Qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës i janë drejtuar sot kutive të votimit në zgjedhjet e përgjithshme, që konsiderohen të rëndësishme edhe për ndikimin që Rusia synon të ushtrojë në vend. Fushata është dominuar nga lideri separatist serb Milorad Dodik, i cili, edhe pse i ndaluar të mbajë funksione publike, ka pasur një rol të dukshëm në procesin zgjedhor.

Rreth 3.4 milionë votues po zgjedhin tre anëtarët e presidencës shumëetnike, deputetët e Parlamentit kombëtar dhe drejtuesit e institucioneve në dy entitetet e vendit, Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republikën Srpska.

Gjatë fushatës, Dodik deklaroi se “Bosnja është e vdekur” dhe se nuk ka kuptim si një shtet i vetëm. Para zgjedhjeve ai zhvilloi një takim me presidentin rus Vladimir Putin, duke vënë në pah lidhjet e tij me Moskën. Sipas analistëve, pavarësisht ndalimit për të mbajtur poste publike, ai vazhdon të ketë ndikim të madh në media dhe në skenën politike.

Zgjedhjet po zhvillohen në një klimë tensionesh etnike, ndërsa politikanët vijojnë të mbështeten te retorika nacionaliste, në një vend që ende përballet me pasojat e luftës së viteve 1992-1995. Në të njëjtën kohë, çështje si standardi i jetesës dhe largimi i të rinjve mbeten ndër shqetësimet kryesore.

Për herë të parë, autoritetet po përdorin identifikimin elektronik të votuesve dhe skanimin e fletëve të votimit, me synimin për të parandaluar manipulimet dhe për të garantuar një proces më të rregullt zgjedhor. Votimi do të mbyllet në orën 19:00 sipas kohës lokale.