Fëmijët i japin Shqipërisë gjallërinë e munguar! Dalin pas 40 ditëve karantinë: Na mungojnë gjyshërit (VIDEO)

TIRANE -  Fëmijët, ishin ata që gëzuan më së shumti këtë ditë sikur të ishte festa e 1 qershorit.

Rrugët në Tiranë ishin sot si nuk i kemi parë për javë të tëra. Nënat me fëmijët e tyre shfrytëzuan në maksimum fashën e lejuar të liri daljes për të shijuar me fëmijët e tyre motin e mirë me diell. Të qeshurat dhe lojërat e fëmijëve i bënë rrugët dhe parqet më të gëzueshme se asnjëherë, duke i sjellë kryeqytetit harenë e munguar. Koronavirusi dhe nevoja për distancim fizik ka ndarë dhe gjyshërit me nipërit dhe mbesat. Këta të fundit, teksa shëtisnin me nënat e tyre treguan se sa shumë u mungonin prania e gjyshërve.  

 “Kam 40 ditë që nuk dalë nga shtëpia ndërsa gjyshin dhe nënën kam disa kohë që nuk i takoj. Mua më ka marrë malli dhe për miqtë e mi, uroj të jenë mirë!”

“Gjyshin nuk e kam takuar, nënën po. Më mungojnë shumë. Qëndroni në shtëpi dhe lani sa më shumë duart, që të kalojë ky koronavirus i tmerrshëm”.

“Unë kam dy javë pa i parë. Më mungojnë. I them të jenë dhe i dua shumë”.

“Unë një gjysh e kam në Elbasan, dhe flas në Whatsapp. I them që më mungoni shumë, i dua shumë, që kur të iki ky virusi ta takoj me gjithë zemër”, thanë fëmijët për Report tv.

Nënat shprehen se po përballen me një sfidë të madhe psikologjike.

“Po e përballojmë me shumë vështirësi. Kemi më shumë se 40 ditë pa dalë. Kam 3 fëmijë. Kemi bërë një minipalestër. Mundohemi që fëmijët të kalojnë mirë”.

“Nga njëri krah jemi të kënaqur se po rrimë më shumë me fëmijët, nga ana tjetër është e vështirë pa diskutim. Mbyllja nuk është normale”.

“Situatë e vështirë por bëjmë ç’na thonë. Jemi të detyruar për të mirën e fëmijëve dhe tonën”.

“Jemi munduar të krijojmë lojëra në shtëpi, të bënim gjërat që nuk kishim mundësi t’i bënim por përsëri situatë e vështirë”, u shprehën prindërit.

Ndërsa për fëmijët sfidë vazhdon të jetë mësimi online.

“Jo akoma nuk jemi ambientuar. Janë të gjitha detyrat, dhe të shtëpisë dhe të klasës i bëjmë në të njëjtën kohë, është më e vështirë se kur ishim në shkollë”.

“Mësimi online shkon mirë por lodhemi”, shprehen fëmijët.

Megjithatë ka edhe lëvizje të qytetarëve të tjerë që nuk përfshihen në fashën e liri-daljes, siç janë baballarët apo gjyshet dhe gjyshërit.

Fëmijë nëpërmjet ekranit të Report tv shprehin një  mesazh për gjyshërit dhe gjyshet që nuk i kanë takuar prej javësh.  “Gjyshi dhe nëna ju duam shumë! Qëndroni në shtëpi dhe lani duart”, shprehen fëmijët njëzëri.

Nënat me fëmijë deri në 10 vjeç sot patën mundësin të dalin nga shtëpia deri në orën 11:00 në këmbë në qendrat urbane. Ndërsa të gjithë të tjerët do të jenë mbyllur brenda deri të hënën në orën 05:00. Dje pas një muaji brenda, kryeministri Edi Rama lejoi për të dalë nga shtëpia deri në orën 11:00 pensionistët. 

Nga e hëna do të futen në fuqi masat e reja të lëvizjes me makinë ku autorizimi merret jo më në polici por te e-Albania, teksa sot u publikua lista e bizneseve që do të lejohen që të hapen.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:13
'Fëmijët nuk duan të ikin nga parku', nëna në Korçë: Vajzën e porosita të mos përqafojë shokët dhe shoqet (VIDEO)

Parku Rinia në qytetin e Korçës ka marrë gjallërinë e munguar nga gëzimi dhe buzëqeshjet e fëmijëve, të cilët sot kanë shfrytëzuar në maksimum hapësirën e liridaljes. Pas më tepër se sa një muaji izolim fëmijët sot munden të dalin nën shoqërinë e nënave të tyre. Një pamje ndryshe nga ditët e tjera vjen sot nga qyteti i Korçës.

Një nënë që ishte me dy fëmijë në park u shpreh: 'Pas shkëputjes nga shkolla sot është hera e parë që fëmijët dalin. Kanë një muaj që rrinë shtëpi. Po e shijojmë daljen se është edhe dita e Pashkëve, ke marrë edhe vezët, se jemi besimtarë ortodoksë. Shpresoj të kemi më shumë liri dalje se do të ishte mirë edhe pak. Për sot jemi shumë të kënaqur me këtë orar. Besojmë shumë në zot dhe shpresoj t'i kthehemi sa më shumë jetës normale. Fëmijët sot s'duan të ikin nga parku.'

Ndërkohë një tjetër nënë deklaroi: 'Kemi që në datë 11 mars që nuk dalin nga shtëpia me fëmijët. Sot mezi po prisnin që të dilnin, u zgjuan herët. Nëse do të kishte më shumë kohë do kishin mundësi fëmijët të hanë mëngjesin se sot i kemi nxjerrë kështu, pa ngrënë. Edhe sot i kemi marrë masat, duke u distancuar nga të tjerët. Vajzës që është më e madhe i thashë të mos përqafojë ndonjë shok apo shoqe që mund ta njohë.'

Ora 11:12
Në Berat bulevardi mbushet plot me nëna dhe fëmijë: Të kënaqur, por kjo të përsëritet të paktën dy herë në javë (VIDEO)

Dita e fëmijëve dhe nënave në Berat. Qyteti mëngjesin e sotëm ka qenë i mbushur plot më nëna dhe fëmijë, një ditë pasi pensionistët bënë të njëjtën gjë. Sot kjo kategori e qytetarëve dolën për të marrë ajër të pastër, me fëmijët që nuk i kursyen lojrat në lulishten e qytetit, sigurisht duke ruajtur distancën me njëri-tjetrin. Prindërit shprehen se janë  të kënaqur me vendimin e qeverisë, por shtojnë se kjo gjë është e nevojshme të përsëritet të paktën dy herë në javë.

Ora 10:50
Lungomarja dhe rrugët të mbushura plot, nënat dhe fëmijët në Vlorë shijojnë liri daljen (VIDEO)

Rrugët e Vlorës dhe sidomos lungomarja ditën e sotme ka qenë e mbushur plot me nëna dhe fëmijë të cilët kishin dalë të shëtisnin pas vendimit të qeverisë për t'i lejuar ta bëjnë diçka të tillë deri në orën 11. Nënë të shumta mbanin fëmijët përdore, ndërsa nuk mungonin as ata që ishin me karrocë. Dukej qartë se vendimi që kjo kategori të dalë shëtitje mëngjesin e sotëm ishte i duhuri pasi fëmijët shpesh vraponin si të ishte një ditë si gjithë të tjerat. Fati i keq i tyre ishte se sot dielli nuk shndriste si ditët e tjerë, ku të dilje në lungomare ishte bërë e parezistueshme.

Ora 10:49
Në Sarandë shëtitorja buzë detit e mbushur plot e përplot, nënat me fëmijë shfrytëzojnë liri daljen (VIDEO)

Nënat në Sarandë ashtu si në Fier dhe Shkodër, e ka shfrytëzuar në maksimum liri daljen me fëmijët deri në orën 11. Siç duket edhe nga pamjet shëtitorja buzë detit është e mbushur plot e përplot me fëmijë të shoqëruar nga nënat e tyre, të cilët me çiltërsinë e tyre vrapojnë sikur të mos ketë ndodhur asgjë.  

Ora 10:37
Gjallëria e fëmijëve mbush rrugët dhe parqet në Kukës (VIDEO)

Edhe Kukësi këtë të dielë është gjallëruar nga fëmijët. Rrugët dhe lulishtja kryesore e qytetit u mbush me fëmijë dhe nëna që pas më shumë se një muaji në shtëpi, po shijojnë lojërat me njëri-tjetrin dhe motin e mirë me diell. Megjithatë ka edhe lëvizje të qytetarëve të tjerë që nuk përfshihen në fashën e liri-daljes, siç janë baballarët apo gjyshet dhe gjyshërit.

Ora 10:11
Rrugët dhe parqet e Shkodrës të mbushura me fëmijë, nënat nuk i rezistojnë një loje me top (VIDEO)

Në Shkodër liri dalja me fëmijët është shfrytëzuar në maksimum nga nënat të cilët kanë mbushur rrugët dhe parqet e qytetit. Siç duket edhe nga videot gëzimi ka qenë shumë i madh, aq sa disa nëna nuk i kanë rezistuar tundimit për një lojë me top në parqe.

Sakaq në rrugë shumë nëna dallohen me fëmijët përdore dhe disa të tjera me karroca.

Ora 10:09
Nënat dhe fëmijët 'pushtojnë' qendrën e Fierit, të vegjlit të lumtur që dolën nga shtëpitë (VIDEO)

Nënat e fëmijëve nën 10 vjeç e kanë shfrytëzuar sot lejen për dalje në qytetin e Fierit. Së bashku me fëmijët e tyre ata populluan sot qendrën e qytetit dhe lulishtet, njëjtë siç bënë një ditë më parë pensionistët.

Fëmijët më së shumti ishin të kënaqur pasi prej një muaji nuk kishin dalë nga shtëpitë e tyre dhe sot gëzimin e shprehën duke luajtur e vrapuar.

Ora 09:07
VËZHGIMI i Report Tv: Sot Tirana nën gjallërinë e fëmijëve (FOTO-VIDEO)

Ky mëngjes i gjeti rrugët e Tiranës nën gjallërinë e fëmijëve, të cilët prej më shumë se një muaji qëndrojnë të mbyllur si masë parandaluese ndaj përhapjes së COVID-19.

Nëna me fëmijët e tyre të vegjël në karrocë, të tjerë përdore, e disa edhe me biçikleta. Disa nëna i sheh teksa lëvizin me maska, e të tjerë pa maska, por vihet re se gjithmonë ka përpjekje për të ruajtur distancën nga fëmijët e tjerë.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • populli: 19/04/2020 13:54

    Hiqni makinat te shijojme natyren tone te mrekullueshme.. Mjetet duhen te perdoren vetem ne rast nevoje dhe jo per te blere buke..

    Përgjigju
  • eli: 19/04/2020 11:40

    pamje te bukura dhe shpresoj qe kjo pandemi te na mesoj te shijojme aktivitetet e bukura dhe te thjeshta ne natyre.problemi eshte se shikon shume pak njerez me maska.ne nje kohe qe shtete te fuqishme si Kina,Italia,SHBA I kane maskat e detyruara ne ambjente publike.gjithashtu duhet te ndalohet urgjentisht shitja e maskave prej lecke qe prodhojne fasonet shqiptar sepse infektojne me shume njerezit.

    Përgjigju
  • Maloku Vlonjat i Malesise se Vlores: 19/04/2020 09:22

    Po ketej na Vlora apo ketej hiçe të rrime në shpella e mos dalime, pse vetem në kryeqytet?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin