TIRANË- Nga sot deri në 25 mars, nafta do të shitet me 233 lekë për litër, duke pësuar një rritje prej 12 lekësh krahasuar me një ditë më parë. Ndërkohë, rritje ka pësuar edhe çmimi i benzinës, ku nga 211 lekë që ishte, është bërë 218 lekë, teksa gazi nuk ndryshon, vijon të shitet me 93  lekë/litri.

Ky është vendimi që është marrë ditën e sotme nga Bordi i Administrimit të Karburanteve, i cili reflekton ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare. 

“Nafta: Çmimi në bursë në datë 22 Mars ka qenë 1,204 $/Ton, i cili është rritur me 231 $ nga datë 16 Mars 2022 kur ka qenë 973 $/Ton. Benzina : Çmimi në bursë në datë 22 Mars ka qenë 1,086 $/Ton, i cili është rritur me 113 $ nga datë 16 Mars kur ka qenë 973 $/Ton Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin  e përkohshëm  të çmimeve  të tregtimit  me shumicë/pakicë,  në datë 23 mars 2022, në mbledhjen e tij të radhës,  bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ, vendosi:

Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 227 lekë/litër,  dhe nënproduktit benzinë për periudhën 23 mars-25 mars 2022, të jetë 208 lekë/liter. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 23 mars -25 mars 2022,  të  jetë 233 lekë/litri. 

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228  për periudhën 23 mars-25 mars 2022,  të  jetë 218 lekë/litri. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz për periudhën 23 mars-25 mars 2022,  të jetë 93  lekë/litri. Vendimi i Bordit hyn në fuqi  dhe do reflektohet në datë 23 Mars", thuhet në vendim. 

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë, në të kundërtën do të ndëshkohet duke nisur nga gjoba nga 2 mln lekë për ato që tregojnë me pakicë deri në 10 mln lekë për shumicën, por edhe heqja license nëse shkelja është e përsëritur. 

Bordi i Administrimit të Karburanteve u ngrit pikërisht për të bërë transparent lëvizjen e çmimit të naftës në bursë e ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe shmangien e abuzimeve brenda tregut tonë me karburantet.

Lëvizja e çmimit të naftës në bursë ndodh me ritme të shpejta ku ndryshimi në këto tregje  do të reflektohet edhe me rritje në Shqipëri.  Sot paradite çmimi i naftës për fuçi ishte 117 dhe brenda 8 orëve ajo është rritur me më shumë se 4 lekë duke shkuar 121.76 dollarë.

Anëtarët e Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburanteve 

  1. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku
  2. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj
  3. Drejtori i drejtorisë së Tatimeve, Ceno Klosi
  4. Drejtori i drejtorisë së Doganave, Gent Gazheli
  5. 5 përfaqësues nga shoqërite e hidrokarbureve të cilat kanë xhiron vjetore më të lartë në vitin paraardhës