Sot nisi mësimi plotësues në shkolla, udhëzimi: Mësuesit të vaksinohen deri më 30 shtator! Kushi: Shfrytëzoni mundësinë për të nisur vitin me njohuri të rikuperuara

Sot, 1 shtator nisi mësimi plotësues në shkolla, për plotësimin e mangësive nga mësimi online, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar edhe udhëzimin me masat  anti-COVID që duhen respektuar.

Në zbatim të vendimit të Komitetit Teknik për vaksinimin me detyrim, mësuesit duhet të marrin vaksinën deri më 30 shtator. Nëse ka mësues që nuk mund të vaksinohet as pas 30 shtatorit duhet të paraqesë arsyetimin nga mjeku. Njëjtë si mësuesit, vaksinën duhet ta marrë i gjithë personeli i shkollave, sanitaret dhe rojet.

I njëjti detyrim vlen edhe për personelin që shërben në shkolla, sanitaret dhe rojet, që duhet të kenë marrë vaksinën kundër COVID deri më 30 shtator. Në të kundërt, po ashtu sikurse mësuesit, edhe ata do të duhet të paraqesin arsyet në rast mosvaksinimi.

Ndërkohë, mes rregullave të tjera të listuara nga ISHP, që duhet të respektohen në shkolla është edhe mbajtja e maskës me detyrim për çdo person gjatë qëndrimit në ambientet e shkollave. Në klasa, nxënësit duhet të qëndrojnë në një distancë 1.5 metra nga njëri-tjetri dhe ambientet duhet të ajrosen vazhdimisht. Nxënësve të ciklit të ulët u rekomandohet të mbajnë maskë gjatë orarit të mësimit, ndërsa nxënësit e ciklit të lartë duhet të mbajnë maskën në ambiente e brendshme në shkolla. Po ashtu, pavarësisht nëse janë vaksinuar apo jo, mbajtja e maskës në klasa, do të jetë e detyruar edhe për mësuesit.

Në ushëzimin e ISHP thuhet po ashtu se nuk do të lejohet që një nxënës të dali nga godina dhe të rikthehent përsëri në të, brenda ditës. Do të lejohet vetëm një hyrje dhe një dalje në ndërtesën e shkollës, ndërsa dalja nga ambientet e shkollës do të bëhet sipas rregullave duke ruajtur distancimin social dhe fizik, nën mbikëqyrjen e mësuesve kujdestarë.

Mësimi plotësues do të zgjasë deri më 24 shtator dhe më 27 shtator do të nisë zyrtarisht viti i ri shkollor.

Sot, shkollat e vendit janë mbushur sërish nga të qeshurat e pafajshme të fëmijëve, që janë rikthyer sërish në bankat e shkollës, me shpresën se duke u kujdesur maksimalisht për kushtet higjienikë, pandemia nuk do të përbëjë pengesë në procesin mësimor.

Të vegjlit e shoqëruar nga prindërit dhe më të rriturit duke kaluar kohë me shoqërinë që nuk kishin takuar prej kohësh, treguan për mikrofonat e Report Tv, se janë shumë të gëzuar që shkollat u hapën sërish dhe që do të zhvillohet kjo periudhë në të cilën do të kenë mundësinë të përforcojnë njohurit e tyre.

Përveç nxënësve që janë rikthyer në shkollë me dëshirën për të mësuar, një arsimtar nga Durrësi tregoi në një intervistë për Report Tv se edhe mësuesit janë të përgatitur për t’i pritur ata.

Një pikë e rëndësishme, ajo e zbatimit të masave anti-COVID, ishte në fokus edhe me prioritet, pasi që procesi të vazhdojë normalisht duhet që secili prej nxënësve dhe mësuesve të tregojnë kujdesin e nevojshëm.

Gjithçka shkoi siç duhej në ditën e parë të fazës së mësimit plotësues i cili do të zgjasë deri më 24 shtator.

( Kliko këtu ) Udhezimi per shkollat

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:20
Me maska dhe të shoqëruar nga prindërit, nxënësit në Elbasan rikthehen në shkollë: Do të mësojmë më mirë njohurit e vitit të kaluar

Me maska edhe të shoqëruar nga prindërit, nxënësit në qarkun e Elbasanit i janë rikthyer klasave për të marrë pjesë në mësimin plotësues.

Ata janë shprehur shumë të lumtur që i është dhënë mundësia të përsërisin me mësuesit njohurit e marra vitin e kaluar, një vit i ndikuar në çdo kuptim nga pandemia.

“Shkollat duhet të ishin hapur edhe më herët, pasi ky vit ishte shumë i ngarkuar për ne, sepse ishte edhe COVID-19.”, tha një vajzë për Report Tv.

Një tjetër tregoi se ka ardhur me shumë dëshirë në shkollë, pasi aty mëson gjera të reja dh se ky vendim i ri është marrë që nxënësit të përforcojnë njohurit e vitit të kaluar.

“Kam ardhur me dëshirë, pasi shkolla në fund të fundit është një vend që secili mund të mësojë njohuri të reja. Ky vendim ka ardhur që ne të mësojmë më mirë njohurit e vitit të kaluar”, tha ajo.

Ora 12:05
Të qeshurat e nxënësve mbushin klasat në Lezhë, rikthehen në banka për të rikujtuar njohurit e vitit të kaluar

Këtë të hënë, klasat në Lezhë janë mbushur me të qeshurat e nxënësve që janë rikthyer sërish në shkollë, pas një kohe të gjatë për shkak të pandemisë.

Masat anti-COVID kanë qenë një prioritet për nxënës dhe mësues në një kohë kur edhe varianti delta është shndërruar në një shqetësim.

Disa prej nxënësve, duke folur për mikrofonin e Report Tv, treguar se janë shumë të lumtur që u kthyen në shkollë sërish dhe se kjo periudhë në të cilën do të përsërisin njohurit është shumë e nevojshme.

“Bëmë mësim, e kishim shumë të nevojshme këtë përsëritje.”, tha një nxënës.

“Sot ishte dita e parë e shkollës. Ja kaluam shumë bukur, bëmë të gjithë lëndët e rëndësishme, gjuhë, matematik dhe anglisht. Kishin të gjithë maskat.”, u shpreh një vajzë.

Ora 11:52
Viti i ri shkollor ndryshe nga çdo herë, nxënësit në klasa për të përforcuar njohurit, mësuesi nga Durrësi: Jemi të përgatitur për procesin

Ky vit i ri shkollor nuk ngjason me asnjë të mëparshëm. Ky do të jetë shtatori që do t’i dedikohet plotësisht përsëritjes së njohurive nga viti i kaluar, si pasojë që la mësimi online te nxënësit nga pandemia e COVID-19.

Si çdo rreth edhe në atë të Durrësit, mësimi plotësues për nxënësit ka nisur mëngjesin e sotëm.

Duke folur për Report Tv, një nga mësuesit e njërës prej shkollave në Durrës tregoi se kjo do të jetë një fazë ku nxënësit do të përforcojnë njohurit e marra përgjatë vitit të kaluar. Ai tha se mesësit janë trajnuar dhe janë gati për të nisur këtë vit shkollor.

“Ky 1 shtator ndryshe nga vitet e kaluar, pasi fillon me një përforcim të njohurive nga viti i kaluar për arsye të mungesave si pasojë e mësimit online nga pandemisë, Për fillimit e procesit mësimor, ministrja e Arsimit ka marrë të gjitha masat që mësuesit të kenë një program orientues për lëndët. Kanë ardhur të përgatitur me plane dhe programe. Si fillim ishte nga 1-10 shtator, por u pa e arsyeshme të shtyhej deri më 27 shtator. Kjo do të jetë faza përgatitore”, tha ai.

Ora 11:30
Pas shiut del ylberi në Thumanë, ‘lind’ sërish jeta! Hap dyert shkolla e rindërtuar pas tërmetit, nxënësit: Jemi shumë të gëzuar po përsërisim njohurit

Në një vend ku “tërmeti” la pasojat më të rënda duke marrë edhe jetë njerëzish, Thumanën, sot ka “lindur jeta” dhe nxënësit po i rikthehen mësimit për të vazhduar përpara, në shkollën e re të rindërtuar në zonë.

Sot 400 nxënës të fshatit, do të rifillojnë mësimin për të rikuperuar njohurit e humbura gjatë vitit të kaluar kur pandemia e COVID-19 “goditi’ vendin.

Rrethi i Krujës, ishte ndër më të prekurit sa i përket tërmetit dhe pandemisë, 2 ngjarjet që ndikuan në jetën e të gjithë dhe në veçanti të nxënësve, të cilët janë detyruar të sakrifikojnë duke zhvilluar mësimin me 3 turne.

Pavarësisht sprovave sot Thumana ka një hije tjetër!

Duke folur për Report Tv, Drin Masha, përfaqësuese i zyrës së marrëdhënieve me publikun në Bashkinë e Krujës, tregoi se Thumana është shembulli më i bukur, se pas vështirësisë “lind jeta”.

Ai tregoi lidhur me investimet e kryera deri më tani në arsim si dhe ato që pritet të marrin jetë së shpejti brenda muajit shtator.

“Nga Thumana kemi mesazhin më të mirë dhe më të bukur për gjithë nxënësit që sot janë ulur në bankat shkollore. Sot nis mësimi përsëritës i mësimit dhe kurrikulës për shkak kushteve që pandemia imponoi në realizimin e orocesit arsimor. Kjo është edhe një fazë mirëpërgatitore, për të nxjerr të gjithë shënimet dhe për të përmirësuar cilësinë sidomos infrastrukturën. Kemi fatin e mirë që në Bashkinë tonë po rikonstruktohen 10 shkolla të eja, ndër të cilat 3 hapen brenda muajit shtator. Ato ofrojnë standarte shumë të mira, të ngjashme me ato të fëmijëve në vende të tjera. Shembull i bukur dhe i mirë është pikërisht Thumana, këtu ku ndodhemi sot ku kuptojmë që gati 1 vit e gjysmë më parë ndodhi tragjedia më e madhe ndërsa sot është një shembull i bukur i rivatalizimit, duke na treguar se jeta është ajo që vazhdon dhe që fiton gjithmonë.”, u shpreh ai.

Të gëzuar për vitin e ri shkollor, nxënës të shkollës së re treguan se si pritën mësimin plotësues.

“Ne jemi shumë të gëzuar që filloi shkolla dhe që jemi në këtë shkollë të re. Po përsërisim mësimet e klasës 5, do të hymë në të gjashtën.”, thanë dy vajza.  

“Më pëlqen shumë kjo shkolla e re, jam i lumtur që jam këtu. Urojë të gjithë shokët e mi edhe veten”, u shpreh një tjetër.

Ora 10:40
Me maska dhe matje temperature, shkollat në Shkodër hapin dyert! Drejtoresha e DAR: Masat janë marrë, nis mësimi plotësues

Shkollat parauniversitare kanë hapur dyert sot edhe në Bashkinë Shkodër.

Me maska të vëmë dhe me matjen e temperaturës ka qenë pamja që është ofruar në dyert e shkollave në nisje të këtij viti.

Drejtoresha e DAR Shkodër Sindis Sulja, në një interviste për mediat është shprehur se ka nisur procesi plotësues në shkollat e Shkodres nderkohe qe ky vit vjen me risi me mësimin plotësues, regjistrimin ne e-albania për klasat e para, por edhe me shpërndarjen e librave falas.

“Duke inspektuar shkollën e parë kemi konstatuar se të gjitha masat janë marrë. Shkolla e dytë është shkolla Xheladin Fishta në të cilën po bëjmë startin e hapjes së vitit të ri shkollor me programin udhëzues që ka ardhur ministria. Në 2 risitë themelore të arsimit këtë vit janë mësimi plotësues dhe shpërndarja e librave falas në të cilën do vazhdojmë rekrutimin në ditët në vazhdim, dhe pjesa tjetër është regjistrimi i fëmijëve të klasave të para në e Albania dhe klasave të 10 në bazë të vendbanimeve që kanë fëmijët. Unë u uroj suksese ka pasur pjesëmarrje të madhe jo të pritshme. Shpresojmë që me 27 të fillojmë një proces të mbarë pas një viti që lamë pas nga pandemia”, tha ajo.

Për mësuesit dita e parë e mësimit plotësues ka qene surprizues dhe janë te bindur se këto 3 jave do të shërbejnë për marrjen e dijeve dhe nisjen me sukses të vitit te ri shkollore me 27 Shtator.

 

Ora 10:34
Rikthehen në bankat e shkollës për të rikuperuar njohuritë, nxënësit në Fier për Report Tv: Mësimi plotësues domosdoshmëri

Sot, më 1 shtator si të gjithë nxënësit e Shqipërisë edhe ata të Fierit i janë rikthyer bankave të shkollës për të plotësimin e mangësive nga viti i kaluar i cili u zhvillua online për shkak të COVID-19.

Mësimi plotësues është pritur shumë mirë nga nxënësit e shkollave në Fier, të cilët u shprehen të kënaqur, duke shpjeguar se një vendim i tillë ishte i duhuri.

“Që nga viti i kaluar e kemi bërë mësimin online dhe ky vendim është shumë i pozitiv pasi kemi shumë mungesa në mësime.”, tha një prej nxënësve.

Një tjetër e cila foli për mikrofonin e Report Tv, tregoi se kjo ishte një domosdoshmëri për të marrë njohurit e nevojshme.

“Jemi shumë gëzuar që iu rikthyen shkollës, kjo është shumë e domosdoshme për në, për të marrë njohuri për të ardhmen tonë.”, tha ajo.

Ora 09:06
Nis mësimi plotësues, Kushi jep mesazhin për nxënës e prindër: Shfrytëzoni mundësinë për të nisur vitin me njohuri të rikuperuara

Me rastin e fillimit të  mësimit plotësues Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi u është drejtuar nxënësve, mësuesve dhe prindërve me anë të një mesazhi të publikuar në rrjete sociale.

Duke iu drejtuar nxënësve ajo thekson se të gjitha shkollat janë gati për mësimin plotësues, i cili u vlerësua nga ekspertët, mësuesit dhe prindërit si një nevojë, sidomos për nxënësit në zonat e riskut në kohën e kulmit të pandemisë, ku mësimi online zgjati më shumë se në zonat e tjera të vendit.

"Për këtë periudhë shkollat tuaja kanë përgatitur një program gjithëpërfshirës, që përveç përsëritjes apo përforcimit të njohurive, përmban edhe aktivitete argëtuese dhe sportive. Prandaj shfrytëzojeni këtë mundësi sepse kjo do t’ju ndihmojë që të jeni sa më të përgatitur dhe ta nisni vitin e ri shkollor me njohuri të rikuperuara, e mbi të gjitha, me dëshirë e pasion për të mësuar akoma më shumë," shton Ministrja Kushi.

Në rreshtat e shkruar për këtë ditë, Kushi shprehet se puna, bashkëpunimi dhe solidariteti që kanë treguar, ka ndihmuar shumë në punën e përbashkët përgjatë vitit të vështirë që kaloi.

"Do të kërkoja nga ju që të tregonit të njëjtin përkushtim edhe në këtë periudhë të mësimit plotësues, që së bashku të bëjmë më të mirën për fëmijët tanë", shkruan ajo.

Në përfundim të mesazhit Ministrja Kushi u ka rikujtuar të gjithëve që të mos harrojnë kujdesin dhe vëmendjen ndaj rregullave anti-COVID, për të ruajtur shëndetin dhe të afërmit.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje