Juristi Kreshnik Spahiu ka komentuar debatin e hapur mbi pagat e gjyqtarëve, nëse duhet të rriten ose jo.
Teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, Spahiu tha se rritja e pagave të gjyqtarëve është diçka pozitive sepse sipas tij ndihmon në frenimin e fenomenit të korrupsionit.
Por Spahiu shtoi se rritja e pagave të gjyqtarëve duhet të bëhet në bazë të mudësive që shteti ka dhe jo më tepër sesa rritja e pagave në dy pushtetet e tjera, atë legjislativ dhe ekzekutiv.
“Nëse gjyqtarëve u takon një rritje page apo jo, kërkon një analizë shumë të thellë financiare, ekonomike, politike dhe juridike. E them këtë sepse parimisht do të ishte e udhës që gjyqtarët të kenë rritje rroge dhe të kenë një rritje rroge për t’ju garantuar maksimalisht një pavarësi në punën e tyre, për të mos qenë të intimiduar nga ofertat vetëm për shkak të problemeve financiare.
Çështja është që gjyqtarët në Shqipëri nuk është se kanë paga të vogla, domethënë në raport me institucionet e tjera, gjyqtarët kanë një pagë të lartë. Duhet thënë që një nga arsyet që prokurorët e SPAK kanë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, një nga aspektet është edhe garancia dhe pavarësia financiare. Sepse janë të njëjtët prokurorë, kur punonin para 20 vitesh punonin me 500-600 euro pagë, ndërsa sot punojnë me 6 mijë euro pagë. Do thoni ju që nuk është vetëm paga, por është edhe paga.
Tani a duhet që edhe gjyqtarët të kenë një garanci? Parimisht po. Por këtu lind një debat politiko-juridik, që do të thotë, a janë pushteti gjyqësor një pushtet mbi pushtetet e tjera? Sepse mund të cënohen pastaj parimet e balancave të pushteteve të tjera, legjislativit dhe ekzekutivit. Domethenë në nivele të ndryshme të administratës vazhdojnë paga shumë të ulta në raport me gjyqtarët që kërkojnë rritje. Pra unë do të thoja që parimisht duhet të kemi rritje pagash për gjyqtarët, por nga ana tjetër, pushteti gjyqësor nuk mund të jetë mbi pushtetet e tjera. Duhet zgjidhur brenda mundësive që ka shteti”, tha mes të tjerash Spahiu.
Lajmi kryesor:
Spahiu: Amnistia Penale duhet të jetë më e gjerë, sepse burgjet shqiptare s’kanë efekt riedukues











