Sot 7 Marsi, festohet Dita e
Mësuesit. Urimet e para

Sot 7 Marsi, festohet Dita e<br />Mësuesit. Urimet e para
TIRANE-Më 7 mars të vitit 1887 u hap shkolla e parë shqipe duke shënuar kështu festën e përvitshme të mësuesit pikërisht në këtë datë. Që herët në mëngjes, nxënës me lule në duar, me urimin ndër buzë u janë drejtuar klasave për të uruar mësuesen dhe mësuesit që çdo ditë përpiqen t’u pasurojnë rrugën e bukur të dijes. 

Me rastin e kësaj dite stafi i Shqiptarja.com uron mësuesit për punën e tyre të përditshme dhe të palodhur për edukimin e brezave.

Rama: Lindita një mësuese shembull për të gjithë mësuesit 
Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e 130 vjetorit të shkollës së parë shqipe në Mësonjëtoren e Korçës Rama ka uruar të gjithë mësuesit e Shqipërisë. Ai uroi edhe ministren  Nikolla që ishte e pranishme në aktivitet dhe e cilësoi si shembull për të gjithë mësuesit
 
“Një mësuese që është shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë mësuesit. Përmes urimit për Linditën që si Ministre e Arsimit po provon që një mësuese e mirë mund të bëjë për arsimin atë që një duzinë burrash me grada se bënë dot për vite, uroj të gjitha mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë për këtë festë që është festa e një prej figurave më të rëndësishme që është figura e mësuesit”, u shpreh Rama.
 
Rama nënvizoi rolin e rëndësishëm të gjuhës shqipe ndërsa theksoi se mësimi i gjuhës shqipe daton shumë më përpara se të hapej Mësonjëtorja e Korçës, ku për të parën herë kjo gjuhë ishte aktivitet i strukturuar.
 
“Gjuha jonë dëshmon se është bartëse ekuilibri dhe përçuese kulture dhe hapje ndaj gjuhëve të tjera. Kush s’e kuptoi këtë mbolli vëllavrasje mes fqinjëve dhe ndau njerëzit e të njëjtës tokë. Që prej shekullit te 17 ekzistojnë shenja të shqipes por në Korçë për herë të parë mësimdhënia dhe nxënia e shqipes si gjuhë ishte aktivitet i strukturuar”, tha kryeministri.
 
Rama lule për mësueset: Gëzuar 7 Marsin!
Ndërsa mëngjesin e sotëm kudo në rrugët e kryeqytetit fëmijë të buzëqeshur mbanin lule në duar, një urim vjen edhe nga Rama. Kryeministri i Shqipërisë ka postuar në profilin e tij në Facebook një fotografi të disa mësueseve me lule në duar, ndërsa ka shkruar urimin: “Gëzuar 7 Marsin”.

7 Marsi,Veliaj mësuesve:Ju kam stresuar pak,por lali Eri s'doli keq
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Kryebashkiaku Veliaj nuk ka harruar të urojë dhe mësuesit e tij të shkollës “Sami Frashëri”.
“Gëzuar 7 Marsin! Faleminderit zysh Olit dhe mësuesve të mrekullueshëm të Samiut! Ju kam stresuar pak, por lali Eri s'doli aq keq në fund, falë jush”, shkruan Veliaj teksa ka postuar edhe foto me mësuesen e tij te Samiu, zysh Olin.

Ministri i Brendshëm uron 7 Marsin në krah të mësueses së klasës së parë
Një foto me mësuesen e klasës së parë është padyshim e paharruara për të gjithë nxënësit.
Mësuesja e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, që ka qenë nxënës në shkollën “Vasil Shanto” në Tiranë, është Qamilja.
“Mësuesja e klasës së parë, nuk harrohet kurrë. Aq më pak mësuese Qamilja te Vasil Shanto.
Gëzuar për gjithë mësueset!”, uron ministri Tahiri.

130 vite nga hapja e Mësonjëtores së parë shqipe, kuptimi i 7 marsit
Sot, më 7 mars, ditë e shpallur me një vendim të qeverisë shqiptare si, “Dita Kombëtare e Mësuesve”, mbushen 130 vjet, nga hapja e Mësonjëtores së parë Shqipe në qytetin e Korçës, një qytet me tradita patriotike dhe mësimdashëse në juglindje të Shqipërisë.

Mësonjëtorja e parë u çel në 7 mars në 1887, në kushtet e pushtimit otoman nga një grup rilindasish, ndërsa ishte e para shkollë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Sipas dokumenteve të kohës, veprimtaria e kësaj shkolle përshkohej nga idetë patriotike, edukata e punës dhe dashuria për dije.

Mësonjëtorja e parë shqipe u përkrah gjerësisht nga masat patriotike korçare dhe ato të mërgimit. Në këtë shkollë jepeshin lëndët, shkrim, këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjeografi, aritmetikë.

Drejtuesit e parë të shkollës qenë patriotët e Rilindjes sonë Kombëtare, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj, ndërsa drejtor i parë i saj u zgjodh Petro Nini Luarasi, një nga figurat kryesore të kohës, veprimtar i Rilindjes Kombëtare shqiptare, publicist dhe pedagog. Ai nisi mësimin e gjuhës shqipe në fshatra të ndryshme të Shqipërisë, hapi shkollën e parë shqipe në Ersekë dhe shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës. Një nga nismëtaret e krijimit të shkollës shqipe ishte edhe Parashqevi Qiriazi, atdhetare dhe veprimtare e shquar, e cila punoi për arsimimin e gruas shqiptare. Me botimin e librit të saj “Abetare për shkollat e para”, ajo zuri vend në historinë e shkollës shqiptare, si e para grua autore e teksteve shkollore.

Mësonjëtorja e parë shqipe pati një jetë 15-vjeçare, ku përballoi pengesat dhe vështirësitë e nxjerra nga pushtuesit otomanë dhe sidomos kleri, që kërkonte ndalimin e përhapjes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Rëndësia e krijimit të kësaj shkolle qëndron në faktin se ajo institucionalizoi mësimin e gjuhës shqipe në Shqipëri dhe krijoi një plejadë njerëzish, të cilët u bënë më vonë veprimtarë të lëvizjes për çlirim kombëtar dhe shoqëror të vendit.

Në përkujtim të krijimit të Mësonjëtores së parë shqipe me vendim të Qeverisë  Shqiptare, në vitin 1960 u vendos që 7 Marsi të njihet si “Dita Kombëtare e Mësuesve”.
7 Marsi kremtohet nga të gjithë shqiptarët, nxënësit  në shenjë vlerësimi të traditave më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit.

Redaksia Online
d.b/Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)