Duke iu referuar protestave që po zhvillohen prej ditësh kundër investimit në Zvërnec, juristi Kreshnik Spahiu ka ngritur pyetjen se përse këto tubime zhvillohen në një moment që në Shqipëri erdhi një investitor i huaj, si vajza e Presidentit Donald Trump, Ivanka dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner.

Në një lidhje për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Spahiu tha se gjatë 30 viteve në Shqipëri ka pasur tjetërsim pronash, mafje dhe trafik droge, por sipas tij, kurrë nuk është protestuar kundër tyre.

“Turizmi në Shqipëri, pastrimi i parave në Shqipëri, të paktën në 99% të rasteve, nuk është bërë nga investitorë të huaj, por nga shqiptarë. Nëse do i hyjmë me themel korrupsionit, drogës, pastrimit të parave, mendoj se shifra në bregdetin shqiptar do të ishte e frikshme. Si ka mundësi në një vend që mafia, droga, organizatat kriminale kanë tronditur edhe euron, nuk ka pasur protesta kundër krimit të organizuar shqiptar. Si ka mundësi që shpërthyen protestat, kur një herë erdhi një investitor i huaj. Edhe nëse ai investitori do tërhiqej nga Zvërneci, Zvërneci do të përfundonte si Shkëmbi i Kavajës apo Gjiri i Lalëzit”, tha mes të tjerash Spahiu.

Ndërkohë duke iu referuar aksioneve të ditëve të fundit të SPAK, ku janë goditur disa grupe kriminale dhe janë sekuestruar qindra milionë euro pasuri, juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se me administratën amerikane të Presidentit Donald Trump, lufta kundër trafikut të drogës ka marrë një peshë më të madhe.

“Kemi edhe Ambasadën Amerikane që u shfaq sot. Të gjithë arrestimet e SPAK, kanë subjekte shqiptare. Kanë subjekte që janë futur në investime në ekonominë shqiptare, në pastrimin e parave të krimit e drogës. Janë dosje që kanë qenë në hetim prej vitesh, por që u konkluduan 2 ditë më parë. Sot në Shqipëri, kemi një opozitë të re në shesh, kemi popullin dhe rininë në shesh, për shkak sepse shkëndija nisi për një investim në Zvërnec, të një kompanie të huaj, për të cilën kishte ndërmjetësuar vajza e Presidentit Trump. Ajo që doja të evidentoja për publikun është që mesazhi i SPAK dhe ambasadës amerikane, është i qartë", vijoi Spahiu.

Më tej Spahiu tha se SPAK është një realitet i ri, me të cilin po ballafaqohet çdo qelizë e shoqërisë shqiptare

Spahiu shtoi gjithashtu se SPAK ka mundur të zbusë arrogancën e pushtetit Ekzekutiv, përballë pushtetit Gjyqësor.

“SPAK është një realitet i ri me të cilin po ballafaqohet çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. SPAK është kthyer edhe në një balancues të pushteteve. Ka mundur të zbusë arrogancën e Ekzekutivit, i cili ka qenë shumë i fuqishëm përballë Gjyqësorit”, shtoi Spahiu.