TIRANË- Gjyqi në themel për dosjen e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë, nuk u zhvillua ditën e sotme. Seanca u shty pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk zbatoi urdhrin e gjykatës për të njoftuar Veliajn. GJKKO konstatoi se shkresa është marrë nga punonjësit e Drejtorisë së Burgjeve, por kryebashkiaku nuk është njoftuar.

“Ka detyrim ligjor të njoftohet personalisht i pandehuri dhe është gjykata garantues. Mosmarrja e vullnetit nga i pandehuri është pengesë për vijimin e gjykimit, megjithëse e ka shprehur në prokurë që ta përfaqësoj në prani e mungesë”, tha avokati i tij, Palrent Ndreca. 

Prokurori Altin Dumani tha se kjo ndodh për herë të parë dhe kërkoi verifikim se pse burgjet nuk përmbushën detyrimin. Drejtoria e Burgjeve u urdhërua të informojë gjykatën për shkaqet e mosnjoftimit të kryebashkiakut, ndërsa seanca e radhës u shty për më 27 prill.

 “Konstatohet se Veliaj nuk ka marrë dijeni. Gjykata i ka marrë të gjitha masat. Drejtoria e Burgjeve s’e ka përmbushur detyrimin. Të verifikohen shkaqet pse nuk është njoftuar nga Drejtoria e Burgjeve si dhe të nxirren përgjegjësit. Vlerësojmë se ky mosnjoftim bën shkak për shtyrje”, është shprehur prokurori Altin Dumani.

Ndërkohë, në seancë avokati Plarent Ndreca, tha se Veliajt nuk i janë dorëzuar të gjithë fashikujt e dosjes, por gjykata i shpjegoi se fashikujt që nuk i janë vënë në dispozicion lidhen me të pandehurit e tjerë.

"Për sa u përket 24 fashikujve që ju si gjykatë theksoni që janë fashikuj që lidhen me njoftimin e akuzës për të pandehurit e tjerë, ne kërkojmë çdo fashikull, sepse janë të pandehur në një procedim të lidhur“, tha ai.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej shkurtit të vitit të kaluar. Seanca e fundit gjyqësore ndaj tij u zhvillua më 3 prill, ku treshja gjykuese i dha 2 javë kohë avokatit Ndreca të njihet me dosjen hetimore. Më herët, Veliaj ka lajmëruar gjykatën se nuk do të paraqitet derisa të njihet me dosjen prej 60 mijë faqesh që iu dërgua në paraburgimin e Durrësit.  

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.