Tensionet në veri të Kosovës 'ndezin' Kuvendin në Tiranë, opozita: Rama po e dëmton! Xhaçka: Prioriteti ynë, por s’e mbështesim në këtë gabim

TIRANË- Tensionet në veri të Kosovës janë kthyer në çështje debati në Kuvendin e Shqipërisë. Opozita kërkoi që të zhvillohet seancë për të diskutuar mbi situatën e tensionuar në veri dhe të miratohej një rezolutë që dënon dhunën e serbëve në veri. Ata kërkuan që kryeministri Edi Rama, i cili mungoi në seancë, të jepte sqarime për draftin e propozuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

I pari që e paraqiti këtë kërkesë ishte deputeti demokrat Asllan Dogjani, i cili krijoi edhe një situatë tensioni pasi kryeparlamentarja Lindita Nikolla nuk i dha fjalën për të folur. Ai u çua me vrap dhe duke bërtitur i ra me grusht Foltores së Kuvendit.

“Të dalim me një rezolutë të dënojmë dhunën e ushtruar në Kosovë nga grupet kriminale”- tha Dogjani.

Pas tij, në bllok deputetët e opozitës, të të dyja kampeve, kërkuan përgjigje nga Rama se përse e kanë hartuar draftin pa u konsultuar me qeverinë e Kosovës. Deputetja Jorida Tabaku tha se janë njohur me këtë draft vetëm në media, e të njëjtin qëndrim mbajti edhe Edmond Spaho.

“Koordinimi me partnerët dhe mbajtja e interesit kombëtar para syve duhet ta drejtojnë këtë proces”, tha Tabaku.

“Turp që kryeministër bën publike qëndrimet për Kosovën në një kohë që s’ka diskutuar me udhëheqjen kosovare. Turp i madh që anulohet takimi i dy qeverive, këtë mund ta bëjë vetëm një tradhtar si Esat pasha”, tha Edmond Spaho.

Deputeti Oerd Bylykbashi thotë se Rama me qëndrimet e tij po e dëmton Kosovën, në vend se të ishte krah saj në situatën më të rëndë po kalon. Sipas tij, Rama po e vë Kosovën në pozita të vështira negociuese me deklaratat kundër saj, që i konsideron edhe më të rënda se të ndërkombëtarëve. 

“Ky kryeministër është duke vënë në pozitë të vështirë negociuese Kosovën, në vend se të këtë një partner strategjik, aleat të NATO-s të dikojë në interes të saj, ne bëjmë të kundërt, i dëmtojmë”, tha Bylykbashi.

Përgjigja u erdhi nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, e cila tha se Kosova është prioriteti i Shqipërisë, por e bëri të qartë se ata nuk do ta mbështesin Albin Kurtin në këtë rrugë që po gabon, duke dalë kundër partnerëve ndërkombëtare. Xhaçka i bëri thirrje KFOR që të hetojë ngjarjen, ndërsa njëjtë si Begaj kërkoi që Serbia të lirojë menjëherë tre policët e rrëmbyer.

“Për ne Kosova është një prioritet kombëtar që udhëheq çdo veprim e çdo aksion në politikën tonë të jashtme. Ne ndajmë plotësisht objektivat e qeverisë së Kosovës për një zgjidhje përfundimtare të negociuar me Serbinë, për anëtarësimin e Kosovës në OKB, etj. Kjo nuk do të thotë që ne të mbështesim 100% e në mënyrë të pakushtëzuar qeverinë e Kosovës në çdo hap që ajo bën edhe kur jemi të bindur që ajo që po bën është një gabim i me pasoja mjaft të rënda për Kosovën”, tha Xhaçka.

Për opozitën, një përgjigjë e kishte rezervuar edhe kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, i cili iu tha se bëjnë sikur interesohen për Kosovën, kur nuk ja duan të mirën asaj, thjesht përpiqen ta përdorin për konsum politik. Balla u shpreh se nën qeverisjen e Partisë Socialiste, Shqipëria do jetë gjithmonë në krah të Kosovës, por duke ndjekur linjën e ndërkombëtarëve, pasi pa ta nuk do të kishte Kosovë.

“Jemi vend anëtar i organizatës euroatlantike, falë asaj organizate që u bombardua për afro dy muaj Beogradi, Serbia dhe falë asaj organizate kemi sot Kosovën shtet të lirë sovran të pavarur. Shqipëria sot, doni apo jo anti-amerikanët, duhet të jetë në një linjë me organizatën euroatlantike”, tha Balla.

I mbërritur pas të tjerëve në parlament, ish kryeministri Sali Berisha duke e quajtur draftin e Ramës të dalë nga sirtaret e Vucic, e quajti qëndrimin e kreut të qeverisë të lidhur edhe me presionin që po i bëhet nga faktorët ndërkombëtar për çështjen “McGonigal”.

Këto debate në Kuvend, vijnë një ditë pasi tre efektivë të Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe në veri. Kosova ka bërë thirrje për t’i liruar menjëherë, por sipas Serbisë ata janë arrestuar pasi janë gjetur duke patrulluar 1.8 km larg kufirit me veriun.

Me 73 vota pro dhe 11 kundër është miratuar projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Kfë Franckfurt am Main (KfW), për programin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve të ngurta”.

Ndërkohë me 81 vota pro, 1 kundër e 3 abstenim është miratuar Projektligj “Për pranimin e protokollit për ndryshimin e marrëveshjes së Marakeshit për themelimin e Organizatës Botërore të Tregtisë, marrëveshja për subvencionet e peshkimit”. Me 72 vota pro dhe 14 kundër është miratuar Projektligj ‘Për qeverisjen elektronike’

Me 75 vota pro, 10 kundër Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. 82 vota pro, projektvendim për caktimin e anëtarëve të komisioneve të përhershme, Mirela Pitushiin dhe 83 vota pro Oriela Nebijaj. Ndërsa Asllan Dogjani u caktua anëtar i komisionit për sigurinë kombëtare me 80 vota.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:48
Xhaçka: Serbia të lirojë policët e Kosovës, KFOR të zbardhë ngjarjen! Qeveria Kurti të rishikojë vendimet e marra, nuk po i shërbejnë vendit

 

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar sa i takon situatës së krijuar në Kosovë me zhvillimet më të fundit, duke nisur nga veprimet e qeverisë Kurti deri tek rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës nga forcat speciale serbe.

Ajo kërkoi që policët e rrëmbyer të lirohen menjëherë nga Serbia në mënyrë që të ketë ulje të tensioneve.

“Është e domosdoshme që qeveria e Serbisë të lirojë të tre policët. Lirimi i tyre do ishte në kuadër të zbutjes së tensioneve. Ndërkohë i lëmë kohë KFOR-t të zbardhë atë që ka ndodhur”-tha Xhaçka.

Sa i takon ndalimin të automjeteve me targa serbe, ai tha se duhet të garantohet lëvizja e lirë se angazhim i rëndësishëm që vendet kanë marrë në kuadër të Procesit të Berlinit.

“I kemi ndjekur me shqetësim deklaratat e qeverisë së Kosovës për ndalimin e automjeteve me targa serbe. Lëvizja e Lirë është angazhim i rëndësishëm që vendet kanë marrë në kuadër të krijimit të një tregu të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Qeveria ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për masa tregtare por për masa sigurie. Mbetet të shohim si do zbatohet kjo por shpresojmë që të mos ndodhë sepse do të dobësonte pozitën e Kosovës në sytë e aleatëve”-shtoi ajo.

Ajo hodhi poshtë akuzat e opozitës mbi mungesën e mbështetjes së Shqipërisë së Kosovës duke thënë se nuk mund të ketë deklarata mbështetëse kur sipas saj, qeveria e Kosovës po merr vendime të gabuara që mund të tensionojnë situatën.

“Ministria jonë e ka ndjekur më shumë vëmendje situatën në veri të Kosovës ku ka patur masa të panevojshme që kanë rritur tensionet. Kryeministri ka përcjellë një draft për Asociacionin. N e konsiderojmë hapin sit ë rëndësishëm për të ulur tensionet dhe rikthimin e Kosovës dhe Serbisë në rrjedhën e dialogut.  Pas anulimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive kam dëgjuar shumë teori për mungesën e mbështetjes së Shqipërisë ndaj Kosovës. Ata që bërtasin më shumë se iu digjet barku për Kosovën janë ata që i kanë bërë më shumë dëm Kosovës. Të gjithë e dinë se kush furnizonte me naftë Millosheviçin.  Po kjo nuk do thotë se duhet të mbështesim qeverinë e Kosovës edhe kur shohim se është gabim në ato që bën. Kjo nuk do ishte gjë e mirë dhe le të bërtasin sa të duan analistët. Është e domosdoshme që Kosova të dëgjojë aleatët tanë për shtensionimin e situatës. Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Europian është rruga e normalizimit të marrëdhënieve”- përfundoi ministrja.

Ora 13:44
Spiropali-Berishës: Sa herë të mblidhet laku nga ndërkombëtarët flet për patriotizëm! Të ka mbetur vetëm të përfundosh në kosh

 

Ministja Elisa Spiropali i është përgjigjur Berishës duke u shprehur se ai ka sjellë vetëm përçarje mes Shqipërisë dhe Kosovës. Spiropali tha se sa herë i mblidhet laku nga partnerët ndërkombëtarë, flet për patriotizmin e Kosovës dhe e përdor situatën për interesa personale. 

“Ai projekton fajet, gabimet vërejtjet e ndërgjegjes së tij tek tjetri. Është e njohur kjo metodë e vjetër. Më së shumti tradhtinë e kanë patur në ballë të përpjekjeve të tyre. Sali Berisha foli, minutat tuaj kanë mbaruar, është koha ime. Foli këtu për hartën e Europës, Sali vetëm ajo të ka mbetur që të përfundosh në kosh, koha ka ardhur, por s’ka rëndësi se ti damkën vetes ia ke vënë përpara se ta vinin ata përtej detit.

Në kohën kur ti bëjë thirrje që marrëveshja e ‘Rambujesë’ të mos firmosej, sipas dëshmive të Remzi Hoxhës që nuk dihet ku shkojë, marrëdhënia me Millosheviç ishte ndryshe. Por ti deklaroje se as Ibrahim Rugova nuk duhet të pretendojnë pavarësinë e Kosovës.

Zografi bis nuk ka bërë kurrë një marrëveshje deti me Greqinë, nuk ka furnizuar me naftë makinerinë vrasëse të regjimit të Millosheviç, e ke pranuar vetë pafuqinë. E nëse vazhdojmë me ato që ti ke bërë dhe ne kemi bërë me kryeministrin në krye dhe kjo qeveri që nuk lë vend të botës, dhe duhet ta dini që reputacioni i Shqipërisë është rritur.

Ato që ti paturpësisht bërë, miratimin e rezolutës së Dick Marty, po tentojmë të zhbëjmë ne duke paraqitur një rezolutë të re. Por pasqyra dhemb, ajo tregon fytyrën që ke. E them që shumë shpejt Berisha do të dalë edhe skena politike”, tha Spiropali.

Ora 13:18
Theu embargon e naftës, Braçe-Berishës: Nëse ka një shtet që duhej të të shpallte non grata, ajo është Kosova

 

Deputeti socialist Erion Braçe është treguar i ashpër me ish-kryeministrin Sali Berisha, teksa ky i fundit ngriti në Kuvend çështjen e tensioneve në veri të Kosovën. Braçe tha se Berisha ishte ai që theu embargon e naftës duke furnizuar Serbinë e Millosheviçit në kohën e luftës. Nëse ka një shtet që duhej të shpallte non grata Berishën, sipas Braçes është vetëm Kosova.

"Po flas edhe njëherë për një fakt të konsumuar zyrtarisht, ndërkomëtarisht me të cilin është damkosur Shqipëria. Ky këtu, në emër të cilit janë bërë edhe rrëfime të turpshme e të neveritshme si rrëfimi si pasoi dëshminë të qartë të kthjellët të pastër në thyerjen embargos e që vijoi në Shqipëri me argumentin se po i çonim karburant Kosovës që të kalonte dimrin. Karburanti po i shkonte përmes Millosheviçit. Fakt është që SHBA kanë shpallur non grata Berishën për një mori arsyesh të ditura e të bëra publike. Nëse do kishte një vend që duhej ta shpallte Berishën non grata ai duhej të ishte Kosova dhe vetëm për këtë akt. Për thyerjen embargos përkundrejt Serbisë të Milloeshvicit", tha Braçe. 

Ora 12:55
Berisha në Kuvend: Rama mori draftin e asociaconit nga sirtarët e Vuçiç për të shpëtuar nga dosja e McGonigal

 

kuvend vijon debate për Kosovën. Deputeti Sali Berisha akuzon Ramën se mban anën e presidentit Vuçiç “argat” i të cilit është” tha ai.

“Në dialogun Kosovë – Serbi, Shqipëria mban anën e Kosovës, por Rama mban anën e Vuçiç. Pasi dështoi me Ballkanin e Hapur Rama dhe Vuçiç që donin të instalonin hegjemoninë serbe në rajon"

Më tej Berisha tha se Rama me paraqitjen e draftit për asociacionin ndërhyri në punët e brendshme të Kosovës për të shpëtuar veten nga hetimi i dosjes Mc Gonigal.

"Paraqitja që bëri me projektin e asociacionit ishte ndërhyrja më brutale në çështjen më delicate në punët e brendshme të Kosovës. Akt antikombëtar, antishqiptar. Si vasal anuloi takimin me Kosovën srepse ajo nuk pranoi të diskutojë drafin e marrë nga sirtarët e Vuçiç. Provokoi dhe përkeqësoi më tej dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. 

E bëri sepse korriku po vjen dhe ai është në hetim të hapur për aferën Mc Gonigal. Flet për komunitetin euroatlantik por është i vetmi që ka korruptuar një nga personat më të rëndësishëm dhe është gati të bëjë çdo gjë vetëm të lehtësojë pozitën e tij të pashpresë. 
Shqiptarët duhet ta dijnë se një muaj më parë, dosja e McGonigal, tani është shkrirë në dosjen ruse sepse ky peshk i madh nuk binte kollaj në duart e Edi Ramës por dikush dhe ata që e sollën janë në dosjen Deripaskës. Koha do e provojë. Ndaj Rama nuk vjen këtu e kur del në media del sterr i zi," tha Berisha

Ora 12:48
'Ne e kemi kryeministrin me kartelë dhe budalla dhe nuk ia kemi thënë', Bardhi kërkon masë disiplinore për Ballën: Fyeve kolegët

 

Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi ka kërkuar masë disiplinore për kreun e grupit të PS, Taulant Balla duke thënë se ka fyer deputetët. Kjo kërkesë e Bardhit erdhi pasi Balla e quajti Albana Vokshin dhe Flamur Nokën personifikim të budallait. 

“Ne e kemi kryeministrin me kartelë dhe budalla, por nuk ia kemi thënë asnjëherë, ndaj kërkoj masa për kreun e grupit parlamentar për gjuhën fyese ndaj dy deputeteve që i quajti budallenj.
Unë thashë ne kemi kryebudalla për kryeministër dhe nuk ia kemi thënë. Nuk mundet askush të fyejë kolegët pa asnjë shkak. Ju kërkoj të merrni masa disiplinore për shkelje të etikës”, tha Bardhi.

Ora 12:47
Drafti i Ramës për asociacionin, Tabaku: U njohëm nga mediat, pse nuk e ka konsultuar me Kosovën

Deputetja demokrate Jorida Tabaku thotë se u njohën nga mediat me faktin që Shqipëria kishte hartuar një draft rezolutë për asociacionin për komunat në veri të Kosovës. Tabaku tha se ky draft duhej të ishte konsultuar me Kosovën.

“Jemi njohur nga media që Kryeministri I Shqipërisë ka prezantuar një draft për asosacionin që kishte kohë që diskutohej ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë nuk flas dot për diçka që nuk e kam lexuar, nuk është dokument publik dhe nuk besoj që mund të flasim dhe të supozojmë për diçka që ne nuk e dimë. Por derisa ne të kemi informacion besoj që sot nuk i shërben askujt marrja në patronazh e kësaj çështje.  Shqipëria gjithmonë ka pasur marrëdhënie të veçantë me Kosovën për atë çfarë ne dhe Kosova përfaqësojmë. Kemi tentuar shumë herë për mos ta përdorur, për mos ta shfrytëzuar dhe të mos debatojmë sa për politikën tonë të ditës. Por koordinimi me partnerët dhe mbajtja e interesit kombëtar para syve duhet ta drejtojnë këtë proces. Dhe interes kombëtar bëhet fjalë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ndodhen në çdo troje. 

Nuk e kam zakon që diskutimet që kam ke kolegët, por njëkohësisht dhe me drejtuesit në Kosovë t’i bëj publike. Dhe unë kam qënë në kontakt me të gjithë nivelet në Kosovë. Ata sigurisht nuk kanë dijeni dhe nuk kanë pasur dijeni për këtë draft, por në fakt do të kishte qënë e udhës që ato të kishin qënë pjesë e këtij procesi.  Trajtimi I tyre si palë tjetër nuk i shërben askujt. Është e nevojshme t’i rikthehemi dialogut, t’i rikthehemi asaj që është marrë dhe fituar me shumë mundim, t’i rikthehemi marrëveshjes së Ohrit dhe sot t’i dënojmë jo si palë, por t’i dënojmë ato që po ndodhin në territorin e Kosovës, duke filluar që nga marrja peng e 3 policëve në territorin e Kosovës deri tek përshkallëzimi i asaj çfarë po ndodh në Mitrovicë, Leposaviq dhe në të gjitha bashkitë e tjera në veri ku sot nuk mund të quhet një situatë normale. 

Për këtë arsyje i bën nder këtij Parlamenti, i bën nder Komisionit të Jashtëm që ta ketë këtë temë diskutimi. Jo për ta përdorur Kosovën, por për ta kuptuar se çfarë po ndodh në Kosovë, kush janë kërkesat e krerëve të qeverisë në Kosovë dhe se si ne mund ta ndihmojmë Kosovën, jo ta pengojmë atë. Nuk ka çështje më të rëndësishme për ekonominë shqiptare sesa diskutimi i disa prej tregjeve dhe çfarë po ndodh sot me tregjet të cilat kanë lidhje të drejtëpërdrejtë dhe impakt tek çmimet", tha Tabaku. 

Ora 12:44
Balla u drejtohet Nokës dhe Vokshit: Pas Saliut, ju jeni personifikimi më kuptimplotë i budallait

 

Deputeti i PS, Taulant Balla iu përgjigj akuzave të opozitës mbi aplikacionin “Aktivisti”. Duke folur mbi këtë çështje ai u drejtua ndaj deputetëve Noka dhe Vokshi duke i quajtur ‘personifikimi më i plotë i budallait’.

 "Ju që keni probleme me “Aktivistin”, jam shumë krenar, do t’iu shtojmë dhe do t’iu mundim sa herë të na dilni para. Saliu ka mbaru punë, por fati i madh që pas tij Ju dy jeni personifikimi më kuptimplotë i budallait.( i drejtohet  Vokshit dhe Flamur Nokës)”- tha Balla.

Sa i takon akuzave për punësimet në administratë, Balla tha se janë boshe pasi të gjitha rekrutimet bëhen sipas rregullave.

“Lerini dokrrat e histori administrate. Ne kemi administratën civile më të lartë si numër. Por ne kemi shumë punë për të bërë. Nuk ka ndërhyrje në rekrutimin në administratën publike. E Keni të kotë këtë që thoni", shtoi ai.  

Ora 12:16
Spaho në Kuvend: Turp që anulohet takimi i dy qeverive, Rama e bëri të ruajë karrigen e vet

 

Deputeti demokrat Edmond Spaho e quan të turpshme faktin që Kuvendi i Shqipërisë nuk po mban debat lidhur me situatën në Kosovë dhe bën me faj Edi Ramën se për të ruajtur karrigen e tij anuloi mbledhjen e qeverisë.

“Turp që anulohet takimi i dy qeverive, këtë mund ta bëjë vetëm një bashibozuk si Haxhi Qamili edhe e bën për të ruajtur karrigen e vet. Turp i madh që tre kryeministra shqiptarë në rajon dhe një zv kryeministër në Maqedoni, nuk mblidhen të rakordohen për Kosoën. Përgjegjësia është e Ramës”
 

Ora 12:15
Asllan Dogjani: Po të jetë nevoja, jam i pari që marr armët për të luftuar në Kosovë! Kuvendi të dënojë aktet e Serbisë

 

Deputeti demokrat, Asllan Dogjani iu përgjigj deputetit socialist, Taulant Ballës duke i theksuar se është i gatshëm edhe të marrë armët nëse është e nevojshme për Kosovën. Ai tha se Kuvendi duhet të mbajë një qëndrim zyrtar dhe të dënojë dhunën e ushtruar nga ana e grupeve kriminale në veri të Kosovës.

“Nëse do jetë nevoja, unë jam i pari që marr armët. Ne kuksianët i kemi marrë armët gjatë luftës së Kosovës ku janë vrarë disa të rinj tanët. Kemi pritur mbi 500 mijë shqiptarë të Kosovës gjatë luftës. Po zotëri, unë e marr armën për të luftuar për Kosovën.

Unë kam kërkuar të dalim me rezolutë për të dënuar dhunën e ushtruar nga paramilitarët serbë ndaj zyrtarëve të Kosovës. Duhet të bëjmë një përpjekje dhe të mbajmë qëndrimin tonë. Nuk po analizojmë qëndrimin e Albin Kurtit por kërkojmë që kryeministri ynë mos të bëjë platforma paçavurre. Prandaj të dalim me një rezolutë të dënojmë dhunën e ushtruar në Kosovë nga grupet kriminale”- tha Dogjani.

 

Ora 12:13
Opozita kërkon debat në Kuvend për tensionet në veri, Balla: Doni ta përdorni Kosovën mish për top, Shqipëria është krah saj

 

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla i është përgjigjur deklaratave të opozitës që kërkuan një seancë për të diskutuar për tensionet në veri të Kosovës. Balla tha se kjo opozitë nuk ja do  të mirën Kosovën, por thjesht po e përdor për retorikë politike të ditës së sotme. Balla theksoi se Shqipëria është dhe do vazhdojë të jetë në krah të Kosovës.

“Propozimi ishte të kërkoje debat për situatën në veri të Kosovës. Keqardhje që kemi në sallë ende politikanë që frymëzohen nga të tjerë syresh që sapo hynë dhe që një gjë të gjithë e dimë, as nuk duan t’ia dinë për Kosovën, Shqipërinë, por i duan për tu stërhumbur përsëri këtu mes nesh. Për debatin politik të ditës. Për ta përdorur Kosovën tonë të dashur mish për top, për të gjuajtur kryeministrin, Shqipërinë. Shqipëria nuk ka asnjë dyshim, të paktën sa kohë kemi qenë ne në qeverisje dhe sa kohë do jemi në qeverisje është gjithmonë pranë popullit të Kosovës, pranë interesave të Kosovës. Jemi vend anëtar i organizatës euroatlantike, falë asaj organizate që u bombardua për afro dy muaj Beogradi, Serbia dhe falë asaj organizate kemi sot Kosovën shtet të lirë sovran të pavarur. Shqipëria sot, doni apo jo anti amerikanët, duhet të jetë në një linjë me organizatën euroatlantike. Thua ky do marrë armët dhe do përballet atje. Kosova, populli i Kosovës ka nevojë për Shqipërinë dhe Shqipërinë këtu e ka, por lirinë të mos e harrojmë kurrë që e arritëm në aleancë me SHBA, Britaninë, BE dhe duhet ta vazhdojmë të konsolidojmë”, tha Balla.

Ora 12:07
VIDEO/ Kuvendi mban 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të Silvio Berlusconit

 

Kuvendi ka mbajtur 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të ish kryeministrit Italian, Sivlio Berlusconi. Në fjalën e tij, deputeti i PS, Taulant Balla e cilësoi Berlusconin si një personalitet të rëndësishëm që ka mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit europian.

“Kërkoj 1 minutë heshtje në respect të një personaliteti i cili kur hyri në politikën italiane ka pasur një afeksion ndaj Shqipërisë dhe ka qenë mbështetës i palëkundur i vendit tonë”- tha Balla.

Ora 11:55
Tensionet në veri të Kosovës, Bylykbashi: Ku është Rama, të vijë të japë llogari për draft asociacionin! Po dëmton Kosovën

 

Deputeti Oerd Bylykbashi ka ngritur në Kuvend çështjen e Kosovës. Bylykbashi tha se sot kryeministri i Edi Rama duhej të ishte i pranishëm në seancë dhe të jepte llogari se çfarë ka propozuar në draftin për asociacionin. Bylykbashi tha se Shqipëria duhej t’i dilte në krah Kosovën, por në fakt po e dëmton deklarata më të rënda se ndërkombëtarët.

“Ca po bën qeveria shqiptare. Nuk jemi për atë që është detyra jonë, përfaqësimi i sovranit. Nëse ka një interes që shkruhet që në preambul, është interesi kombëtar. Na udhëzon kushtetua të futemi edhe në aleanca për mbrojte të interesit kombëtar. Duhet të kishim sot kryeministrin për të kuptuar këtë aleancë si e shfrytëzojmë për interes kombëtar. Ku është kryeministri? Konsiderata e tij për parlamentin është zero. Duhej të ishte këtu të jepte llogari për atë që i ka propozuar të tjerëve e jo Kosovës. Veprime që dëmtojnë interesin kombëtar. Interesi ynë kombëtar është në veri të Kosovës. Ky parlament duhet të marrë në llogari kryeministrin. Ky kryeministër është duke vënë në pozitë të vështirë negociuese Kosovën, në vend se të këtë një partner strategjik, aleat të NATO-s të dikojë në interes të saj, ne bëjmë të kundërt, i dëmtojmë. Ne i mbështesim i këshillojmë, por jo duke i vënë në pozitë të vështirë. Po e dëmtojmë Kosovën në negociatë, po i vëmë në pozita të vështira me deklarata më të rënda sesa partneret ndërkombëtarë”, tha Bylykbashi.

Ora 11:14
VIDEO/ Tensione në Kuvend, Nikolla nuk i jep fjalën, nxehet Asllan Dogjani dhe niset me vrull drejt foltores, i bie me grusht: Të dalim me një qëndrim për Kosovën

Një situatë tensioni është krijuar në Kuvend. Deputeti Asllan Dogjani kërkoi të flasë për çështjen e Kosovës, por nikolla nuk ia dha fjalën. Dogjani u nxeh dhe u ngrit në Foltoren e Kuvendit dhe i ra me grusht. Ai kërkon që Kuvendi i Shqipërisë të dalë me një qëndrim për situatën në Kosovë, ku tre policë janë rrëmbyer nga forcat serbe.

Asllan Dogjani: Kam kërkuar që Kuvendi të dalë me një qëndrim për Kosovën, sot situata ka agravuar më tej

Nikolla e ndërpret

Dogjani: E kam për procedurë.

Nikolla: E dhatë mendimin tuaj. Shkoni në vend, do jua jap fjalën në vend

Dogjani: Unë kam kërkuar në seancën e kaluar që kuvendi të mbajë një qëndrim, situata ka agravuar, forcat e Serbisë kanë marrë tre policë peng, kryeministri pse nuk vjen të japë informacion ca platforma ka dërguar për vëllezërit tanë. Kërkoj të mblidhet komisioni për politikat e jashtë. Ta dalim me një qëndrim dhe të dënojmë sulmet e Serbisë ndaj policëve të Kosovës. Flasim nën zë, por s’ka dalë kuvendi me një qëndrim. Duhet të dalim në fund të kësaj seance.

Ora 11:00
Prezantimi i raportit për Administratën Publike në Kuvend, Noka: Nënpunësit janë kthyer në militantë nëpërmjet aplikacionit ‘Aktivisti’

 

Pas prezantimit të raportit të Departamentit të Administratës Publike nga ana e ministers Milva Ekonomi, deputeti demokrat Flamur Noka tha se 75 mijë nënpunës publikë e kanë shkarkuar aplikacionin ‘Aktivisti’ nën presion nga ana e drejtorëve dhe ministrave.

Ai tha se aplikacioni ‘aktivisti’ është krijuar për krijimin e një rrjeti propaganda dhe se ‘shkrin’ në një militantin e partisë dhe punonjësin e shtetit.

“75 mijë punonjës të shtetit shqiptar e kanë shkarkuar këtë aplikacion. Këta punonjës çfarë janë? A ka dijeni zonja që drejtorët, ministrat i kanë terrorizuar punonjësit e shtetit për të plotësuar me detyrim ose për t’u larguar nga vendi i punës në administratën shtetëore. Koncepti i Aktivistit bën në 1 punonjësin e shtetit me militantin e partisë. A është ky standarti i Administratës Publike? Nënpunësi civil si term është i likujduar dhe mbetet vetëm në letra, pasi me Rilindjen në pushtet është shndërruar në militant, qoftë me dëshirë apo jo. Është gjë e thjeshtë të vish e të flasësh dokrra këtu. Por termi DAP në Shqipëri është inekzistent”-tha Noka.

Nga ana tjetër, ministrja Ekonomi iu përgjigj duke thënë se aplikacioni ‘Aktivisti’ mund të përdoret nga secili person dhe se nuk ka lidhje me kontrollin e punonjësve të administratës publike.

“Aktivisti nuk ka lidhje me systemin që menaxhon DAP. Përderisa kemi 75 mijë persona që e kanë shkarkuar do të thotë se është i sukeseshëm. Mund të jesh edhe anëtar i PD dhe të hysh në aplikacion. Ata që e shkarkojnë e bëjnë sepse aty tregohet për aktivitetet që bën PS”-tha Ekonomi.

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 16/06/2023 03:56

    Z.Dogjani,jam dakord qe kuvendi duhet te dale me nje deklarate te perbashket,por harroje idene e te marrurit te armeve.Cfare dreqin kerkon te fillosh, L.III.B?!

    Përgjigju
  • Jimmy: 15/06/2023 22:41

    Shko mo dogjani nje rrot ka!!!!ri me pak!!mos bej gam!!gam!!si qen shko dhe lufto te hash te semes!

    Përgjigju
  • Linda: 15/06/2023 22:23

    Filluan prap rremujat ne perlament te udhehequra nga dhelpra Tabaku funderrina e njerezimit Berisha dhe budallai super debili Bardhi!Po na tregojn perralla qe do luftojn keta qe luftojn vetveten dhe e ben partin cop cop keta qe kane dale te gjithe off !!

    Përgjigju
  • Ndergjegja: 15/06/2023 16:20

    Ju 140 kuvendare pa perjashtim jini hileqare,batakçinj,hajdute truthare dhe puthab*thësh te edvinrames,salihberishes e ilirmetajt edhe si deputete listash,interesash pasurore e financash, kriminele e te korruptuar. Dibrani thote nje fjale per sojin tuaj: "Më i miri prej jush dhj*ftë gjak!"

    Përgjigju
  • Trim Kuksi: 15/06/2023 15:56

    Ti Dogjan,si kuksian,nje gje e ben:-Te marresh armet kunder jugut,ku keni dhene dhe prova,se per te marre armet per Kosoven nuk e ben

    Përgjigju
  • Halit: 15/06/2023 14:49

    Ti dogjan je shume i keputur dhe pa personalitet. Berisha dhe muli jot skeni te ardhme. Imagjino ku ka rene pjaca te mbash afer injorantet funksional. Balla kok 5 vepshi eshte me mire se ju.

    Përgjigju
  • Luizi BBV: 15/06/2023 14:34

    Zoti Braçe! Jo Kosova non grata Kriminelit Berisha! Por non grata duhet te jete ne Bosnje & Kroaci se aty ka vajtur nafta e kriminelit Berisha dhe menaxherit Tritan prasi.

    Përgjigju
  • Kosovari: 15/06/2023 14:09

    Ka ngel Kosova ta ndihmoj me arme ne dore nje deputet me te meta mendore. Hajd boll mos na beni trimin por merrni armet dhe luftoni. Vetem per te ngrene mot dini. Kur beni ju plehra si patriota qe edhe detin shitet, naften shiten dhe shisnit prona e pasuri me Fazlliqin.

    Përgjigju
  • Gimi: 15/06/2023 13:45

    Opozita e ka mendjen vetem me perfitur nga rasti dhe me fol budalliqe

    Përgjigju
  • Dea: 15/06/2023 13:17

    Turp per kete opozite qe perfaqson qytetaret ne kuvend

    Përgjigju
  • Klea: 15/06/2023 13:12

    opozite e deshtuar

    Përgjigju
  • Qytetar: 15/06/2023 13:05

    Sipas Taulantit po u fute ne Nato nuk ke te drejte te mbash pozicion mbi asgje. Dikur thoshin per Shqiperine qe eshte faktor stabiliteti ne Ballkan. Sot nuk na konsiderojne as si faktor. Kemi nje “superstar” qe ben interesantin neper samite por qe per cdo ceshtje me rendesi perdor google translate dhe copy paste.

    Përgjigju
  • Adisa: 15/06/2023 12:39

    Kush i kerkon llogari Rames,budallenjt e opozites

    Përgjigju
    • e drejta: 15/06/2023 13:28

      FIKS FARE,,,,PER TE QARE E PER TE QESHUR NJEKOHESISHT

  • Ada: 15/06/2023 12:38

    Kto te mekin me budallalleqet qe thone,Rama skrahasohet me asnje

    Përgjigju
  • klodi: 15/06/2023 12:25

    Kush po flet saliu qe i ka dhene nafte serbve ?

    Përgjigju
  • Eri: 15/06/2023 10:55

    DAP institucion I korruptuar dhe politizuar. Kaq.

    Përgjigju
    • Italia si moter: 15/06/2023 13:18

      Ju te mençurit e pd i kerkoni llogari Rames ?pse ,se beri nje rezolute per te miren e Kosoves ? Ju spo i kerkoni llogari kriminelit tuaj salikek qe furnizoi Milloshevicin me nafte kunder kosoves ,qe eshteshprehur me ze dhe figure kunder pavaresise se Kosoves ,more budallenjt e saliut .populli i kupton te gjitha si dhe nderkombetaret ,prandaj ju futi gishtin , nuk keni per te ardhur kure ne pushtet , kush thote qe ka kartel Rama ,bardhoshja ?

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë