Deputetët rikthehen sot në orën 17:00 në Kuvend për nisjen e sesionit të ri parlamentar, i cili që në ditën e parë pritet të shoqërohet me debate mes mazhorancës dhe opozitës.

Para seancës plenare, përplasjet nisën në Konferencën e Kryetarëve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ngriti çështjen e pagave në sistemin e drejtësisë, duke bërë përgjegjës Kuvendin për situatën e krijuar. Sipas tij, kriza në gjykata është pasojë e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.

“Sot gjykatat janë në kolaps pikërisht sepse ju nuk respektoni Kushtetutën. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe ju nuk merreni me atë çështje. Pasojat janë se gjyqtarët janë pa paga dhe sot gjykatat janë në krizë. Përgjegjës është Kuvendi, i cili nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.

Përgjigjja erdhi nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili tha se socialistët e kanë respektuar vendimin e Kushtetueses dhe kanë depozituar projektligjin që adreson çështjen e pagave. Pas Konferencës së Kryetarëve, Balla njoftoi se nisma e dy deputetëve socialistë do të shqyrtohet me prioritet dhe është parashikuar të kalojë për miratim më 17 shtator. Sipas tij, përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit dhe jo e gjykatave.

“Projektligji është depozituar brenda afatit të caktuar nga Kushtetuesja dhe do të shqyrtohet me prioritet. Kemi parashikuar shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në datën 17 shtator. Si qytetar mendoj se, në një shtet demokratik, me ndarje të pushteteve, kompetenca për caktimin e pagave është vetëm e Kuvendit. Prisni të flasë Kuvendi”, tha Balla.

Dy deputetet demokrate, Jorida Tabaku dhe Ina Zhupa, i bënë thirrje mazhorancës që të tërhiqet nga reforma territoriale e njëanshme.

“Nuk mund të ketë reformë territoriale të njëanshme, nuk mund të ketë reformë zgjedhore të njëanshme, ndryshe ky Kuvend nuk mund të quhet Kuvend i shqiptarëve”, tha Tabaku.

“Një reformë territoriale, që të jetë e suksesshme, kërkon konsensus dhe gjithëpërfshirje. Ju e bëtë këtë edhe në vitin 2014 dhe unë e di shumë mirë se çfarë pasojash solli. Gjithçka që sollët ishte rrënim”, tha Ina Zhupa.

Në seancën e pasdites pritet të votohet edhe dekreti i Presidentit Bajram Begaj për emërimin e Klodiana Spahiut ministre të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas dorëheqjes së Evis Salës.

Fjala e parë në seancë i takon kryeparlamentarit Niko Peleshi. Më tej, rendi i ditës përfshin vetëm çeljen e punimeve. Ende nuk dihet nëse kryetarët e grupeve parlamentare do të mbajnë një fjalë.

Nuk dihet nëse kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm, ndërsa do të mungojë kreu i opozitës, Sali Berisha, i cili ka udhëtuar për në Konventën e Republikanëve në Shtetet e Bashkuara.

Sesioni i ri do të rikthejë para Kuvendit edhe Revolucionin e Flamingove. Qytetarët që protestojnë në shesh prej afro 100 ditësh kanë paralajmëruar se do t’i presin me protesta deputetët, ndaj policisë i duhet sërish të krijojë perimetrin që ligjvënësit të kalojnë të sigurt.

Lajm ne perditesim...

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:29
Balla: Reforma territoriale dhe zgjedhore, prioritetet e PS! Të përgatitemi në kohë për vendoret 2027

1788863107_taulantballa.JPG

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se reforma territoriale dhe ajo zgjedhore do të jenë dy nga prioritetet kryesore të mazhorancës në sesionin e ri parlamentar.

“Themeli i punës për këtë shumicë është miratimi i reformës territoriale dhe miratimi i një reforme zgjedhore që të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, për të garantuar në kohë marrjen e masave për zgjedhjet vendore të 2027-s”, tha Balla.

Ora 12:21
Pagat e drejtësisë/ Balla: Kompetenca për t’i caktuar i takon vetëm Kuvendit, pr.ligji kalon për miratim më 17 shtator

1788863055_taulantballa.JPG

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve se projektligji i dy deputetëve socialistë që adreson vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve do të shqyrtohet dhe do të kalojë për miratim më 17 shtator. Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, Balla tha se projektligji është depozituar brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja, ndërsa theksoi se në një shtet demokratik kompetenca për përcaktimin e pagave i takon Kuvendit.

“Në Kuvend ka 140 deputetë, por vetëm 2 deputetë të PS-së kanë dorëzuar një projektligj që adreson vendimin e Kushtetueses. Kështu po e ushtrojmë përgjegjësinë që na takon. Kemi parashikuar shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në datën 17 shtator.

Në demokraci, secili ka këndvështrimin e vet, jurisprudenca nuk është ekzakte. Projektligji është depozituar brenda afatit të caktuar nga Kushtetuesja dhe do të shqyrtohet me prioritet. Është një projektligj që nuk shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar.

Atyre që iu djeg barku, që kur iu teket shkojnë e shajnë me libër shtëpie prokurorë dhe gjyqtarë dhe sot mendojnë se duhet të mbështesin pagat e gjyqtarëve... Si qytetar mendoj se, në një shtet demokratik, me ndarje të pushteteve, kompetenca për caktimin e pagave është vetëm e Kuvendit. Prisni të flasë Kuvendi”, tha Balla.

Ora 11:58
Pagat e drejtësisë/ Balla i përgjigjet Bardhit: I përcakton Kuvendi! Ne nuk protestojmë si ju kundër gjykatave

1788861698_taulantballa.jpeg

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, iu përgjigj Gazment Bardhit për ngërçin e pagave në sistemin e drejtësisë, duke deklaruar se mazhoranca e ka respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në Konferencën e Kryetarëve, Balla tha se PS ka depozituar projektligjin që adreson këtë çështje, ndërsa theksoi se përcaktimi i nivelit të pagave është kompetencë e Parlamentit dhe jo e gjykatave.

“Ne kemi respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kemi ushtruar të drejtën tonë kushtetuese për të propozuar ligjin përkatës. Ky krah i Kuvendit nuk ka vënë asnjëherë në diskutim vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo të gjykatave të tjera”, u shpreh Balla.

Duke iu drejtuar opozitës, Balla tha se socialistët nuk protestojnë kundër gjykatave dhe respektojnë vendimet e Kushtetueses. Ai nënvizoi se në botën demokratike përcaktimi i nivelit të pagave është kompetencë ekskluzive e Parlamentit dhe se respektimi i parimit të ndarjes së pushteteve mbetet thelbësor për funksionimin e shtetit ligjor.

Ora 11:35
Tabaku në Konferencën e Kryetarëve: Përcaktoni prioritetet e integrimit, PS nuk e do anëtarësimin! Hiqni dorë nga reforma territoriale e njëanshme

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, akuzoi mazhorancën se po nis sesionin e ri parlamentar pa përcaktuar ligjet prioritare që lidhen me procesin e integrimit europian. Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Tabaku kërkoi që lista e ligjeve të integrimit të ndahet me opozitën, ndërsa i bëri thirrje PS-së të heqë dorë nga miratimi i njëanshëm i reformave territoriale dhe zgjedhore.

“Po nisni një sesion ku nuk përcaktohen ligjet për integrimin. A ju duket sikur jeni një kuvend që po punon për integrimin? Po jua them këtu një kërkesë të bërë para një viti: ndajeni me opozitën listën e ligjeve të integrimit. Integrimi do të duhet të jetë një proces transparent. Nuk mund ta trajtoni Kuvendin si pronë. Pastaj na thoni neve se nuk punojmë për integrimin? Ju nuk jeni serioz dhe këtë proces po e trajtoni si të tillë.

Kam edhe një thirrje tjetër: hiqni dorë nga kalimi i nismave të rëndësishme në mënyrë të njëanshme. Nuk mund të ketë reformë territoriale të njëanshme, nuk mund të ketë reformë zgjedhore të njëanshme ndryshe ky kuvend nuk mund të quhet kuvend i shqiptarëve”, tha Tabaku.

Ora 11:29
Ngërçi me pagat e magjistratëve, Bardhi i drejtohet Peleshit: Zbatoni vendimin e Kushtetueses, gjykatat në kolaps për fajin tuaj

1788546252_gazmentbardhi.jpeg

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka ngritur në Konferencën e Kryetarëve çështjen e pagave të drejtësisë. Bardhi i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi duke i thënë se nuk respektojnë Kushtetutën dhe se sot gjykatat janë në krizë pikërisht se nuk u zbatua vendimi i Gjykatës Kushtetuese për një formulë të re për llogaritjen e pagave të magjistratëve.

“Sot gjykatat janë në kolaps pikërisht sepse ju nuk respektoni Kushtetutën. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe ju nuk merreni me atë çështje. Për ju nuk ka rëndësi Kushtetuta. Ka një vendim të Këshillit të Legjislacionit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ju nuk veproni. Pasojat janë se gjyqtarët janë pa paga dhe sot gjykatat janë në krizë. Përgjegjës është Kuvendi, i cili nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Gazment Bardhi.

Bardhi akuzoi Peleshin se e mbylli sesionin parlamentar duke shkelur kushtetutën dhe e nisi po njësoj.

"Ju jeni kryetari i Kuvendit i vetmi në histori që konsideroni më të rëndësishëm zbatimin e një akti qeveritar sesa Kushtetutën. Në hierarkinë e normave ju nuk vendosni Kushtetutën e Shqipërisë, por urdhrat e Këshillit të Ministrave. Na folët këtu se si do të jetë sesioni i ri parlamentar, por ju po e nisni këtë sesion duke shkelur Kushtetutën. E mbyllët sesionin e kaluar duke shkelur Kushtetutën, tani po e nisni me shkelje kushtetuese. Do të duhej që ky Kuvend ta niste sesionin dje. Po ju nuk jeni serioz, nuk e njihni Kushtetutën."

Ora 09:03
Begaj dekreton dorëheqjen e Evis Salës dhe emërimin e Klodiana Spahiut si ministre Shëndetësie

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar dorëheqjen e Evis Salës dhe emërimin e Klodiana Spahiut si ministre Shëndetësie.

Dekreti i kalon sot seancës plenare për votim dhe më pas Spahiu do duhet të betohet para Presidentit për të nisur detyrën.