kronike per diten e pare te shkolles )pastaj ajo mori nje kronike nga tv shijaku dhe thane ne mikrofon qe tv e morem.Mbaj mend qe me kane ngelur ne kujtese pamjet se si me arkivolin e te ndjerit i binin deres se kryeministrise.kane qene pamje shume te trishta te shikohej se si po vidheshe kryeministria dilnin ne duar me ato kompjutera qe nuk mbaheshin dot pamje makabre nuk dua ta kujtoj kur filluan kallashet te zbrazeshin lart ne taracen e tv deri sa erdhi urdher qe leshojeni tv dhe dite te tera gati 1 muaj nuk kishte njerez neper rruge ne shkonim ne pune ate kohe nje nr i vogel vetem per lajmet

  • Sondazhi i ditës: 15 Mars, 07:27

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Theu urdhrin e gjykatës dhe kreu vepra të tjera penale, 38-vjeçari shqiptar rikthehet në qeli

Itali/ Theu urdhrin e gjykatës dhe kreu vepra të tjera penale, 38-vjeçari shqiptar rikthehet në qeli