TIRANË- Një grup protestuesish rrethuan Kuvendin për të sulmuar deputetët nga të gjitha rrugëkalimet e tyre për në seancë plenare. Protestuesit qëlluan me vezë makinat e tyre, por sulmuan edhe policinë me gurë. Një grup arritën të depërtojnë brenda perimetrit të Kuvendit, ndërsa policia u përgjigj me 23 shoqërime, 19 prej të cilëve iu është komunikuar masa e arrestit, përfshirë dhe Gent Progni. Për të garantuar sigurinë e deputetëve në mbyllje të seancës, policia shpërndau turmën me ujë dhe gaz lotsjellës dhe bëri disa shoqërime të tjera, pasi situata precipitoi në akte dhune. 15 efektivë dhe 4 protestues të lënduar.
***
Që herët në mëngjes, pa shkuar ora 09.00 Kuvendi i Shqipërisë u blindua nga forca të policisë. Efektivë të shumtë, autobote me ujë, dhe kordon sigurie me gardh rreth gjithë perimetrit të Kuvendit. Organizatorët e protestave prej një muaji para kryeministrisë, kishin njoftuar më herët se këtë të enjte në 10.00 të mëngjesit, në orën kur niste seanca plenare, do të mbanin një tubim.
Një grup qytetarësh, siç shihet në këto pamje me dron të siguruara nga Report Tv, u mblodhën para Kuvendit. Qetësia zgjati shumë pak. Disa prej tyre, përfshirë organizatorë, arritën të shmangin rrethimin metalik, dhe të futen brenda perimetrit të sigurisë të Kuvendit.
Policia e Rendit, mbështetur edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërhynë duke shoqëruar disa persona të cilët u futën brenda një lokali pranë Kuvendit, me qëllimin për të sulmuar me vezë deputetët, përpara se niste seanca plenare. I arrestuar nga forcat e policisë, edhe një nga organizatorët, Gent Progni.
Deputetët përdorën një rrugë tjetër kalimi për të shmangur hyrjen kryesore para Kuvendit, ku qëndronin protestuesit e tjerë. E gjitha kjo tentativë për të hequr gardhin metalik, ndodh nën dirigjimin e organizatorëve si Visuar Dalipi, Luçiana Kokaj, e Sidorela Vatnikaj.
Për këtë episod policisë iu desh të hedhë spraj piper për t’i shpërndarë.
Njëri prej tyre, Dritan Goxhaj, bën një hap pas. Të tjerë protestues, para Kuvendit, i pritën me vezë makinat e deputetëve që kalonin për në hyrjen e godinës së ligjvënësve. Sulmit nuk i shpëtoi as automjeti i kryeparlamentarit Niko Peleshi
Një deputet socialist, Ramion Kurti, u qëllua nga pas kurrizit nga një protestuesve, me një vezë e cila e kapi në këmbë. Disa ligjvënës socialistë për t’i shpëtuar sulmit, kishin hyrë më herët në seancë.
Protestuesit shfaqën tjetër qasje ndaj deputetëve të PD-së. Ndaj tyre, asnjë sulm, përveç thirrjeve në kor: “Nuk na përfaqësoni, opozitë e shitur, turp”.
Në mesin e tyre, protestuesit refuzuan edhe Adriatik Lapajn, kreun e Shqipëria Bëhet. Mes kaosit të organizimit të protestës, një pjesë qëndruan para Kuvendit.
Të tjerë, marshuan para Komisariatit numër 4 ku u çuan disa nga protestuesit e shoqëruar Një grup më i vogël qytetarësh, synuan një tjetër rrugë kalimi për te Parlamenti, si në këtë episod para Ministrisë së Brendshme, ku sërish nuk munguan përplasjet me policinë.
Madje edhe një tentativë për të sulmuar deputetin e Lëvizjes Bashkë, Reci Muçi, teksa ai la Kuvendin me biçikletë. Qëllimi i protestuesve, ishte t’i bënin pritë nga të gjitha drejtimet makinave të deputetëve edhe në përfundim të seancës në mesditë.
Për të shpërndarë turmën dhe për të garantuar daljen e sigurt të deputetëve, forcave të policisë, iu desh të përdorin ujë, tymuese dhe gaz lotsjellës.
Por revolta nuk përfundoi. Protestues edhe të maskuar shkatërrojnë një makinë të policisë pranë Kuvendit.
Këtu protesta doli jashtë kontrollit. Qytetarët të shpërndarë nëpër rrugë, dhe efektivët duke bërë shoqërime.
Sulmet më të ashpra, i pësuan uniformat blu. Një efektiv që qëndron para Kuvendit, në mëngjes, ende pa nisur përplasjet e dhunshme, mori një goditje të rëndë në kokë, pasi u qëllua me gurë nga protestuesit. Kolegët e larguan nga turma për tu transportuar në spital.
Protesta e ditës së sotme e zhvilluar para Kuvendit është shoqëruar me tensione, akte dhune dhe sulme ndaj Policisë së Shtetit
Por në mesin e policëve që iu desh të mbroheshin nga sulmet me gurë e tulla, efektivë si ky që shikoni në këtë video kanë vënë humanizmin mbi gjithçka.
Videoja që po bëhet virale në rrjete sociale tregon se si efektivi i Shqiponjave i vjen në ndihmë një protestuesi të moshuar që ka pasur probleme me shikimin duke e ndihmuar të lajë sytë dhe të qetësohet nga kaosi dhe tensionet.
Gjesti u regjistrua gjatë të njëjtës protestë ku policia u përball me sulme me gurë, tulla dhe sende të forta nga turma dhe ku mbetën të lënduar 15 efektivë policie dhe 4 protestues..

19 protestues janë arrestuar sot si pasojë e dhunës së ushtruar kryesisht në drejtim të efektivëve të Policisë së Shtetit si dhe deputetëve të Kuvendit, duke i qëlluar me vezë, ndërsa 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, mes tyre dhe avokati Altin Goxhaj.
Në mesin e të arrestuarve është dhe një prej organizatorëve të protestës, Gent Progni. Si pasojë e akteve të dhunës, 15 policë mbetën të plagosur.
Nga ambientet e jashtme të Komisariatit nr 4 në Tiranë aty ku ndodhen 23 personat e shoqëruar nga Policia lidhur me aktet e sotme të dhunës ndaj deputetëve dhe forcave të rendit, avokati Alban Duraj kërkoi lirimin e menjëhershëm të protestuesve që sipas tij kanë ushtruar një të drejtë kushtetuese dhe njoftoi përgatitjen e kallëzimit penal për në SPAK të të gjithë zinxhirit urdhërues.
“Kjo qeveri ka qenë e oligarkëve. Më në fund arriti dita kur revolta popullore është kthyer në rrezik për këtë qeveri. Kemi gati 50 protestues që kanë qenë në të drejtën kushtetuese për të protestuar. Të drejtat janë të njohura nga Kushtetuta jonë dhe Konventat si ajo e Tubimeve që është detyruese. Ka kaluar 5 orë nga e drejta e policisë së shtetit për të marrë në pyetje qytetarët dhe ende nuk janë liruar. I bëjmë thirrje që të lirohen në mënyrë të menjëhershme sepse do të jenë përpara faktit të shpërdorimit të detyrës. Po përgatisim kallëzimin penal për në SPAK që të mbajë përgjegjësi i gjithë zinxhiri urdhërues. Ne i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit, Komisariatit nr 4 dhe Ministrit të Brendshëm që ka për detyrë të zbatojë ligjin. Qytetarët janë në të drejtën e tyre ligjore. Respektoni ligjin, në të kundërt kallëzimi penal është gati dhe SPAK do fillojë hetimin për këto arrestime të paligjshme. Janë shkelur kriteret për masën e arrestit, kur dikush arrestohet në flagrancë duhet të ketë kryer nëj krim që dënohet minimumi 5 vite. Ata policë që kanë zbatuar urdhra të palgjshëm, do të mbajnë përgjegjësi, u bëjmë thirrje policëve të mos bëjnë veprime të paligjshme, gjithçka është e filmuar. E kemi parë se me çfarë janë përballur punonjësit e administratës që zbatonin dëshirat e eprorëve. Nuk kemi asnjë njoftim për tre të shoqëruarit, ata presin urdhrat dhe urdhrat janë politikë. S’duhet të kishim arrestim në flagrancë.
Protestuesit janë kundërpërgjigjur sepse janë dhunuar, dhuna ka qenë disproporcionale sepse kanë përdorur shkopinj gome dhe kanë qenë të shumtë në numër.” tha ai.
23 persona u shoqëruan sot nga Policia e Shtetit pas akteve të dhunës dhe 8 prej tyre përfunduan në pranga.

Në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës, gjatë ditës së sotme morën trajtim mjekësor 14 efektivë policie dhe 2 protestues. 4 prej efektivë po vazhdojnë të trajtohen. Pjesa tjetër, efektivë dhe protestues, janë larguar pasi kanë marrë shërbimin.
Në QSUT u trajtuan 1 efektiv policie dhe 2 protestues. Të gjithë kanë lënë ambjentet spitalore.
Avokati Gentian Sejrani në një prononcim për mediat tha se nga 23 të shoqëruarit, 4 prej tyre janë në paraburgim.
"Ata akuzohen për tre vepra penale: shkatërrim prone, pengim i qarkullimit dhe prishje e qetësisë publike.
Dy nga personat kanë deklaruar që nuk kanë lidhje me shkatërrimin e pronës, dhe thonë se u morën teksa ishin në kafe.
Dy nga të arrestuarit janë Romario Dushi dhe Niko Qarko. Ata do të rrinë në paraburgim për 72 orë pastaj do të jenë në gjykatë nëse është e ligjshme apo jo masa e arrestit", tha ai.
Ai shtoi se e njëjta masë mund të merret edhe për pjesën tjetër të protestuesve.
Një efektiv Policie te Komisariati nr.4 në kryeqytet, është filmuar teksa përqafon një fëmijë të vogël (që është ndodhur aty bashkë me protestuesit).
Protestuesit u stacionuan pranë Komisariatit nr.4 në Tiranë, për të kërkuar lirimin e personave të shoqëruar gjatë tubimit të dhunshëm të ditës së sotme para Parlamentit.
Efektivët e policisë i kanë ardhur në ndihmë një protestuesi të lënduar. Djalit, i cili shihet i gjakosur në fytyrë, efektivët e spërkasin me diçka në plagë, me gjasë dezinfektant.
Ditën e sotme, protesta para parlamentit degradoi në dhunë mes protestuesve e policisë, pasi ishin fillimisht protestuesit që goditën me gurë drejt efektivëve.
Protestuesit kanë sulmuar me vezë urbanin te Komisariati 4.
Sulmet erdhën pas urbani me pasagjerë po përshkonte itinerarin e tij të përditshëm.
4 prej protestuesve që ndodhen në komisariatin nr. 1 do të lirohen brenda një ore, pa akuzë. Ky ishte njoftimi i deputetit Erald Kapri që mjaftoi të ndizte debatet mes protestuesve të grumbulluar para stacionit të policisë.
Një prej tyre i bëri thirrje të hiqte mikrofonin ose të dorëzonte mandatin, por u përplas me Luçiana Kokajn.
-Hiqe mikrofonin ose dorëzo mandatin!
Luçiana Kokaj: Ia dhashë unë mikrofonin.
-Kush je ti?
Luçiana Kokaj: Luçiana jam!
-S’dua ta dëgjoj!
Luçiana Kokaj: Ik mbro Sali Berishën!
-Po ti kë mbron?
Veç Kaprit, të pranishëm janë edhe Klevis Balliu i PD dhe Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë, por asnjëri s’është i mirëpritur nga protestuesit.
“Dorëzoni mandatet! Opozitë e shitur!”, thirrën ata.
Por pakënaqësia u rrit edhe më tepër kur Dritan Goxhaj iu afrua Balliut, moment kur protestuesit e akuzuan se është krah PD.
“Dritan, largohu! Mos bëj negociata!”, i thirrën ata.
Aktivisti dhe një prej organizatorëve të protestës, Andi Tepelena tha se Policia e Shtetit dhe SPAK duhet t’i bashkoheshin protestës së sotme para Kuvendit që kaloi në akte dhune e përplasje me efektivët. Ai tha se populli ka dalë për drejtësi dhe se distancohen nga dhuna e ushtruar sot ku disa efektivë mbetën të lënduar si pasojë e gurëve të hedhur në drejtim të tyre.
“Ne distancohemi nga çdo lloj dhune. Policia duhet të bashkohej me popullin shqiptar. këtë e kam edhe për SPAK-un. Boll është boll! Mjaft është mjaft! Populli ka dalë për drejtësi! S’ka dalë për të bërë dhunë ndaj institucioneve! Paguhen nga taksat e shqiptarëve!”, u shpreh Tepelena.
Një tjetër përplasje fizike ka ndodhur mes protestuesve dhe policisë. Efektivët shihen duke neutralizuar dhe shoqëruar disa protestues, mes tyre edhe aktivisti Altin Goxhaj. Nuk dihet ende sa persona janë shoqëruar nga ana e bluve, ndërsa pritet edhe një bilanc i efektivëve e protestuesve të lënduar gjatë akteve të dhunshme të protestës.
Policia ka arritur të shpërndajë numrin më të madh të protestuesve, por një pjesë vijojnë të jenë ende aty.
Tensionohet situata në protestën para Kuvendit. Disa protestues kanë përshkallëzuar nga vezët e mielli në akte dhune e vandalizmi.
Disa prej tyre të maskuar e të tjerë pa maskë, kanë thyer xhamat e makinës së policisë. Fillimisht hodhën gurë, më pas morën gardhe metalike dhe i përplasën mbi makinë, disa herë.
Si përgjigje, policët u janë vënë pas agresorëve dhe ka shoqëruar disa prej tyre.
Policia ka shpërndarë protestuesit e grumbulluar te parlamenti duke hedhur ujë dhe spray lotsjellës drejt tyre.
Kjo ka bërë të mundur që ministrat dhe deputetët të largohen me automjetet e tyre, pasi deri në këtë moment ishin të bllokuar nga protestuesit që i qëllonin me vezë. Një pjesë e deputetëve kanë arritur të largohen më herët, të shoqëruar nga forca të policisë ose Garda e Republikës.
Protestuesja Arvina Lleshi ka hyrë në qendrën tregtare në rrugën “Murat Toptani”. Një pjesë e deputetëve kanë hyrë brenda qendrës duke iu drejtuar shkallëve që të çojnë drejt zonës së parkingut.
Lleshi u shkon afër dhe u thërret “deputetë të shitur”, ndërsa një prej tyre e shtyn.
"Mos shtyj!, ia kthen ajo.
Një tjetër duket se e fyen, pasi dëgjohet Lleshi duke i thënë: “Idiot je vetë! Kujt i thua idiote ti?”
-Palaço!
Protestuesja: S’jam palaço fare! Palaço jeni ju! Deputetë të krimit! I fshiheni popullit!
Qytetarët vijojnë protestën e tyre para Paralamentit.
Një pjesë e tyre kanë zgjedhur të ulen para këtij institucioni.

Në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë duke marrë shërbim mjekësor 2 efektivë policie dhe 2 protestues.
Në QSUT po trajtohen 1 efektiv policie dhe 2 protestues.
Në të dy strukturat spitalore personat e paraqitur janë nën kujdesin mjekësor jashtë rrezikut për jetën.
Pasi seanca plenare Kuvendit u mbyll, makinat e deputetëve janë zënë në pritë nga protestuesit.
Ata janë sulur për t’i goditur me vezë e shishe uji, ndërsa automjetet janë tërhequr pas, drejt oborrit të Kuvendit.
Një prej makinave i përket kryeparlamentarit Niko Peleshi.
Teksa deputeti Redi Muçi ka kaluar pranë Ministrisë së Brendshme ku ndodhen protestuesit. Disa prej tyre kanë shfaqur qëndrime kundër deputetit të Lëvizjes Bashkë ku duket sikur janë përpjekur të shkojnë drejt tij, por janë penguar nga të tjerët.
Muçi nuk ka qëndruar pranë protestuesve, por është larguar.
Disa protestues kanë shkuar te Ministria e Brendshme ku janë përplasur me efektivët e policisë.
Ata kanë thirrur “deputetë të shitur”, ndërsa disa prej tyre shihet teksa shtyhen me policët. Protestuesit arrijnë të heqin edhe një pjesë të gardhit metalik. Më pas, të tjerë hedhin sende të forta e vezë në drejtim të policisë.
“Jo me mjete të forta”, janë disa thirrje për të frenuar protestuesit në dhunën ndaj uniformave të policisë.
Një pjesë e protestuesve që u larguan nga tubimi para parlamentit, sapo kanë mbërritur te komisariati nr. 4 ku janë shoqëruar disa protestues më herët. Ata janë vendosur në të dyja anët e rrugës duke bllokuar qarkullimin.
Një protestuese ka goditur me vezë deputetin socialist Ramion Kurti. Ajo shihet teksa bisedon me deputetin e Fierit, ndërsa ai ndodhet pas kordonit të sigurisë të barrierave metalike.
Më pas largohet dhe protestuesja i qëllon me një vezë, por pa sukses. Në përpjekjen e saj të dytë, veza e kap deputetin në këmbë.
“Deputetë të shitur, nuk na përfaqësoni!”, janë thirrjet e protestuesve.
Një grup protestuesish janë shkëputur nga protesta para parlamentit dhe i janë drejtuar komisariatit nr. 1. Në komisariatin nr. 1 janë shoqëruar 5 persona, mes tyre edhe Gent Progni.
Ata hynë brenda perimetrit të sigurisë duke përdorur një prej lokaleve në pedonale.
Tensionet në protestën para Kuvendit nisën para fillimit të seancës plenare. Disa protestues kanë arritur të futen brenda një lokali për të qëlluar me vezë socialistët, duke arritur të futen edhe brenda kordonit të policisë. Kjo ka bërë që efektivët të ndërhyjnë menjëherë dhe të nisin me shoqërimet që brenda lokalit, siç shihet edhe në këto pamje.
Adriatik Lapaj u është bashkuar protestuesve para parlamentit, por ka hasur në refuzimin e tyre.
“Rri si protestues, jo me votime”, i janë drejtuar ata drejtuesit të Shqipëria Bëhet.
Një autobot me ujë është afruar pranë hyrjes së parlamentit nga ana e pedonales, menjëherë pas kordonit të policisë. Protestuesit nuk kanë humbur kohë dhe e kanë kthyer në shënjestër për sulmin me vezë.
Pasi një efektiv u lëndua prej goditjes në kokë me gur nga një protestues, Dritan Goxhaj doli para tyre duke bërë thirrje të mos dhunojnë policinë.
“E kemi me parlamentin! Jo me gurë Policisë së Shtetit!”, u tha Goxhaj. Ndërkohë, dëgjohet edhe një protestuese që u thotë: “Jo me djemtë, jo me çunat, jo me policinë!”
Thirrje të tjera janë “bashkohuni me ne” apo “policia është me ne.”
Protestuesit nuk kanë kursyes as sulmet me gurë e sende të forta në drejtim të protestuesve. Fillimisht ata hoqën gardhin metalik dhe më pas u konfrontuan me forcat e policisë. Një gur i hedhur në drejtim të kordonit të forcave të policisë e kapi në kokë një polic i cili është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në protestë.
Policia ka hedhur spray me piper drejt protestuesve para parlamentit në përpjekje për t’i neutralizuar, teksa ata janë përplasur fizikisht.
Një prej protestuesve që ka pësuar efekte nga spray me piper është Luçiana Kokaj, një prej anëtarëve të grupit organizator. Disa prej të pranishmëve i kanë dhënë ujë, ndërsa po ashtu i kanë ardhur në ndihmë edhe një tjetër protestueseje që është prekur nga spray me piper.
Protestuesit janë konfrontuar me forcat e policisë të Kuvendit. Ata kanë arritur të heqin një pjesë të gardhit metalik.
Një protestuese ka hipur në barrierat metalike duke u bërtitur në fytyrë policëve që qëndrojnë pas tyre.
Me gjeste, ajo u bën policëve me shenjë nga barrierat, ndërsa më pas fillon ta shkundë gardhin fort me duar.
Një pjesë e protestuesve janë mbledhur te pjesa e hyrjes në pedonale që gjithashtu është e rrethuar me barriera metalike për t’i penguar të shkojnë te Kuvendi. Gjithashtu aty ndodhen edhe disa forca policie, teksa protestuesit po përpiqen të flakin sa më larg të mundin vezët drejt deputetëve.
“Populli do ju mundë, plehra! Largoni policinë se janë populli jonë!”, thonë ata.
Tre deputetë të opozitës, Tomorr Alizoti, Enno Bozdo dhe Zia Ismaili kaluan mes për mes protestuesve për t’u futur në Kuvend. Por ata i shpëtuan sulmeve me vezë.
Ndryshe nga çfarë bënë me deputetët socialistë, protestuesit i kursyen sulmet me vezë ndaj demokratëve, për të cilët rezervuan vetëm disa thirrje “opozitë e shitur”, “nuk na përfaqësoni” dhe “Rama burg, Berisha burg”.
Deputetët opozitarë më pas janë larguar nga ambientet e Kuvendit, pasi në moment të fundit Grupi i PD bëri me dije se do ta bojkotonin seancën.
Policia ka shoqëruar deri tani të paktën 5 protestues që ndodheshin përpara parlamentit. Mes tyre dallohet aktivisti Gent Progni. Mësohet se ata kanë qenë brenda perimetrit të sigurisë. Ata kanë gjetur një rrugë për të hyrë brenda perimetrit pasi askush nuk i ndalon të hyjnë në ndonjë prej kafeneve në pedonale.
Me thirrjet “hajdut” e “plehrë”, protestuesit para parlamentit kanë qëlluar me miell e vezë makinën e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit.
Pas protestës së paralajmëruar mbrëmjen e shkuar përpara kryeministrisë për t’u mbledhur sot para parlamentit, godina është rrethuar nga barrierat metalike dhe forcat e policisë. Një pjesë e deputetëve të PS kanë hyrë brenda Kuvendit.
Protestuesit kërkuan një ditë më parë që secili të furnizohej me vezë e miell për të gatuar “brumin e demokracisë.”
Nuk munguan as tonet paralajmëruese ndaj policisë, të cilëve iu kërkua “të kenë kujdes.”
Komente












ec se koke dru jane dhe keta barkalece palo policash, nuk i gjen gje.
PërgjigjuMire me policet po me autobuzin me pasagjere brenda cpaten? Asnje pal nuk ka as fitime as humbje me kete agrisivitet.Mos te bien pre e thirrjeve te " grupit zjarrit " te Berishes se hedhin gurin e fshehin doren!! Aktivistja per bukuri e pranoj vendin qe i dha Berisha ,nuk duhet ta pranonte!! Me te miret e protestes te shkojn te zene vend ne parlamentin evropian.E vetmja gje qe me pelqeu nga protesta ishte kur ngriten me eurodeputet flamurin evropian dhe eshte arritje shume e madhe shume domethenese.
PërgjigjuPo me policet ckeni more horra qe mallkuar qofshi. Na keni care trapin per dite neper rruge.
Përgjigju