Regjistrimi i PD, Celibashi: Të sjellin dokumentin, afati skadon në mesnatë! Alibeaj nuk pret vendimin e KQZ, dërgon kërkesën në KAS: Basha ka ikur

TIRANË- 48 orë ishte afati i vendosur nga Komisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi për Partinë Demokratike që Lulzim Basha të firmoste si kryetar partie deklaratën solemne të parashikuar në Kodin Zgjedhor për tu regjistruar në zgjedhje, afati i cili skadon sonte në mesnatë, por që nuk do të shfrytëzohet nga ana e demokratëve. Partia Demokratike ka njoftuar zyrtarisht Celibashin se nuk do dorëzojnë dokument të firmosur nga Lulzim Basha. Në një letër zyrtare të firmosur nga përfaqësuesi ligjor, Indrit Sefa, thuhet se Basha është dorëhequr dhe se dokumentacioni i paraqitur është i plotë sipas rregullave.

"Për shkak se dorëheqja e Kryetarit është fakt, edhe pse nuk është pasqyruar në regjistrin e partive politike, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit te ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në kuptim të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 "Per partitë politike", i ndryshuar, funksionimi i Partisë Demokratike për aspektet që kanë të bejnë me zgjedhjet vendore realizohet sipas "Autorizimit të Përgjithshëm" të datës 18 Mars 2022", thuhet në letrën e Partisë Demokratike. 

Për këtë arsye pa pritur orën 00:00, PD-ja e Enkelejd Alibeajt ka dërguar kërkesën në KAS. Sipas tyre, shkresa për angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, nuk është përgjegjësi personale, por që merret në cilësinë e kryetarit të partisë që në rastin konkret ia ka kaluar kompetencat përfaqësuesit ligjor.

“Ndryshe nga sa shprehet Komisioneri, nga përmbajtja e nenit 64, pika 2, shkronja "e" të Kodit Zgjedhor, nuk është shprehur asnjë ndalim mbi delegimin e këtij akti, dhe se nuk rezulton që akti të jetë një akt individual i personit dhe akt ekskluziv, për shkak të përgjegjësisë ligjore në rast mospërmbushje. Si për çdo të drejtë apo detyrimi tjetër (për ilustrim, regjistrimi i kandidatëve), dispozitat ligjore i referohen përmbushjes së tyre nga Kryetari i Partisë, duke qenë se ai është përfaqësuesi i partisë politike në raport me të tretët. Ky pretendim i Komisionerit është i pambështetur në ligj dhe rrëzohet edhe nga përmbajtja e vetë deklaratës, sipas përmbajtjes së miratuar nga vetë KQZ-ja. Deklarata fillon me fjalët: "Deklaroj në cilësinë e Kryetarit të Partisë", cka provon se ajo nuk është një akt individual i personit, por një anagzhim që merret në cilësinë e kryetarit të partisë, cilësi e cila është ajo e organit drejtues/përfaqësues me të tretët dhe jo në cilësinë personale si person fizik/natyror", thuhet në dokument. 

Pas këtyre deklaratave të njëpasnjëshme duket se Celibashi nuk do ta regjistrojë PD-në në rast se deklarata solemnte nuk firmoset nga Lulzim Basha vetë atëherë do të jetë Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve në KQZ që do të thotë fjalën përfundimtare.  

Në mbledhjen e zhvilluar në 9 mars, gjatë shqyrtimit të kërkesave të grupimit të Berishës dhe të Alibeajt për t'u regjistruar në zgjedhje, KQZ vendosi të mos i pranojë të dyja. Kërkesa e Rithemelimit nuk u pranua për shkak se Basha njihet ligjërisht si kryetar partie dhe jo Berisha. Ndërsa kërkesën e Alibeajt për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, Ilirjan Celibashi u shpreh se nuk e pranonte për shkak se mungonte një dokument shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor dhe që duhet firmosur me patjetër nga kryetari i partisë, që ligjërisht është Lulzim Basha. Për dorëzimin e dokumentit të firmosur, KQZ i la afat PD-së vetëm 48 orë kohë. 

Deklarata që duhet të plotësojë Basha
Deklarata njihet si një ‘përgjegjësi’ e kryetarit të Partisë dhe si e tillë duhet plotësuar vetëm nga ai. Deklarata parashikohet në nenin 64 të Kodit Zgjedhor ku radhitet dokumentacioni që duhet të paraqitet për regjistrimin e një partie politike. Dokumenti sipas Celibashit duhet të firmoset vetëm nga kryetari i Partisë dhe është përgjegjësi që nuk mund të delegohet.  Ne pikën e të këtij neni thuhet se: deklaratën me shkrim të nënshkruar nga kryetari i partisë politike ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Teksti i deklaratës përcaktohet nga KQZ-ja.

 

Letra e perfaqesuesit se PD

 

(Kliko ketu) Arsye e kthimit nga KQZ

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:51
Ankimimet e Berishës dhe Alibeajt në KAS, nesër hidhet shorti për të përcaktuar relatorët

1678553559_Screenshot3.jpg

Ditën e diel, pra nesër do të hidhet shorti për përcaktimin e relatorëve për kërkesat ankimore të depozituar në KQZ, asaj të PD se Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt.

Ora 16:46
Regjistrimi në zgjedhjet e 14 majit, PD e Enkelejd Alibeajt e çon kërkesën në KAS: KQZ, po u qëndron besnike qokave politike që ka marrë përsipër

Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt ka depozituar në ankesë në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve sa i takon rrëzimit të kërkesës së tyre për regjistrimin si subjekt politike garues në zgjedhjet lokale të 14 majit. 

Sipas tyre, shkresa për angazhimin solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, nuk është përgjegjësi personale, por që merret në cilësinë e kryetarit të partisë që në rastin konkret Lulzim Basha ia ka kaluar kompetencat përfaqësuesit ligjor.

“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka marrë përsipër një qokë politike për të penguar PD në zgjedhje. Publikisht ka shpallur dy justifikime për këtë:

1. Autorizimi ka “gabime drejtshkrimore”, sepse formulimi nuk duhet të ishte “për regjistrimin në zgjedhjet e përgjithshme vendore të vitit 2023, sipas datës së caktuar me Dekret të Presidentit të Republikës”, por sipas tij duhet të ishte “për regjistrimin në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 14 maj 2023”. Për këtë pretendim nuk referon asnjë gërmë në ndonjë ligj, thjesht i referohet estetikës së tij në shprehje. Shkurt, smë pëlqen kështu, e dua kështu.

2. Deklarata e angazhimit solemn është një akt i patransferueshëm, apo i padelegueshëm tek të tretët, sepse është një akt individual i personit dhe akt ekskluziv i kryetarit të partisë, i cili mban përgjegjësi përpara ligjit për mospërmbushjen e asaj përgjegjësie. Në fakt deklarata jo vetëm që nuk sjell përgjegjësi ligjore, por është një akt, ku Kryetari i Partisë (si personi që përfaqëson partinë në raport me të tretët) merr angazhim solemn në emër dhe për llogari të partisë, jo si individ apo person fizik. Deklarata ka karakterin e një mesazhi publik që Partia i drejton qytetarëve përmes KQZ, që strukturat dhe mbështetësit e saj të mos përfshihen në veprimtari të paligjshme të shitblerjes së votave apo të pranojnë fonde nga burime kriminale. Si deklarim formal, në emër të partisë, ai është jo vetëm i transferueshëm, por krejtsisht pa asnjë efekt për zgjedhjet. Si cdo akt tjeter ligji vërtetë thotë nënshkruhet nga Kryetari, sepse ky i fundit është me ligj përfaqësuesi i partisë në raport me të tretët, por kjo nuk i jep aktit kurrësesi karakter individual”,  thotë PD-ja.

Ato hedhin akuza në drejtim të KQZ, duke thënë se po shndërrohet në një zyrë propaganda.

“Për Komisionerin janë të transferueshme aktet më të rëndësishëm për zgjedhjet (regjistrimi i partisë; paraqitja e kandidatëve; caktimi i administratorëve të zgjedhjeve); por jo mesazhi publik, krejt formal, i Partisë. Edhe në këtë rast ecën me logjikën që “kjo më pelqen të bëhet kështu, ndërsa atë tjetrën e dua ashtu”.

Në këtë kuptim, rrëmuja e krijuar me dashje nga Komisioneri, bën që KQZ të shërbej më shumë si zyrë propagande, sesa si zyrë e administrimit të zgjedhjeve. Nuk ka cënim më të rëndë për zgjedhjet sesa shndërrimi i KQZ-së në zyrë propagande dhe perceptimesh politike. Për më tepër, Komisioneri vendosi publikisht afat 48 orë, por në skadim të këtij afati doli po publikisht dhe pohoi që afati skadon në 12 të natës (60 orë). Në fakt, afati ka skaduar në orën 10 të mëngjesit, orë në të cilën Ilirjan Celibashi kishte detyrimin për të marrë vendimin përfundimtar. U fsheh, në pritje që vendimet e tij ti marrin të tjerët. Përgjegjësia ligjore kërkonte të mos fshihej pas KAS, duke mos ushtruar me dashje detyrën dhe duke u përpjekur ti qëndrojë besnik qokave politike që ka marrë përsipër.

Partia Demokratike e Shqipërisë njofton opinionin publik se sapo ka depozituar ankimin në KAS, kundër vendimit të paligjshëm personal të Komisionerit, duke bërë thirrje për një shqyrtim sa më të shpejtë dhe profesional, të pa ndikuar politikisht dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në deklaratë.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) 

Ora 14:36
Regjistrimi/ PD-Celibashit: Merr vendim tani, mos bëj deklarata politike

 

Përfaqësuesi i PD-së në KQZ i bëri thirrje Celibashit që ta marrë vendimin sot, sepse s’ka pse të vonohet duke qenë se Partia Demokratike nuk do të dorëzojë asnjë dokument.

“Kërkoj t’i bëj thirrje publikut Komisionerit. Të marrë vendim sa më shpejt, PD e ka bërë të qartë se PD nuk depoziton asnjë akt shtesë. Dokumentacioni i plotë dhe i ligjshëm. Të marrë vendim sa më shpejt dhe pa humbur. E lusim të marrë një vendim sa më shpejt,. Argumentet politike të Komisionerit nuk mund të ngrihen në këtë godinë. Kush e ka qëllim të bëjë politikë në këtë godinë nuk e ka vendin këtu. Komisioneri të japë një vendimmarrje tani”, tha Sefa.

Ora 11:49
Celibashi: Vendimin për regjistrimin e PD-së e marrim nesër ose pasnesër! Bashës i mbaron afati në orën mesnatë

 

Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashit tha se vendimin për regjistrimin e Partisë Demokratike do ta marrin nesër ose pasnesër, ndërsa afati që Lulzim Basha të dorëzojë kërkesën e me firmën e tij përfundon në orën 12 të mesnatës.

‘Vendimi që unë si komisioner do të marr pasi të ketë kaluar afati 48 orë që i është dhënë PD-së për të plotësuar dokumentacionin që në bindjen time është i mangët.  Do presim të kalojë afati 48 orë dhe menjëherë do të vendosim. Një ditë më pas është edhe çështje e aspektit të ngarkesës. Natyrisht duke pasur në vëmendje se ka një afat për regjistrimin e koalicioneve si dhe për kryetar këshilli apo anëtarë të këshillit bashkiak. Nuk mund të shkelen këto afate. Afati mbaron në orën 12.’- tha Celibashi.

Ora 11:44
Regjistrimi i anëtarëve të KZAZ-ve, Celibashi: Nuk ka lidhje me regjistrimin por me administrimin e procesit

 

Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se regjistrimi i anëtarëve të KZAZ-ve nuk ka lidhje me regjistrimin e Partisë Demokratike.

“Dua të rikonfirmoj edhe një herë se vendimmarrja e KQZ dhe çfarë ndodh në KQZ është në përputhje me principin që ne aplikojmë sikurse është transparenca e plotë. Ajo vendimmarrje është e imponuar nga rrethanat, lidhet me procedurat që duhet të kryejnë KZAZ-të në bashkitë që kanë një KZAZ që lidhet me regjistrimin e komisioneve nismëtare për kandidatët e pavarur. Vendimet që lidhen me emërimin apo shkarkimin e anëtarëve të KZAZ-ve nuk bëhen gjithmonë në mbledhje publike. Bëhet publikisht vetëm emërimi fillestar.

Edhe në rastin në fjalë, ne i kishim emëruar më parë një pjesë të anëtarëve të KZAZ-ve,. Emërimi është bërë dje në minutën e fundit sepse është dashur të merrnin detyrën më së shumti sekretarët që kanë një rëndësi të veçantë për menaxhimin e procesit.  Këtu nuk ka asnjë qëndrim tjetër tej atij që sapo e thashë.

Ne kemi emëruar anëtarë të KZAZ-së personat që është paraqitur nga personi që është legjitim në komunikimin me KQZ-së. Indrit Sefa si përfaqësues i PD ka gjithë legjitimin. Edhe Selia e PD ka legjitimin dhe ndaj ne atje dërgojmë shkresat. Se kush rri në Selinë e PD-së kjo nuk është çështja jonë.  Për të mos pasur keqkuptim është e ndryshme nga çdo kërkesë tjetër dhe më së shumti për regjistrimin e një Partie politike në zgjedhje. Ne e bëjmë këtë sepse kështu duhet bërë, kështu e kërkon ligji”, tha Celibashi.

Ora 09:42
PD njofton Celibashin: Basha është dorëhequr, dokumentacioni i paraqitur është i plotë

Partia Demokratike ka njoftuar zyrtarisht Ilirjan Celibashin se nuk do dorëzojnë dokument të firmosur nga Lulzim Basha. Në një letër zyrtare të firmosur nga përfaqësuesi ligjor, Indrit Sefa, thuhet se Basha është dorëhequr dhe s dokumentacioni i paraqitur është i plotë sipas rregullave.

Letra e plotë

I nderuar z. Komisioner,

Jemi njohur me vendimin tuaj nr. 158, datë 09.03.2023, ku është urdhëruar "Kthimi për plotesim i dokumentaconit për regjistrimin si subjekt zgjedhor të Partisë Demokratike te Shqiperise". Me anë të ketij njoftimi, ju informojme se z. Basha nuk ndodhet faktikisht në detyrë, për shkak të heqjes dorë nga detyra në mënyrë publike, përpara Kryesisë se Partise, me date 21 Mars 2022 (njoftimi publik bashkëlidhur).

Eshte fakt i njohur botërisht dhe që nuk ka nevojë të provohet, se prej një kohe të gjatë Partia Demokratike e Shqipërisë, partia më e madhe e opozitës, po kalon nje periudhë konflikti të brendshëm, dhe në mungesë në detyrë të Kryetarit të Partisë. Në përputhje me legjislacionin ne fuqi dhe rregullat e brendshme të funksionimit të Partisë Demokratike (konkretisht nenit 46 te Statutit të PDSH), që përcaktojnë se: "Kryetari i Partisë ndihmohet nga Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm......Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin", është lëshuar Autorizimi i Përgjithshëm datë 18 Mars 2022. Për shkak se dorëheqja e Kryetarit është fakt, edhe pse nuk është pasqyruar në regjistrin e partive politike, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit te ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në kuptim të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 "Per partitë politike", i ndryshuar, funksionimi i Partisë Demokratike për aspektet që kanë të bejnë me zgjedhjet vendore realizohet sipas "Autorizimit të Përgjithshëm" të datës 18 Mars 2022.

Përsa më lart, në mbeshtetje të nenit 64 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, duke qene se dokumentacioni i dërguar është i plotë dhe nisur nga fakti që është objektivisht dhe ligjërisht e pamundur mos zbatimi i Autorizimit të Përgjithshëm të datës 18 Mars 2022, kerkojmë shfuqizimin kryesisht të vendimit nr. 158/2023 dhe vijimin e procedurës ligjore të regjistrimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e 14 Majt 2023, duke mbajtur në konsideratë rrethanat ligjore dhe faktike si më sipër.

K.T./LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Shtohen telashet te Arsenal, Mikel Arteta: Saka mungon gjatë

Shtohen telashet te Arsenal, Mikel Arteta: Saka mungon gjatë