Kuvendi miraton marrëveshjen me Pfizer, Rama: Mund të porositim sasi të tjera! Tre skenarët e vaksinimit, gjithçka për përfundimin brenda 14 muajve!(VIDEO)

Ditën e sotme (18 janar) Kuvendi i Shqipërisë ka filluar sesionin e ri parlamentar, që është edhe i fundit i kësaj legjislature. Parlamenti miratoi me 94 vota tre aktet normative për sigurimin e vaksinës anti covid. Kryeministri Edi Rama tha se procesi i vaksinimit synohet të mbyllet brenda 14 muajve dhe zbuloi se sapo është firmosur marrëveshja me Pfizer për 500 mijë dozat e para.

Në fjalën e tij hyrëse të seancës së sotme, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se ky Kuvend ka punuar në situatë të vështirë, duke iu referuar edhe braktisjes që i bëri opozita Kuvendit.

Disa minuta para se të niste fjalën në Kuvend, kryeministri Edi Rama firmosi marrëveshjen me kompaninë Pfizer, për vaksinat anti-Covid. Marrëveshja me Pfizer u mbajt e fshehtë, por kryeministri Rama tha se ka lënë hapësirë edhe për marrëveshje të tjera me vaksinat që pritet të marrin miratimin në nivel europian si ajo AstraZeneca. Për të hequr cdo dyshim, kryeministri paralajmëroi se mbërritja e dozave të tjera të vaksinës do jetë tërësisht transparente.  

Kërkesa e dy deputetëve Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni për bërjen transparencë për marrëveshjen nuk mjaftoi pasi 94 ligjvënës të tjerë votuan pro 3 akteve normative për marrëveshjen Pfizer, pa ditur sa doza vaksinash anti-covid do të marrim dhe sa do të kushtojë.

VIDEO/Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:57
‘Bëri ujë në vend të vaksinës’, Rama ironizon: Analizë e nivelit të lartë për ne njerëzit e zakonshëm (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj me ironi komenteve të analistëve se ai nuk injektoi vaksinën Pfizer Anti-Covid, por ujë fiziologjik, duke thënë se nuk mund të merret dot me këto analiza të nivelit të lartë. Rama premtoi se kur të shkojë për të marrë dozën e dytë të vaksinës, do të bëjë publike edhe antitrupat që ka krijuar nga doza e parë.

“Është shumë e rëndësishme të kemi parasysh se vaksinimi ka dy efekte të menjëhershme, efekti i drejtpërdrejtë te personi që vaksinohet dhe tjetri është këputja e zinxhirit të transmetimit të infeksionit. Në momentin që kompania do të bëjë furnizimin e parë për të sjellë 10700 vaksinat e para në Shqipëri, ne do të ndjekim të njëjtin proces si në të gjitha vendet e tjera, për të hequr cdo sekëlldi të krijuar nga gjithëfarlloj tra-la-lash. Sidoqoftë, në momentin kur pjesa që ka bërë vaksinën do duhet të rikthehet për të marrë dozën tjetër, cilido që është i gatshëm, unë po, të bëjë një transparencë mbi antitrupat, për të parë që realisht vaksina është marrë ajo që thuhet dhe ka bërë të gjithë efektin e parashikuar. Është e rëndësishme, meqë kam parë dhe analistë e opinionistë të rangut të lartë që kanë hedhur idenë se jam injektuar me ujë biologjik, ky është një nivel analize shumë i lartë për ne njerëzit e zakonshëm, por iu duhet dhënë mundësia atyre që i ndjekin këta analistë, të mësojnë të vërtetën”, tha Rama.

Ora 18:55
Skandali ‘Tire' te COVID-2/ Rama: Harbutëri dhe babëzi! Qytetarët të mos heshtin, por të denoncojnë abuzimet e tilla (VIDEO)

Pas skandalit të 'Tires' te Shefqet Ndroqi, kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë raste të tilla, për t'i dhënë fund abuzimeve të tilla.

"E mira nuk ka fund, ka patjetër probleme për të zgjidhur në kohë reale, ka patjetër çështje për të adresuar, ka patjetër momente të trishtueshme, sic ishte momenti i shfaqjes së një harbutërie dhe babëzie të pashembullt nga një personazh që ishte vërtet i neveritshëm në Spitalin Shefqet Ndroqi, por nga ana tjetër, aq sa i trishtueshëm, aq edhe pozitive ishte që një qytetare denoncoi, që një media investigative e mbështeti qytetaren dhe i shkoi deri në fund, që ajo është pas hekurave dhe që mesazhi u dha qartë.

 Ne jemi në gatishmëri të plotë për të bërë atë që na takon dhe për të reaguar ashtu si duhet ndaj çdo shfaqjeje negative, sidomos në sistemin tonë shëndetësor. Qytetarët të mos heshtin, të mos struken, të mos tërhiqen, dhe të denoncojnë cdo rast të cfarëdo niveli abuzimi. Mbase raste të një shëmtime të tillë mund të mos jenë të përditshme, por në të përditshmen edhe një vonesë e shkaktuar për pak lekë, është abuzim. Është e patolerueshme që një numër, që është një pakicë e pakicës, në sistemin tonë shëndetësor, të njollosë e përdhosë bluzat e bardha, sakrificat e atyre që edhe jetën e humbën në këtë luftë për të shpëtuar jetë. Është e patolerueshme që kushdo që bie pre e këtyre abuzimeve të heshtë”, u shpreh Rama.

Ora 18:48
94 vota pro/ Kuvendi miraton me shumicë votash marrëveshjet për vaksinat anti-COVID

Kuvendi miraton Aktin Normativ për marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin me vaksinën Pfizer. 3 aktet normative kanë marrë 94 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim.

Akti normativ 1
Akt Normativ nr. 38, datë 31.12.2020 “Për dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit e vaksinës Anticovid-19 të cilët janë të çertifikuar nga Departamenti Amerikan i Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe/ose Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me këtë vaksinë”.

Akti normativ 2
Akt normativ nr. 1, datë 10.1.2021 “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes, për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik, dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anti-covid-19 në Republikën e Shqipërisë si dhe përdorimin e tyre në popullatë”.

Aki normativ 3
Akt Normativ nr. 3, datë 18.01.2021 “Për miratimin e marrëveshjes të nënshkruar për “Prodhimin dhe furnizimin ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik”.

94 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim

Ora 18:21
Rama sulmon sërish BE për vaksinën, vlerëson marrëveshjen me Pfizer: Kemi mundësinë për të porositur direkt edhe sasi të tjera (VIDEO)

Në fjalën e tij në Kuvend, Rama sulmoi edhe njëherë Bashkimin Europian për çështjen e vaksinës antiCovid, ku tha se BE nuk pa përtej vetvetes në këtë proces të rëndësishëm, në këtë moment të pandemisë, dhe i la vendet e Ballkanit vetëm në mundësinë e arritjes së marrëveshjeve dypalëshe me kompanitë që kanë krijuar vaksinën.

“Besoj se e keni ndjekur deklarimin e OBSH që foli me shqetësim për katastrofën morale në nivel global për shkak të mosgarantimit të barazisë së aksesit në vaksinim. Kjo është një temë që për ne që jetojmë në mes të Evropës në një rajon që nuk janë pjesë e BE nuk është e panjohur. Për fat të keq në konceptin e planifikimit të marrjes së aksesit në vaksinim përmes Pfizer, BE nuk pa përtej kufijve të vetvetes dhe e la fatin e vaksinimit të njerëzve në rajonin tonë në atë që u quajt për mundësi për marrëveshje bilaterale gjë që ka bërë që sot që përveç Shqipërisë dhe Serbisë, asnjë vend nuk ka nisur me vaksinimin” u shpreh Rama.

Rama tha se në marrëveshjen me Pfizer që do të miratohet në Kuvend është parashikuar edhe mundësia për të porositur sasi të tjera vaksinash direkt në kompani.

"Për fat të keq në konceptin e  planifikimit të marrjes së aksesit në vaksinim përmes Pfizer, BE nuk pa përtej kufijve të vetvetes dhe faktikisht e la fatin e vaksinimit të rajonit të Ballkanit në atë që u quajt mundësi për marrëveshje bilaterale. Përjashto Serbinë dhe Shqipërinë asnjë nuk ka filluar vaksinimin. Të gjitha vendet e rajonit prej kohësh kanë parapaguar për të pasur akses përmes COVAX, një platformë për të gjithë por që ende nuk është hapur. Ende nuk ka filluar furnizimi përmes COVAX.

Ne e kemi ndeshur në vet të parë vështirësinë. Ka një element që duhet pasur parasysh që vendet për të bërë marrëveshje me njëra-tjetrën, qoftë për të dhuruar, shitur apo shkëmbyer duhet patjetër që të marrin leje nga Pfizer. Ndryshe ky transaksion është i pamundur. Kështu shkruhet edhe në marrëveshjen që ne sapo kemi konkluduar.  Sipas marrëveshjes në parim do të vijë brenda janarit dhe pastaj shkallë shkallë mund të porosisim sasi të tjera edhe drejpërdrejt nga Pfizer, mëqe e kemi dakorduar edhe në marrëveshje.  Ky është një proces që ka të papriturat e veta", tha Rama, i cili nënvizioi se objektivi është përfundimi i vaksinimit për 14 muaj.

Ora 18:18
Rama: I kemi lënë hapësirë vetes të negociojmë edhe me kompani të tjera, jo vetëm për vaksinë Pfizer! Çmimi i vaksinave, i njëjtë për të gjithë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama foli nga Kuvendi ku tha se Shqipëria ka një marrëveshje me Pfizer për të aksesuar 500 mijë doza, por që i ka lënë  hapësirë vetes që në kohën e duhur mund të kryej edhe marrëveshje të tjera me vaksinat që pritet të marrin miratimin në nivel europian si ajo AstraZeneca. Për këtë tha Rama nuk u pa e arsyeshme që të merrnin të gjitha sasitë që duheshin menjëherë, ndërsa sa për çmimin e saj tha se vaksina ka çmim fiks për të gjitha vendet e botës dhe kjo është e panegociueshme.

“Pfizer për 500 mijë doza dhe në kontratën e nënshkruar pak më parë pas një negociate jo të lehta është marrë parasysh edhe nevoja potenciale e mëtejshme, sepse qëllimi ynë ka qenë që të sigurojmë fillimisht një sasi vaksinash për një pjesë të procesit të vaksinimit duke pasur parasysh raportin e sasisë me kalendarin e planit kombëtar të vaksinimit dhe duke mos harruar se ndërkohë janë një sërë vaksinash të tjera qoftë ato që tani më presin me ditë apo qoftë vaksina AstraZeneca që është aprovuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe pret aprovimin në nivelin Evropian qoftë edhe vaksinat që janë në dalje e sipër. Është shumë e rëndësishme të kihet kjo parasysh pasi do të ishte e nxituar që të merrnin të gjithë sasinë e nevojshme të vaksinave menjëherë  duke pasur parasysh edhe çmimin që është fiks dhe i panegociueshëm për asnjë nga vendet. Pra nga njëra anë ne kemi siguruar marrëveshje me Pfizer për doza të mëtejshme nëse kështu do të gjykohet në vijim dhe nga ana tjetër i kemi lënë vetes hapësirë për të bërë marrëveshjet  e duhur në kohën e duhur për negociata të tjera”, tha Rama.

Ora 17:40
Largimet nga LSI, Murrizi: Më vjen për të vjellë, e njëjta estradë për 30 vjet! Miratimi sekret i marrëveshjes Pfzier u shton oreksin kompanive të tjera (VIDEO)

Kreu i grupit parlamentar demokrat në Kuvend, Myslim Murrizi tha se largimet e LSI drejt PS është një estradë që ka 30 vite që luhet në kurrizi të shqiptarëve, ndërsa shtoi se nga ko ‘merkato e dimrit’ i vjen për të vjellë. 

“Ishte gallatë estrada e 4 viteve të fundit, ku gjoja pamë një betejë 3D mes PS dhe LSI, fushatë me autobus ku kërkohej vetëm timoni e tepsia pavarësisht se LSI i kishte lidhur duart qeverisë. Këto ditë po shohim një merkato dimri të lezeçme të ish-ministrave të LSI që po ftohen një e nga një në sofrën e partisë së virgjër me të cilën qeverisën njëherë pas marrëveshjes së qelbur të 1 prillit. Duke e parë këtë si njeri që kam qënë 30 vite në politike, kam qënë në politike dhe unë po s’kam përfituar asnjë lekë, asnjë koncension, po e shikoj se si po bëhet beteja false dhe hipokrite 3D. Lefteri ka kohë që është me ju, Nasipin e ftuat në dasmë me video 3D, Silvën e ka ftuar Ervini sot, ka ngel pa punë veç Pec Vasili, një Mond e siguruat në Presidencë, një tjetër thuhet se do ikë sërish. Kjo është një marrëveshje e madhe mes dy tufa hajdutësh, të palaçove të politikës në kurriz të shqiptarëve. Cili ministër ka ngel pa ftuar nga aleanca juaj e 4 viteve më parë? Cili ka ngelur pa ftuar në partinë tuaj të virgjër? 30 vite e njëjta estradë, të njëjtët aktorë, të njëjtët grykës. Besoj se edhe deputetë të nderuar të PS që s’kanë gisht në afera, që kanë ardhur këtu me dinjitet, ndjehen të kërcënuar nga lukunia e hajdutëve të shpallur nga këta këtu në 2017. Më vjen për të vjellë kur kujtoj se çfarë keni thënë për këta ministra që sot i fusni ca me kokë e ca me të ndenjura në partinë tuaj”,- tha Murrizi.

Në lidhje me miratimin dhe mbajtje sekret të marrëveshjes së vaksinave lidhur me Pfizer, deputeti Myslim Murrizi tha se shpreson se kjo të mos u shtojë oreksin kompanive të tjera.

“Por nëse për kapriçot e kryeministrit të Nusretit me një kompani private siç është Pfizer atëherë do u shtoj oreksin të gjithëve kompanive për të ratifikuar në këtë kuvend marrëveshje sekrete. Shteti që është bërë bamirës ndoshta mund t’ia kërkojë këtë shqiptarëve, ndaj ftoj mazhorancën dhe drejtuesit e pajisur me dokument sigurie të marr informacion në komisione mbi marrëveshjen e miratuar sot në kuvend”, tha Murrizi   

Ora 17:35
Propozohen nga Qeveria tre akte normative për COVID-19, debat Ruçi-Gjoni-Hajdari për transparencën (VIDEO)

Në seancë e sotme, kryetari i Kuvendit ka paralajmëruar se do të votohen  tre akte normative në Parlament të propozuara nga Qeveria, nga këto marrëveshja me vendin që ka sjellë për vaksinat dhe tjetra për dhënie e autorizimit Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrin e shtetit për rindërtim me prodhuesit e vaksinave që janë certifikuar nga SHBA dhe BE.

Por në një reagim deputeti Ralf Gjoni ka kërkuar transparencë për këto akte.

"Duhet të bëhen të ditura tekstet e akteve normave, nuk kemi asnjë tekst të dërguar nga administrata e Kuvendit. Njëra për një vaksinë klandestine që po shpërndahet aktualisht.  Marrëveshje sekrete që duhet të miratohen nga ky Kuvend për shkak se na qenka kërkuar nga kompania Pfizer.  Unë jam dakord që të vaksinojmë shqiptarët por procedurat duhet të bëhen në mënyrë transparente.

Ndërkohë që Ruçi u përgjigj menjëherë se kjo nuk është e vërtetë.

"Deputet janë të lutur të njihen me to, nuk k asgjë këtu as poër transparencën dhe aq që nuk janë zyrtare. Kjo nuk është një kërkesë vetëm për ne por për të gjitha parlamentet", tha Ruçi

Me të njëjtin qëndrim si Gjoni ishte edhe deputetja Rudina Hajdari.

"Nuk jam informuar lidhur me këtë takim si kryetar të grupeve parlamentare dhe mund të them që nuk jam dakord me këtë mënyrë procedimi, sepse kjo është një çështje shumë sensitive, duhet të jemi sa më transparent dhe aktet normative nuk kanë pse të kalojnë sot, të njihen deputetët dhe qytetarët me këto akte normative. Nuk kemi pse sillemi sikur ka një sekret të madh ne duhet të jemi transparent, si merren, si do sillen, si bëhen marrëveshje dhe këto të njihen edhe qytetarët. Jemi lodhur me këtë histori", tha ajo.

Ora 17:35
Ruçi: Opozita parlamentare i shërbeu vendit! PD-LSI nga rruga i kthyem në institucione (VIDEO)

Në fjalën e tij hyrëse të seancës së sotme, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se ky Kuvend ka punuar në situatë të vështirë, duke iu referuar edhe braktisjes që i bëri opozita Kuvendit.

"Qëllimi ynë ka qenë për të ndërtuar një Shqipëri të fortë ekonomikisht, politikisht, një partnere më të denjë të aleatëve tanë të mëdhenj, BE dhe SHBA. Këto premtime dhe objektiva në fillim të legjislaturës janë realizuar.  Vendi po përballet me dy ngjarje të mëdha si tërmeti dhe pandemia. Gjatë sesionit të kaluar realizuam 3 objektiva madhore, Gjykata Kushtetuese, reforma zgjedhore dhe marrjen e vendimit nga Këshilli Evropian për çeljen e negociatave. Deklarova në fillim të sesionit se me hir apo me pahir deklarova se GJK do të ndërtohej. Dhe ja ku jemi sot Gjykata Kushtetuese është funksionale dhe e aftë për vendimmarrje.Në emër të Kuvendit, i bëj thirrja të gjitha institucioneve të përfshira për plotësimin e Gjykatës së Lartë që përshpejtojnë ritmet.

Të nderuar kolegë arritjet e kësaj legjislature dhe sesionit që kaloi marrin një vlerë të madhe duke pasur parasysh rrethanat e vështira. Përshëndes opozitën parlamentare për shërbimin që i bëri vendit.  Kuvendi pranoi opozitën jashtë parlamentare që jo të sillej rrugëve për të kontribuonte për institucionet", tha ndër të tjera Ruçi.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • XXXX: 18/01/2021 19:04

    Leri antitrupat ti o mashtrues, por kur te bwsh vaksinen e dytw fto analistet te jene aty live, dhe thuaji qe te zgjedhin analistet skeptike kutine me vaksina qe do besh ti ne kutite e pa hapura.dhe pastaj te besojme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi