TIRANË- Arrestimi i Drejtoreshës së SHISH dhe akuzat që rëndojnë mbi të, ashtu siç pritej, nuk lejoi një seancë normale në Kuvend këtë të enjte. Me akuzën se shteti ka rënë dhe Rama duhet të japë dorëheqjen, opozita kërkoi që në fillim rrëzim të rendit të ditës dhe diskutim vetëm për këtë çështje, kërkesë të cilën socialistët e rrëzuan, mes një klime të tensionuar.
Sali Berisha shfrytëzoi procedurën për të mbajtur qëndrimin zyrtar të opozitës, duke e konsideruar Vlora Hysenin si anëtare të grupit kriminal.
“Kryetarja e SHISH rezulton një anëtare e poshtër e grupit të strukturuar kriminal ‘Agasi’. Emërimi i saj ishte për një rol të dyfishtë. Lëshonte në duart e bandave çdo sekret të këtij shteti”, tha Berisha.
Historikun e gjatë me SHIK-un e famshëm të Gazidedës, Sali Berishës ia kujtuan socialistët.
“Nuk ke hequr dorë nga akuzat për krerët e shërbimeve. Në asnjë rast nuk do të marrim asnjë funksionar në mbrojtje. Kur shefi i shërbimit tënd, Gazidede megjithëse ishte akuzuar për vrasjen njerëzve, u bë komandant i FA në 97 për të vrarë akoma më shumë njerëz, për të hapur depot e armëve, për të shkatërruar Shqipërinë”, tha Klosi.
“S’mund të harrohet SHIK-u i Gazidedes si drejtues famëkeq i operacionit të ’97-s për shtypjen e revoltave popullore. Përdorej SHIK për armiqtë dhe mbështetësit e tu, digjte redaksi gazetash, rrëmbente e dhunonte gazetarë. Vullneti i mazhorancës u shpreh me një vendim për ta shkarkuar menjëherë drejtoreshën e SHISH, që është ekzekutuar me dekret të presidentit”, tha Eriona Ismaili.
Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama, duke e akuzuar si përgjegjësin kryesor të asaj që quajnë kriminalizim të shtetit.
“Si mund ta ktheni një parti në organizatë kriminale? Si mund ta pranoni kokëulur që të vijë një ministër dhe të thotë s’ka ndodhur asgjë. Shërbimi Informativ i Shtetit, i ulur në prehrin e krimit të organizuar dhe ju thoni s’ka ndodhur asgjë”, tha Gazment Bardhi.
“Nuk mund të zhbëjmë dot me këtë sjellje atë krim të madh që është bërë me sigurinë kombëtare. Si është përzgjedhur? Si është bërë vettingu? Për çfarë arsye është shkarkuar kjo zonjë nga shërbimi informativ i Kosovës?”, tha Fatmir Mediu.
“Është një njollë për shtetin shqiptar. Të diskutojmë si është cenuar siguria kombëtare? I bëj thirrje vendeve anëtare të NATO-s, përfaqësive diplomatike të marrin informacion se çfarë ka ndodhur me sigurinë kombëtare”, tha Jorida Tabaku.
Para se të niste seanca, mazhoranca e kishte mbajtur qëndrimin e saj nga oborri i parlamentit përmes ministrit të drejtësisë.
“Askush nuk mund të fshihet nën mbrojtje politike, por nga ana tjetër duhet të sigurojmë që çdo person të ketë një proces të rregullt ligjor dhe të gjitha mjetet për t’u mbrojtur. Përgjegjësia politike tashmë është marrë”, tha Gogu.
Pas 3 orësh debat në parlament dhe pas 4 ndërprerjeve për shkak të bllokimit të foltores nga opozita, seanca u mbyll pa kaluar në diskutimet e rendit të ditës, me votimin e dy projektligjeve.
Sali Berisha vijoi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për rastin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Berisha thotë se u shemb siguria kombëtare dhe se Hyseni çdo porosi e ka bërë me urdhër të Ramës.
“Nuk shprehin as dhe qëndrimin më të vogël kritik. Natyrisht, Edi Rama nuk është më kryeministri i Shqipërisë, por është padrino i Shqipërisë. Faktohet në mënyrë përfundimtare si kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. Me superskandalin e Vlora Hysenit, e emëruar jashtë çdo lloj kriteri në pozicionin më të rëndësishëm në raport me sigurinë kombëtare, e cila qëndroi aty si shërbëtore e dy zotërinjve, e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit, u vu e tëra në shërbim të organizatës kriminale. Nuk ka në historinë e shtetit shqiptar një akt më të rëndë në raport me sigurinë kombëtare. Kjo përbën një akt madhor të asgjësimit të saj dhe të tradhtisë ndaj sigurisë kombëtare. Por, Vlora Hyseni ka zbatuar në çdo veprimtari të saj porositë, urdhrat e Edi Ramës. Përdorimi i të dhënave sekrete në funksion të karteleve, në funksion të grupit të strukturuar kriminal, është goditje e tmerrshme për sigurinë kombëtare, për besueshmërinë e Shqipërisë te partnerët ndërkombëtarë. Ky është akt i pashmebullt, kanë vjedhur miliarda, por të shembësh sigurinë kombëtare”, tha Berisha.
I pyetur nëse PD do të thërrasë protesta, Berisha tha se po përgatiten për ti dhënë përgjigjen e merituar qeverisë.
“Do i përdorim të gjitha mjetet kundër kësaj qeverie. Po përgatitet për të dhënë përgjigjet e merituara. Ky zhvillim është i denjë për çdo lloj përgjigje”, tha Berisha.
Ndërsa parlamenti ishte përfshirë në debate të nxehta për arrestimin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit, një deputete qëndroi larg zhurmës së seancës.
Ilva Gjuzi e Partisë Socialiste ‘ishte zhytur’ në celularin e saj në një kërkim ‘intensiv’ në faqet e blerjeve online për këpucë.
Ndërsa parlamenti “vlonte” nga debatet për drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni e akuzuar se ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë arratisë, një moment mes Sali Berishës dhe Ulsi Manjës tërhoqi vëmendjen në Kuvend.
Deputeti socialist, siç shihet edhe në video, është afruar në krahun ku ndodhej opozita duke biseduar me Sali Berishën. Manja dallohet teksa i drejtohet Berishës disa herë me gisht, ndërsa deputetë të tjerë të opozitës ndjekin debatin.
Burime për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku bëjnë me dije se temë e diskutimit mes tyre ka qenë Shkëlzen Berisha, djali i kreut të PD. Ulsi Manja mësohet se i ka thënë Berishës se edhe emri i djalit të tij del në dosje të ndryshme, pas akuzave të kreut të PD se emri i Manjës dilte në dosjen e Agasit.
“Ulsi, shko merr dosjen sa herë të del emri aty”, i tha Berisha-Manjës në Kuvend.
“Në dosje hyn dhe del edhe emri i djalit tuaj”, mësohet t’i ketë thënë Manja-Berishës.
Pasi Berisha u pyet jashtë nga Kuvendit nga Report Tv mbi këtë deklaratë të Manjës, Berisha tregoi edhe çfarë i ka replikuar Manjës, së cilit deklaroi se i ka kërkuar ta publikojë dosjen ku del emri i të birit.
“Ulsiut i del emri aty. Atij i del emri se Ulsi është një vasal i Lubisë, apo për arsye të tjera, do ta sqaroj e do ua them. Nëse është emri ta publikojnë që nesër. Por emri i Ulsit del aty si shërbëtor i Lubisë. Po e ke publikoje”, tha Berisha për Report Tv.
Deputeti socialist Erion Malaj propozoi që të kalohet në votim për rendin e ditës pa debat pasi me rikthimin në seancë, opozita vijon të mbajë të bllokuar foltoren.
“Në emër të grupit parlamentar të PS, pas përpjekjeve të kryetarit të Kuvendit, 4 herë për të kthyer seancën në normalitet, kjo seancë nuk mund të vazhdojë. Në këto kushte propozoj të kalojmë në votim”, tha Malaj.
Propozimi i deputetit u pranua, ndërsa votimi do të nisë pas 10 minutash pasi Peleshi njoftoi sërish pushim duke shënuar kështu ndërprerjen e seancës për herë të katërt.
Deputeti i Fierit, Erjo Mile, i tha opozitës se arresti i ish-kreut të SHISH është i rëndë, por institucioni nuk ka vrarë njerëz. Nga ana tjetër, tha ai, opozita bën gjyqe ndaj kolegëve, kur ndërkohë “kali” i saj “ka ngordhur dhe po e hanë mizat.”
“Po, është e rëndë, është marrë nën hetim kryetarja e SHISH. Ama SHISH-i ynë s’ka vrarë kurrë njerëz. Ju bëni gjyqe kolegëve, përmendni banda, kush i ka sjellë, zyrat. Kreu juaj përmend Kodrën e Kuajve. Të dashur demokratë, kali ju ka ngordhur, po ju hanë mizat. Sidomos ju të foltores, e dinë që po ju hanë mizat. Nuk fitohen zgjedhjet me palaçollëqe. Zgjedhjet fitohen nga populli dhe juve nuk ju do populli”, tha Mile.
Tedi Blushi iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi duke i thënë se Ergys Agasi ka filmime nga takimet mes tij. Ai e pyeti drejtpërdrejt kryeparlamentarin nëse është nën shantazh nga biznesmeni.
“Edhe kryetari i parlamentit dyshohet se është filmuar nga Ergys Agasi. Të sfidoj, jepi llogari shqiptarëve a je takuar me Ergys Agasin? A je shantazhuar me video nga Ergys Agasi? A do të përfundosh si Vlora Hyseni? Ky parlament ka pushuar së ekzistuari. Nëse sot ka ngelur një fije ndërgjegje, kyçeni këtë parlament. Madje vërini flakën se është turp! Nuk është çështja Vlora Hyseni, por shteti, republika, ka rënë. Drejtues i seancës, kam informacione se je nën shantazh. Jep dorëheqjen, ta shpërndajmë parlamentin ose do të jenë shqiptarët ata që do të marrin fatet e tyre në dorë”, tha Blushi.
Peleshi iu përgjigj se kjo është vetëm një fantazi dhe nuk ekziston diçka e tillë.
“Ishte e gjitha një fantazi për piano dhe orkestër. Jo, asnjëherë! Ti mbase po”, u shpreh Peleshi.
Luçiano Boçi iu drejtua deputetëve të mazhorancës duke u thënë se nuk priste heshtje prej tyre lidhur me çështjen e arrestimit të ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit. Deputeti u kërkoi të jenë bashkë për të kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe shpërndarjen e parlamentit.
Më tej, tha se qytetarët shqiptarë kanë mbetur pa asnjë lloj sigurie dhe reforma e vetme e qeverisë është ajo e krimit të organizuar.
“Është kjo përgjegjësi politike dhe publike që na detyron të reagojmë ndaj kësaj situate. Unë prisja reagim nga ju të PS. Heshtja do të ishte gjëja më e thjeshtë, por nuk e mendoja kurresesi që të dilni dhe të mbroni të pambrojtshmen. Ky SHISH nuk është yni, po, është i krimit të organizuar, i Ramës, i Vlora Hysenit që nuk ra nga qielli, nuk erdhi për aftësitë e veta, u emërua nga Rama, përgjegjësi kryesor. E kuptoni që ka përgjegjësi politike dhe institucionale ky njeri? Ky duhet të vijë me dorëheqje në dorë. I keni hequr shqiptarëve sigurinë arsimore, shëndetësore, të jetës, policore, Proda është i krimit të organizuar, i keni hequr sigurinë qeverisëse dhe perden e fundit të sigurisë, sigurinë kombëtare, të fëmijëve, flamurit që e tundin kudo janë. Ua keni bërë ju këtë lloj mynxyre. Me ato reformat tuaja që nuk i përfundoni asnjëherë dhe i bëni në interesin tuaj. Reforma juaj është reforma e krimit të organizuar. E keni futur në çdo qelizë. Bashkë me ne kërkoni dorëheqjen e kryeministrit dhe shpërndarjen e parlamentit”, tha Boçi.
Mesazhet e zbuluara mes ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, “i kanë fikur llambat parlamentit”, tha deputeti Saimir Korreshi. Ai kërkoi llogari pse presidenti Bajram Begaj nuk ka thirrur Këshillin e Sigurisë pasi shteti ka rënë, teksa theksoi se nuk bëhet fjalë për një histori rozë.
“Kryeministrit duhet t’i themi që shtetit shqiptar sot i kanë fikur radarët, e kanë servirur në pjatë të krimit. Sot çdo njeri është në dorë të krimit. Vettingu, certifikatat, kush duhet të rrijë e ikë. Shteti ka rënë de facto sot. Ajo që ndodhi dje i ka fikur llambat parlamentit. Ajo që ndodhi dje i ka fikur llambat qeverisë që bën si qorre. Në më të paktën e mundshme është fajtore se ka zgjedhur njerëz të paaftë të lidhur drejtpërdrejt me krimin. Por i kanë zgjedhur një nga një me dorë për të mbajtur këtë shtet. Kur këtyre i kanë fikur llambat, Bajrami sot duhet të kishte thirrur sot Këshillin e Sigurisë. Ku është presidenti? Apo ka qenë ha fasule dhe ikni, si yp xhixhi edhe Bajrami kur ia çonte letrat në mëngjes Presidentit të Republikës për sigurinë kombëtare? Nuk është histori rozë kjo! Është e krijuar posaçërisht! Ka dhënë ca mesazhe Vlora për agjenturë serbe te ‘Rogner’-i. Do të shohim kush tjetër e ka radhën”, tha Korreshi.
Shteti nuk ekziston më, tha Jozefina Topalli para Kuvendit duke iu adresuar debatit për ish-kreun e SHISH dhe komunikimeve të saj me Ergys Agasin. Deputetja tha se nuk ka më kufi mes shtetit dhe krimit të organizuar, i cili emëron titullarë.
Topalli iu drejtua edhe Niko Peleshit duke i thënë se parlamenti s’ka më fuqi. Sipas saj, Peleshi duhet të japë dorëheqjen për sa kohë s’ka ngritur asnjëherë zërin.
“Shteti përballet me kriza politike, ekonomike, institucionale të rënda, por kur shembet themeli i republikës, shteti ka pushuar së ekzistuari. Është zhdukur kufiri mes shtetit dhe krimit të organizuar. Nuk është Agasigate, as Ramagate. Ne jemi në rastin kur krimi nuk kërkon mbrojtje nga pushteti, por emëron titullarë të shtetit, SHISH, kontrollin drejtprin e burgjeve, të kufirit, kadastrën, AKSHI-n, vë çmimin e tenderave. ‘Fikim radarët’, pse ju duket për herë të parë që fiken? Kjo që po ndodh sot ka një axhendë që ka filluar shumë vite përpara kur kishte njerëz që kishin lidhje me krimin. Të kujtohet, Klosi? Ishte në atë kohë kur u bë dekriminalizimi dhe i bënë biznesmenë të fuqishëm. Procedura parlamentare është gjëja më e pavlerë kur parlamenti nuk ka më fuqi. Vlorën kush e emëroi? Agasin kush e mbrojti? Shtet i rrezikshëm. Ju jeni nr. 2 i republikës dhe deri sot s’jua kam dëgjuar zërin të flisni një fjalë. Të sugjeroj një rrugë të shkurtër: ka mundësi që kryetari i parlamentit të japë dorëheqjen dhe do të ishte fisnike. Kur themelet e shtetit dhe republikës janë shembur, çfarë vlere ka fjala? Si ka mundësi që skandalit t’i thoni sukses? Është Rama ai që ka ndërtuar një sistem mafioz që i shërben vetëm ditës së zgjedhjeve”, tha Topalli.
Peleshi bëri replikë duke i thënë se do t’i duhet të presë edhe ca për të drejtuar parlamentin.
“Për postin e kryetarit të Kuvendit do të prisni edhe pak, ju e keni jetën përpara dhe mund ta realizoni një ditë”, ia ktheu kryeparlamentari.
Për demokratin Agron Gjekmarkaj ajo që është zbuluar në lidhje me ish drejtoreshën e SHISH është një histori krimi dhe korrupsioni që kërko një reagim gjithëpërfshirës në Kuvend. Ai i kërkoi Peleshit që të fusë debatin për Vlora Hysenin në rendin e ditës dhe kryeministrit Rama që të vijë në Kuvend. Një apel e pati edhe për deputetët socialistë duke i kërkuar të duan Shqipërinë pak më shumë.
“ Kjo nuk është historia e Fitnetes me Talatin te Besa e Sami Frashërit, por një histori krimi dhe korrupsioni. Nuk është një histori rozë, por një mortajë. Eshtë një histori e shëmtuar, është një mortaje që ka rënë mbi sistemin administrativ shtetëror në Shqipëri. Unë nuk e di ku e gjeni kurajën, zoti kryetar, zotërinj ministra, zotërinj deputetë të Partisë Socialiste, që sot keni fuqi të flisni. Ku e gjeni forcën që keni fuqi të duartrokisni? Ku e gjeni qetësinë për të mbështetur një histori të tillë dhe nuk kërkoni që këtu të vijë kryeministri i vendit i dorëhequr? Një nga ngjarjet më të mëdha për të cilat kombi shqiptar ka luftuar 100 vjet është futja e Shqipërisë në NATO. Sot Shqipëria është e paragjykuar; Shqipëria është e keqparë; Shqipëria rrezikon shumë në raport me NATO-n, me sigurinë e vet, me fqinjët, me krejt dinjitetin e vet kombëtar. Ky vend po rrezikon falë kësaj papërgjegjshmërie të shndërrohet në profecinë më të keqe të Faik Konicës, të shndërrohet në vendin e Zuluve, pra ju po i bëni atë Shqipërisë që s'ia ka bërë asnjë pushtues. Unë kam një thirrje sot për secilin prej jush: për ju, zoti kryetar, që ta fusni në rendin e ditës debatin për këtë që ka ndodhur ndërmjet koordinatorit të krimit dhe kryetares së shikut, e cila përdor dhe numra rusë duke vënë në rrezik dinjitetin, sigurinë e çdo individi; sigurinë e shoqërisë shqiptare. Ndaj, thirrja ime është: duajeni pak më shumë Shqipërinë, duajeni pak më shumë vetveten, duajeni pak më shumë familjet tuaja dhe reagoni ashtu siç ju ka hije për ta shpëtuar vendin nga kjo mortaje që ka rënë. Nëse s'kuptoni këtë, nuk kuptoni asgjë, nuk jeni më deputet, jeni thjesht kartona pa dinjitet. Faleminderit” tha Gjekmarkaj
Në përgjigje ndaj ministres Erjona Ismaili, deputetja Ina Zhupa i tha se sot s’duhet të mbronte “tradhtinë kombëtare të Vlora Hysenit”, teksa e quajti të papërgjegjshme dhe duhet të turpërohet.
Më tej, e këshilloi edhe të fshijë postimet e dikurshme në Facebook për kryeministrin, ndërsa i bëri thirrje Kuvendit të kthehet te llogaridhënia.
“Erjona, më vjen shumë turp që je nga Vlora sepse nuk duhet të marrë përsipër sot të mbroje një akt tradhtie kombëtare të Vlora Hysenit dhe të këshilloj që fjalimet e Edi Ramës t’i lexosh 2-3 herë para se të vish t’i lexosh këtu se do të na kurseje kohë. Më vjen keq ta them se je vajzë, papërgjegjshmëria jote nuk të çon në krye të bashkisë së Vlorës duke ardhur e lëpirë skandalet këtu, por turpërohu se të bën më mirë. Para se të vish ta mbrosh sigurohu të fshish statuset në Facebook që e ke bërë Edi Ramën rreckë se nuk kishe interes, sot flet për interesin e postit. Të flitet këtu për rregullore kur kreu i SHISH ka shkelur çdo rregullore, është të tallesh me qytetarët. Të thotë kryetari i Kuvendit që unë s’kam pikë në rregullore që të diskutoj. Ke një pikë që ky parlament duhet t’i shërbejë shqiptarëve. Duhet ta ktheni Kuvendin në shërbim të qytetarëve, llogaridhënies dhe të hiqni Edi Ramën si kryeministër. Kjo është e vetmja detyrë që ka Kuvendi”, tha Zhupa.
Gazment Bardhi i tha mazhorancës në Kuvend se e kanë dorëzuar shtetin në duart e krimit, pavarësisht paralajmërimit të opozitës për ish-kreun e SHISH, Vlora Hysenin. Kreu i grupit të PD tha se Hyseni “ia ka fikur vërtet radarët shtetit” me ndihmën që ajo i ka dhënë biznesmenit Ergys Agasi.
“Besoj ky është një nga momentet më të vështira dhe unë e kuptoj sikletin tuaj që detyroheni që një nga çështjet më të rënda ta trajtoni duke mbrojtur një të papërgjegjshme sepse asnjë njeri i përgjegjshëm s’mund të flasë kur në 2026 Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, kështu qeshnit, kur ju thamë që Vlora Hyseni është emërim i Ergys Agasit. Ju thatë ku i gjetët këta, nuk e bën Edi Rama këtë, ka zgjedhur më të mirët. Ku e keni Edi Ramën sot? Fshihet pas një të papërgjegjshmi që me ligj nuk mban përgjegjësi për atë që thotë? Një zyrtar i përgjegjshëm s’mund të thotë që jemi më të mirët kur shefja e SHISH jo vetëm ndihmonte anëtarin e një grupi kriminale, por iu thoshte çunave me dorë të lehtë sot se për ty i fik radarët. E në fakt është e vërtetë, ia ka fik radarët shtetit, ka fikur edhe radarët tuaj! Shteti shqiptar është shndërruar në narkoshtet! Nëse kryeministrin e urdhërojnë grupet kriminale, ky nuk është shtet, por narkoshtet!”, tha Bardhi.
Siguria kombëtare është shembur, tha Sali Berisha në Kuvend duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Kreu i PD tha se lidhja midis ish-kreut të SHISH dhe Ergys Agasit është goditje fatale për Shqipërinë.
Nuk munguan as komente për ministren e Shtetit, Erjona Ismailin duke e pyetur nëse “ka kaluar nga zyra e Agasit” për të marrë postin.
“Sot në ditën kur siguria kombëtare është shembur në mënyrë totale, kur të dhënat sensitive sekrete që NATO i besonte vendit anëtar Shqipëri kanë kaluar në mënyrë të vazhdueshme në duart e armiqve të Shqipërisë dhe NATO-s, përfaqësuesit ngrihen këtu dhe recitojnë në papërgjegjshmëri të plotë. Ka vetëm një rrugë: dorëheqjen e menjëhershme të padrinos që ndërtoi këtë piramidë turpi narkoshteti. Si mundet të qëndroni indiferentë apo të recitoni në aktin më skandaloz në historinë e NATO-s, një shteti të Europës dhe bëni sikur s’ka ndodhur gjë! Keni kaluar ju zonjë nga zyra e Ergysit? Të ka shërbyer ajo zyrë për t’u ngjitur si deputete në parlament apo jo? Kjo zonja ka kaluar nga zyra e Agasit apo s’ka kaluar? Këtë thuaji shqiptarëve. Kjo është një ditë turpi mor! Si ka mundësi, ju e dini të gjithë! Ndaj dhe është jetike që të bëhet transparencë e plotë para qytetarëve shqiptarë të këtij skandali botëror! Kjo është goditja më fatale për reputacionin e Shqipërisë!”, tha Berisha
Ministrja Eriona Ismaili iu përgjigj akuzave të opozitës për rastin e Vlora Hysenit duke rikthyer debatin te SHIK-u gjatë qeverisjes së Sali Berishës.
“Nuk harrojnë shqiptarët, se nuk ka se si të harrojnë. SHIK, sot një temë që u përmend shumë, është një institucion që prej viteve ’90 ka përfaqësuar rënien e shtetit. S’kanë si ta harrojnë shqiptarët SHIK-un e atëhershëm si pushtet të pakufijshëm në duart e xhelatëve të Berishës, që përndiqte, dhunonte, vriste si polici politike dhe që s’jepte llogari askund. S’mund të harrohet SHIK-u i Gazidedes si drejtues famëkeq i operacionit të ’97-s për shtypjen e revoltave popullore. SHIK, jo më larg se në 2012, Ilir Kumbaro u dënua me 15 vite burg për torturën që shkaktoi vdekjen e Remzi Hoxhës. Na tregoni pak se si ndodhi arratisja nga Shqipëria e ish-kreut të SHIK, që u strehua në Turqi dhe Siri. Si biznesmeni Fazlliç ka marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare me ftesën tënde, Sali. Përdorej SHIK për armiqtë dhe mbështetësit e tu, digjte redaksi gazetash, rrëmbente e dhunonte gazetarë. Shtet pa shtet, si ky që keni qeverisur ju. Shteti që është shtet i ka pushtetet e ndara, ku secili funksionar ka përgjegjësi individuale. Ne luftojmë për pavarësinë e drejtësisë, ju luftoni drejtësinë", tha Ismaili.
Deputeti Erald Kapri tha se me arrestimin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit dhe mesazheve të zbuluara mes saj dhe Ergys Agasit, qeveria i ka mbuluar shqiptarët me turp. Ai i paralelizoi mesazhet e Hysenit me komunikime të CIA-s me ‘El Chapon’. Kapri tha se Kuvendi duhet të flasë për shkërmoqjen e institucioneve, ndërsa Rama të vijë e të japë dorëheqjen.
“Nuk ka shqiptar që nuk bën pyetjen çfarë dreqin duhet të ndodhë më shumë që ky Kuvend të flasë për shkërmoqjen e çdo institucioni. Nuk keni legjitimitet të qeverisni por keni mbuluar me turp shqiptarët si askush më parë. Kreu i SHISH në shërbim të krimit. Imagjinoni sikur kreu i CIA-s të chatonte lirshëm me El Chapon e t’i thoshte për ty i fik radarët. Ju i keni nxjerrë bojën Shqipërisë, nuk ka turp më të madh se ty. Nuk ka më asnjë institucion të bëjë detyrës. Bashkia Tiranë është marrë peng nga burgu, Zv kryeministren e keni de facto zv.kryministre, emëron drejtorë dhe e mbroni me imunitet. Kjo është farsë. Në Kuvend duhet të flitej për shkërmoqjen e institucioneve. Si nuk keni turp, si do të dilni të takoni delegacionet e huaja? Kjo nuk mund të vijojë gjatë. Nuk është sakrilegj të vijë ai nga Amerika e të japë dorëheqjen. Është emergjencë kombëtare që Rama të japë dorëheqjen e të largohet me turp”, tha Kapri.
Partia Demokratike bllokoi sërish Kuvendin pas debateve për arrestin ndaj kreut të SHISH, Vlora Hyseni, ndërsa PS rrëzoi kërkesën e tyre për debat. Deputeti Flamur Noka nuk lejoi ministren Eriona Ismaili që të flasë dhe Peleshi e ndërpreu sërish seancën.
Jorida Tabaku bëri thirrje në parlament që mazhoranca të flasë për arrestimin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit dhe të jetë prioritet siguria kombëtare. Deputetja thotë se arrestimi dhe lidhja e saj me Ergys Agasin është njollë e parikuperueshme për shtetin që sot duhet të ishte ngritur në këmbë.
Tabaku shtoi se ky rast ka treguar se shteti është prej kartoni dhe parlamenti s’mund të sillet sikur s’ka ndodhur asgjë.
“Unë e di dhe ju si socialistë nuk jeni komodë me atë që ka ndodhur. E shoh që jeni në vështirësi dhe keni ulur kokat. Shumë nga ju nuk bien dakord me këtë që po i ndodh Shqipërisë. Është veçse normale që sot të flitet për këtë. Na kanë ndarë shumë gjëra bashkë në politikë, por Shqipëria anëtare e NATO-s ka qenë një nga arritjet më të mëdha të kombit dhe sot ato themele janë tronditur. Na kanë ndarë shumë gjëra në politikë, por siguria kombëtare duhet të ishte prioritet. Sot është vënë në pikëpyetje themeli i shtetit shqiptar, kjo është njollë e parikuperueshme për shtetin. Le të mblidhemi më vonë, ta diskutojmë sesi është cenuar siguria kombëtare. Sot duhet të ishte ngritur në këmbë gjithë shteti shqiptar. U bëj thirrje gjithë vendeve anëtare të NATO-s, të marrin informacion çfarë ka ndodhur me sigurinë kombëtare. Sot është cenuar rëndë imazhi i Shqipërisë. Kjo njollë nuk zhbëhet lehtë. Ky është rast i sistemit që sot Edi Rama ka ngritur dhe sot përfaqëson Shqipërinë, një sistem që vetëm zhvat qytetarët shqiptarë, por sot e ka nxjerrë zhgërlaq. Shtet kartoni, të thërrmuar, në themele, në bazë të demokracisë. Ky parlament nuk sillet dot sikur s’ka ndodhur asgjë. Duhet të ngrihet në lartësinë që kërkon sot Shqipëria”, tha Tabaku.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi kritikoi vendimin e Kuvendit për të mos i hequr imunitetin ish zv/kryeministres Belinda Balluku. Lidhur me shkarkimin e Vlora Hysenit dhe vënies në arrest shtëpie, Muçi iu drejtua deputetëve socialistë duke i paralajmëruar se Rama do t'i bëjë kurban.
“Ky parlament nuk i hoqi imuniteti ish zv.kryeministres kur nisi hetimi për tunelin në Llogara, vilën në Llogara e më pas vilën në Green Cost. Drejtoresha e SHISH e lidhur me krimin, e AKSHI e lidhur me krimin, drejtori i policisë së shtetit i lidhur me krimin, kryetari i bashkisë drejton nga burgu…ish-zv.kryeministrja hajdute. Si nuk ju vjen zor nga vetja, shtet funksionares që hanë kumbulla e dardha pas këtij burri të kulluar, parti hajdutësh që keni bërë pis këtë kryeministër. Sulltani ynë është besnik vetëm ndaj interesave të tij dhe është i gatshëm të ju bëj kurban”, tha ai.
Pas arrestit ndaj kreut të SHISH, Vlora Hyseni, deputetja demokrate Ina Zhupa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, shpërndarjen e Parlamentit dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Ajo tha se Vlora Hyseni sot është simbol i tradhtisë kombëtare.
“Këtu kemi të vërtetuar atë që jua ka thënë Berisha: narkoshtetin. Atë që ndërkombëtarëve u dukej si çudi, si mund të jetë narkoshtet në Europë. Narkoshteti ka grupin e vet të strukturuar, që nga drejtoresha e SHISH, te drejtoresha e AKSHI-t, Kadastrës, drejtori i Policisë Shkencore, drejtori i Policisë së Shtetit, një grup të strukturuar kriminal me në krye atë që është narkosi, Edi Ramën. Më dhimbset mua Saranda, se vriten njerëzit në mes të ditës, si të pafajshmit dhe të fajshmit, që i keni lënë të hanë kokat e tyre. Nuk mund të flasësh për Sarandën kur të del Vlora atje, se na ka bërë turp dhe emrin. Ajo është simbol i tradhtisë kombëtare. Sot jemi këtu të kërkojmë dorëheqjen e Ramës, që ka fytyrë të vijë, të japë dorëheqjen, të shpërndahet ky Kuvend dhe të kalojë në qeveri tranzitore. E keni simbolin PS, Partia e Skandaleve”, tha Zhupa.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu kërkoi që ccështja e drejtoreshës së shkarkuar të Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni, të trajtohet me seriozitetin që i takon sigurisë kombëtare dhe për të të ketë diskutime urgjente në Konferencën e Kryetarëve.
“Kryetar, unë nuk mendoj që ka sot gjë më të rëndësishme, çdo deputet pavarësisht nga krahët politike, sesa të diskutojë për çështjet e sigurisë sonë kombëtare dhe interesit tonë kombëtar. Edhe sikur ne këtu të vazhdojmë këtë debat, pa fryt, duke poshtëruar parlamentin, me ca duartrokitje që s'kanë as sens as vlerë se nuk sjellin asgjë, ne nuk mund të zhbëjmë dot me këtë sjellje atë krim të madh që është bërë në raport me sigurinë kombëtare. Sepse sot partnerët tanë, mediat ndërkombëtare, me të drejtë shtrojnë pyetjen se si ka mundësi që Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, sigurinë e saj kombëtare, partneritetin me shërbime inteligjente ta lërë në dorë të krimit dhe të korrupsionit.
E them që ka rënë gjithë struktura e sigurisë jo për faktin e asaj çfarë ka bërë drejtoresha e Shërbimit Informativ Kombëtar se nuk më takon mua ta gjykoj, por sepse ka rënë piramida e sigurisë kombëtare duke filluar nga ai që propozon, që është kryeministri i vendit, që përpara se të propozojë drejtuesin e Shërbimit Informativ Kombëtar duhet të bëjë një veting të plotë për karakterin, vlerat, punën edhe për marrëdhëniet që ka pasur para dhe gjatë kryerjes së aktivitetit. Po ashtu është një veting tjetër që kryhet zoti kryetar, nga Presidenti i Republikës, i cili pavarësisht se e propozon kryeministri, ka detyrën që të bëjë vetingun me të gjitha institucionet për drejtuesin e Shërbimit Informativ Kombëtar. Se siç e tha dhe zoti Berisha të gjitha informacionet, që merrni ju si kryetar i Kuvendit, që merr presidenti i Republikës, që merr kryeministri, apo dhe disa ministra, burojnë pikërisht nga Shërbimi Informativ Kombëtar dhe partneriteti me shërbimet inteligjente.
Prandaj mendoj kryetar që është e rëndësishme të diskutojmë dhe të dalim në disa përfundime. Dhe do t'ju kërkoja juve së pari kryetar, të bëni një diskutim në Konferencën e Kryetarëve. Të kërkoni të gjithë informacionin, nga kryeministri, nga presidenti, nga shërbimi informativ, se si është përzgjedhur, si është bërë vetingu, mbi ç'lloj informacionesh, si është shkarkuar kjo zonjë dhe për çfarë arsye nga Shërbimi Informativ i Kosovës. Të gjithë ato çështje të cilat do të na bëjnë ne të paktën, të marrim një qëndrim këtu sot, për atë që është interesi i sigurisë kombëtare pavarësisht nga dallimet politike që kemi me njëri-tjetrin. Në qoftë se kjo seancë do të vazhdojë kështu, ne jo vetëm kemi krijuar një problem të madh me sigurinë kombëtare, por e kemi zhbërë parlamentarizmin dhe po jua them, interesi i vetëm për ta zhbërë parlamentarizmin e këtij vendi është i krimit, të korrupsionit dhe pushtetit të Edi Ramës.”, tha Fatmir Mediu
Blendi Klosi iu përgjigj akuzave të Sali Berishës për rastin e Vlora Hysenit, duke rikthyer në Kuvend akuzat ndaj ish-kreut të SHIK, Bashkim Gazidede. Klosi akuzoi Berishën se në vitin 1997 e bëri Gazideden komandant të Forcave të Armatosura, ndonëse ishte i akuzuar për vrasje. Sipas Klosit, Berisha e bëri Gazideden kreun e FA për të vrarë më shumë njerëz e për të shkatërruar Shqipërinë, duke hapur depot e armëve.
“22 vjet ke drejtuar këtë forcë politike në opozitë. Janë shumë për jetën një politikani, po 22 vjet s’ke hequr dorë nga akuzat mbi institucionet, nga akuzat për krerët e shërbimeve, e përmende vetë këtu, edhe në opozitën e parë dhe në kaq vite të opozitës së dytë godet institucionet dhe sigurinë kombëtare. Ne e kemi dëshmuar jo vetëm si vullnet politik, por me fakte, që ajo që kemi bërë me reformën në drejtësi do jetë standardi ynë, në asnjë rast s’do marrim asnjë funksionar në mbrojtje. Kur shefi i shërbimit tënd, Gazidede megjithëse ishte akuzuar për vrasjen njerëzve, u bë komandant i FA në 97 për të vrarë akoma më shumë njerëz, për të hapur depot e armëve, për të shkatërruar Shqipërinë, për të bërë atë që askush nuk e bën dot si lider politik, vazhdon të jesh non grata, i akuzuar si kriminel, i akuzuari më i madh i Ballkanit. Drejtësi do të veprojë dhe ne jemi këtu për ta mbështetur”, tha Blendi Klosi.
Teksa mbante fjalimin në Kuvend, Sali Berisha iu drejtua edhe Niko Peleshit duke i thënë se “u soll si tuhaf” kur kreu i PD i tha se do të zëvendësohet, ndërsa kryetari i parlamentit ia ktheu aty për aty.
Sali Berisha: Kur unë deklarova para nja 5-6 ditësh se kanë parashikuar të të zëvendësojnë me atë tjetrin, u solle si tuhaf. “Po bën intriga, Sali.” Lexoje pak se çfarë thonë.
Niko Peleshi: Më marrsh të keqen! Të thashë kjo është procedurë, por procedurë e një lloji tjetër.
Ndërsa Blendi Klosi u ngjit në podium për të mbajtur fjalën e tij duke iu përgjigjur Sali Berishës, deputetët e opozitës e rrethuan. Në seancë ka nisur kaosi pasi u refuzua edhe kërkesa e PD për ndryshimin e rendit të ditës duke kaluar te debati për Vlora Hysenin.
Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren, ndërsa të tjerë u bien tavolinave duke thirrur “narkoshteti.”
Në këtë situatë, kryetari i Kuvendit njoftoi 10 minuta pushim.
Sali Berisha akuzoi nga Kuvendi ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni, se ishte “ushtare e bandës”, ndërsa tha se me rastin e saj “ka rënë siguria kombëtare”. Kreu i PD kërkoi dorëheqjen e Ramës.
“Sot jeni më shumë se kurrë Ergys Agas, Vlora Hyseni. Me asgjë nuk mbroheni. Ju tregoni se s’keni asnjë interes kombëtar, përveç interesave individuale tuaja. Si mund të qëndroni para këtij akti të pashembullt në historinë e botës. Çfarë përgjegjësie ndjeni ju ndaj kësaj, apo kërkoni ta mbuloni me historinë rozë, apo kërkoni ta paraqisni Ramën viktimë të saj. Ka rënë siguria kombëtare, nuk ka kuvend tjetër, përveç kësaj. Kosi i ka përdor bandat kundër kundërshtarëve politik, ndërsa kjo ishte një ushtare e bandës. Dhe së fundi, thotë e kisha bashkëpunëtor, shteti i narkosve. Jeni skellëver të padrones, jeni skllevër të mëkateve tuaja. Sot debati do të jetë vetëm për këtë çështje dhe kreu i juaj të njoftojë dorëheqjen aty ku është dhe të vijë me urgjencë këtu”, tha Berisha.
Seanca plenare është tensionuar pasi pas fjalës së Sali Berishës për Vlora Hysenin, kryeparlamentari Niko Peleshi kaloi në votimin e projektkalendarin e punimeve të Kuvendit.
Procesverbali u miratua me 73 vota pro, ndërsa opozita nisi t’u binte tavolinave me duar duke thirrur “narkoshtet.”
Në fjalën e tij në Kuvend, Sali Berisha tha se Ergys Agasi kishte nën kontrollin e tij të gjitha sekretet e shtetit, pas lidhjes së zbuluar mes biznesmenit dhe ish-drejtoreshës së arrestuar të SHISH, Vlora Hysenit.
Berisha shprehet se Hyseni ëshë anëtare e grupit më të rrezikshëm kriminal, ndërsa tha se seanca e sotme është historike si mbledhja e parlamentit më të papërgjegjshëm.
“Kjo seancë do të hyjë në histori si seanca më e turpshme e mbledhur ndonjëherë. Sot parlamenti mblidhet si parlamenti i Ergys Agasit, si parlamenti më i papërgjegjshëm në tërë historinë kombëtare të ndonjë vendi. Sot për çdo shqiptar që i thotë vendit vend, sigurisë siguri, çështje të të gjitha çështjeve është shembja totale e sigurisë së vendit pasi kryetarja e Shërbimit Informativ rezulton një anëtare e poshtër e grupit të strukturuar kriminal, Agasi. Në këtë sallë kam deklaruar se Ergys Agasi është mafiozi më i rrezikshëm i Europës. Po, sepse ai kontrollonte si asnjë tjetër në Shqipëri dhe Europë, të gjitha kartelet e drogës, internetin e territorit të vendit, të gjitha sekretet e këtij shteti dhe Shërbimin Informativ Kombëtar. Ai kishte fuqi të pakufizuar dhe këtë e kishte nga padrino i vendit. Rasti i Vlora Hysenit është i treti në botë”, tha Berisha.
Më tej, Berisha tha se emërimi i Hysenit është akt i papërgjegjshëm sigurie. Sipas tij, ajo ishte nën shërbim të Vuçiçit e Ramës dhe të krimit. Sipas Berishës, i cili iu drejtua mazhorancës, ishte Hyseni që nën drejtimin e Agasit, që merrte çdo vendim lidhur me ta.
“Ky personazh i përçudnuar që pasi shkarkohet nga detyra në një vend demokratik për motive të forta, po ato motive e sjellin atë këshilltare të padrinos dhe më pas në krye të SHISH. Emërimi i saj jashtë të gjitha kritereve përbën aktin më të papërgjegjshëm ndaj sigurisë së vendit. Emërimi i saj ishte në mënyrë absolute për një rol të dyfishtë. Ajo ishte një shërbëtore e Vuçiçit dhe Edi Ramës. Ana më e zezë është se njeriu që kishte për detyrë sigurinë e vendit dhe qytetarëve bashkëpunonte me hanxharët e krimit, ishte një ushtare. Anëtare e një organizate më të rrezikshme kriminale, njeriu që lëshonte në duart e bandave çdo sekret të këtij shteti, që me porosi të Ergys Agasit shkarkonte secilin prej jush, njeriu që ju thërriste ju në zyrë. Logjika është se është shembur piramida e sigurisë. Së dyti, shteti ka përfaqësime, por përfaqësimi më sensitiv është i shërbimit”, tha Berisha.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar që rendi i ditës në Kuvend të ndryshojë në kuadër të zhvillimeve të fundit lidhur me arrestimin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit.
Në kërkesën drejtuar Peleshit, PD kërkon të hiqen nga axhenda interpelancat me ministrat Sofjan Jaupaj e Mirela Kumbaro për t’u zëvendësuar me debat me kryeministrin Rama për situatën në SHISH, pasi “Kuvendi s’mund të qëndrojë indiferent.”
“Kuvendi i Shqipërisë duhet të kërkojë urgjentisht nga kryeministri Edi Rama që të japë informacione dhe shpjegime mbi përzgjedhjen e shtetases Vlora Hyseni në këtë detyrë, duke pasur parasysh rekodet e saj problematike në Republikën e Kosovës, si dhe veprimtarinë e saj nē drejtimin e Shērbimit Informativ Shtetēror, tē debatojë mbi përgjegjēsitë institucionale, si dhe të vlerësojë marrjen e masave të nevojshme për të parandaluar fenomene të tilla në të ardhmen”, thuhet në kërkesën e grupit të PD.
Kujtojmë që kryeministri Rama nuk ndodhet në Shqipëri, por në SHBA për Asamblenë e Përgjitshshme të OKB-së.


Kerkesa e PD
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur se më 30 shtator do të publikohet, së bashku me Këshillin e Europës, paketa më e gjerë e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që prej miratimit të tij.
Ndryshimet vijnë pas studimit të Këshillit të Europës mbi paraburgimin në Shqipëri dhe pas 10 vitesh reformë në drejtësi, në një moment kur synohet të vlerësohet funksionimi i garancive procedurale dhe standardeve të konsoliduara nga jurisprudenca.
Rishikimi do të përfshijë masat e sigurimit, të drejtat e palëve gjatë hetimit dhe gjykimit, provat dhe mënyrën e administrimit të tyre, seancën paraprake, prezumimin e pafajësisë, publicitetin e seancave dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Sipas Gogut, synimi është që forcimi i shtetit të së drejtës të ecë paralelisht me fuqizimin e garancive procedurale të individit.
“Në datën 30 shtator ne publikojmë, së bashku me Këshillin e Europës, korpusin më të madh të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që kur ai është miratuar. Vjen si pasojë e një studimi që Këshilli i Europës ka bërë për sa i përket paraburgimit në Shqipëri, por edhe pas 10 vitesh reformë të shtetit të së drejtës. Bëhet fjalë për masat e sigurimit. Është e rëndësishme që, në bashkëpunim me Këshillin e Europës, të shikojmë caktimin e masave të sigurimit, të drejtat e palëve në proces, qoftë në hetim, qoftë në gjykim, provat dhe se si ato administrohen, seancën paraprake, prezumimin e pafajësisë, publicitetin që një seancë ka dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Duhet që të forcohen edhe garancitë procedurale të individit", tha Gogu.
Më 30 shtator, ndryshimet do të diskutohen në një tryezë me drejtues të institucioneve të drejtësisë, përfaqësues të gjykatave, prokurorëve dhe avokatëve, shoqërinë civile, median dhe partnerët ndërkombëtarë.
-
"Mbreti" R4m4 deklaroi se e mendoi doreheqjen gjate protestave. Po tani a e mendon qe i ka rene shtepia ne koke?
Përgjigju







Komente
Komento